back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Kudret Kokoshi (1908- 1991) Atdhetari i paepur dhe intelektuali vizionar nga Agim Hamiti

Gazeta

Kudret Kokoshi (1908-1991)
Kudret Kokoshi (1908-1991)

Kudret Kokoshi (1908- 1991)

Atdhetari i paepur dhe  intelektuali vizionar

nga Agim Hamiti

Në librin “Historia e letërsisë shqiptare”,
studiuesi gjerman Robert Elsie ka shkruar:
“Midis shumë poetëve aktivë, para ardhjes së komunistëve,
mund të përmendet edhe juristi Kudret Kokoshi nga Vlora,
i burgosur prej nazistëve e, më pas, edhe prej komunistëve.”

Kudret Kokoshi u lind në gjirin e një familjeje të madhe qytetare në Vlorë, më 1908. Arsimimi i tij qe tërësisht perëndimor. E nisi në Romë shkollën fillore dhe po atje u diplomua më 1933, Doktor në Drejtësi.
Në vitin 1941, me porosi të kryeministrit të kohës Mehdi Frashëri sipas vizionit kombëtar të shtetit të bashkuar shqiptar, Kudreti shkoi në Kosovë për të ndihmuar në organizimin e gjyqësorit atje dhe në formimin e kuadrit të nevojshëm profesional. Fillimi i vitit 1942, e gjeti kryeprokuror në Prizren. Më 28 nëntor të atij viti plagoset prej policisë italiane, sepse ndodhej në ballë të demonstratës së Prizrenit. Falë ndërhyrjes dashamirëse të një oficeri kosovar pranë xhandarmërisë, Kudretin e kthyen në Shqipëri, ku qëndroi rreth tre muaj në gjendje kome në spital të Tiranës.
I angazhuar në organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar”, Kudreti mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes (gusht ’43) si anëtar i përfaqësisë së kësaj organizate. Denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes prej sllavo-komunistëve intelektuali vizionar 35 vjeçar vlonjat do ta cilësonte “traumë kombëtare”, ashtu siç rezultoi me të vërtetë.
Janari i vitit 1944, e gjen përsëri në Kosovë Kudret Kokoshin, i cili vazhdoi punën e nisur atje. Zgjidhet unanimisht kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Prizrenit dhe nis botimin e gazetës “Lidhja e Prizrenit”. Bashkë me shokët e tij, ushtroi një veprimtari të ethshme kombëtare në atë periudhë kritike. Mblidhnin dokumente mbi veprimtarinë e dëmshme sllavo-komuniste dhe të italianëve në Shqipëri e Kosovë, angazhoheshin intensivisht në organizimin emancipues të gruas shqiptare dhe në çeljen e kurseve kundër analfabetizmit. I spiunuar prej sllavo-komunistëve për aktivitetin e tij atdhetar, Kudreti u arrestua nga Gestapoja dhe u internua në kampin e Prishtinës e, më vonë, në kampin shfarosës Byjinkli, në Austri.
Pas marrjes së pushtetit prej komunistëve, diktatura e arrestoi Kudretin (1945), duke e akuzuar për “bashkëpunim me pushtuesit”. Mbetet model avokatie mbrojtja e tij ndaj akuzave të pa baza, duke recituar në gjyq poezitë që kishte shkruar kundër fashizmit e nazizmit gjatë viteve të luftës dhe duke cituar organet publicistikë ku i kishte publikuar ato. Megjithatë e dënuan pafajësisht me pushkatim, si shumë e shumë intelektualë të shquar nacionalistë, që luftonin për një Shqipëri të fortë e të bashkuar me Kosovën. Për arsye të kërkesave mbarëshqiptare (veçanërisht prej Prizrenit) që t’i falej jeta këtij intelektuali e atdhetari të mirëfilltë, dënimi me pushkatim iu kthye në burgim të përjetshëm e, më vonë, në 21 vjet burg. U lirua nga burgu më 1964. Vuajtjet e privimet nuk iu ndanë ndonjëherë, por poeti atdhetar i përballoi me një optimizëm që u jepte zemër edhe atyre që i ndodheshin afër.
Ndërroi jetë më 26 prill 1991, duke mos e provuar zhgënjimin prej “demokracisë” neokomuniste, që do ta kishte tronditur sërish shpirtin e tij të ndjeshëm poetik. Trashëgimia e tij letrare është e pasur në poezi “Drithmë Jete”, si edhe në shkrime me vlera të spikatura intelektuale e sociologjike.
Poezia e Kudret Kokoshit është e fuqishme, depërtuese, plot ndjenjë e ngjyrime letrare. Me aftësinë perceptuese të intelektualit mendjehollë, Kudreti i dallonte vlerat e mirëfillta të popullit shqiptar tek njeriu i thjeshtë, i ndershëm, tek atdhetari i devotshëm pa pretendime meritash e lavdie, madhështia e të cilit mbetet në hije nga mosmirënjohja e mirënjohur shqiptare ndaj heronjve të vërtetë të kombit.
Poezia e mëposhtme është një himn kushtuar heronjve popullorë të harruar, mungesa e ndjeshme e të cilëve prej një kohe të gjatë na ka katandisur në një popull pa dinjitet, pa vlera dhe pa të ardhme. Këta vargje tronditës shërbejnë si monument poetik për varret e braktisur të heronjve të vërtetë të kombit shqiptar dhe si një elegji për të flijuarit politikë që diktatura çnjerëzore i la pa varr, falë edhe kontributit të zi të autokracisë së kuqe që e pasoi.
Në vitin 1978, në kampin e Spaçit, një i burgosur i moshuar nga Elbasani (i dënuar për herë të dytë) më ka treguar këtë ndodhí interesante për bashkëvuajtësin e tij të dikurshëm, Kudret Kokoshi:
“Ishim 14 të burgosur politikë, që po na transportonin me një kamion të zbuluar nga Tirana për në burgun e Burrelit. Na kishin ulur ndenjur të lidhur me pranga me njëri-tjetrin, nëpër të cilat kishin kaluar një litar të mbërthyer në disa vende tek spondet e kamionit. Matanë Milotit, filloi një shi i hollë e i ftohtë, që po na thante fytyrat. Kur po kalonim Grykën e Shkopetit, natyra e virgjër e asaj zone nxiti frymëzimin poetik të Kudretit, i cili filloi të recitonte me zë të ulët vargje prekës të improvizuar në çast. Të gjithëve na u mbushën sytë me lot dhe e harruam sikletin që po përjetonim…”

