
Kush është Edoardo Sanguineti?
Edoardo Sanguineti (9 dhjetor 1930-19 maj 2010)
ishte një poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar,
përkthyes dhe politikan italian, i cili ishte anëtar i Grupit 63.
“Unë jam poeti më patetik i nëntëqindës, në kuptimin që patosi im është patos i trupit”. Edoardo Sanguinetit, i ndarë nga jeta më 18 maj në moshën 79-vjeçare, nuk i mungonte ironia. Humbja e tij do të thotë humbja e një prej protagonistëve të debatit kulturor mbi poezinë italiane të ‘900. Një ndër poetët themelues të Grupit ’63 dhe të avangardës letrare italiane, lektor i letërsisë italiane në disa universitete, eseist (esetë e tij mbi Danten dhe Gozzano-n ishin risi), dramaturg dhe showmen. Ky aktivitet poliedrik e çonte shpesh në beteja dhe polemika politike. Më pas, vendosi të angazhohej personalisht dhe të mbulonte poste të ndryshme, mes të cilëve atë të parlamentarit të pavarur për Pci-në, nga viti 1978-1983. I lindur në Gjenovë më 1930, por i arsimuar në Torino, Sanguineti që i ri ishte i interesuar për letërsinë dhe artin. Ndërkohë që kryente universitetin, frekuentonte kurset e Giovanni Getto-s në fillim të viteve ‘50, kohë kur filloi të shkruante poemën e tij të njohur “Laborintus”. Përvoja eksperimentale dhe studimi akademik do të jenë dy aktivitete paralele që do ta shoqëronin gjatë Sanguinetin, një aktivitet, të cilin vitet e fundit e përkufizonte si “organizëm klerik”. Kur themeloi së bashku me Eco, Giuliani, Manganelli, Balestrini dhe të rinjtë e tjerë pak a shumë të “inatosur” Grupin ‘63 në Palermo, e ironizoi paksa avangardën. Por Edoardo Sanguineti i besoi gjatë gjithë jetës idesë së avangardës, si një mjet i modernitetit. Ideja e tij ishte nga ato mendime që nguliten fort. Ashtu siç ka qenë edhe karakteri i tij. Poet dhe kritik letrar, por edhe politikan (shpesh përkufizohej si një politikan i marrë borxh nga letërsia) nuk ka lëshuar pe ndër vite. Edoardo Sanguineti ishte rritur në Torino, ku ishte arsimuar në shkollën e Giovanni Getto-s, ku kishte punuar mbi ndërthurjet, dhënie-marrjet mes letërsisë, muzikës dhe artit. Madje e kishte nisur nga muzika, atëherë kur ende djalosh, ëndërronte të bëhej balerin. Dëshira e nxiti të studionte pianoforten. Bashkëpunonte me Baj apo me Nespolo, shkruante tekste për Luciano Berio. Ishte i magjepsur nga labirintet e fillimshekullit, me idenë për ta ndryshuar botën me goditje linguistike; besonte verbërisht se avangarda shprehte “një të vërtetë të madhe të karaktereve sociale” dhe jo vetëm “një të vërtetë të mëvetësishme të karakterit estetik”, ashtu siç ai përkufizonte në tekstin e tij më të njohur, “Ideologjia dhe ligjërimi”. Sipas tij, ndryshimi i ligjërimit, shpërthimi i tij mund të “vinte në rrezik raportet shoqërore”. Në të njëjtën kohë, pa rënë në kundërshti, Sanguineti studionte Gozzano-n dhe Montale-n, Danten dhe klasikët. Në kulmin e famës, realizoi për shtëpinë botuese “Einaudi” një antologji poetike të nëntëqindës italiane. Por dukej se letërsia nuk i mjaftonte asnjëherë. Kërkonte të jetonte edhe në territoret e ideologjisë dhe politikës. Qëndrimet e tij nuk i ndryshoi kurrë. Për të nuk kishte marksistë, komunistë apo socialdemokratë. Kur konkurroi për herë të parë si bashkiak i Gjenovës, ai tha se “ishte koha të restauronin urrejtjet klasore”. Sanguineti jetoi edhe për të parë komunikimin në kohët moderne. Por kjo për të nuk përbënte një kërcënim as të fjalës, as të letërsisë. “Edhe në të shkuarën njerëzit kanë pasur mjete të ndryshme komunikimi. Në këtë pikëpamje është thelbësor roli i të shkruarit dhe i shtypit. Rrjeti rrit kontaktin virtual, por favorizon, për ata që e dëshirojnë, transformimin në një komunikim real. Nuk shoh ndonjë dizavantazh në zhvillimin e komunikimit që nuk kërkon me patjetër një prani fizike. Mbi të gjitha, me këtë mungesë na kanë mësuar më parë postat dhe telegrafi. Më duket një pasuri e madhe mundësia e të zgjedhurit mes një marrëdhënieje direkte dhe indirekte. Në rrjet bëhen edhe shumë përpjekje për angazhime letrare, estetike, kulturore, artistike. Kjo nuk vlen vetëm për fjalët, por edhe për imazhet dhe tingujt. Është shumë e vështirë të bësh parashikime për të ardhmen, por që tani janë bërë kërkime të rëndësishme që i hapin më shumë mundësi artistëve të rinj”, shprehej ai në një intervistë. Ishte ironik, i sjellshëm, i qeshur dhe i dashur. Shpeshherë, fytyra e tij ngjante me maskën e teatrit: herë ironizonte të tjerët e herë bënte autoironi. Pasioni i tij ishte të “vidhte” fjalët, ato që nuk i munguan deri në fund të jetës.