back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Lazër & Jozef Radi: “Të gjallë edhe të vdekur” – tregime dhe novela me sigurinë e markës – nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Lazër & Jozef Radi - "Të gjallë edhe të vdekur" - Tregime dhe Novela
Lazër & Jozef Radi – “Të gjallë edhe të vdekur” – Tregime dhe Novela

Lazër & Jozef Radi: “Të gjallë edhe të vdekur”

– tregime dhe novela me sigurinë e markës.

nga Shpend Sollaku – Noé

A mund të shkruhet për libra që akoma nuk i ke lexuar?! Unë them se mundet, kur autorin e ke njohur, që kur ne përdornim majat e penave të ngjyera tek shishkat me tapë, që kur të zotëroje një “stilèt” të futur në një copë kallami apo tubth prej bakri ishte akoma një luks për të pakëtit, kur leximi i ndonjë libri “të verdhë” ishte akoma një emocion që mund edhe të të shpinte prapa hekurave…
Libri që unë akoma nuk kam lexuar titullohet “Të gjallë edhe të vdekur” tregime dhe novela nga Lazër & Jozef Radi. Një libër që unë, me siguri, do ta lexoj së shpejti. Për mua kjo ngjarje – leximi i “Të gjallë edhe të vdekur” – është aq e sigurt që do ndodhë, ashtu si hyrja e padiskutueshme, me një blerje nga pas, tek njëri prej dyqaneve të Armanit. Pasi nuk kam lënë gjë pa gllabëruar nga krijimet më të rëndësishme prej këtyre dy autorëve, edhe kur nuk kam shkruar rreth tyre. Edhe kjo dëshmi e re në prozë ka firmën e shkrimtarëve prej të cilëve dihet që mundësirat për të të zhgënjyer janë ose zero, ose të papërfillshme.
Titulli i mësipërm i Lazër & Jozef Radit është vepra e dytë e përbashket artistike nga atë e bir, 25 vjet pas botimit të librit “Muret e Muzgut” – dëshmira tragjike në vargje të dy talenteve krejtësisht të dallueshëm në mënyrë e përmbajtje, ashtu siç besoj duhet të ndodhë edhe në librin e porsabotuar, në të cilin elementi tragjik është parareklamuar prej Jozef Radit.
.
Shpend Sollaku - Noé - 2017
Shpend Sollaku – Noé – 2017

E kam menduar shpesh Jozefin këto ditë. Kam shkëmbyer edhe mesazhe me të, ndërsa firmoste autografe në panairin e fundit të librit në Tiranë. Në dialogët tanë, edhe pse të pashprehur në batutat e tij, arrita të nuhas sidoqoftë diçka: mungesën pothuaj totale të atyre që “Të gjallë edhe të vdekur” e kishin mbytyr me “Like” në faqen e tij të FB-ut. Edhe pse banonin në Tiranë apo diku afër, edhe pse e dinin mirë se në cilin kënd të panairit Jozefi ishte vënë i gatshëm për t’ua firmosuar ato kopje të bekuara të librit akoma me bojë të freskët.

Ai nuk i kish kushtuar edhe aq rëndësi këtij fakti. Edhe për mua, sikundër edhe për shumë të tjerë, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pranishme armata e madhe e hiçbërësve, e hiçlexuesve, e hiçtrupërdoruesve, por që kanë aftësinë e lindur të zotërimit të hosanave në forma nga më të pabesueshmet. Autorët e shkretë i besojnë deri në një farë mase lëvdimeve. Qoftë poetët, qoftë artistët, kanë nevojë të domosdoshme që të jenë të përkëdhelur. Pa përkëdheljen ata, sidoqoftë, mund të mbijetojnë. Mungesa e saj ndonjëherë mund të bëjë edhe efektin e kundërt: t’i shpjerë drejt përkryerjes.
Veçse apo sidomos ai pa të cilin shkrimtarët praktikisht vdesin është leximi i librave të tyre. Ata kanë nevojë jetike që të jenë të lexuar. Ndryshe do t’u duhet të pranojnë me dhimbje se të gjithë ata që duket sikur u shkojnë pas, nuk janë veçse ca vegime të çastit, që kurrë nuk kanë për të marrë një formë reale, prej mishi e kockash.
Botuar në Gazetën “Dielli”, 1 dhjetor 2017
https://atunispoetry.com/2017/12/01/lazer-jozef-radi-te-gjalle-edhe-te-vdekur-tregime-dhe-novela-nga-shpend-sollaku-noe/
.
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996

