
Lavdi marrëzisë!*
nga Artan Fuga
Shekuj më parë në një libërth të mrekullueshëm, Erazmi i mbiquajtur i Roterdamit, të titulluar “Lavdi marrëzisë”! shkruan një të vërtetë të madhe që njerëzit nuk kanë guximin ta pranojnë… gjarpërinjtë ndërkohë na e shohin: Ne jemi qenie të arsyeshme që nuk arsyetojmë!
Se si e se qysh njëherë tjetër, por kur shikoj debatin publik sot, më kujtohet Erazmi dhe ndez në kishë një qiri për kujtimin e tij dhe një komunikim me shpirtin e tij.
Plasën duke thënë nëse Salianji dhe të tjerë e kanë seriozisht se do të rrëzojnë ose jo Berishën, a thua se kjo na intereson ne, në vend të shkojnë në thelb: Ore keni ndonjë platformë ndryshe ju lutemi?
Plasën duke thënë se duan reformë zgjedhore dhe komision të përbashkët PS – PD, por nuk pyet njeri: Ore kur uleni për reformë vërtet e keni se PS ka ndërtuar narkoshtet dhe nuk bën zgjedhje?
Plasën duke diskutuar për atë që gjykata kushtetuese do ta certifikojë ose jo suspendimin e zëvëndkryeministres, dhe nuk ka dikush të lexojë vendimin e gjykatës për kryetarin e bashkisë të Tiranës, ku gjykata është shprehur tashmë për rastin e ngjashëm. Nuk merret me vendimet e prokurorisë!!!
Plasën duke thënë se suspendimi i zëvënkryeministres është devijim nga demokracia, por harron ekzekutivi të na thotë: More i pranoni ju akuzat sepse ajo ka vepruar si funksionare jo për çështje personale? Apo nuk i pranoni? Kjo na duhet, të tjerat ç’na duhen! Ç’na vërtisni vërdallë?
Kanë filluar shajnë Evropën se për shkaqe të brendshme nuk na pranon, po pse ore nuk i dini ju rrethanat dhe procedurat e pranimit? Na ngopni me lugë të zbrazët se u hapën kapitujt, puna nuk është a hapen, por a do mbyllen!
Na tregojnë si shahen me njëri-tjetrin në Kuvend, jo kanë minuta jo nuk kanë minuta, jo kush i ka kërkuar punë kujt, jo sa kushton kostumi, ore a na thoni se çfarë keni në axhendër për ligjet, pa këto janë përralla, etj, etj.
Ore mos jemi sikurse thoshte Platoni se opinioni, (doxa) është midis arsyes dhe çmendurisë? Se nuk e ka thënë vetëm ai!
Po mirë mo gazetare dhe gazetarë me këto kënaqeni ju? Na ngopni ju? Fshijini këto more miq e mikesha nga tavolinat tuaja në studio dhe u thoni: Ore po na infantilizoni? Po na merrni për budallenj?
Ore e kuptoni se njerëzit nuk duan më as t’i dëgjojnë më emrin politikës, politikanëve, po kanë filluar që as news nuk i intereson.
Mblidheni veten, keni përgjegjësi në mos për kombin për shëndetin publik të audiencave, mos prodhojmë ndotje akustike!
Lavdi marrëzisë!
*Shprehje e Erasmit të Roterdamit.