back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Kthimi i Ndre Mjedës pas 19 vitesh mërgim, n’Atdhe – lindi poezinë Vaji i Bylbylit…

Gazeta

Ndre Mjeda (20 nantor 1866 - 1 gusht 1937)
Ndre Mjeda (20 nantor 1866 – 1 gusht 1937)
Kthimi i Ndre Mjedës pas 19 vitesh mërgim, n’Atdhe
lindi poezinë Vaji i Bylbylit…

Nëntëmbëdhjetë vjet larg Atdheut janë një mërgim i plotë. Adoleshenca, rinia dhe bu-rrëria, të trija bashkë, u mbërthyen në mallin e pafund, në dashurinë e pafund, në dëshirën e patundur për të qenë patjetër atje. Në gëzimim e Mjedjes ka zënë vend trishtimi dhe lodhja. Ato që s’i ka ndier kurrë tani po i ndjen. Është një mpirje e çastit, të cilën ai e largon mennjëherë. Shpalosen ëndrrat e tij dhe zënë vend në tokën e dashur. Zëri i tij buçet së thelli. E ndjen që betimi i tij për të qenë bir i denjë i vendlindjes po realizohet. Në këto çaste te njeriu veprojnë ato ndjenja të fuqishme, të cilat e bëjnë atë të papërmbajtur. Por Mjedja është zot i emocioneve. Vetëm vështrimi i tij i mbërthyer në tokën amtare, shpërthen dritën e fuqishme të ndezur në shpirtin e vet. I mbyllur në heshtjen e tij ai vështron mundësinë për të bërë realitet ëndrrën e rinisë, ëndrrën për të cilën i kishte folur vetëm Majerit.
Në pupenë e vaporit, tek qëndrojnë të dy, duket se midis Doçit dhe Mjedjes kanë mbaruar të gjitha bisedat. Edhe Doçi është i zhytur ne planet e tij, për krijimin e shoqërisë “Bashkimi”. Një heshtje që flet shumë. Të dy po zbresin në Atdhe me dëshirë. Me ankth presim t’i vështrojmë në aktivitetet këta njerëz te fuqishëm të kohës.
Abati ka pushtetin, miqtë, përvojën, lavdinë e një jetë plot peripeci e të vlerësuar tashmë nga katolicizmi, kurse i dyti ka forcën e shpirtit, të kulturës, të mendjes. Nga mbrapa e ndjekin ende dyshimet e jezuitëve, të cilat në atë kohë kishin mjaft rëndësi. Sigurisht, Mjedja duhet t’i peshojë mirë këto çaste. Abati bëri një hap ndaj tij, e ndihmoi, pasi shkëputi njëlloj aprovimi te eprorëve. Një gjë duhet thënë që ai e shpejtoi zgjidhjen e problemit të Mjedjes. Sa kohë? Me ditë, me muaj, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është ardhja në Atdhe. Ata zbritën. Toka mëmë! Mërgimi mbeti tej si një plagë e rëndë, e hidhur. Gjithçka e bukur, e mirë dhe e dashur i rrethon. Qyteti i fëmijërisë i buzëqesh dhe ai e ndien, ndien zërin e ëmbël të fëmijëve që lodrojnë e atij i duken si cicërima zogjsh. Poeti s’ka më qetësi. Gjuha e bukur dhe e shtrenjtë që dëgjohet kudo, gjuha e mëmës e mallëngjen. Shkodra plakë e trondit poetin. Çapi i tij është i ngadaltë, i menduar e duket si i rëndë. Ja Atdheu!
Ai zhurmëron, i buzëqesh dhe i hedh përshëndetje këtij prifti topolak, pak të shkurtër, me mustaqe, me një kapelë të madhe të zezë, të mbërthyer mirë në pallton e tij të trashë.

Bylbyli
Bylbyli

Vaji i Bylbylit – Ndre Mjeda

Po shkrihet bora/ Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën/ Pse po gjimon?

Pushoi murrlani/ Me duhi t’vet :
Bylbyl i vorfën,/ Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushet e malet/ Blerimi i mbëloj;
Livadhi e pema/ Gjithkah lulzoj.

Ndër pylla e ograja,/ N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli/ Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue/ Shkon rreth e rreth
Nji prrue qi veret/ Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,/ Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,/ Bylbyl, shpejto.

Kërkush ma hovin/ Atje s’ta pret;
Me zeher haejen/ Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,/ Epshin pengim;
E gjith ku t’rreshket/ Shkon fluturim.

Nëpër lamije/ Ke me gjet’ mel;
Për gjith prendverën/ Njajo buk t’del.

E kur t’zite eti/ Ndër prroje pi;
Te njato prroje/ Që ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen/ e ban n’ndoj lis;
Nuk je si’i njeri/ Që nuk ka fis.

E kur t’vijn zhegu,/ Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue/ Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja/ Me t’ndie rri;
Prej aso vendit/ Dahen mezi.

A çilë kafazi/ Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja/ Bylbyl shpejto.

Ndër drandofille/ Ndër zamake ngà;
Ku qeshet kopshti/ Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,/ Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,/ Pse po gjimon?

Marrë nga muri i FB Metë Dura, 31 tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.