back to top
29.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

“Kultura e fishtocidit në Shqipni” – nga Lizandri Kola

Gazeta

“Kultura e fishtocidit në Shqipni”nga Lizandri Kola
“Kultura e fishtocidit në Shqipni” nga Lizandri Kola
“Kultura e fishtocidit në Shqipni”
nga Lizandri Kola

Botimet Françeskane (Biblioteka Franceskane) kanë qitë prej shtypit studimin tim ma të mbramë, “Kultura e fishtocidit në Shqipni” – nji punim sintetik, për me mujtë me komunikue me lexuesit ma drejtpërdrejt mbi fenomene aktuale të veprës dhe studimit të Fishtës. Kjo asht nji ftesë për këdo që i intereson debati shkencor, ekuilbrat filologjikë dhe mbi të gjitha FISHTA si autor – autentik, i pacenuem, i pafalsifikuem dhe interpretuem saktë! Epilogu këtu mundet me iu orientue ma mirë para se të merrni mundimin me e lexue punimin. Me shpresë se ky kontribut ka me prû nji vêmendje të meritueme institucionale dhe akademike, shpesh themele të dobta në kulturën shqiptare, jo për autorin – këtë rast mue – po për vetë Fishtën!

Lizandri Kola
Lizandri Kola

Epilog
I.-Abuzimi në emën të shkencës në Shqipni asht kthye në nji problem të dukshëm etik, institucional, shoqnor dhe kombtar. Po kaq problem endemik asht edhe neglizhenca ndaj reagimeve profesionale mbi fenomene të kësaj natyre.

II.-Problematika qe parashtroj ne kete veper, lidhet dhe kufizohet vetem me geografine e Shqipnisë, jo të enteve të tjera botuese që publikojnë në gjuhën shqipe jashtë territorit shqiptar. Nji abuzim si ai mbi dy dekada i entit të Kullit, me veprën e Fishtës, nuk e gjej të identifikuem në Kosovë, f.v. Tash pse Kosova e respekton ma shume tekstin dhe autenticitetin e veprës së Fishtës, kisha me thanë nuk asht krejt pyetje retorike.

III.-Kontributi i Fjalorit të veprës së Fishtës nga Frano Kulli tingëllon ngazëllyes, ambicoz dhe unik, por e gjitha ndalet vetem në titullin e veprës. Analizat dhe imtimet në këtë fjalor lanë me kuptue se produkti asht nji punim diletant, me mungesa të theksueme profesionale, me gabime strukturore dhe interpretimore. Konkluzioni: fishtocid i primë kahmot prej politikave linguicide që ka pasë ndërmarrë enti i tij botues qyshse e modifikoi dhe e falsifikoi veprën e Gjergj Fishtës.

IV.-Ky fjalor, i ka të gjithe treguesit e mundshëm se asht nji plagjiarizëm kolegjial, i mirorganizuem në përvetësimin e komentarit të Padër Daniel Gjeçajt, ba në 1958, mbi Lahutën e Malcís. Skema e cubnimit, asht rast i pastër studimor dhe kërkon ndjekje ligjore, por Fretnit tue pasë parasysh përvojën ne 2005-6 me veprën e Fishtës, natyrisht nuk kanë pse me ia hy nji procesi ligjor/administrativ prap me këtë ent, për me mbrojtë kontributin e fratit tjetër, P. Daniel Gjeçaj. Komisionet e vlerësimit plagjiaral në Shqipni (nëse ka dhe funksionojnë) duhet me e shqyrtue dhe me e depozitue nji dosje për investigim. Nëse vërtetohet se kemi të bajmë me shkelje të randa të rregullave akademike, siç i paraqita këtu, komisionet përkatëse duhet me peshue kredibilitetin e tyne akademik dhe me marrë masa disiplinore ndaj individëve që kanë përvetësue punën e Gjeçajt, si dhe me ndalue qarkullimin e botimit/ve që paraqet/sin nji shkelje të tillë. Por drue se autori, dhe botuesi i këtij enti, ka aq rreth sa mos me i hy ferrë në kambë për këdo që t’i mbushet kaptina mbi veprën e Fishtës, e Gjeçajt e me gjasë të tjerëve.

