back to top
32.5 C
Tirana
E diel, 21 Korrik, 2024

Kur të huton liria… Bedra Kaba (pjesa e V)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Kur të huton liria… Bedra Kaba (pjesa e V)

6 gusht 2013
Duke parë një emision në TV me disa aktore të mirënjohura shqiptare, më bëri shumë përshtypje biseda e tyre… Midis të tjerave që ato diskutuan aty në emision, thanë edhe se “…ne kemi vuajtur edhe nga veshjet… që në disa raste ishin të papërshtashme!! Megjithëse shpesh merrnim rroba nga pakot që u sillnin të internuarve… dhe njëra prej tyre tregoi se si kishte xhiruar një film me pallton që e kishin marrë në një nga këto pako. Duke dëgjuar me vëmendje bisedat e tyre, nëpërmend më kaloi  përsëri ajo kohë dhe bota ime e barakave…
Eh, mendova… Nuk u mjaftonte presekutimi që na bënin, as lodhja dhe mundimi që hiqnim, por edhe te pakot që merrnin disa nga të afërmit e atyre që vuanin… i paska futur duart!!! Jo vetëm qenkan batërdisur pakot, por ka rrezik që shumë prej tyre as jua kanë dhënë fare…
Dhe biseda e tyre vazhdoj me rrobaqepset që kishin, të cilat në shumicën e rasteve s’kishin atë finesë të qepuri, shpesh vije re shumë të meta si në modelim, po edhe në prerje apo qepje… dhe mendja më shkoi, s’di pse te rrobaqepset e barakave tona. Të gjithë ne rinia e lagjes, qepnim te ato, sidomos në periudhën e verës kur nxirrnim ndonjë lek me tepër… Veshje të thjeshta.. ndonji fund, bluzë, apo fustanet e bukura basme disi moderne për kohën, që vetëm ato gra duararta dinin t’i prisnin dhe qepnin me aq shije… Kujtova Lefterien, Resmien, Belin, Bajamen, Hajdinenë, Luanin, Dritën e sa të tjera që ndoshta i kam harruar. Ishin gra të talentuara në qepje dhe modelim, por që gjithë ditën duhej të punonin fushave të Myzeqesë nën diellin përvëlues apo të ftohtin e akullt të dimrit. Në orët e vona pasdarke në vend që të qetësonin trupin e stërmunduar nga puna e rëndë në bujqësi viheshin aty mbi makinën qepse dhe mundoheshin ta zbukuronin paksa pamjen tonë, po edhe për të përballuar jetën e vështirë të kampit të internimit…
Me punën e tyre ato bënë emër si rrobaqepse me talent, duke na veshur e zbukuruarme aq sa mundnin. S’ka djalë o vajzë në Savër, të mos ketë qepur në mos te njera te tjetra… Më bënte shumë përshtypje mikpritja e tyre, durimi, këshillat po edhe ajo pagesa fort e leverdisshme që ato të kërkonin, e që nuk mërziteshin edhe nëse ndokush nga pamundësia nuk kishte…
Sa keq më erdhi që ato aktore kishin vuajtur edhe për rrobaqepse të talentura… qesha me vete dhe u them: “…po kishte plot te barakat e mia, edhe shumë të talentuara, po koha s’ju dha asnji mundsi. E pra, ne atje mes baltës kishim fatin që të shijonim dhe të visheshim mjaft bukur prej duarve të tyre të arta.
S’mund të them, veçse respekt dhe mirnjohje për këto gra duaratra të lagjes sime. S’duhet të harrojmë kurrë se ajo kohë: të zotin, të aftin, të ndershmin e shtypi, e ndrydhi, e burgosi, e zhduku. I tillë qe ai regjim i diktaturës së proletariatit. Por, gjithsesi i zoti mbetet i zoti, kudo që të jetë, kudo që ta përplasë jeta…

