back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Lasgushi i Madh dhe diktatura!* nga Ilir Seci

Gazeta

Fishta - Asdreni - Koliqi - Lasgushi
Fishta – Asdreni – Koliqi – Lasgushi

Lasgushi i Madh dhe  diktatura!*

nga Ilir Seci

27 Dhjetori kujtohet si datëlindja e Lasgushit tonë të madh…
Mjeshtri, gjigand i gjuhës shqipe, u lind me 27 Dhjetor 1899… pikërisht në një ditë dhjetori qytetin buzë liqenit të bukur të Ohrit. U quajt Llazar, djali i Sotir Gushos…
U shkollua dhe studioi në shkollat më të mira të kohës duke u formuar si një intelektual i mirëfilltë… Në vitet tridhjetë nis e lulëzon krijimtaria e tij… dhe me vendosjen e diktaturës komuniste liriku gjigand heshti… Sepse “Zogu i Qiejve” nuk njihte komformizëm, ndaj heshti, e nuk pranoi të bëhej “Bori e Partisë” si shumë nga ata që ironizonte Ai vetë, poetë dhe shkrimtarë që mbaheshin si pararoja e realizmit socialist… Për këtë gjë Lasgushi u la në harresë, një harresë e qëllimshme nga regjimi… mbasi në kohën kur trumbetohej se artin e bëjnë “inxhinjerët e shpirtërave”, nuk mund të kishte vend për vargjet e Lasgushit që apelonin për shpirtëra të lirë, për ndjenja të thella, për lirine e njeriut…
Mbas vitit 1945, Lasgushi merret kryesisht me përkthime duke e pasuruar shqipen me disa nga përkthimet më të arrira ndonjëherë në gjuhën tonë!
Lasgushi ishte shumë patriot… Nuk ishte nga ata patriotët deklarativë… ishte tjetër soj! Fisnik, i thellë që herë pas here në poezitë e tij, ndër vargje theksonte dramën tonë Kombëtare…
Një model është edhe poezia:

Pogradeci naten...
Pogradeci naten…

“Poradeci”

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëtim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mu në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira… Po tashti!
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.”

Lasgushi me miqtë e Pogradecit... (Qani Çollaku me x)
Lasgushi me miqtë e Pogradecit… (Qani Çollaku me x)

…Sa qartë, sa prerazi e ka përmbledhur dramën e copëtimin të tokave tona, pikërisht në vargjet e fundit sepse vërtet… Drini i Zi ecte në tokat tona të mbetura në Maqedoni, dhe Drini i Bardhë në Kosovën e asaj kohe që ishte nën Serbi… Drini plak… Drini shqiptar!… Drini i Bashkuar në Kukës pastaj rrjedh përsëri, “…mes-per-mes nër Shqiperi”, sepse jashtë kufijëve administrative të Veriut ishin trojet tona në Mal të Zi…
Eshtë proverbiale një ndodhi e Poetit lidhur me interpretimin që po i bëhej kësaj poezie në vitet ’70, nga një pedagog në Universitetin e Tiranës… Per këtë vargun “Mes për mes ndër Shqiperi”, pedagogu i letërsisë që po analizonte poezinë “Poradeci” – u thotë studentëve: “Autori, si duket – nuk e njeh mirë gjeografinë e Shqipërisë!”
Lasgushi kur e merr vesh këtë gjë, vjen një ditë nga Pogradeci në Tiranë, dhe drejt e në fakultetin filologjik, te auditori ku jepej letërsia. Hap derën e sallës dhe i bërtet pedagogut: “Injorant, sipas teje unë nuk njihkam gjeografinë e Shqipërisë ë!?” – dhe iku ngadalë me atë zemërimin e tij fisnik…

***
…Një tjetër ndodhi e Lasgushit lidhur me kufinjve e Atdheut ka ndodhur në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë…
Në vitet ’80, bëhej promovim i librit të një poeti nga Tropoja… Të gjithë diskutantët, siç qe rregulli në atë kohë, theksonin faktin se:
“Ja dhe arritja e madhe! Edhe në skajin më verior të Atdheut po dalin poetë që po bëjnë emër në letërsi!!”…mbasi vërtet në ato vite kishin dalë disa poetë nga Tropoja që ishin afirmuar dhe kishin bërë emër në shkallë vendi… Kuptohet sipas frymës partiake, edhe kjo paraqitej si arritje e socializmit që nxirrte edhe poetë!
Duke dëgjuar përsëritjen e mërzitshme të frazës stereotipe: “Skaji më verior i Atdheut”, “Skaji më verior i Atdheut”, që po përmendej nga çdo diskutant, Lasgushi plak, ulur diku nga fundi i sallës ua priti: “Po Tropoja nuk është skaji më verior i Atdheut… Tropoja është Shqipëri e Mesme! se Atdheu vete mjaft më lart… deri te Mollë e Kuqe!”
…Në sallë ra heshtje varri… Ishte kohë e diktaturës… dhe nuk guxonte kush t’i përmendte këto gjera! Drejtuesit e mbledhjes u panë ndër sy… dhe njeri prej tyre ju drejtua sallës:
“Ka roitur i varfri Lasgush… është plakur shumë!”
I madhi Lasgush nuk kishte “roitur” aspak! Përkundrazi… kishte roitur Lidhja e Shkrimtarëve të diktaturës, që kurrë s’e vlerësoi as të vërtetën dhe as Lasgush Poradecin, një nga poetet më të mëdhenj e më të kurajshëm të gjuhës shqipe…
Dhjetor 2015

* Titulli redaksional radiandradi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.