back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Lazër Radi: “Dedë Gjo’ Luli” përmes kujtimesh dhe veprës së Mark Ndojës

Gazeta

Ded Gjo Luli me Kolë Dedën
Ded Gjo Luli me Kolë Dedën

“Dedë Gjo’ Luli” përmes kujtimesh

dhe veprës së Mark Ndojës

Parathania e Librit nga Lazër Radi

Pesëdhjetë vjet ma parë, mbasditen e nji të djele dhjetori të vitit 1937, në Konviktin “Malet tona” vjen Mark Ndoja, me më marrë, e me shkue së bashku në Sallonin e Jezuitëve, ku luhej për t’parën herë melodrama kombtare “Ruba e Kuqe” e hartueme nga Dom Ndre Zadeja dhe e muzikueme nga Dom Mikel Koliqi, kardinal i sotëm i Shqipërisë.
Nji vit ma parë, po nga këta autorë, por nga “Scuola Cantorum” e katedrales së Shkodrës kishim ndjekë shfaqjet “Rozafa” dhe “Rrethimi i Shkodrës”. Nuk asht vendi të tregoj këtu suksesin e madh që patën këto dy drama, dhe nuk mbahet mend sa herë u duartrokitën nga publiku shkodran, i cili nga teatri dhe muzika jo vetëm që merrte vesh, por ishte fort i apasionuem mbas tyne.
Për melodramën “Ruba e Kuqe”, Marku qe i interesuem në mënyrë të veçantë, sepse trajtonte nji subjekt të cilin ai e njifte shumë mirë dhe për të cilin po përgatitej ta trajtonte o si tragjedi, o si dramë, o si melodramë.
Meqë biletat na i kishte sigurue Marku, hymë me kohë e pa telashe në sallonin e teatrit. Ishim në pritje të fillimit të shfaqjes. “Ruba e kuqe”, i thonin atëherë malsorët Flamurit tonë kombëtar. Na e shpjegoi vet “Dedë Gjo’ Luli” në kuvendimin që mbajti para krenëve, parisë dhe djelmnisë së vendit, nën lisin shekullor, ku ishin mbledhë për të dhanë Besën, e me i dhanë fund robnisë:

“…janë do vjet qi na rrethaza –
                    po mshehaza,
kjajmë si qyqja nëpër vrri –
                    mbi nji shti,
me’i rub’ t’kuqe, t’bame palë –
                    qi n’sheh dalë
ende s’ka. Shqipja me krena –
                    mbi këto dhena
po lëshon zanin e kushtrimit…”

N’at Kuvend vendoset që të këputen vargojtë e robënisë, të ngrihet Flamuri në majë të Deçiqit dhe të shpallet pamvarsia e Shqipërisë. Nuk po më rrihet pa përmendë thirrjen patetike të Sokolit,  njerit prej krenëve të malsisë, të shprehur në këtë Kuvend:

“O Flamur, o djem, ku ini? Këtu ma bini.
t’parën herë m’e pa kur mujta –
                    mendsh sa s’luejta,
nëpër dej gjaku pizati –
                    luejti shtati…
rrodhën lot’t si dy currila –
                    kur i çila,
sy e buz’ n’at rubë i lëshova –
                    e e bekova –
s’e la kurr at rubë të kuqe –
                    m’u ba…

Flamuri - Vlore 1912
Flamuri – Vlorë 1912

“Ruba e Kuqe”, na la mbresa të mëdha… edhe tash, mbas kaq vjetësh, ende m’duket sikur po më shungullojnë në vesh fjalët e Sokolit:

“Zoti n’qiell n’e pastë gjikur/ ka ardh dita pra m’u zgjue,
ku je Flamur kuq e zi/ me nji mbret me nji Shqipni?
Ku je Flamur shej ngadhnjimi?/ -Rroft BASHKIMI!
Toskë e Geg’, fshatar malcuer/- nji Flamur,
njaj Flamur qi n’dor t’kruetanve/ theu guximet e sulltanve…”

Dolëm nga shfaqja të emocionuaem e të entusiazmuem. Loja e aktorëve, ndonse nxanës e diletanta, ishte e shkëlqyeme. Por ajo çka na i preku zemrat e që na la mbresa të pashlyeshme ishte mesazhi i Bashkimit Kombëtar. Unë për vedi po notojsha nëpër përfytyrime, e po më rikrijoheshin do skena që m’kishin impresionue fort. N’ato vegime, papritmas, Marku m’thotë:
-Muzika e mirë, po edhe Zadeja asht i fuqishëm me at’ vargun e tij aleksandrin, por ku di unë, kam përshtypjen se veprës në përgjithësi i mungon diçka, kam përshtypjen se i mungon “realja”. Unë i kam shumë të freskëta zhvillimet e atyne ngjarjeve heroike, t’asaj kryengritjeje që synonte me shpallë pamvarsinë e Shqipërisë. E njoh vendin ku janë mbledhë burrat, e kam pa dhe e kam prekë me dorë atë lisin historik ku zhvilloheshin kuvendet e “burrave të dheut”. Ma beso kam do kohë që po e shtjelloj në mendje nji subjekt të tillë.
-Shumë bukur! Ty të takon nji punë e tillë. Ti je i njatyne vendeve. – i thashë.

