back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kur ta ktheva shpinën, vera m’u ba dimën… – Ese e vogël përcjellëse nga Agim Spahiu

Gazeta

Agim Spahiu (1952-1993)
Agim Spahiu (1952-1993)

Kur ta ktheva shpinën, vera m’u ba dimën…

Ese e vogël përcjellëse nga Agim Spahiu

1
Si pikat e gjakut të një plage i mblodha këto vargje, më shumë për të shpëtuar shpirtin tim, sesa për të ribërë poetin, njeriun që ia truan emrin e ia terruan pamjen, njeriun që e mbuluan me heshtje kobzezë. E ai (Dashamiri, Dyleja, Lok Limthi*), – *pseudonime të Tahir Kolgjinit – i anatemuari në kufijtë e shtetburgut shqiptar nga dimri pesëdhjetëvjeçar, e derdhi shpirin në dashuri e mall të pikëllueshëm për vend të vet, duke sfiduar terrshkretinë e heshtjes me universin e vet poetik, që ia mëkoi Luma me perlat orale…
E, nëpër këto copa shpirti e ruajti emrin, kur të tjerët u harruan. Se në këtë botë mbetet ajo që u la, jo ajo që u tha…

2
A mund ta ndalosh qyqen, miku im, rreth Shëngjergjit “nëpër degë e nëpër rrema në nji mal me lisa t’rrallë”? E ku-ku qyqja. E ku-ku shpirti i poetit qyqe, që të vjen prej Stambolli me shpejtësinë e dritës mbi nji ah kur nis me gjethue… “Ashtu qan figura eme në mërgim keqas rrethue”. Dhe poetit s’i mjafton vetmia, kobi, zija e ankthi që mbështjell fjalën “qyqe”, rëndon edhe me pikëllimin: “qyqe e mjerueme”, se njeriu mban atë që s’e mban as guri… E si të dojë të shkoklojë veten krejt, gjama “vajton dhimbshëm me mallë” pezmin e gjoksit. E qyqja: ku-ku, Kurt! E poeti: ku-ku, medet për vend të vet!…
E ti ndale po munde vetimën e qiellit në shpirtin e poetit… Po mjerë ne, shqiptarët, që ende s’po kuptojmë se një poet është më i fuqishëm se një shtet…

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

3
Poetit po i zihet fryma nga dashuria e malli për vend të vet. Dhe po derdhet me gulshe si fëmia që na ofron një kallëzim plot ngjyra e i pritet fryma nga dashuria. E ndjen veten në djep “për herën e parë”, “porsi nji flet’ engj’lli, si nji fletë florini” apo “struke prej lini”. (O Zot, ç’mallkim t’i ndalosh vendlindjen poetit!). Po ai s’ndalet de, se trupi veç është i ndaluar, i pranguar, shpirti fluturon atje: “ku vesha këmishë e xhamadan me ar,/ mbatha brendavekët për herën e parë”.
E prej zërit njomzak të fëmijës rritet zëri i një “biri sedërmadh”, që shalon kohë e hapësirë për t’u lidhë me pjesën e vet të shenjtë:

Atje m’âsht Atdheu, atje âsht Shqipnija,
Atje janë gatue kujtimet e mija.
Këto këngë si kallëzim fëmie që i pritet fryma nga dashuria, plot melodi dhe ngjyra, a mund t’i ndalni…?
Ato po kthehen të zgjerojnë hapësirat e vendlindjes, ta ringjallin poetin… Mjerë të gjallët nga të vdekurit e gjallë.

4
“A të kujtohet, a i mban mend”… A vajtim është, a këngë është, a prekje e butë njeriu në një fytyrë të vdekur që don ta ngjallë? Edhe vajtim, edhe këngë, edhe prekje njerëzore është ky ligjërim që ka ringjallë një fytyrë hyjnore duke ia marrë mortjes prej dore me kaq butësi… “Dhe pa zâ, pa rrokje e shkrola,/ Dishka m’fole e dishka t’fola…”.
Pas frymës së shenjtë të Zotit, veç butësia e poetit mund ta ringjallë bukurinë dhe ëndrrën.
Dhe bukuria rron prej shpirtit të poetit… Le t’i falen të mençurit, të marrët mos ta prekin…

Poezi nga Tahir Kolgjini
Poezi nga Tahir Kolgjini

5
“N’djers’e n’pluhun ishte mbytun, i kullonte llom nga ftyra,/ ishte lodhun, ish postatun, paraqitej ngjyra ngjyra”.
Dy gjashtëmbëdhjetërrokësh farfuritës me tridhjetë e dy zanore, ku mungon vetëm “ë” e dënesës… Një portret i mahnitshëm i vetë Shqipërisë në të shkuarën e në të sotmen. Nuk është e re në letrat shqipe Shqipëria e personifikuar te një grua, por asnjëherë më parë, as sot, nuk është dhënë me kaq realizëm pesha e fatit të Shqipërisë; aty kumbon tragjedia e gjakut dhe e lotit, mundimi i jetës së përditshme dhe krenaria e së ardhmes. E si për ironi të fatit mbi fytyrë të saj ndrit ylberi “ngjyra ngjyra”…
Bekoje, Zot, poetin!

6
E nëse prap e prap ata që harrohen do të tjerrin fjalë, unë do t’i mbyll veshët gjersa të çahen daullet e fjalamanëve.
Në baltën pesëdhjetëvjeçare e gjeta… Unë nuk e ribëj: ishte në lulen e në gurin, në lindjet e vdekjet tona, në lotin e ofshamat. Unë veç po heq baltën, që i mbuloi shkëlqimin, veç po largoj fjalët, që i zunë pamjen, veç po ndriçoj terrin, që i mbuloi fytyrën e na la hijen dhe po ju jap në duar perlën – shpirtin e tij në vetmi e stuhi – këto vargje tronditëse, që do t’ju ndihmojnë ta kuptoni vetveten e të vërtetën…
Dhe po shpëtoj shpirtin tim…
.
Agim Spahiu, Tiranë, prill 1993

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.