
Mbas një sëmundje të rëndë dhe galopante është larguar nga jeta një mik i madh i shqiptarëve të Ankonës, Stefano Foresi, njeriu që u ka qenë gjithnjë afër problemeve të tyre po edhe zgjidhjes së mjaft prej tyre, i pamunguar kurrë në festat dhe tubimet e tyre, njeriu dinamik gjithnjë i gatshëm për të dhënë ndihmë, portreti, buzqeshja dhe pozitiviteti i të cilit do të mbetet me siguri në kujtesën e shumë prej nesh.
Shoqata Kulturore “Aquila” e Ankonës, i është gjithnjë mirnjohëse zotit Foresi, mbasi ai ishte model i njeriut social dhe shpirti i integrimit të emigrantëve. Edhe një herë Shoqata Aquilla, i shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta familjes për humbjen e të dashurit të tyre…
Lamtumirë Stefano, do të na mungosh të gjithëve, po asnjëherë kujtimeve tona!
Shoqata Kulturore “Aquila” e Ankonës…

Lamtumirë Stefano Foresi! – Një jetë në shërbim të qytetit të Ankonës
nga Antonio Bomba
Ish-këshilltari i administratës Mancinelli
ndërroi pasi qe i sëmurë për një kohë
24 qershor 2025
Ancona – Pak minuta pas orës 7 të mëngjesit të sotëm, të martën, 24 qershor 2025, Ankona humbi një nga figurat e saj më të shquara politike dhe më gjerë. Stefano Foresi, i njohur nga të gjithë si “assessore”, ndërroi jetë.
76 vjeçari, kishte qenë i sëmurë prej kohësh. Ai ndrroi jetë në spitalin e Torrettes, ku gjendja e tij shëndetsore u përkeqësua dukshëm ditët e fundit. Një njeri i mirë, dhe i vendosur, ai qe për vite e vite një nga simbolet e së Majtës fillimisht dhe më pas Qendrës së Majtë në qytet, duke mbajtur gjithmonë anën e më pak fatlumëve.
Foresi, një ish lojtar i njohur basketbolli fillimisht, më pas menaxher kompanie, ishte një teknik gjeodet-shitës për një kompani private në sektorin e sigurisë rrugore për gati 28 vite, ndërsa kryente edhe aktivitete sindikale për sektorin e përpunimit të metaleve. Angazhime të shumta, që nuk e penguan kurrë në përkushtimin e tij ndaj botës së shoqatave dhe vullnetarizmit.
Ai nuk kishte asnjë minutë për të humbur. Sepse do të ishte qyteti dhe qytetarët e tij që do të kishin humbur. Vetëm Stefano Foresi mund të fliste me dy persona në celular në të njëjtën kohë pa humbur në të dyja fillin e bisedës.
Megjithatë, në sferën e ashpër politike, nga viti 2001 deri 2013, ai qe president i distriktit të dytë të qytetit. Mbas kësaj, me humbjen në zgjedhjet paraprake të Qendrës së Majtë përballë Valeria Mancinellit, (që më vonë u bë kryetare e bashkisë së Ankonës), ai u emërua nga e njëjta zonjë këshilltar për Lëvizshmërinë, Pjesëmarrjen Demokratike, Gjelbërimin, Sigurinë, Mbrojtjen Civile dhe disa delegime të tjera. Një rol në të cilin ai qe në gjendje ta bënte duke u vlerësuar nga i gjithë qyteti, e duke vrapuar kudo që kishte një problem për t’u zgjidhur. Dhe s’kishte rëndësi për të nëse ishte mëngjes, pasdite apo natë. Angazhim dhe kompetencë! Dy cilësi të njohura gjithmonë te Stefano Foresi edhe prej kundërshtarëve të tij politikë të Qendrës së djathtë, të cilët kanë dëshmuar me deklarata publike vlerësimi për njeriun dhe politikanin në fjalë. Nga ardhja në pushtet e administratës Silvetti, Foresi u ul në stolat e opozitës, duke përfaqësuar si gjithmonë Partinë Demokratike. Megjithatë, pavarësisht kësaj, të gjithë e kanë vazhduar ta quajnë atë “Assessore” si dëshmi e gjurmës që la në 10 vitet e tij si delegat i kryetares së bashkisë.
Në muajt e fundit, tashmë i sëmurë, ai merrte pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak duke u lidhur nga shtëpia.

Nga fundi i dimrit, gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej, aq sa filloi t’i ndiqte mbledhjet e këshillit bashkiak duke u lidhur nga shtëpia. Pyetjet e tij të fundit urgjente kishin të bënin me qendrën, palestrën dhe në përgjithësi me qendrën Aud degli Archi, një lagje për të cilën ai gjithmonë ka qenë i interesuar e për të cilën është kujdesur, i vetëdijshëm se një bashkëjetesë civile midis të gjitha partive e shoqatave mund të vijë vetëm nga një integrim i vërtetë. Midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit, ndodhi shtrimi në spital pasues dhe zgjedhja e tij për t’u larguar nga këshilli bashkiak për t’u bërë vend atyre që kishin më shumë forcë.
Stefano Foresi lë pas gruan e tij Luciana, fëmijët e tij Ilaria dhe Lorenzo dhe pesë nipat e tij të dashur si dhe të gjithë komunitetin politik të Partisë Demokratike që sot e përcjell duke kujtuar cilësitë e tij të jashtëzakonshme njerëzore.
Kryetarja e grupit të Partisë Demokratike në këshillin bashkiak të Ankonës, Susanna Dini, në emër të të gjithë demokratëve, i kërkoi kryetarit të bashkisë së Ankonës, Daniele Silvetti që morgu të ngrihej në Palazzo del Popolo dhe kërkesa e saj u pranua menjëherë. Funerali i Stefano Foresi-t u zhvillua të enjten, më 26 qershor, në orën 9 të mëngjesit, në Kishën e Salezianëve në Piano. Të mërkurën, më 25 qershor, morgu i tij në Sallën e Këshillit të Bashkisë së Ankonës, e vendosur në katin e dytë të Palazzo del Popolo, u bë për vizitat e qytetarëve prej orës 12 deri në 8 të mbrëmjes.
Mbledhja e Këshillit të qytetit të Ankonës, e planifikuar për të enjten në mëngjes, u anulua. Në fillim të seancës së sotme, këshilli rajonal mbajti një minutë heshtje në nder të tij. Edhe komuniteti mysliman u mblodh në xhami për ta kujtuar atë dhe për t’u lutur në nder të tij.