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995
Dr. Lazër Radi – autor i Parathanies së Librit

***
Jeta na përpalsi të dyve në kahe të kundërt, por nji ditë na nxorri në të njejtën qafë…
Dhe sot po shoh se Mark Ndoja e paska mbajtë fjalën!
Para do kohe, djali i tij Leka më solli “Dedë Gjo’ Lulin”. S’do mend, e kisha nji kureshtje të madhe me dijtë se si e kishte shtjellue ngjarjen dhe nëse kishte mbetë në pozitat patriotike të asaj kohe. E kisha ndjekë me vëmendje edhe evolucionin apo ma mirë “revolucionin” e tij ideologjik dhe, natyrisht pikëpamjet e tij mund të kishin ndryshue dhe mund t’mos përputheshin me ato që kërkonte subjekti. Pra, për nji kompleks gjanash kisha dëshirë e kureshtje me e pa nga afër kët vepër.
Aftësitë e Markut i njifja prej kohës së Gjimnazit të Shkodrës. Në konviktin “Malet tona” ai kishte vetëm gjysëm burse: ngranien. Kështuqë njiheshim mirë bashkë. Marku ishte djalosh me kulturë të gjanë, në mënyrë të veçantë ishte specialist i letërsisë klasike. Ndiqte me shumë vëmendje çdo manifestim letrar e kulturor që zhvillohej asokohe n’vendin tonë. Na, konviktorët, duke ia njoftë aftësinë e tij si kritik letrar dhe duke admirue gojtarinë e tij, i grumbulloheshim dhe e ndigjonim me vëmendje.
Shpesh edhe e ngacmonim që ta nxisnim me folë. Mbas çdo bisede ishte e pamundun të ndaheshim prej tij pa pasë përfitue diçka të re, dhe interesante, që s’e kishim dijtë, apo s’e kishim njoftë më parë.

***
Me këto mendime të nji gjysë shekulli të shkuem nisa me lexue “Dedë Gjo’ Lulin” e Mark Ndojës.
Me thanë të drejtën, qysh në faqet e para m’bani për vete. E ky, më duket, se duhet të jetë qëllimi i nji vepre dramatike. Nji dramë, kur e sheh të shfaqet ose kur e lexon, duhet me të tërheqë, me të zgjue ndjenja fisnike, me të naltsue shpirtnisht me dashninë për tokën, për njerëzit e njajtit gjak dhe të së njajtës gjuhë; mbasi veç kështu mund të konsiderohet vepër arti në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Nësa po i hidhsha disi ngutshëm nji shikim krejt dorëshkrimit, më kalonin para syve, si në nji ekran filmi, melodrama “Ruba e Kuqe” e Dom Ndre Zadejës, “Lissus-i” i Dom Ndre Mjedës, “Sauli” i Viktor Alfierit.

“Oh, se ato pyrgje t’hjedhta dikur flitshin
Me hyjt e nat’s për lumni t’reja t’Shqipes…”

Marku si nji puntor i zellshëm i vargut dhe në përgjithësi i gjuhës shqipe, i ka dhanë veprës së vet nji veshje klasike. Për ta bà ma impresionuese ka përdorë elementë irealë, mitologji shqiptare, që, në kompleks, e bajnë veprën të aftë me përcjellë në kohë dhe në hapësinë mesazhin e edukimit patriotik të brezave.
Vepra asht shkrue rreth viteve 1937-’38… pra, Markun e atyne viteve unë po e gjejsha sot te vepra e tij:

“Me hije deke, po! por jet’n e deken n’dorë
                e ka veç Perendia…”

Nji onomatope marramendse zotnon skenën: aty Kastrioti, Bogdani, Hijet, Engjulli që zbret nga qielli me flamurin e Shqipnisë në dorë, aty Zanat, aty Kori. Hijeve të shqetsueme për fatet e kombit u përgjigjen Zanat edhe Kori:

“Ktheni t’pajtueme kah paqja e vorrit,
            për ju stërnipat kanë me luftue…”

N’at çast, nji kor i fuqishëm, që përfaqson krejt shqiptarët në kryengritje, shpërthen në shpalljen e pamvarsisë:

“Lufta! Lufta plasi në rrapshe t’Hotit!/ Ded Gjo’ Luli, rrfeja e rrebtë e Zotit,
Don me ngrijtë Flamurin e Kastriotit,/ Q’ende t’fort ka nipa e mbesa,
Por s’kanë armë… Nuk i lshon shpresa…/ Ç’po luftojnë me spata e kmesa!”

