back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Lazër Radi dhe Vepra e tij Gazeta “Liria” 26 shtator, 1998

Gazeta

Varri i Lazër Radit
Varri i Lazër Radit

Lazër Radi dhe Vepra e tij

Gazeta “Liria” 26 shtator, 1998

Koha, kujdesi dhe vëmendja që Dr. Lazër Radi u ka kushtuar miqve të vet, tregon se sa e shenjtë dhe e dlirtë ka qenë ndjenja e miqësisë dhe dashurisë për të…
Emrat dhe imazhet e njerëzve që ka dashur aq shumë asnjëherë nuk zbehen! Koha kalon dhe ato aq më tepër marrin dritë, kthehen në qenie të gjalla që lenë pas rrezatimin dhe shkëlqimin e fjalës në penën e Lazër Radit… Njerzit që ai do jetojnë dhe qeshin, qajnë dhe vuajnë bashkë me të… Kjo është arsyeja që pas dhjetra e dhjetra vitesh ndarjeje, ai u ringjall.
Pasi së bashku me poetin dhe intelektualin, djalin e tij Jozef Radi, botojnë vëllimin e parë poetik “Muret e Muzgut”, bëri jehonë në rrethe letrare dhe u prit shumë mirë nga kritika, ai filloi punën për të përjetësuar talentin, veprën dhe kujtimin e miqve të vet. Kështu vijoi me librin “Nji verë me Migjenin”, në të cilin pasqyron mbresa dhe kujtime nga aktiviteti letraro-artistik me mikun e tij, poetin Millosh Gjergj Nikolla. Më tej ai vazhdon t’i bëjë jehonë trimërisë, burrërisë dhe atdhetarizmit të njërit prej fiseve më të shquar të Dibrës me librim “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”
Në vitin 1994, botohet libri “Misteret e nji Ministri”. Në kët libër trajtohet për herë të parë figura e njërit prej intelektualëve dhe eruditëve më të njohur shqiptarë, e ministrit të Arsimit në periudhën e mbretërisë z. Mirash Ivanaj, i cili në një moshë shumë të rembas studimeve në Itali mbron dy doktorata. Ai ishte nji poliglot i vërtetë, sepse ishte njohës shumë i mirë i 12 gjuhëve.
Por, Lazri nuk e quajti të mbaruar detyrën ndaj profesorit dhe bashkvuajtësit të tij, (kanë kryer dënimin në të njëtin burg politik) vetëm me kët libër. Duke e njohur nga afër ai ishte i bindur se një shpirt i tillë duhej patjetër të kishte edhe një trashëgim letrare. Dhe hamendja nuk e gënjeu. Pas kërkimesh të lodhëshme nëpër arkiva, thellë nëpër bodrume dhe arka, ai gjen letërkëmbime, dokumenta dhe dorëshkrime që tregonin edhe për veprimtari letrare dhe politike të Mirash Ivanajt. Po ajo çka është më e rëndësishme, se në dosjen e tij u gjet edhe nji dorshkrim poetik në gjuhën serbo-kroate: “Epopeja e Njeriut” nga vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj. Me dashuri dhe përkushtim Dr. Lazri mbaron në nji kohë fare të shkurtër përkthimin e tij dhe e dërgon për botim në Shtëpinë Botuese “Liria”. Tashmë ky libër ndodhet në duart e lexuesve.

Lazër Radi dhe Shane Muda Tiranë 1994
Lazër Radi dhe Shane Muda, Tiranë 1994

Dr. Lazri, duke u nisur nga fakte konkrete, mbetet i bindur se libri është i shkruar nga Mirash Ivanaj, megjithatë ai i qëndron besnik autorësisë së dorshkrimit.
Në parathënien e veprës autori thotë: “E reja më e rëndësishme e këtyre dy autorëve është ngjyrimi frojdian që vihet re në mjaft prej poezive të tyre. Ky fakt tregon më së miri se ata jo vetëm zotëronin një kulturë solide, por qysh herët e kishin kuptuar se psikoanaliza do të kishte një të arthme të rëndësishme jo vetëm në shkencë, po edhe në art…”
Kjo duket qartë në poemën “Semiramida”. Më tej në parathënie lexojmë: “Desha të shtoj me autosugjestionin e fuqishëm të Mirash Ivanajt… Ndërsa ishte në ditët e fundit të burgut, ai vazhdimisht thoshte: ‘Unë s’do ta nxjerr kryet prej këndej!” Ai njeri i pathyeshëm kishte humbur dëshirën për të jetuar. Dhe vërtet dy-tri dit para se të lirohej, ai u shua ngadalë si qiri, duke lënë shumë dritë dhe njiherësh nji boshllëk të jashtëzakonshëm mes nesh…”
Por veprimtaria letrare e Dr. Lazër Radit nuk mbaron me kaq. Në Shtëpinë Botuese “Liria” është në proces botimi “Platoni”, si dhe veprat “Murgesha dhe Poeti”, “Apologjia e tretë e Sokratit”, “Gjyqi Special”, etjerë.
Shkoj shpesh në shtëpinë e tij dhe çdo moment e gjej para makinës së shkrimit. Rrallë kush ka nji vullnet si i tiji. Pranë i qëndron gjithnji e shoqja nënë Vita, e cila edhe ajo ka qenë e burgosur politike, për gjashtë vite ashti si i shoqi.
Dr. Lazri mendon se mund t’u japë më shumë njerzëve përmes veprimtarisë letrare, se sa përmes politikës, e cila tashmë është kthyer në një luftë të ethshme për pushtet…
Miqësia, takimet dhe bisedat me Dr. Lazrin janë nji pastrim për shpirtin, dhe nji mesazh për më tëpër dashuri ndaj njeriut…
Shane Muda
Gazeta “Liria” e shtunë, 26 shtator, 1998

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.