
Kur del “më katolik se Papa”
nga Nosh Mernacaj
Ka pasë një shprehje, “Të dalësh më katolik se Papa”. Sa kuptim të thellë ka kjo.
Sapo u votua një ligj që gjoja do të mbrojë të drejtat e njerëzve në bazë gjinore. Përpos kësaj, aty ishin edhe disa (duke marrë një fjalë nga Zeqineja “paçaure”) të tjera si vendbanimi, etj. Po nga kush do e mbrojë qeveria vallë këtë klasë të diskriminuar? Shteti Shqiptar me aparatin e tij është organi më diskriminues në vend. Zyrtarë të lartë dhe të ulët të të gjitha niveleve – kushdo që ka një punë shteti – kërkojnë favore seksuale për një punë apo edhe një vulë të thjeshtë që është asgjë më shumë se puna e tyre. Femra nuk guxon të ankohet në polici për dhunë familjare apo abuzime seksuale se e marrin në lojë dhe s’ia vënë veshin. Kryeministri i ofendon femrat gazetare pa frikë dhe pa turp në televizion. Kemi shembuj të tillë sa të duash që as nuk i fshehin më se nuk i bën kujt përshtypje. Por e fundit, edhe të ishte një ligj me të vërtetë i tillë, që synon të krijojë barazi, prapë do e përgëzoja.
Problemi është se ky ligj nuk ka të bëjë asgjë me barazinë dhe çdo gjë me diskiminimin në emër të barazisë. Edhe në komunizëm ligji ishte i barabartë – zbatimi ishte diçka tjetër. Shumica e vendeve diktatoriale e kanë emrin “Republika Demokratike e X apo Y”, si për shembull “Republika Demokratike e Kongos”. Në Shqipëri kishim “Frontin Demokratik” që vetëm demokratik nuk ishte. Emri nuk të bën demokrat. Ashtu edhe ligji me një titull “Barazi” nuk mbron barazinë, por meqë shumica nuk e dinë, emri ua imponon ta përkrahin. Kush nuk e do barazinë! Përkundrazi, ku ligj krijon favore ndaj një klase apo një tjetre. Njësoj si lufta e klasave në Komunizëm.
Në biznes dhe në tekonologji ka një rregull: Nëse është e papjekur (e pasprovuar), mos e përqafo. Ky ligj është një eksperiment në Perëndim dhe deri tani rezultatet janë shumë negative. Shqipëria nuk mund të hidhet e para në rajon ta instalojë. Sa herë që BE thotë ndalni korrupsionin, drogën, persekutimin e medias, etj., hesht politika jonë. Por kur duan të votojnë ndonjë gjë të tillë e bëjnë në emër të BE-së dhe në fshehtesinë e natës pa pasur mundësi të diskutohet. Arsyeja është e thjeshtë. Një ligj i tillë nuk i pengon ata të vjedhin dhe është i kollajtë për t’u instaluar. Ndalja e korrupsionit iu ndalon të ardhurat dhe kërkon punë. Po edhe po deshi BE, në fund të fundit, ne nuk jemi protektorat i BE-së. Amerika është aleate e fortë me Arabinë Saudite. Nuk mund të jenë dy vende në kahë më të kundërt në aspektin shoqëror. Ato respektojnë njëra-tjetrën dhe jetojnë në kulturat përkatëse. Edhe në Bibël e Kuran kemi gjetur ligje që nuk i zbatojmë pikë për pikë, sepse nuk i përshtaten natyrës sonë, jo më në BE.
Çfarë do të thotë ky ligj në të vërtetë, dhe ma merr mendja shumë parlamentarë analfabetë nuk e shohin rrezikun. Nuk bëhet fjalë për t’u veshur burri si grua apo gruaja si burrë që s’i intereson askujt. Bëhet fjalë për ta zhveshur njeriun nga identiti, ashtu siç bëri Enveri me zhdukjen e “zakoneve prapanike”. Bëhet fjalë për një ligj që të fut në burg nëse akuzohesh se thirre dikë “Zotëri” e i pëlqen ta thërrasësh “Zonjë” dhe anasjelltas. Nëse nuk e besoni, shikoni Anglinë. Bëhet fjalë për t’i dhënë punë, shkollë, dhe favore dikujt në përkatësi të një grupi të mbrojtur nga ky ligj. Dhe kjo çfarë bën! Me kalimin e kohës, të tjerë do identifikohen si të tillë për të marrë këto favore. Shkollat do të kenë fuqi të ndërrojnë gjininë e fëmijës suaj. Një ditë fëmija juaj do të shkojë në shkollë si djalë dhe do të kthehet vajzë, sepse si djalë mund të jetë më e vështirë.
Të gjitha qeveritë e majta të botës e mbështesin, ndërsa të djathtat e kundërshtojnë. Shqipëria e majtë nuk mund të mos i bashkohet korit të majtë, si Internacionalja e Mehmet Shehut në Luftën e Spanjës.
Shumë janë ngritur kundër duke folur për familjen dhe moralin. Për mua këto janë problement më të vogla, jo se janë pa vend. Rreziku i këtij eksperimenti është më fatal dhe kalon atë morale, familjare, kulturore, etj. për të cilat ankohen shumica. Kjo është një minë me sahat ku pasojat do të dëgjohen me kalimin e kohës. Është një degradim që do të çojë në kalbëzim total të vendit. Është krijimi i “njeriut të ri besnik të partisë” i eksperimentuar nga Enveri. Është institucionalizim shoqëror.
Dhe nëse këta që votuan mendojnë se kanë imunitet kundrejt pasojave të këtij ligji, të mendojnë përsëri. Rryma do jetë e pamundur për t’u ndaluar.
Të jemi të qartë: Unë jam pro e çdo të drejte për këdo dhe të gjithë. Unë jam kundër favorizimit të çdokujt në dëm të dikujt tjetër. Unë jam kundër shkatërrimit të qelizave shoqërore dhe kulturore sepse e bëri edhe BE. Unë jam kundër diskriminimit në emër të barazisë.
Si gjithmonë, duke dashur të dalim “Më katolik se Papa” ne e çojmë edhe më tej cakun, biles edhe mburremi. Kaq perandorë i dhamë Romes. Kaq Vezirë i dhamë Turkut. Rusët kanë devijuar vijën e drejtë komuniste që ata shpikën. Tani me degjenerimin total (jo vetëm në këtë ligj) ja kalojmë edhe këngëtares Lucia Madona.