back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Lamtumira e fundit e njeriut që preku dritën Lazër Radi

Gazeta

Jakov Milaj dhe Lazer Radi (Fier 1994)
Jakov Milaj dhe Lazër Radi (Fier 1994)

Lamtumira e fundit e njeriut që preku dritën

Dr. Lazër Radi (1997)

(Në kujtim të intelektualit dhe patriotit Jakov Milaj)

Nji kortezh i përmortshëm, përcolli këto ditë janari, në qytetin e Fierit, intelektualin dhe patriotin Jakov Milaj…
Sigurisht, për mua dhe krejt brezin tim, ma afër se gjithçka tashma asht vdekja, e megjithatë ndjeva dhimbje të thellë ndërsa ndiqja në televizion lamtumirën e fundit të njeriut, intelektualit dhe patriotit Jakov Milaj; ndjeva gjithashtu edhe njilloj çlirimi në vetvedi: qё kjo figurë e braktisun për nji gjysë shekulli, ma së pakut s’po përcillej në heshtje, ashtu siç qe lanë në heshtje emni dhe vepra e tij…
Falenderova në heshtje kohën e ardhun, ku gjithsecili nga ne mbetet nji qytetar i nderuem i vendit të vet; e ku kontributi dhe vlera e askujt s’mund të shkelet e të dhunohet me direktiva teneqexhinjsh, karrocjerrash, lopçaresh e hekurkthyesish. E përcolla me nji curril të nxehtë loti mikun, shokun dhe bashkëvuejtësin tim të së njajtës prangë, Kovin tim të dashtun, dhe këta pak rreshta kujtimesh të hershme e të reja, s’janë tjetër veçse vazhdim i atij loti të nxehtë që ende ka mbetё i pathamë në fytyrat tona nga ikja e figurave si Jakov Milaj.
.
Jakov Milaj (1911-1997)
Jakov Milaj (1911-1997)

