
U shua shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj (1944–2026)
nga Muje Buçpapaj
Siç njofton familja Haxhiraj, është ndarë sot nga jeta shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj. Varrimi i të ndjerës do të bëhet ditën e enjte, më 30 prill 2026, ora 11:00, në varrezat e qytetit bregdetar të Vlorës, ndërsa ceremonia mortore do të kryhet në shtëpinë e familjes Haxhiraj, në adresën: Lagjia “Pavarësia”, Rruga “Hasan Kushta”, Kompleksi “Green Toëers”, tek “Kali i Trojës”. Ngushëllimet do të priten në shtëpinë e familjes Haxhiraj.
Shkrimtarja, veprimtarja e shquar e proceseve demokratike në vend dhe intelektualja e mirënjohur, u shua sot më 29 prill, në orën 17:00, në shtëpinë e saj në Vlorë, e rrethuar nga kujdesi dhe dashuria e familjarëve të saj, si dhe nga një ekip mjekësh të cilët e ndoqën përkeqësimin e shëndetit të saj gjatë muajve të fundit.
Siç njoftoi bashkëshorti i shkrimtares, Fitim Haxhiraj, varrimi i të ndjerës do të bëhet ditën e enjte, më 30 prill 2026, ora 11:00, në varrezat e qytetit bregdetar të Vlorës, ndërsa ceremonia mortore do të kryhet në shtëpinë e familjes Haxhiraj, në adresën: Lagjia “Pavarësia”, Rruga “Hasan Kushta”, Kompleksi “Green Toëers”, tek “Kali i Trojës”. Në shtëpinë e familjes Haxhiraj do të priten edhe ngushëllimet.
Me ndarjen nga jeta te shkrimtares se shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj, letërsia shqipe humbet një zë të veçantë, një krijuese me ndjeshmëri të thellë estetike dhe një intelektuale që i dha fjalës peshë, dinjitet dhe ndërgjegje qytetare..
Krijimtaria e saj e gjerë, që përfshin rreth 70 vepra në gjini të ndryshme letrare, përbën një korpus të rëndësishëm artistik e estetik, duke dëshmuar një zë autorial të konsoliduar, me ndjeshmëri të hollë dhe vizion të qartë mbi raportin midis individit, shoqërisë dhe kohës. Nëpërmjet një ligjërimi të pasur dhe një etike të lartë shkrimi, ajo arriti të ndërtojë një univers letrar me vlera të qëndrueshme, që do të mbetet pjesë integrale e kujtesës kulturore kombëtare.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj ishte mike e gazetës letrare dhe kulturore Nacional prej themelimit të saj rreth 20 vjet më parë dhe kontribuese e rëndësishme për ecurinë e saj.
Gazeta letrare dhe kulturore Nacional, së bashku me Shtëpinë Botuese Nacional, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Haxhiraj për këtë humbje të rëndë, që kapërcen kufijtë familjarë dhe prek mbarë kulturën kombëtare.
Ngushëllime edhe komunitetit të shkrimtarëve shqiptarë dhe të gjithë lexuesve që e çmuan dhe e deshën krijimtarinë e saj, kudo në hapësirat shqiptare.
Dr. Mujë Buçpapaj
Gazeta letrare dhe kulturore Nacional
Tiranë, 29 prill 2026

Lamtumirë Vilhelme Vranari
nga Laureta Petoshati
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj).
Ajo ishte një nga zërat më të veçantë dhe më të palodhur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, një autore që e jetoi fjalën si mision dhe si qëndresë. Në krijimtarinë e saj të gjerë dhe shumëdimensionale përfshihen vepra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në mendimin letrar dhe kulturor, si trilogjia “Vështroni Meduzën”, romanet “Vonë, tejet vonë” dhe “Genti, mbreti ilir i Ardianëve”, studimi “Rikthimi i Ismail Qemalit”, si dhe vepra të tjera si “Elitat e mohuara, krenari e kombit” dhe “Pa limit”, etj., të cilat dëshmojnë për një mendje të angazhuar me historinë, identitetin dhe të vërtetën shoqërore.
Përtej titujve, ajo la pas një opus të tërë letrar me romane, poezi, ese dhe studime, ku ndërthuren dhimbja e kohës, reflektimi mbi njeriun dhe përpjekja për të ruajtur dinjitetin shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Jeta e saj nuk ishte e lehtë. E persekutuar nga regjimi komunist, ajo përjetoi padrejtësinë e mohimit të së drejtës për të ushtruar profesionin e mësueses, një goditje që do të kishte thyer shumëkënd. Por ajo nuk u thye. Përkundrazi, e shndërroi atë përvojë në forcë krijuese, duke e kthyer fjalën në hapësirë lirie dhe letërsinë në dëshmi të qëndresës njerëzore.
Me një punë të jashtëzakonshme dhe të pandërprerë ndër vite, ajo arriti të ndërtojë një vepër të gjerë, ku ndjeshmëria artistike bashkohet me vetëdijen historike dhe me dashurinë për vendin e saj. Shkrimi për të nuk ishte thjesht krijim, por një mënyrë për të folur në emër të kujtesës dhe të së vërtetës.
Sot ajo largohet fizikisht, por mbetet e pranishme në çdo faqe që ka shkruar, në çdo ide që ka mbjellë dhe në çdo lexues që do të vazhdojë ta zbulojë. Vepra e saj do të jetojë si pjesë e pandashme e kulturës sonë.
U prehtë në paqe dhe kujtimi i saj qoftë i përjetshëm.