
Kur do të kthehemi tek vlerat, edukimi dhe dinjiteti
refleksion nga Astrit Gashi për BB VIP 2025
Gjesti nuk është fitues. Ai është një simptomë. Një simptomë e sëmundjes që po e ha shoqërinë tonë për së gjalli. Ai nuk fitoi për vlerat. Fitoi sepse ishte produkti perfekt i një algoritmi që mat audiencën me dhunë, jo me mendim. Një sistem që shpërblen arrogancën, bullizmin, përçmimin e tjetrit vetëm pse këto klikohen më shumë.
Një industri që nuk informon, nuk edukon, nuk frymëzon… por helmon.
Big Brother VIP, nuk ishte spektakël. Ishte një laborator urrejtjeje. Një eksperiment i shëmtuar mbi mendjet dhe ndjenjat tona, ku njeriu trajtohet si kavie dhe dhuna si argëtim. Aty nuk matet më vlera, por reagimi primitiv i audiencës.
Sa më shumë skandale, aq më shumë suksese.
Në një vend normal, një produksion që kultivon gjuhën e urrejtjes, nxit përçarjen fetare, normalizon dhunën psikologjike dhe shkel çdo kufi etik do të përballej me drejtësinë. Por në Shqipëri e Kosovë këta jo vetëm që nuk mbajnë përgjegjësi, por shpërblehen me sponsorë e shesin ndërgjegjen për një audiencë që është lodhur nga heshtja.
Gjesti nuk është yll. Ai është turp. Një fytyrë që nuk përfaqëson rininë tonë, por e përdhos atë. Një simbol i asaj se çfarë ndodh kur vlerat mbysin veten dhe antivlera ngjiten në fron.
Fitorja e tij nuk është lajm i mirë është alarm kombëtar. Është prova që ne jemi në krizë jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore. Dhe kjo krizë po na vret! Sot të rinjtë nuk largohen nga vendi sepse nuk ka shpresa, largohen pse shpresat dhunohen çdo natë përmes ekraneve.
Në një vend ku idhujt ndërtohen mbi skandale, nuk është çudi që intelektualët heshtin. Nuk është çudi që artistët e vërtetë ikin. Nuk është çudi që shkollat boshatisen dhe Tik-Toku bëhet shkollë.
Ose do ta zgjojmë ndërgjegjen tonë kombëtare dhe do të kthehemi tek vlerat, edukimi dhe dinjiteti… ose do të jetojmë të gjithë brenda një Big Brother të përhershëm, ku spektatori i vetëm është mjerimi ynë kolektiv!!
Marrë nga Muri i FB, Astrit Gashi, 20 prill 2025