back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Lamtumirë At’ Kostantini… nga Albert Vataj

Gazeta

At' Kontantin Pistulli (1916-2015)
At’ Kontantin Pistulli (1916-2015)

Lamtumirë At’ Kostantini…

– I fundmi i Françeskanëve të Mëdhej

nga Albert Vataj

Sot Shkodra i jep lamtumirën, të fundmit të etërve françeskanë
“Tue u mbyll me frymën e mbrame të këtij shërbestari,
ne ndahena përgjithmonë me një epokë fort të lume e të gjithdijshme,
me këto burra të pashoq për nga kontributi dhe devocioni për fe e për atdhe.
Fatkeqsisht na ndahena përgjithmonë me nji mundësi
për me mujt me njoft ndokënd tjetër faqe kësaj drite
që ka me mujt me ba diqysh për me pranu n’vedi
vazhdimin e kësaj dinastie burrash të dijes,
që prehet sod në paqe me t’fundmin at’Kostantinin…” Albert Vataj

Kushtimi i një jete me Krishtin e për Krishtin e At’ Konstantinit sos udhën e vet toksore për të marrë rrugën e amshimit. Vdekja ka urdhëruar për në udhën e pasosur të fundmin e françeskanëve, At’ Konstantinit. Me At’ Konstantin përfundon breznia e fundit e fretënve që janë shuguruar meshtar para komunizmit.
Ai ishte i fundit që ka përjetu vuajtjen dhe perskutimin e asaj periudhe të errët për kishën. Pak orë pasi ka marrë bekimin dhe një kryq nga Imzot Ramiro Moliner Inglés, në orën 17:24 të datës 17 prill, ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare At Konstantin Pistulli OFM. Ai lindi në Shkodër më 28 tetor 1916. Njëri pas tjetrit ikën të gjithë etërit françeskanë, duke lënë nga pas një kujtesë të skalitur më gërma sakrificash të pambarimta e vullnese të përkorë të shërbestarit të kishës dhe atdheut, besimit dhe dijes.
Kisha, Shkodra dhe memoria e gjeneratave do t’i detyrohen një mirënjohje të përunjur këtij njeriu të përkushtuar, këtyre njerëzve që duke i shërbyer Zotit, sakrifikuan gjithçka nga jeta e tyre në emër të kauzës, në emër të dijes dhe besimit.
Konstantin Ndoc Pistulli, OFM, u pranua në novicjat të Fretënve të Vogjël më 12 gusht 1932. Shugurohet meshtar më 29 qershuer 1941. Me detyrën dhe devocionin e predikuesit të fjalës së shenjtë ai shërbeu për nji vit në kuvendin e Troshani, ku edhe dha mësim në shkollën që mbanin dhe drejtonin fretnit. Në vitin 1943, caktohet si famullitar në Bratosh, famullia e Kastratit ku kontribuoi me mish e me shpirt për kishën dhe njerëzit deri më 1945. Udhën e shërbestarit të frymës së shenjtë dhe të dijes e vazhdoi në famullinë e Selcës në Malsinë e Madhe, ku qëndroi deri në vitin 1955. Në at vit fretënit e Shkodrës e emëruan Provincial të tyre, detyrë të cilën ai e mbajti deri në vitin 1958. Që nga viti 1958 deri më 1967-s, vit kur komunizmi e mbyll si kapitur besimin në Shqipëri, ai shërbeu në famullinë e Kastratit.

Kisha Françeskane Shkoder - 1938
Kisha Françeskane Shkoder – 1938

I dëbuar prej kishës famullitare qëndroi edhe një vjet në Bratosh, ku punoi si punëtor në kooperativën bujqësore dhe u shërbeu banorëve duke dëshmuar se njeriu i sakrificave tek ai të ishte kudo ku njerëzit kishin nevojë. Në majin e vitit 1968, u largua për të vazhduar të jetojë me të vëllain deri në rihapjen e kishave.
 Gjatë kësaj periudhe ky burrë i shumëarsimuar e shumëditur u detyrua të nxirrte bukën e gojës në fermë duke bërë punë shumë të rënda dhe duke u drashtur çdo natë se nesërmja do të ishte një liri pas hekurave.
Më 6 dhjetor 1989, Padër Robert Ashta kremtoi përsëri Meshën Shenjtë në vorrezat e Bratoshit në festën e Sh’Nëkollit. Po më 25 prill 1990, Padër Konstantini kremtoi festën e pajtorit, Shën Markut, në oborrin para Kishe. Prej Pashkëve të 1990-s deri në qershorin e 2003-s At’ Konstantini vijoi papushim shërbimin e tij besnik ndaj banorëve të Kastratit. Gjatë periudhës 2003-2005 për arsye shëndetësore ka kthyer disa herë shpinën famillisë së Kastratit ku shërbente për të ardhur në Shkodër në Kuvendin françeskan, Zoja Rruzare Arra e Madhe.
Është viti 2005, kur ai u vendos fillimisht në kuvendin françeskan te Arra e Madhe. Pasi shërbeu për disa kohë në Kuvendin e Zojës Rruzare, Arra e Madhe, u transferua në kuvendin e Shën Françeskut në Gjuhadol, Shkodër ku shërbeu me përkushtim e devocion, ku diti të ishte një shembull i përkorë i shërbestarit.
Ka mbyllur sytë për të lënë në kujtesën e kishës, në famullive ku shërbeu, te besimtarët, modelin e një njeriu të mirë, një vetmohuesi për Krishtin. At’Konstantin Pistulli, i fundmi i brezit të etërve Françeskan të Shqipërisë merr sot lamtumirën e fundit nga të afërmit, nga Shkodra që e lindi, nga kisha dhe të gjithë ata që jetuan me besim prej shembullit dhe fjalës së tij. Përcjellja dhe salikimet bëhen ditën e Hënë në oren 10:00 në Kishën e Shën Françeskut, Gjuhadol.

Marrë nga muri i fb i Albert Vatajt, 20 prill 2015

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.