
Kronologji e jetës të t’përndjekurit politik Luigj Miri (1939-2025)
i cili u nda nga jeta këto ditë përgaditun nga Ndue Hoti
Paradite e 1 korrikut u njoftuam nga i biri, për ndarjen prej nesh të njërit nga viktimat më të persekutuara prej regjimit komunist, Luigj Miri (1939-1 korrik 2025).
Luigji u lind në nji familje të madhe e patriotike në Gurëz, prej prindve Gjekë Miri (1912-1947) dhe Linë Miri (1914-1942), me origjinë të hershme prej Brojës së Nikçit/ Kelmend. Që në moshë të mitur mbeti jetim nga e âma dhe në vitin 1947, mbeti jetim edhe nga i ati.
Me 30 janar 1945, për shkat të dezertimit të axhës së tij nga reparti ushtarak, që po shkonte në Kelmend, te kushrinjtë e tij, për të krye operacione spastrimi, internohet me gjyshin e gjyshen në rrethin e Beratit. Dënimi zgjati deri më 30 dhetor 1950. Më 1946, mbetet edhe pa gjyshin, pushkatuar pa gjyq në atë ashtuquejtunën “Masakra e Gurzit”, 27 gusht 1946, dhe në vitin 1958, provon dënimin e parë, nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, me 20 vjet heqje lirie, sekuestrim të pasunise dhe me 5 vjet heqje të drejtave qytetare, të gjitha këto me akuza të pabazueme, vetëm, pse ishte i biri i Gjek Zef Mirit, nipi i Zef Mirit (1878-1946) dhe nipi i Frano Mirit (1917-1948), dhe nip i Pjetër Mirit (1929-1959) dhe i një dyzine kushërishnj me mbiemën Miri. Të pushkatuar me dhe pa gjyq, me burgime të rënda, me prova të montuara, me pasuri të sekuestruara e të internuar familjarisht.
Qëndrestari Luigj Miri nga dënimi i parë me burg kryen 12 vjet. Në vitin 1979, dënohet për të dytën herë nga Gjykata e Krujës me të njëjtën akuzë si në të parën, me 10 vjet heqje lirie.
Mbas vitit 1991, Luigj Miri ishte një ndër kontribuesit kryesorë në luftën kundër regjimit komunist dhe mori përsipër detyra, të cilat i kreu me ndershmëri. Në vitet 1992-1995, kreu detyrën e Kryetarit të të Përndjekurve Politikë për rrethin e ri të Kurbinit. Mori pjesë në Promemorien e 100 Vjetorit të Pavarsisë dhe dëshmorve të Gurzit për Pavarsi, nga dymbëdhjetë dëshmorë, dy ishin nga trungu i familjes së tij, Nikollë e Pjetër Miri, rënë, me 22 qershor 1912. Nikolla ishte kryetar i Çetës së Gurzit dhe i beslidhuri i Kuvendin të Rubikut, qershor 1912. Luigji ua gjeti eshtrat të vrarëve dhe i varrosi në Gurzi të Kurbini, u ndërtoi vorret dhe obeliskun e martirëve të terrorit komunist. Ai punoi shumë për ringritjen ekonomike e kulturore të komunitetit dhe familjes së tij. Ai la mbrapa, bashkëshorten File, grua zonjë e përkushtuar ndaj bashkëshortit të saj, në të mirë e në vështirsi, nana e fëmijve të tij, që ndërsa Luigji vuente dënimin ajo i rriti e i edukoi, me guximin, kurajon, ushqeu dashurinë për prindërin, rriti dhe edukoi të birin Altin dhe tri bija, të gjithë prindër model e me familje.
Me këtë rast ngushllojmë familjen, si vëllain e tij bashkvuajtës (1979-1989), z. Dedë Miri, të afërm, miqtë edhe shokët e tij.
Nga viti 2023, Luigji ishte i sëmurë dhe gjatë kësaj periudhe atij nuk i mungoi kujdesi shëndetsor, përkundrazi iu shërbye me dashuri e respekt deri në çastin kur mbylli sytë, ditën e hanë, dt. 30 qershor 2025, rreth orës 20:00.
Luigj Miri do të mbetet në kujtesën e njerzve që e njohën, si simbol i qëndresës, i përkushtuar në familje, i puntorit të palodhun, frymzues, inkurajues, trim, guximtar, njeri që dinte të falte fajtorët e që nuk tundohej nga e keqja, duke lânë mbrapa nji kujtim që s’do të shuhen kurrë.
Shpirti i tij Pushoftë në Paqe.
Ceremonia e vorrimit u krye në Gurëz, me 2 korrik 2025, ora 13:00.

Foto shpjegime
1.Luigj Miri, rreshti i dytë në mes, rreth viteve 1950-‘51, në fund të internimit në Berat, së bashku me axhën Pjetër (1929 – pushkatur shkurt 1959), i pari, ulun nga e majta dhe dajat e Luigjit, që erdhën për ta vizituar në rrethin e Beratit o mbas kthimit në Gurëz. Luigji u arrestua me vitin 1958 së bashku me axhën e tij.
2.Luigji gjatë kryemjes së dënimit, rreth viteve 1960.
3.Luigji në podiumin e nderit, i dyti nga e majta, në 100 vjetorin e rënies së dëshmorve të Pavarsisë, nga Gurëzi. Mes 12 dëshmorve nga treva e Gurzit, dy ishin vllaznit e gjyshit te Tij, Nikoll Miri dhe Pjetër Miri, vra në përpjekje per ndalimin e ofensivës osmane drejt Shkodrës, 22 qershor 1912. Nikoll Miri komandant i çetës së Gurzit.