I gjithë preludi e pregadit shpirtnisht spektatorin, krijon atmosferën e nji ngjarjeje të madhe e vendimtare për fatet e Kombit:

“Turr, djelmoça, vrik si rrfeja/ Mbi Flamur me shkrola t’reja
shkruemni prap Lumni e Pushtet!”/ Shkruemni prap: Lumni e Pushtet…”

Qysh n’fillim të aktit të parë, djaloshi Zef Shkodrani e len Shkodërlocen, len rahatinë, len të mirat materiale dhe iu sulet atyne shkrepave për me luftue sëbashku me trimat e malsive për me i dhanë Atdheut Lirinë dhe pavarsinë. Ai flet, e me gojën e tij kuvendon rinia shqiptare. Asht i mërzitun se gjithnji atdheu i tij po dergjet nën pushtimin e të huajit e, meqë ai vend ishte i panjoftun për të, dhe shtigjeve nuk po haste luftëtarë, ai nis e mendon se edhe ato kërshe i kishin pushtue. Atë e pushton nji mërzi e madhe, pse i duket se Shqipnia s’paska ma as trima e as kreshnikë me i dalë zot:

“Thue fatosat kanë prendue/ E s’lejnë ma p’r ‘i Shqipni t’Re,
Dielli i zjarrt s’ka me gjallnue/ Ma dashnin e Atdheut ndër ne?”

Kur nji dyshim i mbrapshtë e i padrejtë nis me ia grrye shpirtin, Kori dhe zhurmat onomatopeike i japin jetë e gjallni, e kallin krejt atmosferën me entuziazmin e kryengritjes. Kori i tregon Zefit se dyshimi dhe hamendjet e tij janë të padrejta dhe të ngutuna:

“Po vinë, Po vinë…/ Ndiej gryka si shamtinë!
Shpejtojnë! Qe, hapa e brimë:/ Vetimë e bubullinë…”

Këtu Zef Shkodrani, në njifarë kllapije shpirtnore, me nji lirizëm të pastër e të kulluet si krojet e bjeshkve shqiptare, ndigjon tingujt e kambanave: ndigjon mirënjoftjen e nji populli që me “Ave Maria” falenderon Zotin për lirinë që po ia jep Atdheut:
“… në atë muzg t’ambël të ksaj toke atnore…”

Komandantët e Malsis...
Komandantët e Malsis…

***
Për me e shue kryengritjen pa gjakderdhje turqish, Sulltan Mehmeti, i çon nji letër Dedë Gjo’ Lulit me anën e Turgut Pashës. Mbas shumë propozimesh, ai i ban edhe nji kërcënim:
“… sa për kërcënime
mos i kjosha pikë falë, jo veç Sulltanit
por askujt tjetër qi t’jet mishi e gjaku.
Krahnori i im e i Lekve t’mij asht gati
me i dalë përpara pushk’s e mitralozit
e topit grykën kur t’vjellë flakë m’ia xanë
ma parë se me i ndejë raje kuj n’vend tanë…

Thuhej mandej
…Turgutit t’i thotë mbretit qi nji lopë
në treg me u shitë nuk kite pa’ qillue,
As Ded Gjo’ Luli, as kurrnji i Lekë: t’i thojë
edhe (n’kjoftë gjithnji se m’blen) se s’ka
aq pare sa me m’ble, edhe në kjoftë
se edhe kunorën e mbretnisë po e shkrinë…”

***
Krejt vepra asht përplot me çaste të tilla entuziazmuese të nji nacionalizmi të pastër, jo shoven, por vetmbrojtës; nji e drejtë jo vetëm e çdo kombi, por edhe e çdo individi për me jetue i lirë e i pavarun. Me kërkue lirinë tande nuk asht nji sakrilegj… Mëkat a poshtërsi asht me u kurdisë në votrën e tjetrit dhe me e njoftë vedin  zot e padron në shtëpinë e tjetrit.
Pa dashtë me u futë ndër hollësina të dramës, që janë aq të bukura dhe interesante, due me u ndalë në mesazhin që ajo na përcjell, e që asht aq aktuale edhe në ditët tona. Në formë të thjeshtë, po vërtet emocionuese paraqiten peripecitë e ngritjes së Flamurit në Deçiq, n’ato ditë të lumtuna kur po agonte liria edhe për ne shqiptarët. Figura e Dedë Gjo’ Lulit asht nji figurë madhështore dhe tejet e dashtun. Ai nuk di as me shkrue e as me lexue. Ama di me iu përgjigjë cilitdo që i ka shkelë të drejtat e vendit të tij, qoftë ky edhe vetë Sulltan Mehmeti i Pestë:

