back to top
23.8 C
Tirana
E hënë, 15 Qershor, 2026

Kutia mbruz me perla – nga Shaip Beqiri – me rastin e vdekjes së Ndue Sinishtajt

Gazeta

Ndue Sinishta & Shaip Beqiri
Ndue Sinishta & Shaip Beqiri
Kutia mbruz me perla
nga Shaip Beqiri
Me rastin e vdekjes së Ndue Sinishtajt

Paska kaluar matanë miku im i shtrenjtë, eruditi e poeti i rrallë, Ndue Sinishtaj. Nuk ka më shumë se një javë që më thirri duke ma bërë me dije se ishte biseda jonë e mbramë! Qe një përjetim i paprovuar kurrë më parë. U shtanga dhe m’u zu fryma në grykë… Më shpejt se unë, e kapi ai hutesën time tronditëse… Dhe prap sonte e mora kumtin e ikjes së tij si të pabesueshëm, të papranueshëm. Këtë mund ta kuptojnë jo pak njerëz, por vetëm ata që kanë pasur rastin fatlum të takojnë dhe ta njohin për së afërmi një njeri çfarë ishte malësori im më i qytetëruar në rruzullin e tokës.
Kutia ime e kujtimeve të Ndue Sinishtajt është shumë e madhe; po ende ajo është mbruz me perlat më të bukura që lë një njeri tek tjetri. E kam njohur gjatë dhe thellë, në tërë çerekshekullin e mërgimit tim, dhe nuk kam takuar një njeri tjetër që i kishte aq të shumta e të kulluara së toku: fisnikërinë rrezatuese, dashurinë fëmijërore, bujarinë det, nderin mal, dijen e atdhetarizmin pa fund…
Mbetesh i përhershëm në zemrën dhe kujtesën time, poet e vëlla i shtrenjtë!
Sa e çuditshme edhe data e kësaj fotografie tonë të përbashktë: Langenthal, 16.V.2009, ditë më ditë para plot 12 vjetësh.

Nokë Sinishtaj - Monologu i Çinisë së Podgoricës
Nokë Sinishtaj – Monologu i Çinisë së Podgoricës
Pengu në prag të kullës – poezi nga Ndue Sinishtaj

Aty është rrasa e gjallë
ku me dekada i premë fërliqët për festa e dreka,
atje është Jerevia ku luajta me keca e qengja,
atje është Lëma e Saraxhës
Ku pastrova dheun e skuqur nga Sahara.
Ja koteci, kasollja e pulave…
Ku është Laci, qeni im besnik!
Gurët e kalldërmit të shpartalluar
duken si dhëmballë të shpërvjela…

Vetmi. Heshtje. S’ka këtu më as zog e as rob. Më merren mendët. Në kopshtin ku Nëna e Bukës, gjyshja, kultivonte me dashuri speca djegës e barna për heqim, më duket se e shoh veten shtalb duke i sjellë piogjakësa me ia vënë në këmbë. Çoj kryet. Papritmas don me i hapur krahët e vet – Kimça. Ajme, sa u qesh me gaz të gjelbër: – Ku je, o Ferrëbutë? – fshana, se ashtu e quanim.
Aty kundruall, me ujanik të bletëve, rri e pëshpërit:
-O dije, o Xife-bukuroshja, o e dashura Hide, o imja moshatare Kimçë, e di se shkenca të ka pagëzuar Zizyphus vulgaris, ta dish se ti vulgare nuk je, por besnike, e unë një Sizif i vërtetë!
Kërcat me fryte në formë bulash të gishtit ngjyrë kafe pret me i freskuar robët e shtëpisë si dikur! Vetëm ferrat e mëdha therin hapësirën si me dashur me i thënë kohës: – Këtu s’ke ç’të prishësh! Më lëshojnë gjunjët. Nuk kam në gojë lutje as kushtrim. Kullon në mua diçka si smolla në qershi, qarkullon në mua një lëng mbijetimi! Vetëm kujtimi më jep një fuqi.
E vetmuar, këtu para pragut të kullës stërgjyshore, edhe ti qëndron duke ruajtur albumin dhe herbarin e të kaluarës. E unë bisedoj me ty si me prindët. O Ferrëbutë!
Ti je e vetmja që sot, shtator 2005, po më jep diçka që nuk shpjegohet. Në çardak të moçëm nga qarri i vendit ende qëndrojnë: arka e nënës lënë sime nuse, djepi, lahuta e legeni… E mos pyet, o mik i këtij malli, pse pak më vonë më kapi embolia! E ëmbël është edhe Vdekja e Madhe në gji të vendlindjes, në duar të mikut, në Kopsht të Bardhë ku farefisi fle.
Ama, ma plotëso këtë dëshirë! Ma lulëzo shtratin me shojza e me lule shelboje.
Mirupafshim, o Ksheva ime! Po shkoq prej vetes atë që kam më të çmuarën e më të dashurën dhe po t’i lë këtu peng.

Nokë Sinishtaj - Dejka Kujtimesh - Poezi
Nokë Sinishtaj – Dejka Kujtimesh – Poezi
Me poetin Fatos Arapi në Krujë
Shpirt i dehur nga bukuria
Belvedere incantevole.
Ç’peizazh i pastër romantik
me kontrast ngjyrash flakëruese,
me qerpikë bjeshkësh që stërpikin
relieve magjike gurësh e drurësh
– statuja të gjalla a la rokoko.
Një gotikë e tërë – fiorìta e një panorame
midis së cilës shpërthen thirrja jonë:
A do miq, o Gjergj Kastrioti?