***

Në vitin 1933, me shumë vështërsi munda me sigurue nji bursë për në Gjimnazin e Shkodrës. Gjimnazi i qytetit verior, ishte asokohe nga qendrat ma në zà të shkollimit shqiptar. Studionin aty djem të ardhun prej gjithë krahinave të Shqipnisë, duke shërbye në njifarë mënyre si “parlament” i mendimit të rinisë të gjithë trevave shqiptare. Natyrisht, në Shkodër, u vendosa në Konviktin “Malet Tona”, që binte në sy për muret e nalta rrethuese, rrotull së cilave shpesh shifje djem që vraponin ose kryenin veprime gjimnastikore. Çdo mëngjes, prej aty, me njifarë rregulli niseshim për në Gjimnaz, i cili ndodhej në Fushë-çelë, te Ndërtesa e Dabërdakut. Si i porsaardhur në konvikt, nuk njifja as konviktorët bile asnji prej shokëve të klasës. Fillimisht, më dhanë afërsi Elez Braha e Hajdar Dushi – njeni nga Tropoja dhe tjetri nga Gjakova, me të cilët edhe pse s’isha i nji klase, (ata ishin maturantë të atij viti shkollor), u njofta dhe u lidhëm shumë me shoqni, dhe jo vetëm me ta. Midis konviktorëve të shumtë me të cilët pata miqësi e respekt të veçantë ishte edhe djaloshi nga Fieri, i quajtun Jakov Milaj, nxanës i klasës së shtatë, që ishte dhe matura e atij viti.
Mendoj se edicioni i studentëve të vitit 1933-1934, ka qenë ndër ma autoritarët që ka nxjerrë Gjimnazi i Shkodrës. Në maturën e atij viti, shumica e të cilëve ishin konviktorë, spikasin emnat e Jusuf Luzajt, Abas Ermenjit, Jakov Milajt, Gafurr Çomos e shumë të tjerëve, të cilët si për nga vlerat, edhe për kontributin i tyne, kanë bà emën midis intelektualëve ma të njoftun shqiptarë. Të gjitha këto figura, bashkë me shoqninë “Besa Shqiptare”, dhe profesorin tonë të nderuem Ernest Koliqi, i cili qe frymëzues dhe organizator, u banë nxitës aktivë të kulturës, mendimit dhe emancipimit, duke krijue kështu nji atmosferë të mrekullueshme e të papërsëritshme në gji të asaj rinie ku në njifarë mënyre qe krejt Shqipnia në miniaturë.
Jo rastësisht ndodhi, që për ma shumë se pesëdhjetë vjet në përvjetorët e Gjimnazit të Shkodrës, ftoheshin dhe mblidheshin shumë pak prej figurave ma të shqueme të tij, sepse në vazhdën e goditjes së këtij qyteti asht mbajtë parasysh goditja e vlerave intelektuale që ka lindë kjo shkollё. Sepse Shkodra ishte në vetvedi qytet i kulturës mijavjeçare; udhëkryq ku janë ndeshë kulturat e Lindjes dhe Perëndimit, qytet i gërshetës së feve dhe besimeve, qytet i maleve dhe i lumenjve, qytet nyje e historisë dhe legjendave…
I përket pikërisht këtij qyteti, nji nga fazat ma të randsishme të jetës së intelektualit Jakov Milaj; i përket atmosferës së atyne viteve ngjizja intelektuale, shpirti patriotik, vlerat e spikatuna njerzore të këtij burri trupvogël, që fshihte në vetvete energji të pashterra.
Siç e përmenda edhe në fillim, në vitin ’33, njeni prej studentëve maturantë ishte edhe Jakovi. Zakonisht maturantët gëzonin respektin dhe simpatinë jo vetëm të studentëve të klasave ma të ulta, po edhe të profesorëve. Duke qenë se shumica e maturantëve t’atij viti ishin konviktorë, kuptohet që konvikti i “Maleve Tona”, jetonte si qendër e fuqishme e debatit dhe përpjekjeve me asimilue kulturë. Shpesh maturantët konsideroheshin nga profesorët edhe si kolegë; ata mund të jepnin mësim në klasat ma të ulta të gjimnazit dhe banin edhe dezhurn me zavendsue cilindo prej profesorëve, që për arsye të ndryshme mund të mungonin. Ka ndodhë shpesh që para klasës sonë, Jakovi të shfaqej me portretin dhe autoritetin e profesorit. Edhe pse shtatvogël, ai jo vetëm impononte respekt, por na krijonte edhe nji konfidencë të tillë, që e kishe të vështirë me i qendrue larg dhe mos t’i kishe orientuese këshillat dhe porositë e tij. Më ka ndodhë shpesh të shkoja te tavolina e tij e studimit, dhe t’i kërkoja sqarime për probleme nga ma të ndryshme. Ndodhte që nji bisedë e nisun për probleme të vogla zgjaste dhe pa kuptue kthehej në nji debat të gjanë ku përfshihej nji masë e madhe konviktorësh, e ku shpalosej krejt kultura e asimilueme nga secili prej nesh. Dhe Jakovi dallohej si njeri i papërtueshëm e i palodhun… Mund të thuhet se kjo ishte nji nga cilësitë e tij ma karakteristike. Ai i linte krejt punët dhe detyrat e veta, kur ishte fjala me dhanë shpjegime për çfardolloj paqartësie që mund të kishe. Kjo ishte gjithashtu, cilësi e krejt studentëve t’asaj plejade: dëshira m’e shpërnda dituninë dhe kulturën e fitueme.
