
Kurajo qytetare, për të rrëfyer të vërteta tronditëse
Parathënie nga Tanush Kaso
Për librin e Lindita Milotit “Agron Miloti: E vërteta ime”
Në vitin 1967, vajza e Stalinit, Svetllana, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku botoi një libër të bujshëm, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe me titull “Vajza e Stalinit për Stalinin” (botimi 2006). Kjo vepër, një dëshmi dhe një rrëfim i çiltër i Svjetllanës mbi dhunën e ushtruar nga i ati, madje edhe brenda rrethit të ngushtë familjar, u prit me entuziazëm, interes dhe kureshtje të madhe nga lexuesit amerikanë dhe nga opinioni ndërkombëtar.
Sado që mund të tingëllojë e pabesueshme, burimet historike dëshmojnë se diktatori i njohur Josif Visarionoviç Stalin ushqente urrejtje edhe ndaj djalit të tijë, Jakovit, të lindur nga martesa e parë me Katerinën, një grua me origjinë hebraike, e cila u nda nga jeta para kohe, në moshën vetëm 27-vjeçare.
Stalini ushtronte mbi Jakovin një presion emocional të pamëshirshëm, deri në atë masë sa e çoi drejt vetëvrasjes. Ai e qortonte vazhdimisht, e poshtëronte dhe ia përplaste në fytyrë paaftësinë dhe ngathtësinë e pretenduar në drejtimin e Ushtrisë së Kuqe.
Në cilësinë e oficerit, Jakovi u dërgua të luftonte në vijën e parë të frontit. Gjatë një beteje, ai ra rob i gjermanëve, të cilët propozuan një shkëmbim robërish – një praktikë e njohur në kohë lufte – por Stalini refuzoi, duke e lënë të birin në mëshirën e armikut. Jakovi nuk u kthye më: ai vdiq më 26 korrik 1941, gjatë një përpjekjeje për t’u arratisur.
U përhapën fjalë se ai ishte dorëzuar vullnetarisht te gjermanët.
Kjo mjaftoi që Stalini të urdhëronte arrestimin e nuses së tijë çifute, e akuzuar se e kishte nxitur Jakovin të dorëzohej. Gruaja u internua në Siberi dhe u detyrua ta linte pas vajzën e sajë trevjeçare, mbesën e Stalinit. Pas hetimeve të gjata dhe të mundimëshme, dyshimet e Stalinit u vërtetuan të pabaza dhe nusja u shpall e pafajëshme, por vetëm pasi kishte vuajtur dënimin.
Svetllana, e lindur nga gruaja e dytë e Stalinit, nisi ta urrente atin diktator që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ajo krijoi një lidhje dashurie të fortë me një çifut dyzetvjeçar, gazetar dhe regjisor me profesion, për të cilin Stalini urdhëroi që të dënohej me mbi dhjetë vjet burg, me akuzën “agjent i huaj”, pra spiun në shërbim të
vëndeve armiqësore ndaj Rusisë.
Gruaja e dytë e Stalinit, Nadjezhda, përshkruhet nga e bija Svetllana si një grua besnike dhe një nënë e përkushtuar.
Megjithatë, në moshën tridhjetë e një vjeçare, ajo kreu vetëvrasje me një plumb revolveri, pas një grindjeje të ashpër dhe publike me Stalinin gjatë një mbrëmjeje mondane në Kremlin. Në atë rast, ajo e quajti bashkëshortin e sajë tiran.
Edhe djali, Vasilij, pranonte se Stalini nuk kishte qenë aspak i përkujdesur si baba; përkundrazi, ai e qortonte edhe pa arsye, e quante budalla dhe e mbante vazhdimisht nën trysni. Vasiliji përfundoi duke u dorëzuar ndaj alkoolit, deri në marrëzi dhe një jetë të shthurur në shoqëri të këqija. Ai kaloi vite të vështira dhe të mundimshme dhe vdiq në moshën 41-vjeçare, në vitin 1962, si pasojë e varësisë nga alkooli.