“T’mi falet nder’s Sulltanit p’r ato këshille
t’mira qi m’çoi n’ket letër. Por t’mi thojë
edhe se tashma regjë jam’ me mashtrime
e me dredhi t’Stambollës…”

Deda asht tipi i nji idealisti të kulluet. Njeri i thjeshtë pa fjalë të mëdha e pa dallavere: njeri që i thotë bukës bukë dhe ujit ujë. Me sjelljen e vet, me trimninë dhe besnikninë e vet, bahet burim frymëzimi për të gjithë ata që i afrohen e që duen me luftue me të. Deda ishte njeri me besim të madh si në veten e vet njashtu edhe n’idealet që përfaqësonte.
Sa nevojë ka edhe sot Shqipnia për idealista të tillë. Megjithëse asht nji nga krenët kryesor të malsisë, megjithse gëzon nji autoritet të padiskutueshëm në të gjitha trevat e asaj Shkodërloceje, prap se prap ai kërkon me mbetë njeri i thjeshtë dhe s’kërkon me shkëlqye mbi tjerët, por me kenë i barabartë me ta. Atë s’e tërhjekin as e joshin përfitimet madhështore; ai punon në heshtje, flet me zà të ulët, të urtë e të ambël; fjala e tij të gjallnon, pothuej ngjallë të vdekunin, frymëzon ndër tjerë nji flakë të shenjtë, ua ndez zemrat dhe u jep atyne fuqi prej divi në gjendje me shembë malet…

Teatri Kombëtar - Tiranë
Teatri Kombëtar – Tiranë

***
Mendoj se Teatri Kombtar në bashkëpunim me ndonji kompozitor duhet ta bajë nji provë për me e vù në skenë dramën “Dedë Gjo’ Luli” të Mark Ndojës dhe me ia paraqitë publikut shqiptar. Në asnji moment nuk duhet me harrue se edukimi qytetar i rinisë shqiptare duhet të jetë në qendër të vëmendjes së krejt atyne që e kanë për zemër të ardhmen e këtij kombi. Na duhet me gërmue në kohnat heroike si arkeologë të mirë shpirtnorë e me nxjerrë modelin e shqiptarit që na nevojitet sot domethanë të gjejmë karakterin e virtytshëm, njeriun që nuk lakmon veç të mirat materiale. Njerëz të tillë që flijuen vedin dhe gjithçka patën për të mirën e atdheut të tyne; Rilindja e jonë asht e mbushun, pra: shembujt e tyne na duhet sot me brumosë karakterin e shqiptarëve të sotshëm.
S’duhet me harrue për asnji çast se diktatura që iku, na ka lanë mbas në këtë drejtim. Pjesës intelektuale i duhet me punue shumë në kët drejtim. Me marrë shembujt ma të mirë e ma pozitivë e t’i kemi pasqyrë e model në veprimet, mendimet dhe qëllimet tona. Ta bajmë nji “un” tonin të dytë, ta kemi përcjellës të jetës, ta kemi edhe si frè që të na ndalojë saherë nji e keqe, apo nji instinkt i verbët do të përpiqet të na shkulë nga prej rrugës së drejtë. me na futë ndër qorrsokaqe…
Kujtoj, se idealizmi dhe vetmohimi janë virtyte që i nevojiten kombeve jo vetëm në epokat e përmbysjeve të mëdha, por u nevojiten edhe në jetën e përditshme e sidomos në të përditshmen e sotme shqiptare ku në çdo hap po ndeshim në shpërfytyrimin e së mirës, njerëzores, së ndershmes e së drejtës…
Më vjen fort mirë që kjo vepër e bukur e rinisë së hershme të Mark Ndojës, po sheh dritën e botimit. Marku ka qenë talent, por rrethanat politike që e përfshinë në gjeratoren e kohës e cunguen edhe atë m’u në vrullin e mundësive të veta kur mund të jepte nji kontribut të vyem në letërsinë, kritikën dhe kulturën shqiptare.
Uroj të gjendet ndokush për me e vù në skenë kët vepër. Na shqiptarët sot përjetojmë nji “Epokë të Madhe”, po për fat të keq ne s’jemi të vetëdijshëm për kët: Pse a ka madhështi ma t’madhe se me i pa shqiptarët të bashkuem në nji shtet të vetëm, për të cilin luftuen Dedëgjolulat e Malsisë?!
Tiranë, 1994.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.