back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kujtime të Gjeneralit Pangallos mbi çeshtjen çame

Gazeta

Gjen. Theodhor Pangallos (1878-1952)
Gjen. Theodhor Pangallos (1878-1952) 

Kujtime të Gjeneralit Pangallos mbi çeshtjen çame

botuar në gazetën “Akropolis” të Athinës

Gjeneral Theodhor Pangallos, (1878-1952),
ish-kryetar i shtetit grek më 1926,
ishte me origjinë arvanite.

Në një sërë artikujsh të botuara në fletoren e përditshme “Akropolis”, ai e mbrojti me krenari kombin shqiptar. Përveç heronjve shqiptarë në panteonin grek, historia e Greqisë ka regjistruar edhe shumë figura të tjera me prejardhje shqiptare që janë të njohura për shërbimet e mëdha që i kanë sjellë Greqisë. Në atë atmosferë urrejtje që ishte rrezik të njiheshe si shqiptar edhe në rrugë, del në fushën e burrave një gjeneral u gjakut tonë, i cili me krenarinë më të madhe mbron Kombin shqiptar: “Me Bullgarët dhe Shqiptarët jam i njohur prej shumë kohe. Marrëdhëniet e mia me ta kanë qenë të ndryshme. Që në kohën e Perandorit Vasilios “Bullgavrasës” të Bizantit dhe deri më sot. Nga të gjithë qeveritarët grekë, armiku më i madh kam qenë unë. Që nga koha e Esat Pashës e sidomos Ahmet Zogut, miku më i përzemërt dhe mirëbërës i Shqipërisë, jam përsëri unë. Është lehtë të binden zyrtarët kompetentë mbi këto fakte, po të hedhin një vështrim në dosjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe se si do të shohim më poshtë nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës në fjalë që gati të kishin përfunduar në një aleancë midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në foshnjërinë time flisja vetë shqip, pasi gjyshja që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte e bija e aristokratit më të shquar të Magaridhës, Ndon Bilbilit, në shtëpinë e të cilit vdiq miku i tij i ngushtë, Marshalli i Rumelisë Karaiskaqi. Në dejet e mi, pra rrjedh gjak shqiptari dhe për këtë jam krenar. Admiral Kundurjoti, të tre Nikoladët (gjyshi, bir dhe nip), Admiral Saqellariu, hero i nëndetëses “L. Kaconi”, Lasko dhe shumë grekë të tjerë të zgjedhur, janë me prejardhja shqiptarë dhe janë të njohura shërbimet e mëdha që i kanë sjellë Greqisë. Paparigopulos (historian i madh grek) shkruan: “…nga të gjitha kombësitë që janë në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi racën më të shkëlqyer. “Hidriotët, speciotët, Miauli, Sahturi dhe mijra luftëtarë që më 1821, deri më sot vërtetojnë mendimin e Paparigopullojt.

Banda "Arvanitaki"
Banda “Arvanitaki”