Bedra dhe Antigoni
Bedra dhe Antigoni

20 Gusht, 2013
Me dëshiren time po edhe me dijeni dhe dëshirën e shoqes sime, po ju tregoj një histori që na ka ndodhur këtu e tridhjet vjet të shkuara, por që në kujtesën time, mbetet e freskët, sikur të ketë ndodhur dje…
Ju lutem mos paragjykoni, kjo mund t’i ndodhë kujdo, varet se sa forcë ka çdonjëri prej nesh ta tregojë një të vërtetë të tillë…
Komshijet e mia ishin dy motra e një vëlla, n’atë kohë në moshë adoleshente. Shpesh ndodhte të shkonin te njerëzit e tyre që i kishin afër; kurse unë ngaqë i kisha shumë larg shkoja veç një herë në vit, sepse udhëtimi ishte tepër i vështirë dhe shumë qarkullim makinash nuk kishte.
Njëra nga komshiet e mia kishte marre lejen e zakonshme dhe donte të shkonte të rrinte për ca ditë te daja e saj. Vijnë të dy motrat dhe i thonë babait të më merrnin dhe mua te njerzit e tyre. Ai pranoi dhe kështu të trija u nisëm, të shoqëruara deri në Fier edhe nga dy vëllezrit tonë. Aty marrim autobuzin e Vlorës dhe nisemi për te daja i tyre. Nuk e kisha parë asnjëherë atë qytet… Mbrrijmë në Vlorë dhe nisemi për te daja e tyre që e kishte shtëpinë diku në qendër të qytetit… Një shtëpi e vjetër dykateshe që shihte në bulevard. E kaluam mirë natën e parë aty dhe të nesërmen unë dhe motra tjetër do të niseshim për në shtëpi, mbasi veç për një ditë leje kisha marrë në punë.
Në mëngjes, daja i shoqeve të mia dhe e shoqja u nisën në punë, fëmijët e tyre me çanta u  nisën për në shkollë edhe, kurse unë me motrën e voglël u bëmë gati për t’u kthyer. Motra e madhe mbeti në aty shtëpi për të vazhduar lejen e zakonshme me njerëzit e saj.
Dalim nga shtëpia dhe meq ishte herët shetitëm para Sheshit të Flamurit… Aty shohim një fotograf dhe i kërkuam të na bëjë një foto. Ishin dy djem pak më të mëdhenj se ne. Bëmë nja dy foto aty, dhe shoqja më thotë: “A nuk shkojmë në Kusbaba dhe bëjmë edhe atje ca foto…?” Unë as e dija nga binte Kusbabai.. Dy djemtë fotografë pranuan të na shoqërojnë dhe na bënë edhe foto. Kështu të katërt u nisëm drejt atij vendi duke ecur nëpër ca shkallare pa fund për t’u ngjitur deri atje në majë të kodrës. Mbasi bëmë disa foto, futemi në lokal për të pirë diçka dhe ulemi. Vjen kamarieri dhe na pyet se ç’donim për të pirë… Nuk e di për shoqen time, po unë s’isha futur kurrë ndonjëherë në lokal… E mirë, u ulëm dhe morëm nga një pije “Ponç” i thonin… Eh, thamë, po e provojmë!! Kur dolëm nga lokali shoh se ndërsa zbrisnim shkallët po më dukeshin dyshe… Me zë të ulët i them shoqes se çfarë po ndjeja dhe ajo më përgjigjet, se edhe ajo po ndjente të njëjtën gjë!!! “Athere – i thashë – të mbajmë njera tjetrën, se… o Zot po lemë nam, në vend të huaj… I zbritëm ato shkallë pafund me kujdes dhe ndërsa ecnim në bulevard, po ndjeheshim pak më të kthjellta… Diku buzë detit pa arritur te tuneli i Ujit të Ftohtë, hymë në një tjetër lokal ashtu të katërt për të ngrënë diçka. Dalim prej andej dhe ecim drejt rrugës së Skelës, e herë pas here bënim ndonjë foto, duke harruar fare se ishim nisur për t’u kthyer në shtëpi.
Ashtu të përhumbura prej asaj dite të bukur që po kalonim, në nji qytet të mrekullushëm si Vlora, ecnim duke shijuar… herë Kusbabanë, herë detin, herë atë rrugë të pafundme me palma… dhe harruam fare se nga vinim, na qe fshirë nga kujtesa Savra dhe barakat e internimit dhe po shijonim at jetën e qytetit,  ëndrrën e çdo vajze… Ndërkohë që ne jetonim pothuaj të izoluar nga bota, atje në kamp.
Për nji çast shoh perëndimin e mrekullushëm të diellit mbi detë dhe at përflakjen magjike të mbrëmjes… Mbrëmja na tregoi se ajo ditë e bukur po merrte fund, e kjo edhe na zgjoi dhe na zbriti në tokë… na zgjoi nga ajo ëndërr e bukur që e kishim nisur ashtu pa kuptuar dhe pa e marrë vesh as vetë, u përpoqëm ta shijojmë deri në fund… por tani, ndjeheshim të tronditura… Ku të shkonim?!? Kishim harruar gjithçka brenda një dite, dhe në at çast u shokuam: Ku ishim?! ç’të bënim…?! Autobuzat ishin të paktë dhe të lidhur me oraret e trenave ne kishim thyer çdo rregull, dhe ndjeheshim krejt të terrorizuara para natës që kishim përpara!!

