back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Kulti i rrëzuem i anmikut… Jozef Radi (Ars 2004)

Gazeta

Lazër Radi - Robert Elsie - Jozef Radi 1992
Lazër Radi – Robert Elsie – Jozef Radi 1992

Kulti i rrëzuem i anmikut…

Jozef Radi (Ars 2004)

Takimi dhe njohja me Robert Elsie-në

N’ato fillime t’çorodituna të viteve nantdhjetë, Robert Elsie, s’qe nji personazh krejt i panjoftun për ata që ndiqnin rrjedhat e letrave shqipe…
Kur nji shoku im i leximeve dhe i vuejtjeve, i vendosun në Gjermani mbas Ngjarjes së Ambasadave (korrik 1990), Ferdinand Laholli, më shkruente për ndihmën që ai i kishte dhanë me u njoftë dhe me botue diçka në shtypin e paktë shqiptar të Europës, papritmas ky njeri m’u bà i afërt, dhe u ndjeva mjaft mirnjoftës ndaj këtij të hueji, “të përkushtuem ndaj albanologjisë, letërsisë dhe kulturës shqipe…”
Edhe pse n’kufijtë e ndrrimit të kohnave, kulti i të huejit, asokohe mbartte n’vetvedi trajtat e ngjyrosjes emocionale negative: të armikut, të agjentit, të antikomunistit, të antishqiptarit, të pushtuesit… me nji fjalë ishte nji shumsi e tillë ngarkesash të frikshme e t’errta që s’të kujtonte tjetër veç burgun… Përballë kësaj fjale – I Huej, (kushdo që ti të ishe) duhej të dridheshe… ma shumë prej vedit se prej atij njeriu, me të cilin na qenë shkëputë (përjetësisht!!), krejt rrugët e komunikimit, lene ma ato t’mirkuptimit…!
N’at fillimshkurt, kur statuja e Përbindshit ishte ende në kambë, dhe Hija e tij shetiste gjithkah kryeqytetin e periferitë, nji telefonatë e Ferdinand Lahollit prej Gjermanie, kambngulte që jo vetëm ta takonim… po edhe të njifeshim me mikun e tij, Robert Elsie; mbasi, simbas fjalëve të tij, veç të tjerave ai kishte edhe nji porosi për mua. “Edhe pse gjerman, s’do të kesh asnjilloj vështirsie në komunikim, sepse e njeh shumë mirë gjuhën shqipe…”
S’mundem me i përcaktue me saktësi emocionet e mbas asaj telefonate… po si krijesë e lindun dhe e rritun kampeve të interrnimit, u ndjeva i papërgatitun, i pazoti dhe disi i ndërdyshtë për nji ndërmarrje aventureske ksisojit, kështuqë ajo afërsi me nji t’huaj, n’at Shqipni njashtu t’çoroditun nga fryma e rrebelimit, ku spiunët dhe informatorët (me dhe pa pagesë) gëlonin prej gjitha skutave, m’krijonte frikë po njiheresh edhe at kënaqsinë e sfidës si kruejtja e asaj plagës që dhemb…
Fillimshkurti i nantdhjetenjishit ishte muej i trazuem, plot lagshtinë e baltë, prej të cilit pritesh gjithçka…!!
Me të vëllanë ma të madh e Lahollit, morëm trenin e parë nga Lushnja, dhe aty rreth orës dhjetë të paradites ishim në Tiranë. Të njoftuem se Elsie qe vendosë te Pesmbëdhjetkatshi, paraqitjes sonë te sporteli s’ia fërshëlleu askush, bile sytë e çoroditun t’atyne që shërbenin s’na dhanë as sqarimin ma të vogël… Edhe kur dikushi, lodhun prej ecejakeve dhe pyetjeve tona pafund, na erdhi me nji pamje egërshane sikur desh t’na rraste ndoj shqelm, e na lëshoi nji togfjalsh sa çoroditës aq dhe fantastik: “Këtu është, po s’është këtu!”… ne pritëm edhe pak, u vërdallëm nën ato shikime të shlligta e zhbiruese të kalecave të shumtë të Sigurimit, që hermbashere na shfaqeshin si personel shërbimi. Orët kishin ndjekë njena tjetrën, dhe u kuptue se çdo përpjekje e jona me e takue atë të huej, që s’e njifnim as për ftyrë, qe pothuej kohë e bjerrun kot…