Ngjarjet e familjes së diktatorit Josif Visarionoviç Stalin më erdhën ndër mend teksa nisa të shkruaj parathënien e biografisë së Lindita Milotit, për shkak të ngjashmërisë së dukëshme mes përvojës së dhunës së përjetuar nga fëmijët e diktatorit të madh sovjetik dhe asaj të fëmijëve të diktatorit të vogël shqiptar, Xhevdet Miloti, ish-oficer i Ministrisë së Punëve të Brëndëshme, një nga hetuesit më mizorë dhe famëkeq të Sigurimit, shërbimit sekret për Sigurinë dhe mbijetesën e shtetit komunist, aktiv gjatë viteve 1950-1960 në Shkodër dhe më pas në Tiranë.
Në Shkodër, qytetin verior të cilësuar si reaksionar nga diktatori Enver Hoxha, Ministria e Punëve të Brëndëshme dhe Sigurimi përzgjidhnin policët, oficerët dhe hetuesit më të paditur, më të egër dhe më të pamëshirshëm. Ja disa prej emrave të tyre: Ali Xhunga, Lilo Zeneli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Xhemal Selimi, Feçor Shehu, Xhevdet Miloti, etj.
Emrat e tyre, ende të kujtuar me tmerr nga të mbijetuarit e burgjeve komuniste, janë të regjistruar si në procesverbalet dhe dokumentet arkivore, ashtu edhe në kujtimet e disa ish-të burgosurve politikë. Ndër ta është edhe ati Zef Pllumi (1924-2007), françeskan dhe shkrimtar shqiptar, i cili kaloi 26 vite në burgjet e Enver Hoxhës, regjimi i të cilit mohoi lirinë fetare dhe përndoqi veçanërisht të krishterët katolikë. Pllumi shkroi librin e titulluar “Rrno vetëm për me tregue”.
Një tjetër dëshmi përkujtimore e një të mbijetuari është libri Në gjurmët e një ditari, i Ahmet Bushatit, ish-gjimnazist nga Shkodra, i burgosur me akuzën e quajtur poshtëruese të veprimtarisë antikomuniste. Në faqen 335 të ribotimit të vitit 2007 në Shkodër të kësaj vepre, shkruhen edhe këto fjalë për hetuesin famëkeq, Xhevdet Milotin: “…oficeri i Sigurimit Xhevdet Miloti, për të shfrye zemrimin… do të lëshohej si i tërbuem mbi Pjerinin, tuj i ra fort disa herë me shqelma në gjoks…”, një ndër dëshmitë e shumta të torturave ndaj të cilave të tjerë ish-të burgosur politikë, kanë dëshmuar për torturat që kanë pësuar nga xhelati i Sigurimit Xhevdet Miloti.
Nga ana tjetër, duke lexuar faqet e autobiografisë së Linditës, aspekti më mbresëlënës dhe njëkohësisht më zbulues në lidhje me Xhevdetin është sjellja e tijë brenda vetë familjes, anëtarët e së cilës, veçanërisht fëmijët, trajtoheshin me një dhunë të egër psikologjike dhe fizike duke provuar kësisoj se ishte një kriminel i lindur.
Për djalin e vetëm, Agronin, si edhe për vajzën Linditën, autoren e këtij libri, prania e një babai të zhveshur nga ndjenjat njerëzore, i cili ua helmoi jetën që nga fëmijëria, në rini dhe në vazhdimësi, përbënte një tragjedi të madhe. Agroni, Lindita dhe motra e tyre Ermira u rritën pa dashurinë prindërore, pa përkujdesjet dhe pa këshillat atërore; nën një trysni të përhershme, mbytëse dhe shtypëse, pa festa dhe pa arsye gëzimi, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që, ndonëse i përkisnin familjeve jo të favorizuara nga regjimi, gëzonin një jetë më njerëzore.
