
Ku e dinte At Gjergj Fishta?
Përgatiti Fritz Radovani
Kjo asht poezia ma aktuale e shekullit XXI!
Vetëm kështu po zhduket Shqipnia!
Ky ishte i Madhi at Gjergj Fishta!
Në këtë argument lirik të kënduem prej sa poetësh, Fishta ndrin me shumë vetì karakteristike, qi e shquejnë: – paraqitje e gjallë tipike shqyptare, – kjartësi e thjeshtësi
vargjesh të rrjedhëshme, frymzue prej ndjesish njerzore qi nuk njohin flashktësi (ngathsi)
sentimentalizmi as trillime konvencionale. Asht nji pasqyrë e vogël, ku mund të vërehet arti i tij shpirtnisht shqyptar e burrnor, dhe nji shkëndi, qi vezullon me dritë të vetën mbi shumë hartime tjera ma të mëdhaja.
Tek ky mërgimtar i Fishtës gjejmë: mallëngjim shqyptari, nostalgji gjuhe amtare, votret e bese, nanët e motret; përmallim për mbarë botën e thjeshtë e fisnike qi e rrethon, ku asht burrnue: bjeshkë, halë, mriza, kumbonë, livadhe e djerre, e së mbramit përmallim i ndieshëm mikpritjet e armësh, me të cillat u vllaznue.

I dbuemi – poezi nga At Gjergj Fishta
1.
Lamtumirë! – Vendet e mija,
Qé, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kah njai diell, qi asht tue flakue
Andej fill un tash do t’veta….
Lamtumirë! Atdhé i bekue!
Lamtumirë! Për sa t’jet jeta!
2.
Nesër nade kur mbi né
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhé
Mue prej teje ka me m’ da!
E por n’pvetsha rêtë mizore,
E por n’pvetsha zojt e detit;
Se për ty, moj tokë Arbnore,
S’ka me m’folë ma kush mue t’shkretit…
3.
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pa, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjuhë, n’tjera qytete;
Vendin tem, por, s’kam m’e pa,
Ku kam lé e jam burrnue;
Syt e mi edhe kanë me kja,
Pa u gjetë kush, qi me i ngushllue.
4.
Pa kend t’emin, pos nji Zotit,
Tue shtektue për dhé të huej,
Kanë me m’shkue mue ditt e motit
Sha e përbuzun prej gjithkuej.
Kam me pasë shkretinë për votër,
E për shtroje të ndeztën ranë;
Kam me pasë ulkojën motër,
Kam me pasë, ehu! Tigren nanë…
5.
Nana e mbetne për së gjallit
Ka me m’kja, kushdi, ndo’i ditë
Dersa motra, dekun mallit,
Kot ndo’i herë mue ka me m’pritë.
Ka me i njehë, po, krushqt, e mjera,
Me i prue nanës n’shpi nji ré:
Por i vllaj, kushdi, m’atë hera
Ka me u kalbun për nën dhé!
6.
E njai dhé – heu! Kob prej qiellet!
S’ka me kenë, jo, dheu i t’Parvet,
Ku ma bukur qiella kthiellet,
Ku ma ambël n’gjuhë t’Shqyptarvet
Para Hyj’t naltohet luta,
E ku besa asht e shejtnueshme
E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,
E ku bjeshkët janë të madhnueshme.
7.
Oh! Ju bjeshkët e Shqyptaris,
Ku ma mirë shndritë dielli e hana,
E ku logu a’i bujaris
E ku rriten djelm si Zana!
Un’ ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Dersa t’muj me ligjirue,
Ju gjithmonë kam me u permendë!
8.
E ato halë e qepariza
Kam me i pasë ndër mend gjithmonë,
E ato stane e njato mriza:
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh vàj! Malet e mija,
Qé, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë,
9.
Lamtumirë, pra, bjeshkë e male!
E ju krepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje edhe ju gurra!
Lamtumirë, ju mrize e stana!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe, enè ju djerre.
10.
Lamtumirë! Ti shpija e t’Parvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhaçë shtektarvet
Miqt e babës edhe ku i prita.
Lamtumirë, carani m’voter!
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nanë e motër!
Lamtumirë, për sa t’jet jeta….
11.
O shtegtar, m’nji vorr të ri!