Dy fjalë lexuesve

Këtu e 25 vite të shkueme, të posadalun prej nji errësine, n’nji dritë të mektë lirie, im atë dhe unë, vendosëm njashtu me shpirt nëpër dhambë me u ba bashkë, tashma nën letrat shqipe!
Siç kishte ndodhë edhe plot herë ndër ndodhi të përbashkta fatkeqsie, kësaj here menduem me u ba bashkë në nji libër, nji libër poezish, prej njatyne vogëlsinave, që dikur mundeshin edhe me dënue me vdekje, e që aq për zemër i kishim pasë të dy!
Dhe kështu, nji ditë të bukur vjeshte, Babë e Bir, n’emën t’nji vuejtje pakufi, po edhe t’nji shprese e shpirti shenjtnues, u banë bashkë e dolën me librin “Muret e Muzgut”, ndër dësh- mitë ma të hershme t’nji libri, ku dy autorë të pshtuem prej skëterre gjysëshekullore, lëshonin klithmën e tyne humane!
Dhe libri pati mjaft sukses!
U promovue ne qytetin e vendvuejtjeve tona, në Lushnje; po edhe në fakultetin Filologjik; në nji gjimnaz të Tiranës, shkruen mjaft gazeta vendi; shkroi edhe shtypi i huej; u ba nji emision në radio; disa intervista e mjaft shkrime prej autorësh n’za!
U duk sikur nji kohë ringjalljesh e shpresash po i trokiste edhe këtij vendi të mpimë prej asaj beteje tragjike me vedin. Mbas këtij libri, u botuen edhe dhjetra libra të tjerë, ku Plaku përpiqej me kapë kohën e humbun, që prej krejt veprës së tij, diçka të mbrrinte te lexuesit; kurse i Riu, i bindun se koha
ishte në krahun e tij, i erdh me sa mundi në ndihmë të Atit, shpesh duke e lanë pak mbas dore edhe vedin! Në vitin 1998, ndërsa jeta e të Atit do të këputej, jeta e të birit do të shtyhej në tjera realitete…
Ajo që dikur kish qenë shpresa madhe, përditë e ma pak po shfaqej si e tillë! Edhe pse botimet e të dyve s’kanë rreshtë ndër vite, mbas 25 vitesh, ata At e Bir, shfaqen sërish bashkë, sërish në letra shqipe, tashma në prozë, midis tregimesh dhe novelash, sërish nën nji përkushtim të përbashkët, nji strehë e re ku legjenda e të gjallit me të vdekunin rishfaqet në trajtë të re, jo mbi kalë, po mbi nji libër si besë e dhanun, se ia vlen me qindrue bashkë edhe në nji libër proze!
“Të gjallë edhe të vdekun…” asht ky titulli i librit të për- bashkët i Lazër dhe Jozef Radit, pothuej 20 vite mbas largimit të Lazër Radit. Nji tjetër dëshmi e asaj vazdimësie letrare dhe joletrare, njerëzore dhe qytetare, nji dëshmi ku hallkat e jetës s’mund të këputen as prej ideollogjive dhe as prej largësive të kohës!
“Të gjallë edhe të vdekun…”, asht nji libër në prozë, nji libër me dëshmi të thekshme dhimbjeje dhe tragjedie, po edhe besimi e shprese! Nji libër ku i gjalli dhe i vdekuni shkojnë bashkë, ku koha dhe hapsina edhe pse flërtojnë dhimbje, rik- thejnë te shpirti i ringjalljes dhe i besimit, sepse e keqja sado që me sundue, kurrë s’do munden me e nënshtrue nji popull, i cili gjithnji u ka krijue dashakeqasve të vet historikë, iluzionin e rrënimit të tij përfundimtar!
Jozef Radi, Tiranë, Tetor 2017
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.