Statujë e Luftëtarit të Jugut
Statujë e Luftëtarit të Jugut

Toto Bolena – poezi nga Kudret Kokoshi

(Barí, i rënë heroikisht në Luftën e Vlorës, më 1920)

Jo mermerë, jo dhe këngë, o barí, ty të kujtojnë!
Përmendore të janë brigjet që Vlorën e bukur rrethojnë.
Këngëtar hyjnor ke detin, që ulërin e shkumëzon,
Emri yt kushtrim beteje në shpirt po më gjëmon.

Jo mermerë, jo dhe këngë, jo kujtim e jo një lot,
Ky komb, për të cilin vdiqe, përmbi varr nuk të derdh dot.
Se nuk di ky komb, o Toto, që një ditë ti ke rarë,
Mbi kodrat e Vlorës trime si heronjtë legjendarë!

Një gunë hedhur përmbi supe në një natë plot gjëmime,
Flakërim ndër sy ti kishe dhe në zemër ëndërrime,
Dhe në grushtin e çeliktë krrabën e dhenve mbërtheje…
Me kërrabën historike kundrejt Historisë veje!

Me kërrabën shpëtimtare mbi armikun u vërvite,
Dhe mbi qytetin e shenjtë shkabën dykrenore ngrite!
Njëqind plumba të goditën, por ti re me këngë në gojë:
«Unë po vdes…, Oh, le të vdes, Vetëm shqipja të rrojë !»

Barkun mitralozi t’hapi, zorrët i mbajte me dorë…
Ti po vdisje me një pyetje: “A do hyjmë sonte në Vlorë?”
Mitralozi t’çau barkun, ti i hoqe zorrët zvarrë,
Por një komb, për t’cilin vdiqe, nuk e di ku e ke varrë…!
Marrë nga Muri i fb i Agim Hamitit, 8 nëntor 2014.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Po pse kaq i keq komunizmi, e ja kaloi edhe fashizmit!!
    Kjo m’kujton disa familje komunistash kur isha ne Itali; mbasi merrnin edhe pension si ish partizane dhe si ish oficere, dhe nga 600 euro ne muaj ndihme sociale thoshin: Italianet jane fashista ndan dhe vajzat nga burrat dhe moren italiane…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.