back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Kur nji beratase i falet Korçës – Lirika nga Lumturi Lapardhaja – Demiri

Gazeta

Lumturi Lapardhaja - Demiri
Lumturi Lapardhaja – Demiri

Kur nji beratase i falet Korçës

Lirika nga Lumturi Lapardhaja – Demiri

Shpesh ndodh të lexoj poezi, shkrime, artikuj po edhe libra të miqve të mi… Gjithnji mbetem i prirur të vlerësoj pozitiven e secilit në përpjekjen e tyre letrare. Ka raste që ndalem më gjatë, ka raste që veç i fshik krijimet e tyre, ka mjaft raste që i përgëzoj, ka raste që u bëj ndonjë vërejtje, pa mohuar rastet kur më lenë të pakënaqur, ku për të mos qenë agresiv, bëhem bashkbisedues i tyre dhe shkëmbyes opinionesh, duke u dëshmuar edhe pak frymë pretenduese…
Lumturi Lapardhaja – Demiri, është nji nga miket virtuale dhe lexueset e hershme të shkrimeve dhe botimeve të mia, po aq i hershëm jam edhe unë në vëmendje ndaj lirikave të saj, derisa nji ditë janari i shpreha dëshirën të seleksiononte disa prej poezive të veta për t’i paraqitur në faqen time të radiandradi.com. Duke e vlerësuar Lumturinë, po e paraqes integrale këtë bisedë mes nesh:

Mirdita Jozef. E mendova atë që më shkruaje, dhe me ndrojtje do të nis disa poezi për sitin tënd, por më parë do të kërkoj diçka:
Unë nuk kam shkruar kurrë për botim… vetëm se, kur më mbushej shpirti, më urdhëronte ai vetë të merrja lapsin dhe ta hidhja atë që ndjeja në letër. Si lexuese e kujdesshme, e di shumë mirë nivelin e sitit tënd Jozef, ndaj ndershmërisht, (nuk e vë në dyshim), pa anuar aspak nga unë, nëse këto poezi nuk i gjen në lartësinë e asaj që ju mendoni, mos i hidhni në të, nuk dua, si i thonë shkollarët, “të jem e mbajtur me hatër”, nuk e kam kërkuar kurrë, në asnjë rast në jetë një gjë të tillë, dhe as sot nuk do ta dëshiroja. Gjithmonë kam dashur të marr aq sa më takon. Dhe nuk ta marr fare me mërzi “Jo-në” tënde! Të jeshë i sigurt për këtë gjë.
Ti për mua je i veçantë në gjithçka bën. Nëse ma premton, që do të më vlerësosh kështu si të shkrova, unë do t’i dërgoj disa poezi, je ti ai që vendos. Më siguro për këtë, dhe unë do t’i nis menjëherë.

Zonja Lumturi…
Prej kohësh ti gëzon  konsideratën time për gjithë leximet dhe komunikimet e përbashkëta… Jo vetëm për poezinë, po edhe për gjithçka letrare dhe joletrare, sigurisht jam ca pretendues… po shpesh kam lexuar te faqja jote dhe mund të them me sinqeritet se ke mjaft poezi ku je vetvetja, në formën më të bukur dhe më të ndjeshme të lirikave… Kështu që nji faqe për Ju, dhe për gjithë dashurinë që ti ke për poezinë e librat në veçanti, për mua mbetet një kënaqsi…
Poezitë e tua, janë e vërteta jote, përmasat e shpirtit tënd të shprehura shpesh me figura të thjeshta dhe me nji sinqeritet të dukshëm e të prekshëm… Për mua kaq është e mjaftë për të pasur edhe ti fjalën tënde midis punëve të mia…
Por më duhen dy foto ose më shumë… si ilustrim i poezive të tua, nëse ti ke ndonjë parapëlqim. Nëse poezitë i ke të rinisë së hershme, mirë do të qe të ishte nji foto e atyre viteve… Të jeshë e sigurt se shkrimet do t’i punoj me kujdes, po me lejo ca kohë sepse për ca ditë nuk kam qetësinë e nevojshme…

I nderuar Jozef, ti ke dorë të lirë për të bërë përcaktimet. Kurse për paraqitjen një javë, një muaj a më shumë nuk ka rëndësi. Unë ju jam mirënjohëse për përkushtimin tuaj dhe ju falenderoj nga zemra…

Berati, qyteti im i lindjes
Berati, qyteti im i lindjes

Shtatë Lirika nga Lumturi Lapardhaja Demiri

Vallzimi i Valëve

Ndjek vala valën e bregut shuhet,
Në shkrirje të ëmbël bëhen një.
Nën qiellin me yje hymne luhen,
Argjendi i hënës përthyhet mbi të.

Derdhen sërish, nisin drithërohen,
N’melodi valsesh gjithçka shndërrojnë,
Ndjekin njëra tjetrën, ndahen, bashkohen,
N’magjinë e tyre gjithë botën e ftojnë!

Çast…

Ti vjen dhe ëndrrat m’i përndrit,
Kur gjaku venave shterron,
Kur ajri m’i mpak mushkërit,
Flladit, dhe jeta rifillon.

Të ndjej në ajrin që unë thith,
Gjithçka përreth zë fëshfërin,
Rrëshqitje e ëmbël nën lëkurë,
Çdo qelizë shprese përtërin.

E arratiset s’di se ku…

Më ka marrë malli për buzëqeshjen,
Që rrezatonin sytë e tu,
Më kot endet ky shpirt zhur,
Eshtë arratisur… e s’di se ku…

Më ka marrë malli për shikimet,
Që e përflaknin qiellin blu,
Në gjithë harrimin tim kërkoj,
Janë arratisur  e s’di se ku…

Vegim i largët vjen papritmas,
kur endem ditëve kuturu,
Një lot harruar sysh shkëputet,
E arratiset… s’di se ku…

Hapësirë

Det i trazuar, tallaz rreth meje,
Shpirti im endet si një pulbardhë,
Ndarë nga tufa, rrugëhumbur ndjehem…
Si ta gjej vallë, këtij qerthulli të dal?