Ashtu si Svjetllana e Stalinit, edhe Lindita e oficerit të Sigurimit Xhevdet Miloti, vendosi të shkruajë kujtimet e saja dhe të rrëfehet me sinqeritet ndaj lexuesve shqiptarë apo të huaj, jo vetëm nga solidariteti i mendimit, por edhe nga një përvojë personale vuajtjeje të përjetuar si e tyrja, si dhe për të shpallur shkëputjen e sajë të plotë nga regjimi komunist shqiptar, i cili për shumë vite e gjunjëzoi popullin duke kërkuar në njëfarë mënyre edhe ndjesë ndaj atyre që babai i sajë i ka keqtrajtuar e torturuar.
Këtë libër ajo ia kushton vëllait të sajë Agronit, viktimë e sjelljes së të atit. Ka një ngjashmëri e çuditshme mes këtijë djaloshi, Agronit, dhe Jakovit, vëllait të Svetllanës. Asnjëri prej tyre nuk kishte prirje për t’u bërë oficer apo ushtarak i rangut të lartë, për shkak të natyrës së tyre jashtëzakonisht të ndjeshme dhe tepër njerëzore. Por, etërit e tyre diktatorë kërkonin me çdo kusht që ata të ndiqnin karrierën ushtarake, vrastare; të bëheshin “heronj”, natyrisht për të kënaqur krenarinë e tyre egoiste. Në të dyja rastet bëhej fjalë për një konflikt mes etërve dhe bijve, i cili pati pasoja tragjike dhe shkatërruese për bijtë.
Agron Miloti, kundër vullnetit të tijë, u detyrua nga i ati të ndiqte shkollën e Sigurimit në fshatin Sauk, pranë Tiranës. Ai i përfundoi studimet me mospëlqim, por nuk donte të bëhej një xhelat, si babai. Prandaj e nisi atë karrierë me thyerje të qëllimshme të disiplinës ushtarake, me vonesa dhe mungesa në punë, me pije gjer në dehje, aq sa u bë problem deri në Ministrinë e Punëve të Brëndëshme. Ministri e thirri personalisht Xhevdetin për t’i ofruar dy alternativa për të birin: shkarkim nga detyra ose transferim në një vend të largët. Xhevdeti zgjodhi alternativën e dytë. E dërgoi djalin, nga i cili turpërohej thellësisht, aq larg sa të mos e kishte më as përpara syve, aq i urryer ishte bërë për të.
Ishte viti 1982. Kësisoj, për atë djalosh që e kishte kaluar atë copë rrojtjeje deri atëherë në qytetet e vrullëshme dhe plot gjallëri të Shkodrës dhe të Tiranës, u caktua si vend pune e jetese qyteza më e largët dhe e humbur veriore, Puka, që do të ishte destinacioni i fundit i jetës së tijë dhe konkretisht në Iballë, një fshat me rreth 800 banorë, 53 kilometra larg qendrës së qytetit me rreth 10.000 banorë, në prefekturën e Shkodrës, në veri të Shqipërisë.
Puka e atyre viteve të socializmit të Enver Hoxhës, ishte edhe më keq sesa ajo që ka përshkruar Migjeni në shkrimet e tija, kur shërbeu disa vite si mësues atje, gjatë regjimit të mbretit Zog. Në atë mjedis Agroni e ndjente vehten si i huaj, si i dënuar dhe si i internuar. Prandaj, herë me leje e herë pa leje, ai shkonte shpesh në Tiranë. Gjatë njërit prej këtyre udhëtimeve disaorëshe, duke përshkuar një rrugë të ngushtë dhe plot dredha mes maleve të Veriut, ai humbi jetën në moshën vetëm 28-vjeçare.
