back to top
22.9 C
Tirana
E mërkurë, 15 Korrik, 2026

Lamtumirë o Kapidan Ndou, qi sa ma koha t’kalojë – aq ma i nderuem m’u kujtue ke ti! – shkrue nga Mërgim Korça

Gazeta

Ndue Gjon Marku
Ndue Gjon Marku
Lamtumirë o Kapidan Ndou,
qi sa ma koha t’kalojë – aq ma i nderuem m’u kujtue ke ti!
shkrue nga Mërgim Korça

Kapidan Ndue Gjomarkaj kjè, por fatkeqsisht nuk asht tash mâ mes nesh! Aj kjé i tokës e i toksorve por qysh mjesnate të 4 Janarit n’prêhën t’Amshimit shpirti i Tij tash asht kah prehet!
Me fat kjenë gjith’ata qi mençunín’e Tij, drejtpeshimin si edhe përvojën e Tij t’madhe dijtne m’e përvetsue e m’e bâ sadopak të tynen! E pranojshin mërditort’e mêçëm si njoftsin mâ t’thêllë edhe spjeguesin mâ t’përgjegjshëm të Kanunit Maleve. Nuk kje as rastësí e as se dardha i pat rae Kapidan Ndues e pjekun n’prêhën, pa të tijin mûnd edhe djersë. E un nuk mundem mos m’u ndalë n’skjarim të psehit kësaj cillsije qi ka çue n’përcaktim të këtij pohimi. Aj kje bir’i Kapidan Gjonit, për t’cillin Profesor Ernest Koliqi kje shprehë:
“Rrallë njeri në brêznit’e fundit paraqitej ndër ne si Gjon Markagjoni, ngjeshun me tharmet mâ dalluese të brumit tonë ethnik. Në shoqni të tij, tue ia ndigjue kuvendin, kishim përshtypjen se gjindemi para prototipit të racës shqiptare, shpëtue për mrekulli prej cënimit të kohës. Si nji avull legjendash e rrethote. Edhe n’at avull ku vrumulliseshin misteret e historisë sonë plot tërnim periudhash t’errta aj, i thjeshtë në sjellje, i përkorë në fjalë, i ngulun në besim, qi ushqete në vlerën e përvojës stërgjyshore – e vetmja kulturë e tij, xjerrë prej librit të jetës dhe jo prej jetës librave – t’epte bindjen se rodi i ynë, pak i njoftun e shpesh i përçmuem, përmbledh në vetvedi ende virtyte njerzore të pazbulueme.”
E un nuk mundem mos m’i shtue kësaj edhe dy zabitnamet e Kapidan Gjonit n’pajtim gjaqesh edhe varrësh qi në 1926 pajtoi 364 synesh, kurse përgjat 1928-ës pajtoi edhe 258 tjerë, ndërsa historian’ edhe letrarë komunistë e akuzojshin Kapidan Gjonin se ai idhnohej se t’ardhunat e Derës Gjomarkajve po u zvoglojshin ksisoji!(???) e hidhshin ata n’krent’e popullit kët pohim t’rrêmë e doemos as nuk e xêjshin n’gojë se pajtimet ishin asgjâ tjetër veç vepër e vetë Kapidan Gjonit!
E Kapidan Gjoni, tue pae se i biri i dytë i kish tâna t’dhânunat me kenë nji pinjuell i dêjë për êmnin e trashiguem, e çoi me studjue në njênin gjimnazesh mâ të dalluem t’Europës, në Terezianum–in e Vjenës, e n’vazhdim me studjue drejtësi në Firenze, (siç kish studjue drejtësi edhe djali i madh i Kapidan Gjonit, Marku).
Qe pra, se ku deshta me dalë, se si përvoja e mësimeve qi kish marrë Ndueja i ri n’odën e burrave të Kullës Gjomarkajve n’Orosh t’Mirditës, e bashkueme kjo me studime të tijat t’mirfillta në shkollat aq serioze qi ndoqi, e t’shtjellueme kto t’dyja në personin e Tij aq të drejt’e të ndershëm, nuk kishin se si mos m’e plotsue thekshëm Kapidanin e ardhshëm me u vlersue prej të mêçëmve t’Mirditës si Njoftsi mà i Përkryem i Kanunit të Maleve!
Due m’u prûe tash nji rasë shum kuptimplote, e cilla i hjedh dritë këtij personaliteti të përkryem, t’asaj familjes êmnin e s’cillës Kapidan Ndou dijti m’e naltsue edhe mâ nalt! Mbas nji vjete pune kâmbëngulse temën m’e trajtue kreun e 22 të Kanunit t’emërtuem “Vrasa”, t’cillin kapitull me aq balt’ edhe helm e kishin mblue gjoja studjuesit’ edhe letrarët e diktaturës, ia nisi materialin e shkruem Kapidan Ndues me m’a shique me sy kritik, Mbas dy javësh puna më çoi në Neë York, e doemos kryesorja ishte m’u tokue me Kapidanin e m’i diskutue vrejtjet e mundëshme, (e ai kje edhe mbeti takimi êm i fûndit me Kapidan Nduen), E un due me ju a kujtue sot dy fakte q’e përvijojnë mâ s’miri karakterin e këtij njoftësi të përkryem të Kanunit. E kishjem ndigjue prej gojës vetë Kapidan Gjonit kah pohote se herë mas here i ishin bâ disa “meremetime” Kanunit, gjithmonë në t’mirë të s’drejtës në kushte të reja shoqnore. Mirpo un n’at moshë nuk muejshem m’i gjykue hollsinat, kurse Kapidan Ndou m’i pati spjegue me themel, p.sh. hjekjen prej Kanunit të kushtit virgjinisë natës parë. Por e rândësishmja qindron në faktin se në mbyllje të bisedës më tha pak a shum: “Na i kena pasë bisedue shpesh në telefon pyetjet qi kishe ti rreth temës në fjalë e prandej të thom me plot gojën se nuk i gjêj asnji t’metë trajtimit q’i ke bâ kapitullit Vrasa. Edhe ma beso se nuk e kam shqyrtue materialin si mik i êmi i afërt qi të kam. Materialin ta kam shqyrtue si me pasë kênë bash anmik i êmi!” Besoj se vetë ky pozicionim i Tij ndaj meje, birit të mikut të familjes Tij të nderueme, si edhe tue kênë edhe un vetë mik i Kapidan Ndout, kur vite puna n’gjykim, Ai nuk bâte kompromise. Kapidan Ndue Gjomarkaj nuk donte me dijtë se kush ishe, aj gjykote nj’ashtu si u dote gjykue e drejta!
Burra ksisoji si Kapidan Ndue Gjomarkaj, pinjuell i nderuem i Derës Gjomarkajve
t’Oroshit Mirditës, sa vijn’e fatkeqsisht nji e ka nji po na rrallohen. E na sot, me krye ultë e me zemra të trishtueme i përcjellim me lot ndër sy n’banesën e tyne t’fundit. I vetmi ngushllim për ne âsht fakti se kena m’e kujtue me respekt’e me dashtuninë e madhe q’e patme për tê e m’u krenue se Ndue Gjomarkajn e patme Mik!
Zoti e pastë n’duert e tija e i leht’i kjoftë dheu përmbi tê!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.