back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Kudo po vuajmë nga Udhëheqësia (lidershipi) – nga Asllan Bushati

Gazeta

Asllan Bushati
Asllan Bushati 

Kudo po vuajmë nga Udhëheqësia (lidershipi)

nga Asllan Bushati

Në trojet tona ilirike, (në Gadishullin Ilirik) mendohet të jemi autoktonë për më shumë se pesëmijë vite. Pra, një civilizim 3 mijë vjeçar para Krishtit dhe 2 mijë pas tij. Por, si njerëz të lirë kemi 111 vite në Shqipëri dhe 24 në Dardani, pjesën tjetër kemi qenë nën robëri dhe kemi menduar se e drejta dhe e vërteta janë siç mendon ai që na drejton: perandori, sundimtari, sulltani, mbreti, Enveri, Tito etj.
Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe lëvizjes së Ibrahim Rugovës në Dardani, e cila çoi deri në mëvetësimin e saj nga Serbia (ish Jugosllavia), u duk se do të kishte një formë të re udhëheqësie, por fatkeqësisht jo, nuk ndodhi kështu! Reminishencat e të qenit rob (çdo gjë e di ai i pari), vazhdojnë edhe sot në të gjitha format e organizimit, në strukturat shtetërore, partiake, shoqërore, shoqatat, akademitë, në trojet etnike edhe në diasporë.
Shteti totalitar shqiptar i “pushkatoi” njerëzit e vet (veçse me armë edhe me propagandë) se armiku i jashtëm dhe i brendshëm po na e rrezikojnë qenien tonë, prandaj duhet vigjilencë nga populli. Për këtë sigurimi famkeq, ngriti strukturat deri në çdo familje, pastaj fronti demokratik, këshillat, rinia, bashkimet profesionale e mbi të gjitha nëna parti, ku çdo njeri ishte i survejuar e kontrolluar. As më pak e as më shumë se “liri” nën një robëri të një tipi të ri.
Po kështu edhe në Dardani e njejta gjë, ku shqiptarët konsideroheshin të pabesueshëm në çdo kuptim e ku për një fjalë goje përfundonin burgjeve. Ata praktikisht (sipas serbëve) duheshin asimiluar, dëbuar, burgosur e asgjësuar deri në zhdukje si qenie njerëzore.
Periudha pasdiktatoriale në Shqipëri, me frymën e studentëve të dhjetorit 1990 “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” fillimisht u duk se do të sillte një frymë të re udhëheqësie. Por liderët e asaj kohe (përfshi edhe mua) ishin pjesë e së kaluarës, mentalitetit, formimit, shkollimit, izolimit si gjithë popullata, pra edhe ata robër të formave komuniste e parakomuniste dhe pa përvojë perëndimore. Intelektualët me formin perëndimor të kohës së Mbretërisë ishin pushkatuar, burgosur e sakatuar. Sali Berisha dhe një grusht intelektualësh bënë përpjekje serioze për çlirimin e njerëzve nga “robëria e trashëguar”, por shumica e vendimeve që ata morën, ishin herë shartime jo të dobishme, herë adoptime vetëm si fasadë e deri përqasje jo thelbësore me format e praktikat demokratike perëndimore.
Sot në Shqipëri kemi format qeverisëse më të shëmtuara të robërisë së re postkomuniste. Udhëheqësi i së majtës, Edi Rama si person shpesh shfaq mendime e veprime gati mendërisht të pa balancuara. Ai është lideri më i papërfytyrueshëm: herë si artist i sërës fundit estravagant, herë si hokatar pa kripë, herë si “udhëheqës i madh vendor e rajonal, ekspert i të gjitha fushave, e të gjitha dijeve”, por edhe gënjeshtar ku çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Mashtrues në gjëra të vogla e madhore dhe shkatërrues i vlerave. Pasurinë kombëtare e konsideron si personale, ku e shet dhe e tjetërson për interesat e tij dhe klanit që e rrethon kur t’i dojë qejfi. Njerëzit e zgjedhur prej tij vjedhin e vjedhin në përmasa të mëdha dhe ai nuk merakoset aspak, pa le më të dorëhiqet për dëmet që ka shkaktuar. Ka krijuar organizma patronazhizmi e survejimi si në kohën e Enverit për vjedhjen e votave, mbikqyrjen, lidhjet nepotike, klanore, krahinore, fetare e deri imorale. Ka vënë nën sundimin e tij, Presidencën, Parlamentin, Qeverinë, drejtësinë, median, stafet universitare, akademinë etj. Ka krijuar oligarkinë dhe strukturat mafioze në shërbim të qeverisjes tij. Gjithë të majtën e ka vënë nën këmbë ku askush nuk mund të flasë, të veprojë e performojë pa lejen e vullnetin e tij. Propaganda, lustra, arritjet imagjinare më keq se në shtetin totalitar. Atëherë çfarë lideri është ky monstër pervers, përveçse një pjellë e keqe e vijimsisë komuniste, anadollake, obskurantiste mesjetare e deri antikombëtare. E majta e sheh dhe hesht nën robërinë e tij, duke i bërë një dëm të madh vehtes dhe vendit.
Tragjik edhe fati i së djathtës me ardhjen në fuqi të Lulëzim Bashës. Ai u tregu një frikacak i madh, gënjeshtar, i paaftë për të drejtuar e marrë vendime të mëdha. I trembur i manipulueshëm nga shumëkush, por edhe jo burrëror, duke u ngjitur pas karriges sikur ajo të bën të ditur, trim, largpamës e lider. Njeri që vetëm qahet tek ndërkombëtarët duke u bërë servil i pështirë. Ai humbjet e dështimet i quan fitore të vjedhura e jo mangësi të lidershipit të tij.
Rikthimi i tij në krye të një copëze të PD-së, është sa qesharak aq dhe i pështirë për gjithë të djathtën shqiptare. Është shërbimi më i madh që ai i ka bërë vijimsisë qeverisëse antikombëtare të Edi Ramës. Historia do ta ndëshkojë rëndë.
Rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së gjeneroi energji të shumta demokratike e kombëtare. E shkundi të djathtën nga plogështia e stresi i humbësit, i dha një mësim edhe së majtës. Vendosja e primareve dhe çuarja e vendimmarrjes tek votuesi, i bëri mirë gjithë shoqërisë shqiptare. Por, Berisha po lufton si një i plagosur në rrethim të shumanshëm. Nuk dihet se koha dhe rrethanat do ta lejojnë të dalë nga rrethimi, sepse edhe ai nuk është i çliruar plotësisht nga “robëria”.
Edhe në Dardani, fodullëku, krahinizmi, bajraktarizmi, mendjemadhësia, prepotenca, propaganda, arritjet false, përplasja midis vehtes, mosgjetja e një kohezioni të përbashkët për avancimin e çeshtjes kombëtare dhe njohjes ndërkombëtare, po bëhen si një fotokopje e keqe e udhëheqësisë së Tiranës.
Për ballafaqim me sa më sipër po sjellë dy citime nga dy Presidentët amerikanë:
Xhorxh Uashington: “Mos harroni se janë veprimet dhe jo titulli, që e bëjnë drejtuesin dhe se prej tij pritet më shumë se sa titulli!”
Franklin D. Roosevelt: “Aftësia për të deleguar është gjithashtu një cilësi e fortë që e bën një udhëheqës të mirë!”
Nga përvoja ka shumë thënie e përkufizime për udhëheqjen (lidershipin) por njera prej tyre thote se: “Udhëheqja është arti i drejtimit të një grupi, organizate, shoqate, korporate a institucioni drejt një qëllimi të caktuar. Arritja është realizimi, mosarritja dështimi. Udhëheqësia e mençur kërkon ekuilibër midis largpamësisë, performancës dhe karakterit. Ajo është vizion, guxim, integritet, përulësi, përqëndrim dhe planifikim. Ata me cilësi të forta drejtuese fokusohen në të ardhmen, duke mbajtur një qëndrim pozitiv. Ata shqetësohen më shumë për mundësitë e së nesërmes se sa për problemet e së shkuarës. Një karakteristikë tjetër e një lideri të mirë është aftësia e komunikimit në mënyrë efektive dhe bindëse. Komunikimi i qartë fillon me aftësinë për të ndaluar, dëgjuar, menduar dhe për të vazhduar ngadalë. Përulësia jep rezultate, kokfortësia shkatërron marrdhëniet”