Ikëm të dy si qenë t’rrahun. E përjetuem at ditë të pafund shkurti, si nji pritje absurde… si diçka që s’asht, që s’vjen, që s’mundet… rrethue prej ankthit të asaj kohe ku gjithkund flitej për demokracinë, por që sytë e zgurdulluem t’asaj dite na treguen që hala ishim midis katrahure…. Sytë e egërsuem që na kishin ndjekë në çdo lëvizje tonën asaj dite na dhanë me kuptue se Robert Elsie – qe e pamunduna, dhe ajo ditë e frikshme na kallzoi se sa me vështirsi mund të ndrronin gjanat dhe bindjet n’at vend…
Nga Gjermania, Laholli kambngulte ta takonim Elsienë të pasnesërmen, tash në shtëpinë e nji zotnie të quejtun Ramiz K., diku afër fushës sportive Ali Demi. S’kishim ndonji arsye të mos shkonim. Ideja e të qenit armik ishte trupzue prej kohnash mbrenda nesh, kështuqë çfardo që të ndodhte, s’do të kapërcenta asgja ma shumë se at hendek me të cilin tashma qe regjë lkura jonë.
Gjith’ asaj dite ra shi si do Zoti. Ashtu në t’errun u nisëm të dy. Morëm Bregun e Lanës dhe vrejtëm me kujdes  mos na ishte qepë kush mbas. Për fat, asgja! Rrugët ishin pothuej të zbrazta dhe kur iu futëm rrugës “Ali Demi”, përbaltjes iu bashkue edhe terri i plotë ku qe zhytë krejt lagja, prej mungesës së dritave. “O baltë – o terr, O frikë – o tmerr…” mërmërita nëpër dhambë duke deformue Shekspirin. Vëllai i Lahollit qeshi, sikur desh me e maskue ankthin e tij. Edhe pse takimi me t’huejin Elsie ishte lanë diku rreth orës gjashtë, pra në terr të plotë, ne mbrritëm pak ma herët që t’njifeshim pak edhe familjen K…, para se me takue t’huejin!! S’e di pse ndjehesha sikur po shkoja me krye ndonji atentat, o vjedhje, o ndonji akt t’paligjshëm… sigurisht të ndëshkueshëm!! Për korrektesë, qemë aty fiks në orën pesë. Nuk hoqëm fort keq me e gjetë hyrjen, mbasi vëllai i Lahollit i kish marrë kordinatat me nji saktësi prej të sëmuni. E keqja ishte se ai takim me atë t’huejin e mistershëm, të ardhun prej larg, do të kryhej në terrin e plotë të krejt lagjes, si për ta bà edhe mà t’mistershme ngjarjen. Trokitëm. Dera u hap pa zhurmë… dhe ne pa zhurmë hymë dhe dera u mbyll po pa zhurmë… zbathëm këpucët e mbytuna balte, i lamë mbas dere dhe nën dritën mekët të nji filxhani çaji si kandil u prezantuem me pjestarët e familjes K…. Ramizi K. qe nji burrë i vjetër, i mprehtë dhe me sy vezullues… Ai na i prezantoi me rradhë: gruan, djalin, nusen dhe nipat. Ishte edhe nji porosi e djalit të tij në Gjermani, që së bashku me Lahollin, na kishte mbledhë aty nën at klandestinitet kandilësh… E ndërsa pritesh mysafiri i ardhun nga përtej, mora vesh se ishin matjanë, familje zogistësh, përkrahës t’kahershëm të monarkisë. Plaku dukej burrë i zgjuet dhe energjik, ndërkohë i biri përgatiti edhe dy kandilë të tjerë me vaj që t’shifeshim pak ma qartë ne, mandej edhe mysafiri që pritej të na vinte nga përtej… E shoqja herë mbas here dilte në ballkon dhe vëzhgonte mos na përgjonte kush. Jo asgja…!! na bante me shenjë “që vazhdoni të qetë” sa herë ulte perden… Ndërsa ne e vërtisnim bisedën për at situatë të tensionueme që po kalonte vendi… Si gozhdë, më rrinte n’mendje shprehja disi folklorike, por që kish qenë në shekuj thelbi i filozofisë shqiptare në Kanun: “Shtëpia e malsorit asht e mikut dhe e zotit…” Për shekuj e ka sundue ndërgjegjen tonë, kulti i mikut… tash gjithçka ishte përmbys… në çdo pamje të jetës sundonte nji kult i kundërt: ai i anmikut! Nji deformim themeltar i ndërgjegjes kolektive… Në gjithçka të tokës, detit dhe qiellit duhesh gjetë ai: anmiku. Krejt nji popull, i madh e i vogël  ishin n’kërkim të atij… Kurse ne duhej ta pritshim anmikun Elsie… dhe ta përcillshim si mik… Ky pra ishte ai ndryshimi i madh qi dukej se duhej ta sillte ajo kohë…