V.-Fretnit shqiptarë, dhe shtëpia botuese që ata drejtojnë, kanë ndjekë të gjitha instancat ligjore dhe editoriale për me e mbrojtë abuzimin e Kullit ndaj kolanës së Gjergj Fishtës. Tue thanë kështu, kam parasysh evidencat gjyqsore të vitit 2006, që bahen publike për herë të parë këtu (tue thye kështu nji paradigmë anekdotike: pra me folë me të ndieme, siç kanë dëshirë disa), dhe prej botimeve të pacënueme të veprave të Françeskanëve që ata zbatojnë, e jo vetëm të Poetit. Ajo me të cilën ballafaqohen sot ata, asht zhgënjimi i përligjun ligjor dhe kulturor. Prap sot e kësaj dite, Fishta asht i falsifikuem, edhe pse me nji precedencë penale ndaj Kullit. Ironike!

VI.-Referue këtij fenomeni atipik, ku përfshihen nji mori aspektesh legjislative, akademike dhe editoriale, kuptojmë se asht cënue Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (mbështetë në nenet 78 dhe 83, pika 1) dhe Kuvendi i saj që në Ligjin Nr. 35/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022) Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to në nenin 41, pika 10 shprehet: “Me mbarimin e afatit të mbrojtjes së të drejtave pasurore, vepra konsiderohet vepër në domenin publik dhe mund të ketë përdorim të lirë për publikun, duke iu nënshtruar respektimit të të drejtave morale të autorëve, sipas parashikimeve të këtij ligji” Prej këtu konkludojme se vijimi i botimit të veprës së Fishtës nga enti botues i Kullit apo edhe disa shtëpive tjera botuese, edhe pse tashma në domen publik [pra që mbas 70 vjetëve, d.m.th. në 2010, Fishtës i ka mbarue e drejta e profitit ekonomik nga trashëguesit], përban thyemje ligjore në aspektin e të drejtave morale të autorit. Pra, publikimi përtej klauzolës ligjore-ekonomike sidoqoftë ka kufizime të tjera ligjore. Kulli, mbas 2010, i ka cënue integritetin dhe reputacionin autorial Fishtës, tue e falsifikue dhe tue dalë kështu në kundërshti me Konventën e Berne-s, neni 6, pika 1 në të cilën qartazi thuhet se ligji për autorësinë: “kundërshton çdo deformim, gjymtim apo ndryshim tjetër të veprës, ose ndonji veprim tjetër denigrues në lidhje me të, që kishte me i damtue nderin ose reputacionin e tij [e autorit]”.
Kjo organizatë botnore e mbrotjes së pronësisë intelektuale, e ka përpilue ligjin e Mbrojtjes së Veprave Letrare dhe Artistike, qysh në 1886, dhe e cila e përditëson këtë zbatueshmëni. Për çudi Shqipnia asht pjesë e kësaj Konvente qysh në 1994, vit kur asht themelue enti botues i Kullit.

VII.Tue pasë tash në mendje pikën e masipërme, shihet e nevojshme që në përditësimin e radhës Ligji 35/2016 me fuqizue e zbatue dispozitat e veta edhe ma qartë për me i vu frê nji fenomeni të tillë, ose që për Gjergj Fishtën dhe Françeskanët e tjerë, me ia delegue eskluzivitetin botues vetëm BF, të cilët respektojnë ligjin (ndër)kombtar të pronësisë intelektuale. Kjo e fundit, sugjerohet dhe inkurajohet nga ana ime, sepse institucionet ligjore dhe akademike-editoriale kanë dështue në parandalimin d.m.th e cenimit te reputacionit autorial të Gjergj Fishtës. Prandej, hallka e fundit ligjore ka mbetë vetëm në dorën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