N’has’sh ndo’i herë ti, tue ndjekë shtekun,
T’çilun n’ranë npër ndo’i shkreti,
Aty vetë kam me kenë dekun.
Nji kryq drunit, t’kjosha true,
Ziere e venma përmbi krye,
E, ne’mose, ti për mue
Lutju Hyj’t për shka t’kém fye.
1.- Lamtumirë: Përshëndetja e fundit e të mërguemit, apo të dbuemit i cilli përshkon nëpër mend viset dhe objektet tjera për rreth qi do t’i lanë përgjithmonë.
– flakue: shndritë.
– fill: drejt, pa u ndalë.
– do të veta: do të shkoj, do të vete.
– lkundet: lvitet, përkundet.
2. – Rêt mizore: rêtë qi sjellin mërzi, thellim vetmije.
– zojt: zogjtë.
4. – shtektue: udhtue.
– ehu: nji rrokje e vetme, tue eleminue bashtinglloren h, si latinët.
– e mbetne: e motnueme, e mbarueme forcet. – mallit: mallëngjimit.
– ka me i njehë: Motrën ka me e mblue përmallimi, por njiherit edhe shpresa, prandej vehet me gjetë krushq për me blé nuse për vllanë… Dashnija e motrës për vlla asht e theksueme në poezinë popullore. Ndërsa, në Lahutë spikat në mënyrë të posaçme motra e Avdis, e sidomos Tringa, tip i pavdekshëm dashnije vllaznore n’epopenë tonë.
– nji ré: nji nuse.
6. – kob prej qiellet: shplakë, ndëshkim i rrebtë.
– tuta: friga, frika.
7. – logu: vendi. Në gojën e malësorit ka forcë kjo fjalë, e nuk mund të zëvendsohet me tjera.
– si Zana: të paisun me veti mbinjerzore trimnije e pashije (dukje).
– përmendë: me iu kujtue.
8. – halë e qeparisa: pisha e selvija.
– stane: kësolla për banim e gjà t’gjallë, kafshë etj.
– Lamtumirë: Mbasi i mërguemi, premton se nuk ka me i harrue vendet e veta, i përmendë: – (me i zanë në gojë)
– krepa: shkrepa, shkambij.
– curra: krepa të thepisun. – breshta: pyje bredhit.
– gurra: burime
– ene: edhe.
– djerre: tokë e papunueme
– E ku strehë: Mikpritja asht nji zakon i shenjtë për Shqyptarin, prandej i merguemi përshëndetët me shtëpinë e vet.
– strehë përbujtje: jo vetëm me përmallim, por njiheri edhe ngushllim zemre, tue pasë çue në vend testamentin e trashiguem nga të Parët “shtëpia asht e Zotit dhe e mikut”.
– carani n’votër: guri i votrës, ku mbështetën drujtë me marrë zjarm. Shqyptari votrën e ka nji vend të shenjtë, aty shtjellohet shkolla e mirërritjes; aty kryesisht prej prindve e të moshumve, mësohen doket (zakonet), trimnitë e virtytet burrnore të fisit të vet. Aty merret edukata e besës dhe e sakrificës për Atdhé e Fé. – armët e shkreta: armët qi do të mbesin
shkretë, se nuk do të kenë njeri kush me i mbajtë.
11. – N’hassh: në kjoftë se ndeshë, në kjoftë se takohesh.
– ndjekë shtekun: tue ndjekë rrugën udhën, tue udhtue. – t’kjosha true: po të përbehëm, po të kërkoj, po të vé detyrë.
– ziere: me nxjerrë, nga landët e pyellit merr dhe më ndonji daltim të vogël më ven nji kryq druni té koka.
– venma: m’a ven, mënyra urdhnore, mos kalo pa ma vue Kryqin!
– nemose: nëse nuk e ban ti këte..
Komentet nga At Viktor Volaj OFM. 1941.
Shënim F. Radovani: Cili vend i botës i dbon sot njerzit e vet ma shumë se Shqipnia!? Ku e dinte këtë sa vjete përpara At Fishta?
A mundet me kenë kjo arsyeja që punohet për zhdukjen e këtij emni? Lexoni dhe shifeni sa aktuale asht kjo poezi sot! E sot… asht i dbuem prej shtetit komunist edhe vetë at Gjergj Fishta…!
Melbourne, 26 Dhjetor 2025