E gjej me vend me kallzue nji episod disi interesant, që ndodhi në Konvikt gjatë atij viti shkollor. Ekonomati i konviktit në bashkëpunim me disa tregëtarë dhe persona të tjerë, po banin mjaft abuzime lidhun me ushqimet e studentëve. Merrnin ushqime të skadueme ose të lira, pakësonin normat ditore të ushqimit dhe krejt diferencat, i fusnin në xhepat e tyne. Ky skandal u mor vesh nga maturantët dhe në heshtje të plotë u ngrit nji komision, i cili e provoi plotësisht kët abuzim. Pa zhurmё u mblodhën paret e udhëtimit vajtje-ardhje për Tiranë… u përgadit nji komision që e shqyrtoi këtë problem, dhe në sekretin ma konspirativ u nisёn për Tiranë, me e bisedue me Ministrin e Arsimit t’asaj kohe, Hil Mosin. Sigurisht, menjiherë u morën masa të rrepta nga ana e Ministrisë dhe gjithë personat përgjegjës u larguen prej detyre. Mes krejt konviktorëve ky veprim u konsiderue i drejtë, sepse nji shoqni që e pranon si akt moral vjedhjen, abuzimin dhe korrupsionin, shumë shpejt degjeneron. Në zgjidhjen e kësaj nyje, kontribut të çmuem dhanë Jakov Milaj dhe Abas Ermenji, i cili ishte edhe promotor. Ky rast shërbeu si shembull për gjithë nxanësit e klasave ma të ulta; për me luftue dhe me i mbrojtë të drejtat tona e mos me lejue askënd me na i shkelte ato…
.
Libri "Raca Shqiptare" i Jakov Milajt
Libri “Raca Shqiptare” i Jakov Milajt
Në vitin 1934, Jakovi dhe krejt matura e tij mbaruan Gjimnazin e Shkodrës dhe shumica e tyne, pra kjo plejadë e artë e energjive shqiptare, u shpërndanё nëpër Europë, me vazhdue ma tej studimet e nalta në degë nga ma të ndryshmet. Ndonëse u ndamë, gjurmët e tyne mbetën dhe ne u bamë ndjeksa të rrugës dhe shembullit të tyne.
Kultura dhe talenti i Jakov Milajt, spikati edhe në studimet e nalta që ai ndoqi në Itali, ku u specializue në fushën e veterinarisë. Ai u dallue për rezultate të nalta dhe në përkushtimin ndaj profesionit, pa lanë mbas dore edhe problemet e vendit. Në vitin 1938, ndërsa nisesha për Itali për studime në drejtësi, takoj mikun tim Jakovin, i cili tashma i kishte përfundue studimet dhe kthehesh, me i ardhё në shërbim atdheut. Ndonëse nga larg, gjatë atyne viteve, e kisha ndjekë krejt ngjitjen e tij në shkallët e nalta të administratës shtetnore, ku falë aftësive dhe përkushtimit të tij, në moshën tridhjetë vjeçare mbrriti të emnohet edhe Ministër i Ekonomisë Kombtare. Botimi i tij gjatë, vepra “Rraca Shqiptare” n’ato vite pati nji jehonë të gjanë nё gjithë intelektualët e kohës dhe mund të thuhet se edhe sot mbas ma shumë se gjashtëdhjetë vjetësh, kjo vepër mbetet e freskët dhe aktuale, sepse te ai, ndjenja e përgjegjësisë qytetare, ndershmënia dhe përkushtimi ndaj detyrës, çeshtja e zgjidhjes së problemit kombtar, kahera kishin ba nyje në karakterin e tij. Por shpesh ndodh, që njeriu i ndershëm e atdhetari i vërtetë, paguejnë taksa të randa përkrejt vlerat e tyne.
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special (L.Radi e J.Milaj sëbashku në fund fare)
Kështu ndodhi edhe me Jakov Milajn…
Me Jakovin u gjetëm përsëri bashkë, por tashma në nji rrethana krejt të paparashikueme për secilin nga ne. Të dy, në të njejtën hallkë prange, për ma shumë se pesëdhjetë ditë, gjatë kohës që zhvillohej Gjyqi Special. Ashtu të bashkëlidhun në pranga me njeni-tjetrin, do të shfaqeshim para nji trupi gjykues që bante spektakël, duke na terrorizue jo vetëm ne, po krejt Tiranën e mbarë Shqipninë.