Kur vajzat bënin punë burrash
Kur vajzat bënin punë burrash

Te daja s’mund të ktheheshim se ishim përshëndetur me ta, dhe ata e dinin se ne ishim kthyer në shtëpi. Edhe ata dy djemtë e mrekullushëm mbetën me ne, kështu që edhe ata i kish marrë rrjedha e ditës sonë…
Shkojmë duke vrapur te stacioni i autobuzëve… E shohim që autobuzë nuk kishte, vetëm për të nesërmen në ora tetë. Ç’të bënim…?! Njëri prej djemve s’mund të rrinte më dhe iku… Mbetëm vetëm me djalin tjetër edhe ai shumë njeri i mirë dhe i sjellshëm…
“Rrini këtu, – na tha – mos u mërzitni, unë po shkoj për pak, dhe kthehem shumë shpejt, po ju lutem mos u largoni prej këtu ku ju lashë: Te stacioni i autobuzëve! Dhe iku dhe ai!
Eh… ku të shkonim e ku të mbyteshim tani…? Ishim aq të tronditura dhe aq të shokuara dhe çfarë s’na shkonte në mendje… Po sikur të na dorëzonin në Degë! Mos o zot, atëhere ishte tmerr fare do na quanin dy të arratisura nga internimi, mbasi ata djemtë s’dinin asgjë se nga vinim ne. Po ta dinin kishte rrezik t’na braktisnin në mes të rrugës. Eh, mendja e shkrete nga s’na shkonte… S’vonoi shumë dhe djali i dytë erdhi… Dikujt i kishte marre një makinë Zis dhe u nisem… S’e di për ku, po ecnim në një vend ku të mos binim në sy, sa ta kalonim atë natë tmerri… Më duket se shkuam te një vend që quhej Pylli i Sodës… Hymë diku mes pishave, ai fiku makinën dhe tërë natën ndenjtëm të tre aty… ne të trembura, pa folur nji fjalë, po edhe pa gjumë derisa nisi të zbardhë mëngjesi.
Ishte një natë shumë e bukur, dhe ai djalë kishte qëlluar njeri i mrekullueshëm… U soll shumë mirë me ne… por qe një natë tepër e vështirë në mendime, në ndjesitë, në frikën se nga çasti në çast mund të na ndodhte diçka… Habiteshim se si arritëm të mbeteshim ashtu, duke menduar familjen, punën që s’e arrija dot, dhe çdo të bëhej me ne të nesërmen
Mëngjesi zbardhi. Tepër të lodhura nga ajo ditë dhe ajo natë pa gjumë mbrrijmë te stacioni i autobuzëve, presim biletën për Fier. Shkojmë në tualetin e stacionit për të larë sytë e ta merrnim pak veten, kur vjen ai djali tjetër dhe shoqja ime që ishte jashtë i dëgjoi të bisedojnë… “Hë mo, – i thotë ai… Bëre gjë…?” “Po ç’thua more, unë sikur s’e kisha me vete fare… Më beso m’u dukën si dy vajza më të afërta të jetës time…!”
U ndamë me ata dy djem të mrekullushëm vlonjatë, që kurrë s’e mësuan kush ishim ne, as ne s’ morëm vesh gjë për ta… mbetën thjesht dy fotografë, dy njerëz të mirë.
U nisëm drejt shtëpisë dhe kët ngjarje thamë do ta varrosim në shpirtin tonë…
Sa erdha e para, brigadieri s’më pranoi në punë… E kisha thyer një ditë lejen. Tani më duhej të përballesha edhe me kët problem. Ai shkak kërkonte të më përzinte nga puna. Nuk dija kujt t’i drejtohesha… Më ra ndërmend gruaja e tij… vetëm ajo mund të më ndihmonte. Shkojmë të dyja bashkë me shoqen time të shtëpia e saj. I trokas në derë ajo ma hap dhe më pyet: Me se mund të më ndihmonte. I tregoj hallin që kisha! “I pata marrë një ditë leje burrit tuaj se do ikja në Vlorë, por ndenja dy ditë se patëm nji hall, dhe ai tani kërkon të më përzerë nga puna, të lutem nëse mund t’i thuash dy fjalë burrit tuaj…” Ajo ishte grua fisnike dhe i erdhi shumë keq për mua. Ti, – më tha ajo – shko në punë se unë do ta bisedoj me të dhe të garantoj se nuk do të përzerë.
Në shënimet e mia, e kam quajtur kët ditë si… më e zeza ditë e jetës sime… prej atyre përjetimeve që kalova në 13 nëntorin 1983… ndërsa shoqja ime edhe sot e kësaj dite e quan më të bukurën ditë të jetës së saj…
Ajo gjithnji me shaka ma kujton: “Na çuan truproje për motrën dhe… humbëm vetë…!!!”

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Vazhdo të shkruash e dashur Bedrie, me at thjeshtësinë dhe mënyrën tënde të rrëfimit të atyre ngjarjeve të bukura që kanë shënuar atë periudhë të vështirë të jetës së athershme, por që sot kanë një bukuri të veçantë dhe një vlerë të paçmueshme!!!

  2. Bedra tregon sikur të jetë shkrimtare.
    Kështu është, kur çdo fjalë del nga thellësia e shpirtit dhe je e vërtetë në vërtetsinë që rrëfen.
    Ndoshta në kushte të tjera… ajo mund të ishte një penë e artë… Mundet një tjetër Musine Kokalari, që do ta pasuronte zërin letrar të femrës shqiptare…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.