back to top
2.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Dhjetor, 2025

Kulla e Mic Sokolit – nga Çun Lajçi

Gazeta

Kulla e Mic Sokolit
Kulla e Mic Sokolit
Kulla e Mic Sokolit
nga Çun Lajçi

“Noto Lepencit! Shko në Vilajetin e shqiptarëve,” – më tha Mici, dhe gurët e kullës sikur u gërvishtën mes vetes.
“Jo, Mic,” – i thashë me mall e me druajtje, – “Sonte nuk nisem. Më trembin këto gryka, që kur xhandarët e Kadri Mehmetit, e vranë Begun e Gjakovës. S’kam si të kthehem përtej Drinit. Nesër, tek Sahat-Kulla e Tiranës, do të mblidhen djemtë e kombit – ata që sollën lirinë Kosovës – dhe nuk mund të rri pa shkuar. Atje do të ngrejnë zërin për heronjtë e gjallë që na i burgosi n’Hagë Evropa…! Edhe unë do t’u bashkohem djemve të armëve, se i kam mbushur 80 vjet!
Sonte dua ta kaloj natën këtu, me kujtesën tënde, që mban erën e barutit dhe frymën e burrërisë.
“Nëse do të qëndrosh,” – më tha ai, – “atëherë bëhu i denjë për vendin ku rri. Gurët e saj nuk mbajnë dot një njeri që nuk ka në shpirt vendin, gjakun dhe nderin e kujtimit.”
U ula pranë oxhakut, ku gjurmët e zjarrit të dikurshëm kishin mbetur hije. Shikova përreth: një pushkë e varur mbi derë, një palë opinga të copëtuara, një çorape leshi që dikur mbulonte plagët.
“E kam porositur Salihun e Mulosmanëve, – vazhdova unë, – të mbledhë burrat e Gashit. Edhe djemtë e Pacit. Edhe Hoxhën e Vogël nga Myhyjaci: – Merre Kur’anin në gji e pushkën në dorë, se s’mund ta lemë vetëm djalin e kaçakut,- i ka çua fjalë Sali Mani! S’u besohet lugjeve e grykave. Me rrezet e para të mëngjesit duhet ta çojmë në Tiranë, atje ku do të mblidhen djemtë e UÇK-së!”
Mici heshti. S’kuptoi; – çka ishin këto tri shkronja lavdie? Në heshtjen e tij ndjehej stuhia e shekujve.
“E di, – tha më në fund, –  se rruga e gjakut nuk merr fund. Por e di se ti do t’i thyesh edhe shkëmbijtë, vetëm për t’i gjetur pikat e gjakut tim përzie me gjakun e Idriz Seferit.
-Shko e bashkohu me djemtë e luftës, por kur të kthehesh në shpatin tjetër të Sharrit, kërko gjurmët tona në Kaçanik – se aty, në atë ujë, ende rreh zemra e Shqipërisë.”
U ngrita.
Kulla më dukej e gjallë; dritarja dridhej nga era…
“Do të notoj nëpër Fanin e Vogël, – i thashë, – do të pi kafe në Urën e Tabakëve në Tiranë, dhe do të tymos me çibukun e Isa Begut, dhe do të bërtas:
-Zbritni nga malet, të pimë kafe për shëndetin e trimave që vuajnë në burgjet e Hagës!
Por besën po ta jap: se të nesërmen do të futem në Grykën e Kaçanikut dhe do t’i thyj gurët, për t’i gjetur pikat e gjakut tënd dhe të Idriz Seferit. Turgut Pashës do t’i çoj selam: Ku të mbeti ushtria? Ku e ke çallmën?”
“Kujdes, – tha Mici, – mos e ngatërroni kafen me tradhti. Shqipëria nuk ruhet me fjalë të ëmbla, por me shpirt që nuk blihet. Kujtoje këtë, kur të kesh etje.”
Dritat e kullës u drodhën. M’u duk sikur çdo gur lëshonte frymën e vet, si një psalm i harruar i shekujve.
U nisa.
Sali Manit i bërtita: – Më përcillni deri te Fani, se andej më presin Pesë Bajraqet dhe më çojnë në Tiranë!
17.10.2025

Marrë nga Muri i FB, Çun Lajçi 17 tetor 2025

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.