Vuajtja nga lidershipi ka ngërthyer edhe Vatrën. Megjithse ajo është krijuar para Shtetit Shqiptar e në SHBA (vendi më demokratik në botë) nga korifejtë e Rilindjes Kombëtare: Faik Konica e Fan Noli, udhëheqësia e tanishme (si shumë liderë të tjerë shqiptarë), bart me vete mentalitetin krahinor e primitiv nga vijnë drejtuesit, (bajraktarizmin, fodullëkun, mendjemadhësinë, egoizmin, përtacinë, mospërfilljen etj).
Ndryshimi i Kanunores dhe praktikave 112 vjeçare, pa diskutimin e pëlqimin e antarsisë, emrimi i gjithë strukturës drejtuese pa u votuar askush, lidhje memorandumesh me institucione jo amerikane pa u diskutuar me antarsinë, refuzim takimesh e diskutimesh ballë për ballë për problemet madhore e organizative, trajtimi i Vatrës si plaçkë personale e disa personave, të cilët mund të bëjnë çdo gjë pa pyetur antarësinë vatrane. Kjo është e papranueshme. Ky lidership duhet të ballafaqohet me antarsinë dhe të japë shpjegime për paaftësi drejtuese e manaxhuese. Kujt i duhet kjo udhëheqësi që nuk pranon asnjë gabim; që nuk reflekton nga sugjerimet e vatranëve, madje u kundërvihet në masmedia. Kjo është udhëheqësi e Vatrës apo e disa strukturave të disa biznesmenëve për interesa vetiake?
Fatkeqësisht edhe Akademitë e Shkencave në Tiranë e Prishtinë, janë kthyer në shtojca të lidershipit qeveritar. Ata kanë frikë të hedhin ide, të bëjnë studime e të parashtrojnë platforma afatgjata të çeshtjeve të mëdha kombëtare. Disa prej tyre vijnë nga strukturat e vjetra komuniste e ndoshta disa nga strukturat e shërbimeve sekrete. Ata bëjë çfarë u thotë “lideri që u jep rrogën”, por jo shkencë, albanologji, e shërbim shkencor shqiptarisë.
Dëshiroj e shpresoj të mos gjykohem për njëanshmëri, se nuk kam asgjë personale me askënd.
Kam vetëm shqetësime kombëtare!
Marrë nga muri i FB, Asllan Bushati, 19 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.