VIII.-Kulli përpos mangësisë së kompetencës profesionale në zbërthimin e leksikut të Fishtës, ka defekte serioze në kulturën e përgjithshme semantike, historike dhe kulturore. Për shembull, ndër shumë sosh flagrantë, ai kujton – i shuemi – se Fishta ia ka deformue mbiemnin Ali Klissurës, sepse në rabushin e z. Franos asht vetëm trajta toponomasike mbasturke: Këlcyra. Fishta, jo vetëm që s’ka deformue asgja, po thjesht e ka apelue simbas formës legale të Beut.

IX.-Tanë ata engjëj mbrojtës (redaktorë, përkthyes, mentorë, etc., që dalin të veneruem në parathanien e Kullit) mëkat që e kanë lanë me dalë nji punë kaq amatore. Por edhe pse e tillë, ajo ka korrë suksesin e mentaliteit mjeran shqiptar: me i dhanë çmim pa e lexue, ose pa ditë çka asht tue lexue. Urime jurisë, promovuesve, dhe individëve që ngarendin në epokën konsumiste dhe përligjin denigrimin. Mbas sa dekadave të gjuetisë enveriste ndaj veprës së Fishtës, punimeve ideologjike të asohershme, leximeve dhe keqkuptimeve ia mbërritëm dhe kësaj dite që me e shkërrye prap veprën e Poetit. Akademia, institucionet universitare, kritika e varun dhe e pavarun, njerëzit me paramenta a zhgun, profesorët të lirë ose jo, studentët idealistë ose oportunistë, në indiferencë totale dhe mungeseë ndjeshmënie. Rezultati: neoenverizëm receptiv.

X.-A mundet me u kuptue leksiku i Fishtës, pa referenca bazike (Luka, Gjeçaj, Dema, etc.) po s’shumti përmes Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që asht ma i ri se vetë Fishta dhe i ideologjizuem për shkak të kontekstit politik? – Vetëm nji mendje e hollë si ajo e z. Franos mundet, i cili kërkon me pré llamarinë me gërshanë plastike.

XI.-Autori i këtij fjalori, duhet vlerësue për nji punë kaq dietike. Ai premton me hollue, ndër të tjera, edhe nji fjalorth mitologjik, edhe pse pa zana në të. E jo pak, po mbi katërdhetë copë. E mos me u ndalë me kaq, nji gja e tillë vrehet edhe te lista e emnave të njerëzve prej Zadrime, e cila mungon dukshëm. S’po shkojmë në zona të tjera! Po n’dashte, se atë listë të plotë në LM, e ka pasë dhanë Padër Benedikt Dema motit.

XII.-Secili za leksikor i LM (po i referohem vetëm kësaj vepre, sepse këtë ka në konsideratë punimi im), asht aq i mrekullueshëm, në kontekstin autorial dhe gjuhësor të moshës së Fishtës, po që fatkeqsisht në fjalorin e Kullit asht interpretue me nji za kaq të steërkequn, saqë ta pizatë veshin.

XIII.-A ishte dashtë me e marrë në shqyrtim nji analizë të tilleë, edhe pse e bame me mungesë të theksueme profesionale?
Unë kam besue gjithnji, besoj, dhe kam me vazhdue, se kur bahet fjalë per veprën e Fishtës, dhe hetohet dhunim e abuzim intelektual, përgjigja duhet me qenë në nivelin e Fishtës dhe jo të atij që merr përsipër me e ba nji punim mbi Poetin.

XIV.Për me u ndalë puna masakruese e Kullit dhe fenomeni i kullizmit, duhet me ndryshue kahja e leximit dhe e mentaliteti menefregist i shoqnisë shqiptare. Por të parët që duhet me ndryshue janë institucionet akademike dhe anëtarët e tyne. Nëse mungon vetëdija dhe interesi për damin që po i bahet Gjergj Fishtës, atëhere ky dam ka me qenë vetëm kombtar.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.