Të çelet qielli, të shtrohet dallga
Skaj më skaj krahët pulbardha ime,
Niset hareshëm qiejve të kaltra,
Të shpërthej në mijra vezullime.

Parku "Rinia" Korçë ku u shkrua kjo poezi
Parku “Rinia” Korçë ku u shkrua kjo poezi

U putha me mëngjesin…

Sot u putha me kët mëngjes,
(Do puthesha Shën Maria po t’isha),
Më tundoi ai bari i larë me vesë,
Dhe loja e ketrave ndër pisha.

Ca vezullime syri m’i gjeti,
Gjithë qenien tim’e ndezi zjarr!
E kam në shpirt një syth poeti,
Quamëni po deshët, edhe të marrë!

Frikë

Shkëputur botës tënde, më lodh ky makth,
Pezull në ajër, s’kam ku gjej mbështetje,
E brishtë si gjethe, si zog krahëkëputur,
Endërr në zgjim je, apo ëndërr në fjetje…

Lëkundem si gjethe që era merr me vete,
S’di ku të përplasem, s’di ku të qëndroj,
Dikur një diell, stuhi zemrës më mbete…
Sa fjetje, sa zgjime dhimbshëm do jetoj?

A ka një cak, një liman ku të prehem?
Lumturia, jo dhimbja a ka një limit,
Ardhur prej një terri, një fij’ shprese rreket,
T’i gjej udhën dritës, t’i thyej gjithë kufijtë!

Nëna Rufani Lapardhaja, motra Fatbardha dhe unë, foto për tabelën e nderit të Shkollës, viti 1964.
Nëna Rufani Lapardhaja, motra Fatbardha dhe unë,
foto për tabelën e nderit të Shkollës, viti 1964.

Kur ika një herë

(Nënës sime )

U largova pak orë nga kjo jete,
Errësirë u bëra, u desh vetëm një çast,
Ca të ikur buzëqeshnin, ca çehrevrarë,
Pastaj ca vegime si shkëlqim i zbehtë,
Vinin, iknin, pa thënë asnjë fjalë.
Vetëm nëna, nëna ime pse s’mu afrua,
E trishtuar rrinte atje, në një cep?
Ngritur dorën e lodhur, me pluhur mbuluar,
Ca shenja më bënte, nga misteri dalë…
Kthej kokën andej, pas meje dritëpraruar.
Doja ta përqafja, e shtangur, e hutuar…
Ajo sikur thoshte: -Ik, s’të dua pran vetes!
Pas meje fëmijët, me shpresë rrethuar…
E lumtur më nisi drejt tyre, drejt jetës!
Emira nëna ime, ika, ty atje të lash,
S’jam Perëndi, si Ti, s’të ktheva dot pas…

Klithmë

(Një grua e dhunuar)

Një klithmë brenda shpirtit do t’shpërthejë,
E fortë, kam frikë portën t’ia hap,
Mundohem ta shtroj po veten gënjej,
E di, rrebeshi i saj shkon shumë larg.

Pa gjeth e syth m’i le gjithë pemët,
Pa lule lëndinat, pa zogj në qiell,
S’le yje të ndizen, as hënë, as ylber,
Pa agim mëngjesin, dhe ditën pa diell.

Ajrin mijra copa si xham e thërrmon,
Ditët me përrenj helmesh m’i mbush,
Një klithmë, që vetëm shpirti e dëgjon,
Mundohem ta fsheh, t’mos e dëgjojë kush.

Po kur lumi fryhet, s’e mban as shtrati,
Vërshon, përmbyt, e para gjithçka merr.
M’drithëron shpirtin vërshimi i këtij çasti,
Ditët m’i fundos, m’i hedh në humnerë.

Me lirikun korçar Skënder Rusi dhe poetin Alfred Molloholli
Me lirikun korçar Skënder Rusi dhe poetin Alfred Molloholli

Pak rreshta mbi Lumturi Lapardhaja – Demiri

Lumturi Lapardhaja – Demiri lindi në Berat, në vitin 1952. Shkollën 8 vjeçare e kreu në qytetin lindjes, kurse të mesmen “Teknikumin e Naftës” në Kuçovë, – dega mekanike. Që nga viti 1971 jeton me familjen në Korçë. Letërsia, e në veçanti poezia ka qenë dhe mbetet një nga dashuritë e mëdha të jetës së saj… Qyteti i Korçës ka qenë dhe mbetet tejet dashamirës ndaj kulturës, artit dhe letërsisë,  dhe ajo me shumë dashuri do të shprehet: “Korçën e quaj qytetin e rinisë sime dhe përjetimeve më të bukura të jetës!”
Ndërsa përgatisja këtë faqe me krijimet e saj ajo me shumë mirësjellje më kërkoi të shtojë edhe diçka: “Nënës sime në vitin 1957, i vdes i shoqi (im atë) në moshën 30 vjeçe, duke lënë në shtëpi gjyshen, nënën time në moshë 25 vjeçe dhe 4 vajza… Më e madhja 6 vjeçe, unë 4, njera motër 2 vjeçe dhe motra e vogël vetëm 6 muajshe. Mund të them se nëna dhe gjyshja sakrifikuan gjithçka për ne katër jetimet e vogla. I mbetem mirënjohës për gjithçka ato bënë që ne të rritemi me dinjitet në nji kohë të egër…”

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.