back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Kur rreziqet e bindjes ua kalojnë pasojave të rebelimit… – nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Kur rreziqet e bindjes ua kalojnë pasojave të rebelimit…

nga Agim Baçi

Kur bindja sjell me vete rreziqe jo më pak të vogla se rebelimi, si ka mundësi që bindja të vijojë të jetë më e fortë se rebelimi?”. Kështu pyet filozofja franceze Simone Weil në parashtrimin e saj filozofik “Meditime mbi nënshtrimin e mbi lirinë”. Ajo sjell para lexuesve paradoksin sesi pakicat, në shumë vende të botës, zotërojnë shumicën, po në emër të atyre që besojnë se janë apo votojnë si shumicë. Ajo thotë se ky zotërim vjen kur pakicat qeverisëse shmangin nga arena e debatit publik një armik të përhershëm të pushtetit: Mendimin. “Mendimi është armiku i çdo pushteti, kështu që pushteti mundohet ta zëvendësojë me bindjen”, shkruan Weil, teksa vë theksin se njerëzit e mendimit duhet të pranojnë se pjesëmarrja në largimin e së keqes ka taksën e vet, ndoshta me përbaltje apo edhe kërcënime. Por, sipas Weil, në fund të fundit, kushdo që dashurohet me lirinë, duhet të gjejë rrugë të arsyeshme që të shkundë nga supet e ditëve të veta dhunën që ushtron pushteti për të kontrolluar natyrën e gjërave. Pas rravgimeve me këto meditime, për nënshtrimin dhe lirinë, Weil ngre një pyetje që mund ta ketë çuar kushdo në mendje në përditshmërinë tonë: Si është e mundur që edhe kur e kuptojnë dhunën dhe të keqen, njerëzit e mendjes nuk i bashkohen ndryshimit?
Pyetja e filozofes franceze duket sikur i drejtohet fuqishëm shoqërisë së sotme shqiptare dhe shumë të tjerave nëpër botë, ku kundërshtimi i njerëzve të fjalës për keqqeverisjen, për mungesën e lirisë apo për mungesën e së drejtës, nuk arrin të prodhojë më një bashkim forcash për të ndalur pushtetin që ta praktikojë atë. Ne mund të gjejmë dhjetëra justifikime për këtë mosbashkim forcash: shkollat që nuk po arrijnë të përgatisin më njerëz të pajisur me guxim e mendim; politika që ka shembur e para shumë ura për bashkimin e njerëzve të mendjes; institucionet fetare që kanë humbur sharmin për të rrezatuar dhe mbështetur guximin e atyre që duan Lirinë. Mirëpo, justifikimi thjesht do të na falë një qetësi të rreme e të përkohshme, ashtu si ilaçet që pihen në mbrëmje për pushimin e dhimbjeve të kokës apo të stomakut, por pa shkuar drejt shkakut që e shkakton atë dhimbje, që na ther të gjithëve deri në palcë.
Në fakt, kjo mungesë e fuqisë për të kundërshtuar nga ata që nuk pajtohen me dhunën, duket se vjen edhe si një pasojë e epidemisë që ka prekur fuqinë e fjalës, pra, një epidemi që prej kohësh ka prekur kuptimet që zgjojnë ndërgjegje. Por edhe imazhet tashmë prej kohësh nuk prekin më simbolikën, domethënien. Fantazmagoria e imazheve duket sikur ka zhbërë fuqinë e kuptimeve dhe ne jemi përballë murtajës së pafuqisë së ideve që mund ta bëjnë bashkë shoqërinë drejt një ndryshimi. Letërsia, ndoshta, mënyra më bindëse deri më sot për mbajtur gjuhën me antitrupa përballë humbjes së kuptimeve, qartësisht nuk ka më pushtet në komunikimin e sotëm, pasi gjithnjë e më shumë spektakli po ua zbeh fuqinë fjalëve, sidomos përmes një seksualizimi të fortë që ka prekur çdo dritare komunikimi. Ndërkaq, historitë pa fillim e pa fund janë mbretëria e komunikimit të sotëm, duke bërë që epidemia e moskuptimeve të kërcënojë fuqinë për të bashkuar ata që dhunën e pushtetit e shohin si një mur i fortë për lirinë, për të drejtën.
Gjuhëtari dhe filozofi amerikan, Noam Çomski, prej kohësh e ka paralajmëruar në esetë e tij pasojën që kanë shoqëritë nga inkurajimi që i bëjnë qeveritë injorancës, që të paditurit të mos ndihen inferiorë përballë asnjë ideje apo ndonjë njeriu që arsyeton. “Qeveritë, armën më të fortë sot kanë inkurajimin e injorantëve që të ndjehen krenarë me budallallëkun e tyre”, shkruan Çomski. Ky inkurajim nga pushteti për injorancën e gjithanshme është përhapësi më i madh ndaj epidemisë së humbjes së kuptimit të ideve.
Epidemia e humbjes së fuqisë së fjalës, e fuqisë shprehëse të ideve, mund ta sjellë një pasojë të parikuperueshme në gjithë kulturën tonë. Prej kohësh, p.sh., z. Rama ka përfshirë talljen në përditshmërinë politike, në vend të debatimit të ideve. Diskutimet e përditshme në dritaret sociale duken si një përpjekje për të minimizuar çdo kuptim që mund të zgjojë qëndrime. Në vend të ideve ushqehet instinkti.
Rikthimi te rebelimi ndaj së padrejtës, ndaj dhunës së pushtetit nis nga rikthimi i fuqisë së fjalës, nga rikthimi te besimi dhe të idetë. Shkolla, politika apo institucionet fetare nuk mund ta shohin zgjidhjen te spontaniteti, e as të fajësojnë vetëm median për këtë humbje kuptimesh. Pushteti nga ana e vet nuk e dëshiron kurrë fuqizimin e simbolikës së fjalës, që më pas fuqizon mendimin. Kotësia e komunikimit të sotëm është një oaz për qeveritë e sotme, për ta parë shoqërinë të shtrirë në krevatin e bindjes, madje me puplat e spektaklit që qeveria dhe ortakët e saj në biznes ia japin me kënaqësi, për sa kohë shqetësimet e tyre nuk i drejtohen pushtetit. Rebelimi rrezikon t’u mbetet ëndrrave nëse zërat që mendojnë nuk do guxojnë për të mbrojtur atë që besojnë./ a.b
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.