Kjo ngjarje tragjike ishte një traumë që ka mbetur e pashlyer për motrën Lindita, e cila vëllanë e madh, Agronin e kishte të vetmen mbështetje në atë familje, dhe nga shkrimet del qartë se ajo kurrë nuk arriti ta kapërcejë këtë humbje. Në mjedisin e pashpirt të familjes së sajë, në mungesën e plotë të dashurisë prindërore, ajo e gjente te vëllai i madh një pikë referimi, si dhe mbështetje e përkrahje emocionale, edhe për shkak të afërsisë së ndjenjave që i bashkonte. Jeta e sajë pësoi një tronditje të pariparueshme; ajo ra në një gjendje trishtimi dhe depresioni, të mbajtur nën kontroll nga një vullnet reaktiv, por kurrë të shëruar plotësisht. Në vazhdim, jeta e sajë do të kalonte gjithë trishtim. Edhe pasi kreu studimet e larta për Ekonomi dhe filloi punë si ekonomiste në një ndërmarje të kryeqytetit, Lindita, me shpirttin e sajë të ndjeshëm dhe të prirur për drejtësi shoqërore, nuk do të gjente kurrë qetësi nën regjimin komunist.
Asaj i mungoi gjithashtu ndarja e dhimbjes brenda familjes. Nuk mund të mbështetej te i ati, për më tepër, edhe nëna e sajë, Sabaheti, sillej egërsisht me të. Ajo grua e pashkollë, ishte punësuar si edukatore fëmijësh, në një Kopësht të Tiranës. Por, mjerë ata fëmijë që ishin “nën kujdesin e sajë”!
Në familjen Miloti punët shkonin si mos më keq dhe nisën të përkeqësoheshin. Atje mbretëronte një atmosferë e zymtë terrori dhe grindjesh të vazhdueshme midis prindërve.
Fëmijët strukeshin të frikësuar në fund të shtëpisë. Gjendja ekonomike, pavarësisht prej pagave më të mira krahasuar me shumicën e bashkëkombësve, u bë e vështirë për shkak të menaxhimit të keq financiar të kryefamiljarit dhe sjelljes së tijë, i cili kalonte ditë e netë dhe javë të tëra larg familjes dhe bënte një jetë të shthurur, me femra gjithfarësh. Ky ishte edhe një nga shkaqet kryesore të zënkave midis tyre, si edhe të ulërimave të asajë gruaje, jo më kot xheloze. Ajo kishte mësuar dhe përmendëte me zë të lartë emrat e dashnoreve të burrit të vet, i cili nuk donte t’ia dinte nga fjalët e saja. Lindita, e paaftë të duronte më situatën, zgjodhi të emigrojë në Itali.
Këto dhe të tjera, jepen me shumë vërtetësi dhe me zemër të hapur, në librin e rrallë të zonjës Lindita Miloti. Aty tregohet edhe për vështirësitë e fillimit të ndërtimit të jetës së sajë të re në “botën kapitaliste”, ku vazhdon të qëndrojë prej 34-vitesh, sa në Angli dhe në Itali.
Ajo ende nuk ndihet krejtësisht e shëruar nga traumat që ka pësuar gjatë fëmijërisë dhe rinisë së kaluar në mjerimin komunist shqiptar.
Është për t’u lëvduar Lindita, për kurajon e saj qytetare, për të rrëfyer disa të vërteta tronditëse, edhe pse ishte e vetëdijëshme për reagimet dhe pasojat që do të kishte, kryesisht nga rrethi i vet familjar e farefisnor, që nuk janë çliruar ende nga mendësitë komuniste. Ata e kanë anatemuar dhe braktisur krejtësisht këtë grua fatkeqe, tanimë edhe e sëmurë me kancer.
Leximi i librit do t’i mundësojë lexuesit të njohë shumë më tepër dhe të përballet me realitete të dhimbshme që, për fat të keq, vazhdojnë të shënojnë jetën e shumë njerëzve edhe sot.
Tanush Kaso
Ish-i burgosur politik i Enver Hoxhës