back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Kush ishte Xhafer Deva? dhe Një shikim ndryshe i Luftës së Dytë Botrore në Shqipëri! – nga Shefqet Cakiqi-Llapashtica

Gazeta

Xhaferr Deva (1904-1978)
Xhaferr Deva (1904-1978)

Kush ishte Xhafer Deva?

Xhafer Deva lindi nё Mitrovicё, më 21 shkurt 1904. Ishte djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmës, nga familja Osmani. Ibrahim Deva, babai i Xhaferit, i lindur në Mitrovicë, por me prejardhje nga Gjakova, ishte pronar i një punishte druri.
Origjinën familja e kishte nga Deva e Hasit.
Mësimet fillestare Xhafer Deva i kreu në Mitrovicë, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Selanik. Xhafer Deva është shkolluar në gjuhët shqip, serbisht, turqisht dhe gjermanisht. Mësimet e larta i kreu në Konstantinopojë, në “Robert College” – shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi. Aty, Xhafer Deva mëson edhe gjuhën angleze. Pas studimeve në “Robert College” të Konstantinopojës, Xhafer Deva vazhdoi studimet në Vjenë, ku kreu edhe studimet për inxhinieri.

Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare
Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare

Veprimtaria politike
Xhafer Deva doli në skenë pas pushtimit gjerman të Mbretërisë Jugosllave, më 17 prill 1941. U shqua pёr organizimin e pushtetit nё rajonet Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, pra nё atё pjesё tё Kosovёs qё ishte nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore, Hermann Neubacher, të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë dhe arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë “Abvvehr”, shërbimit informativ ushtarak gjerman.
Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin, në kohën kur ishte ministër arsimi ky i fundit, hapën shkollat shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë jugosllave. Nё vitin 1943, ishte ndёr nismёtarёt kryesorё pёr krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Në këtë kohë, Herman Neubacher i kërkon të niset për Tiranë, ku Deva merr postin e ministrit të brendshëm. Kolonel Faik Quku e përshkruan kështu:
“Ministri i Mbrendshëm Xhafer Deva, megjithse nuk e njihte Shqipnin, ishte i pajisun me cilësitë e ushtarit gjerman: i vendosun, guximtar, i veprimit, i disiplinuem dhe anmik i komunistave, por e ndiente veten si të paralizuem mes Kryeministrit Rexhep Mitrovica, që e konsideronte të sëmurë, dembel dhe të pavendosun dhe Kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit, që e konsideronte konfuz, pa program, njeri që nuk e mban fjalën dhe që u nënshtrohet ndërhymjeve ilegale… I pakënaqun prej punëve që nuk shkonin mirë dhe konfuzionit që ekzistonte, nga marsi i vitit 1944, Xhafer Deva mendon me u ba diktatori i Shqipnisë, gja që do t’ishte zgjidhja ma e përshtatshme, por që nuk realizohet, sepse e kundërshtojnë gjermanët. Si në fillim, kryesinë absolute të Mehdi Frashërit, ashtu edhe kësaj here, pushtetin diktatorial të Xhafer Devës, eksponentat kryesor të Ballit Kombëtar, e pranojshin… mendonte që me anën e ekzekutimeve me pastrue qytetet e Shqipnisë nga komunistat, tue fillue nga Tirana. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i sjelljes në Shqipni të regjimentit ‘Kosova’”.
Nga gjysma e dytё e vitit 1944 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qëndresën pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё.
Mbasi trupat gjermane, që respektonin pavarësinë e Shqipnisë etnike u sulmuan nga anti-fashistët në operacionin ushtarak të dimrit, gjermanët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, duke përfshirë edhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur strehë shpëtimi, të përfaqësuar nga Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i gjermanëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë (“Shoah”), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë. “Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit.
Ata shkuan të takonin ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e gjermanëve dhe premtoi të mos e dorëzonte asnjë hebre te forcat e tyre. Ashtu si premtoi, Deva ia doli që të bindte gjermanët dhe ata u tërhoqën nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve”.
Nё vitin 1944, Xhafer Deva u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё e Shqipnisë etnike. Mbahet pa asnjë argument bindës, si përgjegjës i të ashtuquajturës masakër e 4 shkurtit 1944. Në muajt e pranverës së vitit 1944, ngarkon një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg” – emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1).

Xhafer Deva me te Shoqen Osvalda, ne Palo Alto Kaliforni
Xhafer Deva me te Shoqen Osvalda, ne Palo Alto Kaliforni

Mërgimi
Pas mbarimit tё luftёs, në dhjetor të 1944, Xhafer Deva përmes Kroacisë u largua për nё Austri, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt dhe nga Egjipti në Damask të Sirisë. Këtu filloi sërish aktivitetin e politik, duke botuar gazetën “Bashkimi i Kombit” dhe si zëdhënës i parë i nacionalizmit shqiptar, pas Luftës së II Botërore.
Në Damask, Xhafer Deva arriti të tubojë rreth vetës shumë bashkatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956, Xhafer Deva emigroi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960, shkoi në Kaliforni.
Nё vitin 1966, Xhafer Deva rikrijoi organizatën “Lidhja e Dytё e Prizrenit në Mërgim”, qё propagandonte Shqipninë etnike, çlirimin e Kosovёs, si dhe çlirimin e trojeve tё tjera shqiptare nёn Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; Lidhja e Dytë e Prizrenit vëhet në krye të tubimeve politike shqiptare.
Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978. (Nga Wikipedia)