.

Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Kishim afro nji ore që flisnim me të ulët… dhe pritesh veç trokitja e të panjoftunit që të rrëzohej ai kult i zi që e kishte sundue për nji gjysë shekulli krejt jetën shqiptare. O Zot, me sa terr e tmerr qe mbështjellë gjithçka rreth nesh!
Në gjashtë fiks (eh, gjerman – thashë me vete!), u ndje trokitja e lehte e gishtave në derë… që s’di pse m’shugulloj si tingull kambane. I hueji, u shfaq në derë me nji buzqeshje të ndrojtun, karakteristike, e cila për asnji çast s’iu shkul fytyrës. U përshëndet me t’gjithë ne dhe na shpjegoi me hollësi për jetën e dy djemve në Gjermani, Edit dhe Ferdinandit, si dhe mundsitë e sistemimit të tyne. Ai na dorëzoi me rradhë edhe porositë e marra. Mbi nji valixhe të vogël pashë emnin tim. Mbas u çlirue prej barrës së porosive, nisi me shfaqë interes për çka po ndodhte në Shqipëri, duke folë nji shqipe s’di pse m’u duk mjaft të butë për nji gjermanfolës. Po ajo çka e bante të kandshme bisedën e tij qe thjeshtsia, aq sa s’po ia jepte askujt përshtypjen e t’qenit i huej… e aq ma pak anmik!! (Si duket koncepti për t’huejin na asht shpjegue gabim, dhe ngjyrosë keq…!?). hahhaah.
Ndërsa familjarët interesoheshin me dijtë ma shumë se ç’ndodhte me djemtë e hikun, Elsie interesohej me dijtë si i kishim punët ne shqiptarët e mbetun!! Si njoftës i mirë i letërsisë shqipe, Ai na shpjegoi se merrej me albanologji, me përkthime dhe kritikë letërsie. Ç’ka m’bani përshtypje kur nisa me i shpjegue, qe fakti se ai menjiherë nxorri stilolapsin, bllokun dhe me të majtën që e mbante disi çuditshëm, nisi me shënue në anglisht çka po i shpjegoja. Shkruente ngutshëm… ndalej herëpashere dhe na pyeste… na dëgjonte me mjaft vëmendje e me kujdes e kapërcente bisedën nga situata ku ndodhej Shqipëria… te letërsia.
Pyeti për shkrimtarët që kishin heshtë nën regjim, po edhe për ata që ishin ende burgjeve… na pyeti nëse njihnim ndokënd që mund të kishte vepra sirtaresh dhe s’kish pasë asnji mundsi botimi. Duke qenë mà i interesuemi i ksaj fushe dhe fakti që njifja disa prej tyne me vepra të pabotueme, u krijue mes tij dhe meje nji atmosferë afërsie…
E majta e tij vazhdonte me rrëshqitjë ngutshëm mbi bllokun e shënimeve. Emnat e Kasëm Trebeshinës, Visar Zhitit, Mit’hat Aranitit, Guljelm Dedës, Lazër Radit, Lek Pervizit ishin ndër të paktët që munda me i ofrue, bashkë me mundsinë e takimit në nji t’ardhme të afërt. Roberti, me at çiltërsinë e tij të pafajme, u ndje krejt i afërt me at grup të panjoftunish, që mpakeshim së bashku me dritat e kandilave me vaj. Në mendje më mbeti theksi që ai vuni mbi letërsinë e ndalueme, e në veçanti ndaj atyne që ende ishin nën thundrën e regjimit dhe fakti se si pa asnji sforco dhe krejt natyrshëm komunikoi me ne si të njifeshim prej vitesh.
Diku nga ora tetë, të tre së bashku, u përshëndetëm me familjen e Ramiz K. dhe u nisëm drejt qendrës. Terri qe përpimës, po edhe balta… Si të mos mjaftonte terri dhe balta, nisi edhe nji mjegull e dendun e përzime me borë të imët. Lana gjimonte prej shinave të shumtë të asaj dite shkurti… ishte nji natë fantastike me u mshehë mbrenda saj, dhe me e përcjellë qetsisht atë të huej, që na e kish vra me nji lehtësi të pabesueshme kultin e anmikun mbrenda nesh.
“Sigurisht kështu, mendojnë veç armiqtë e popullit!” do t’ishte shprehja ma e përshtatshme për ne, sikur ajo mbrëmje t’u përkiste veç pak kohnave ma parë. Tash shpresonim që ajo kohë t’kishte perendue nji herë e përgjithmonë dhe ne duhej të besonim se kishim të drejtë me e shprehë lirshëm të vërtetën, njashtu siç e mendonte secili prej nesh…!!
Krejt pranë qendrës u pà e arsyeshme të ndaheshim. Roberti na falenderoi për gjithçka. E falenderova mjaft për makinën e shkrimit, që ma kish sjellë dhuratë Ferdinandi dhe e lamë të shiheshim përsëri. Në t’vërtetë ai mendoi se mund t’i jepnim ndonji numër telefoni, por si duket mandej i ra ndërmend atij vetë, se po fliste për andrra. Qeshëm të tre… u ndamë dhe humbëm nëpër at at mjegull kryeqytetase që sa vinte e bahej mà e dendun…
Shkrimi asht botue ne ars 2004 (shkrue ne 1991 e perpunue 2013)