Buçitja e shurdhër
Me poetin Shaip Beqiri te varri i Agim Malës

Edhe të fjeturit në Friedenthal
nën hijen gjigante të spitalit në Luzern
e dëgjonin britmën time pa fjalë:
-Ku je, o Agim Mala, oxhakun ku e ke?
Çohu, or burrë, dy miq t’kanë ardhur!
A s’ke mendjen t’i presësh si gjithmonë…
Si i molisur në petka durimi veshur
kërkon me ngulm miku ynë varrin tënd,
nëpër atë qilim të shtrirë gjelbër
shfleton të kaluarën, përvojat rilexon,
me veten bisedon midis ofshamash…
Dy hijet tona të përqafuan drurin
ku emri yt mes lulesh qeshej në diell!
Duarkryq e pa dhurata mes kryqësh
shtangur ndër shelgët trishtues heshtojmë…
Ajme! Kurrgjë më rëndë në dhè të huaj s’peshon
sa plumbi Alienacia larg nga trualli i të parëve.
Luzern, 2 korrik 2008

Bifurkacioni i soditjeve nga largesa 
Fragment nga Pasfjala librit “Kupa e thyer e heshtjes”, 2010, Prishtinë

Në ligjërimin poetik të Sinishtajt nuk ka tabu. Ai ka kapërcyer kaherë urtinë e mospërmendjes së litarit në zinë e të sapovarurit! Në këtë vijë ligjërimore ai flet lehtësisht për behjen e kohës për të kaluar matanë, në botën tjetër, njësoj si për takimin gjithnjë më të shpeshtë ndër ëndrra e kujtime me të afërmit e dashur që kaherë ndodhen pikërisht në atë anë. Poeti rendit lagjet e vendlindjes njësoj si gurët në një mozaik apo ata në rendin e varrezës familjare; në shqiptimin e ideve dhe në shtjellimin e motiveve përmend Epikurin si një shok të fëmijërisë së vet, sikundër që thërret ndanë varrit mikun e sapovdekur me të njëjtin zë të drithëruar që thërret heronjtë e qenë e të paqenë të çdo kohe të mitologjisë dhe të historisë botërore e kombëtare. Ndonëse në këtë mozaik të madh natyral ai hedh çdo lloj guri që ka mbajtur gjatë në zemër, të folurit e tij të veçantë artikulon homazhin më rrëzëllitës që i bën Zonjës së Madhe të Shtëpisë Atërore, të cilën ai e quan me sintagmën më kuptimplote shqipe: Nëna e Bukës.
Sinishtaj thelbin e poezisë tash e mvesh me një rrobë të rëndë të urtisë që del nga përvoja e madhe jetësore; ai don ta shndërrojë atë poende në një mjet të dobishëm mbruz me material të rëndë për midjen naziqe të mbretëreshës hijerëndë të arteve!
Prapë në Dhe të Huaj, më 5 Prill 2010 Shaip Beqiri

Ndue (Nok) Sinishta (1944-2021)
Ndue (Nok) Sinishta (1944-2021)
Ndue (Nokë) Sinishtaj (24.VIII.1944 – 16.V.2021)

Ndue (Nokë) Sinishtaj lindi më 24 gusht 1944, në Kshevë të Grudës (Malësi e Madhe). Shkollimin fillor e kreu në katundin e lindjes dhe në Tuz, kurse Gjimnazin klasik në Zarë dhe Pazin (Istri). Teologjinë e mbaroi në Rijekë, Zagreb e Firence. Pastaj pesë vjet shërbeu meshtar në Guci, Tuz, Podgoricë e Traboin (Hot). Në vjetin 1975, regjistroi Filozofinë e Letërsinë Italiane në Universitetin e Friburgut (Zvicër), të cilin e mbaroi më 1981. Nga vjeti 1982, jetoi në Luzern dhe punoi përkthyes.
Pak para se të mërgonte në Zvicër, la dy dorëshkrime poezish kroatisht: “More mira u nemiru”/ “Det qetësie në trazim” dhe Nerastočeni mir”/ “Qetësi e patrazuar” (më 1974 te “Pobjeda” e Podgoricës). Ndërkaq ka botuar librat: “Mogillat e Kshevës” (poezi shqip, 1976, Friburg); “Rimani amica” (poezi italisht, 1977, Friburg); “Apokalipsi i Pashkut nga Bjeshkët e Nemuna” (quasi roman kroatisht, 1977, Friburg); “Eingeëickelt in sein Schëeisstuch” (poezi gjermanisht, 1994, Luzern); “Te varret e Kshevës” (poezi shqip, Albiform, 1995, Tiranë); “Dubrovniku” (poemë kroatisht, 1996, Luzern); “Syri i ngujuar” (poezi, Erik, 1998, Tiranë); “Tetë letra të Martin Camajt” (epistolar, ABA Grafik One, 2000, Tiranë); “Rrëfimet e një prifti të rebeluar” (publicistikë, Neraida, 2000, Tiranë); “Në vend të epitafit” (poezi, Afërdita, 2002, Tiranë); “Spirale” (poezi, Globus R, 2003, Tiranë); “Rekuiem për fshatin tim” (poezi, 2005, Podgoricë); “Nga sergjeni i harruar” (poezi, Globus R, 2007, Tiranë); “Kupa e thyer e heshtjes” (poezi, Konica, 2010, Prishtinë); “Nën arkada të universit”, poezi, 2013; “Dejka kujtimesh”, poezi, Grand Prind, 2014, Tiranë; “Monologu i çinisë së Podgoricës”, poezi, Grand Prind, 2016, Tiranë; “Motive malësore”, poezi, 2017, Luzern dhe “Ashti i poetit”, poezi, 2020, Shkodër.
Ndue Sinishaj vdiq më 16 maj 2021, në Lucern të Zvicrës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.