Delegacioni i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga Mitrovica – Xhafer Deva (në mes) Mitrovicë
Delegacioni i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga Mitrovica – Xhafer Deva (në mes) Mitrovicë

Një shikim ndryshe i Luftës së Dytë Botrore në Shqipëri!
nga Shefqet Cakiqi-Llapashtica

Të gjitha grupimet politike dhe intelektuale në vitet 1940-1945 në Shqipëri dhe viset shqiptare kishin orientim Europian dhe Perëndimor!
Nëse i shiqojmë në kontekstin kohor ata ishin të orientuar kah Europa dhe perëndimi (duke përfshi edhe komunistët që kishin mësimet nga Marksi e Engelsi – europianë) si orientim drejt familjes europiane së cilës i takonin shqiptarët dhe shiqohej si shpëtim për kombin shqiptar! Duke pasë parasysh qarkullimin e ngadalshëm të informatave, ky qark i intelektualëve dhe prijsave politikë të shqiptarve, nuk kanë pasë mundësi të njohin sa e si ishte Nazizmi Gjerman, kur para vititit ‘40 edhe vetë John F. Kenedi si i ri ishte impresionuar nga Gjermania e asaj kohe apo Pakti-Molotov-Ribbentrop apo si njihej edhe si Pakti Hitler-Stalin i vitit 1939! Shumë vonë kanë arritë të ta kuptojnë edhe popujt e tjerë të Europës për dëmin dhe të keqen që kishte nazizmi gjerman! Shqipëria kishte vetëm 30 vjet që kishte dalë nga sundimi shumëshekullor i Perandorisë Osmane! E çdo orientim drejt Europës dhe perëndimit ishte për kontekstin kohor, përparimtar dhe shpëtimtar, për forcimin e kombit shqiptar!
Në raportin e agjentit të OSS, paraardhësja e CIA-s, Nick Kukich që ishte vendosë në Shqipëri në dhjetor të vitit 1943, në kontaktet e tij edhe me partizanët që drejtoheshin nga komunistët shqiptarë po edhe me ata të Ballit Kombëtar dhe me strukturat shtetërore si Mehdi Frashëri, Xhafer Deva etj, kishte përcjellë mesazhin – se kjo luftë (Lufta e Dytë Botërore) nuk është luftë e Shqiptarëve, “nuk është luftë e juaja” ju thoshte! Gjermanët ishin vendosë në Shqipëri në tërheqje e sipër, duke u tërheqë nga Afrika dhe Azia! Ai kish sugjeruar edhe komunistët edhe ballistët që të ruanin popullsinë dhe strukturat shtetërore, administratën dhe shkollat që të funksiononin dhe të lejonin tërheqjen e gjermanëve qetë nga Shqipëria!
Nick Kukich kishte takuar të gjithë eksponentët politikë e ushtarakë të kohës: Mehdi Frashërin, Xhafer Devën, Abaz Kupin, Mit’hat Frashërin, Enver Hoxhën, Koçi Xoxen, Omer Nishanin, Nako Spiron etj. E të gjithve ju kishte sugjeruar platformën amerikane për Shqipërinë dhe luftën atje!

Nick Kukich, John O’Keefe me krerët komunistë të Luftes në Odriçan në 1944!
Nick Kukich, John O’Keefe me krerët komunistë të Luftes në Odriçan në 1944*

Agjenti i parë i CIA-s në Shqipëri
Jetëshkrimi i agjentit Nick Kukich, ish-oficer artilerie, një punëtor miniere nga Ohaio ishte anëtar i OSS-së (Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike), paraardhësja e CIA-s Kukiç u ishte bashkuar trupave të marinës në janar 1940, fillimisht ai ka qenë në “Paris Island” (bazë stërvitore e trupave të marinës në Karolinën e Veriut).
Më pas në Porto Riko, përgjegjës për ruajtjen e sigurisë në bazën ushtarake në Kuantiko (Virxhinia), më 31 dhjetor 1943 ka mbërritur në Shqipëri si agjent i OSS paraardhësja e CIA-s!
Pas luftës, pas vitit 1945, pjesa e eksponetëve politikë e shtetërorë të Shqipërisë gjetën strehim në ShBA si Mehdi Frashëri, Xhafer Deva, Abaz Kupi, Mit’hat Frashëri, etj. Asnjeri nuk u cilësua si kolaboracionist, por gjetën mbështetje në ShBA dhe vende tjera demokratike Perëndimore!
Është pak paradoksale, por mund të thuhet se të gjithë intelektualët, prijsit politikë dhe ushtarakë në periudhën 1940-1945 ishin në mision e detyrë të duhur! Gjithnjë duke theksuar se ajo luftë nuk ishte e shqiptarëve nga vetë mësimi i agjentit amerikan Nick Kukich që ka përfaqësue shtetin amerikan të asaj kohe! Fatkeqsisht kjo thënie e agjentit amerikan Nick Kukich, është kaluar në heshtje nga historiografia shqiptare!
*Unë jam për rishikim dhe riinterpretim të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare në Ballkan!!

*Në foto: Nga e majta në të djathtë: Koçi Xoxe, Nako Spiru, Enver Hoxha, Omer Nishani, (me rreth) Nick Kukich, John O’Keefe, Nexhmije Hoxha, në Odriçan në bitin 1944!

Marrë nga Muri i FB Shefqet Cakiqi-Llapashtica, 8 shkurt 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.