Dënoheshim të dy si kriminelë lufte: unë dhe ai; ne dhe gjashtëdhjetë të tjerë. Po cili ishte vallë krimi që i kishim ba atdheut. Cila ishte tradhëtia? Apo pse s’ishim pajtue me ideollogjinë e së keqes, më falni, “ideollogjinë e së kuqes”!? Ai ishte diçka ma shumë se tridhjetë vjeç dhe unë ende njëzet e shtatë. Sigurisht, për ata që kishin bà pazare me idealet dhe çeshtjen kombtare, ne s’mund të ishim ndryshe veçse: kriminelë luftë!?!
U dënuem të dy dhe nji pjesë të burgut e bamë bashkë. Edhe gjatë vuejtjes së atij dënimi makabër, ai manifestoi vlerat e veta. Falë këtij qëndrimi ai gëzonte respekt dhe autoritet dhe aty ku kushtet diskriminuese ishin të shkallës sipërore. Gjithë vuejtjet dhe privacionet e kësaj periudhe ai i përballoi me qëndrim stoik e krenar. Si të mos mjaftonte kjo, edhe mbas daljes nga burgu, u gjendëm bashkë në kampet e internimit në Radostinë të Fierit. Siç dukej kalvari ynë do të ishte i pafund. Dihej vetëm që ishim nisё kësaj udhe dhe në momente dëshpërimi mendonim se s’do të mbërrinim kurrë… Por nuk ndodhi ashtu. Mbrritëm. Po, po, ne mbrritëm…
.
Qyteti i Fierit në vitet '30
Qyteti i Fierit në vitet ’30
Vërtet mbas nji odiseje të gjatë e të mundimshme, ma së fundi mbrritëm. Dikur Liria i shpërtheu portat e hekurta të diktaturës, duke u falë shpresë bindjeve tona, për ditë ma të mira. Nga stima dhe dashnia që kisha për Jakovin, gjatë 4-5 viteve të fundit, kam shkue disa herë ta takoj së bashku me disa shokë të mi, atje në qytetin e tij të dashur të Fierit.
Kur u takuem për së pari mbas shumë vitesh, edhe pse iu paraqita si i panjoftun, ai jo vetëm më njofti posa më pa, po u përqafuam fort me njeni -tjetrin dhe mbetëm ashtu të përqafuem për nji kohë të gjatë, si t’i përcillnim njeni-tjetrit mesazhet e gjithçkaje që na kishte mbajtë të lidhun ndër kohna, e jo veç ndёr pranga. Megjithëse, i plakun, i rrënuem, i krrusun dhe i zvogluem prej moshёs, burgjeve, vuejtjeve dhe internimeve, prap se prap ai e ruente të gjallë at natyrën e tij të hershme, at pamjen karakteristike dhe shfaqej mjaft interesant kur niste me rrëfye me mjaft humor historitë e Llazi Fierakut. Megjithëse 85-vjeçar, kujtesën e kishte të freskët si t’nji djaloshi. Humori, vazhdonte të mbetesh natyrë e tij, e rrëfimet kishin diçka karakteristike myzeqare, diçka tё vendlindjes së tij. Jam i bindun se vlerat intelektuale të këtij njeriu, i cili tashma do t’na mungojë fizikisht, do të bahen ma të mëdha, nëse nji ditë botohen dorëshkrimet e lana prej tij. Jam i bindun, se kjo ditë s’do të jetë e largët…
Njeriu, intelektuali dhe patrioti Jakov Milaj, këto ditë u nda prej nesh, por puna, vepra, kontributi dhe vuejtja e tij krenare, do të mbeten të respektueme në krejt zemrat e intelektualëve shqiptarë. Kujtimi i këtij njeriu të mirë, kёtij intelektuali të spikatun e atdhetari të devotshëm do të mbetet i gjallë jo vetëm te fierakët që e deshën, e nderuen dhe e respektuen, siç Ai e meritonte, po te të gjithë ata që kanë pasë fatin të jetonin, të punonin e të rrinin më të, po edhe te ata që kanë mundun m’e lexue veprën e tij.
I dashtun Jakov,
I lehtë të qoftë dheu i kësaj toke, të cilën aq shumë e deshe dhe e nderove. Në këtë mirënjohje të madhe, prano edhe mirënjohjen e thellë prej kolegu, prej miku e bashkëprangasi, nga thellësia e shpirtit, për gjithë vlerat e tua…
.
Botue ne (Rilindja Demokratike, e dielë, 02 shkurt 1997)
.


 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

    • I nderuem zoti analizues…!!
      Në kët botë nuk ka vetëm njerëz që vuejnë dhe kriminelë që vrasin… po ka edhe Zot, dhe atë çka ta jep Zoti, rob (si puna jueej) shpesh janë të pafuqishëm ta ndryshojnë… Nëse të ka habitë fakti pse vuejta i paska lejue këta njerëz me qenë jetegjatë, mund të gjesh duke lexuar edhe vdekjet e mjaft prej këtyne njerzve të pafajshëm dhe me vlera, për me kënaqë at dëshirën tande cinike…
      (Fakti që s’ke guxue me shfaqë as emen e as mbiemën asht domethanes…!)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.