Robert Elsie 2013
Robert Elsie 2013

Skeda Robert Elsie

Robert Elsie ka lindë më 1950, në Vancouver, të Kanadasë.
Ka studiue në University of British Columbia, dhe në 1972, asht diplomue në Studime Klasike dhe Gjuhësore.
Ka vazhdue më tej studimet në Universitetin e Lirë të Berlinit, në Universitin e Parisit, në atë Dublinit në Irlandë, dhe në Universitim e Bonit, ku asht doktorue me titullin (Dr.) në 1978 në Institutin e Gjuhësisë.
Për disa vite me rradhë ai ka ndjekë  Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe në Prishtinë (Kosovë).
Prej 1982 deri 1987, ka punue për Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane në Bon.
Ka punue për mjaft kohë si përkthyes dhe interpret në mardhaniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë
Robert Elsie asht autor librash dhe artikujsh të shumtë, në mënyrë të veçantë mbi tema dhe aspekte të ndryshme të kulturës dhe problemeve shqiptare.
Jeton në Eiffel të Gjermanisë, jo fort larg prej kufinit me Belgjikën. Në vitin 2014, Presidenti i Republikes, Nishani i Akordoi titullin Nderi i Kombit

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ishte fillimshkurt i vitit 1991… Kohë ndryshimesh të mëdha dhe frike… Ky asht rrëfim i nji takimi të parë më nji të huaj… Emocione që sot ndoshta duke si të kuptimta… por asht nji e vërtetë e jetueme prej shumë personash…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.