Nuk jam pra armik i Shqipërisë, përkundrazi e simpatizoj popullin shqiptar, i cili në shumicën dërrmuese nuk është përgjegjës për pabesinë kundër Greqisë. Menjëherë sapo erdha në fuqi në Qershor 1926, u ndodha para një përkeqësimi të vërtetë në marrëdhëniet me Shqipërinë, për shkak të problemit të Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë duke prezantuar në zyrën politike më lajmëroi se autoritetet greke më përzunë e në kundërshtim me traktatet shpërngulën popullatën shqiptare të asaj krahine, duke e përcjellë në anën e detit në Azinë e Vogël, dhe se protestimeve të tij u jepet përgjigja se, këta turko-shqiptarë përmblidhen në marrëveshjen për shkëmbimin me popullatën greke në Turqi. Kërkova shkresat përkatëse dhe u binda se interpretimi i Ministrisë nuk kishte bazë, pasi në traktatin e Lozanit shpreheshin qartës se: “…muhamedanët e Epirit konsideroheshin si minoritet dhe nuk përfshiheshin në shkëmbim, si turqit e Thrakës… etj.”
Për sqarime më të plota të çështjes i telefonave ministrit tonë në Londër, të ndierit Kaklamano, që kishte përfaqësuar Greqinë në redaktimin e Traktatit. Ky u përgjigj pa hezituar se muhamedanët e Epirit nuk hyjnë në shkëmbimin dhe se mendimi i ministrisë nuk ishte i drejtë. Thirra menjëherë drejtorin e përgjithshëm kompetent, i cili më tha këto fjalë habitëse: “Parimisht kanë të drejtë, por për arsye nevoje dhe qëllimi, urdhërova shpërnguljen e shqiptarëve për të boshatisur katundet dhe vendosjen në to të refugjatëve tanë nga Turqia, nuk vlen të humbasim kohën për pesë-gjashtë mijë shqiptarë Zoti Kryetar!”.
Mezi u mbajta pa e flakur jashtë me shkelma diplomatin monokëlmbajtës. Njëkohësisht sipas raporteve policore një dramë e vërtet kryhej në Epir, pasi katundarët me të qara shkëputeshin prej vatrave të tyre ku ishin lindur dhe jetonin prej shekujsh dhe ngarkoheshin në anijet për t’u dërguar në Azinë e Vogël. U dhashë urdhra të shkarkoheshin dhe të ktheheshin të lirë në katundet e tyre. Shqiptarët, si çdo racë e vjetër dhe e prapambetur kanë vese, por kanë edhe disa virtyte të zgjedhura.
Ngjarja e sipërme ka qenë shkaku kryesor i vendosjes së marrëdhënieve të përzemërta, (midis dy shteteve) të cilat u zhvilluan gati deri në arritjen e themelimit të një federate të ardhshme siç do shohim. Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, me një letër të përzemërt, më shfaqte mirënjohjen e vet, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Dhe, pra, deri në ditët e shfronësimit të tij, sa herë vinte përfaqësues i ri shqiptar në Greqi, më porosinë e tij më vizitonte në shtëpi dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më drejtuar fjalën shqip më thoshte “vëlla i madh”. Dhe këto kur isha vetëm një qytetar i thjeshtë si gjeneral i çmobilizuar. Kjo është e quajtura “Besa” shqiptare, domethënë besë dhe mirënjohje për mirëbesim.

Ahmet Zogu 1920
Ahmet Zogu 1920

Po të hedhim një vështrim në hartën e Ballkanit, kuptojmë menjëherë rëndësinë e madhe të Shqipërisë. Për shkak të ngjarjeve të fundit tani sapo u kuptuan rrethet politike dhe ushtarake në Greqi, rëndësinë e Shqipërisë si bazë sulmi dhe mbrojtjeje. Ushtarakët grekë në kohërat e kaluara e dinin këtë, siç tregohet qartë prej luftërave të rrepta dhe të përgjakshme që u zhvillua në limanet dhe kalimet malore të Shqipërisë, sidomos në shekujt e fundit të Perandorisë Bizantine. Për Greqinë, Shqipëria mike dhe aleate, përbën një fortesë kolosale dhe një kërcënim të fortë për çdo sulmues të veriut. Zgjuarsia e mprehtë e Venizellos e kishte kuptuar këtë fakt, kur thoshte që duhet me çdo sakrificë që çështja e Epirit të rregullohet miqësisht dhe të vendoset me Shqipërinë marrëdhëniet më të përzemërta. Besoj me patundshmëri në të drejtën e këtij mendimi. Kërkova me çdo kusht e sakrificë këtë gjë ta vë në zbatim kur isha Kryetar i Shtetit. Pas këtyre ngjarjeve u vendosën marrëdhëniet miqësore dhe dërgova në Tiranë si përfaqësues të Greqisë Gjeneralin Aleksandër Kondulin, bashkëvendasin tim, i cili e njihte jo vetëm shqipen e Shqipërisë së Jugut që flitet në krahinën tonë, por edhe ato idiomat e labëve dhe gegëve.
Është fakt i pakundërshtueshëm për shumë arsye, se po të zbatohej një politikë e urtë dhe e qëndrueshme në çështjen e Shqipërisë, do të ishte e mundur që në vend të armiqësisë, do të ishte më e mira, më e vlefshmja dhe e vetmja mike besnike e Greqisë në Ballkan. Si racë shqiptarët nuk janë as tartar-mongolë, as sllavë, por Ilirë, stërnipër të pellazgëve. Janë historikisht të provuar, pasojë – racë motër me racat e vjetra që zbritën nga veriu dhe përbënë banorët e parë të Heladhës. Nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, serbët, bullgarët, kurse me popullin helen lidhen ngushtë në gjak, trashëgime dhe zakone”.
Gjeneral Theodhor Pangalos, kujtime, botuar tek e përditshmja greke “Akropolis”, Athinë.
Përkthyer nga shkrimtari Petraq Ktona, tek revista “Krahu i Shqiponjës”, Nr. 2 (14), shkurt 1978, Çikago të ShBA-së, shih edhe tek “Çamëria” Nr. 5 (24), e mërkurë 22.04.1992, fq. 8.
Marrë nga muri i fb. Mirel Sharrxhi 10 shkurt 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.