Kur të qenit “zotëri” shërbeu si një krim i rëndë – një foto nga arkivi i familjes Kokalari

Gazeta

Foto nga arkivi i familjes Kokalari
Foto nga arkivi i familjes Kokalari
Kur të qenit “zotëri” shërbeu si një krim i rëndë
një foto nga arkivi i familjes Kokalari

Kur sheh këtë foto, kupton se faji më i rëndë për komunistët ishte “të qënit zotëri” dhe i shkolluar.

I pari nga e majta Rexhep Jella.
Rexhep Jella mbaroi studimet e larta për Shkenca Politike në Kembrixh të Londrës. Mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris si pjesë e delegacionit shqiptar, mori pjesë në Kongresin e Lushnjes, dy herë deputet i Parlamentit Shqiptar më 1923 dhe 1937. Nga 1926, do të ishte prefekt i Gjirokastrës, Elbasanit, Durrësit, Beratit, nënprefekt i Korçës. Më pastaj, në vitet 1930-1933, do të ishte dhe prefekt i Tiranës, periudhë ku Tirana kryeqytet do të merrte një zhvillim progresiv nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Mbajtës i fjalës me rastin e përurimit të Legatës Amerikane në Tiranë, personalitet që refuzoi postin e kryeministrit të Shqipërisë nën pushtimin gjerman në 1943, do të burgosej dy herë nga viti 1945 deri në 1952, viti kur u lirua nga Burgu i Burrelit. Vdiq në mjerim të plotë në një barakë në periferi të Kavajës në vitin 1974.

I dyti nga e majta Javer Hurshiti.
Javer Hurshiti ka lindur në Kaukaz, në moshën 6-vjeçare erdhi në Shqipëri dhe u rrit e edukua në familjen e Maliq Pashë Libohovës.
Kreu studimet e larta në shkenca politike administrative në Stamboll, zotëronte disa gjuhë te huaja. Ishte një ndër kundërshtarët e parë të grekëve për çështjen e Vorio-epirit, Dhe u internua prej tyre në fshatrat e Korfuzit.
Në Luftën e Vlorës më 1920, ishte kryetar i forcave të Gjirokastrës. Mik i Çerçiz Topullit, Muço Qullit, Gjergj Fishtës dhe krushku i Ismail Qemalit, shpëtoi Gjirokastrën nga djegia që deshën t’i bënin greket. Shoqëria “Vatra” e asaj kohe shkruante: “Një djalosh nga Azia/ një pëllumb nga Kaukazia/ e pru fati të shpëtojë/ Gjirokastrën nga Greqia”. Ka qenë deputet i Gjirokastrës me 1925.
Luajti rolin kryesor për të sjellë në Gjirokastër eshtrat e Çerçiz Topullit.
Ka mbajtur poste të larta shtetërore, si zëvendësministër i Drejtësisë dhe Ministër i Kulturës.
Dënohet me vdekje, pushkatim nga Gjyqi Special, më 14 prill 1945.

Në qendër të fotos Justin Godard, mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbrojtës i interesave të tyre. Iu kundërvu hapur diplomacisë franceze, që mbante qëndrim të padrejtë ndaj çështjes shqiptare.

I pari nga e djathta, i veshur me kostum ushtarak, Selaudin Blloshmi.
Selaudin Blloshmi konsiderohet një prej ushtarakëve më të talentuar shqiptarë me një kontribut të madh në historinë e Shqipërisë. Djali i Hajdar Blloshmit, firmëtarit të pavarësisë që përfaqësoi zonën e Pogradecit. Blloshmi u edukua në Francë dhe Egjipt në shkolla ushtarake.
Tepër i ri, Blloshmi u kthye në krahun e djathtë të Themistokli Gërmenjit në themelimin e Republikës së Korçës, dhe në 1920, ai do të ishte protagonist në shtrirjen e autoritetit të qeverisë së Kongresit të Lushnjës që kulmon me firmosjen e Protokollit të Kapshticës, një triumf i shqiptarëve në raport me Greqinë.
Selaudin Blloshmi do të jepte kontribut më tej në ushtrinë shqiptare por edhe në diplomaci. Ai shërbeu në vitet 1926-1928 si ambasador i Republikës Shqiptare në Rumani, e më pas do të kthehej në krahun e djathtë të Mbretit Zog në organizimin e ushtrisë shqiptare.
Ushtaraku Selahudin Blloshmin dallon në të majtë të kraharorit Kryqi Francez i Luftës (1914-1918) me tri palma (tri citime në rendin e ditës së ushtrisë për akte trimërie). Me sa dihet, vetëm Selahudin Blloshmi u nderua në mënyrë të tillë nga francezët, të cilët disa vite më pas e dekoruan edhe kalorës të Legjionit të Nderit.
Foto nga arkivi i familjes Kokalari, 27 korrik 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit