back to top
29 C
Tirana
E premte, 10 Korrik, 2026

Kronika e zisë së Voskopojës më 1740 – nga Mihal Shipskioti

Gazeta

Ilia V. Ballauri “Folklor Voskopojar” Bot. Kotti.
Ilia V. Ballauri “Folklor Voskopojar” Bot. Kotti.
Kronika e zisë së Voskopojës më 1740
Mihal Shipskioti (i Dhespotit të Gorës) (afrs. 1700 – 1790)

I (1 – 4)
Ati ynë, që në qiell lart qëndron,
mos kujto, se goja më gabon,
mos kujto se flas pa menduar,
mos më paragjyko, pa m’dëgjuar,
hidhërim të fortë, të vërtetë vrer,
prej shpirtit, i detyruar do nxjerr.
E pafuqishme, është fjala e thatë,
nuk ka përmasa, ësht’ frymë e ngratë,
nuk mund të shprehë, të rijapë,
ato rrethana që Koha e keqe, solli
ato ç’ka dikur KohëShkreta, k’tu volli.

II (5-8)
Nuk kam këtu si qëllim,
që ngjarje të rrëfej, a tregim,
por brezave plot ngashërim,
dua t’u them me disa fjalë,
t’u them të dinë të kujtojnë,
të dinë dhe mirë të tregojnë,
ato që koha dikur këtu hodhi,
gjthçka që uria na rrëmbeu, na vodhi.
. . . . . . . .

V (15-18)
Në vitin një mijë
e shtatëqindtridhjeteshtatë,
fillimisht u shfaq,
një shenjë e kobshme, e ngratë,
që dukej kudo mbi dhè.
Shenja të tjera të këqia,
ngado u shfaqën pastaj,
u paralajmërua, kështu zia
uria, na pushtoi paskëtaj.

VI (19-20)
Në ditën e pestë si hyri, Shën Ëndreu,
një kometë e madhe e zjarrtë, shkëlqeu,
në mbrëmje duke u gdhirë, Shën Koll,
u duk në qiell dhe rrotull u soll.

VII (22-24)
Nga veriu u shfaq një shenjë e ligë,
nga lindja, perëndimi, një qiell plot frikë.
Hidhërime dhe kaos për njerëzit, parandillte,
se do të sillte.
. . . . .
IX (29-30)
Në vitin njëmijë e shtatëqindedyzet,
kur, Sulltan Mahmudi ishte mbret,
zija ra në Rumeli ngado dhe tek ne,
vendi ynë rrezikohej, mos mbetej mbi dhè.
Ra dimër i hidhur, tej së tejmes, i ftohtë,
që nuk ishte parë, dimër tepër i fortë,
aq sa dhe më njëzet e tre të prillit,
pranvera ish e harruar dhe er’e bilbilit,
Shën Gjergj kalendari, tregonte që ishte,
por jeshil kurkund nuk kish’ nër lirishte.

X (38-40)
Brenda kishës, hymne këndonin:
“Aromë pranvere, ndjehet ngado”,
por syri prap, se kish parë, jo.
Bukuria e dheut, e ëmbla gjelbësirë
mbeteshin ëndërr, e bukur, dëshirë.
jashtë kishës binte dhe frynte bor’,
ashtu si muaj më parë, në dhjetor
ngrimë, ftohtë, kallkan dhe acar,
ç’ka prisnim ish zhdukur, nuk vinte behar.
. . . . .
XII (45-49)
Në muajin shkurt deri në qershor,
një okë drithë kostoi, u mor,
njëzet e shtatë aspra, me zor.
Zotërinjt’e mëdhenj, e barkthatë,
i dëbonin shërbëtorët, e ngratë,
dhe plot të tjerë për jetën luftonin,
lëvoret e drurëve i grinin, coptonin,
i bluanin, e me thjerrëza përzierë
i hante, i uritur populli i mjerë,
që vdekja e zezë, që ngado lëvrinte
mos u futej, në shtëpi mos u mbinte.

XIII (50-55)
Përzienin një okë miell bollgur-gruri,
me elb, dy ok’ baltë, të bardhë-gri guri,
e përzienin dhe e përzienin përsëri,
të mjerët të largonin mjerimin e zi,
i përtypnin ato, pastaj zemërthyer,
me ndot i hanin dhe përshije të urryer.
Prej plehut, bërsitë e rrushit mblidhnin,
i thanin, i bluanin e në kusi i hidhnin,
dhe së fundi në fyt i kapëdihnin.

XIV (56-59)
Kështu njer’zit u shpërfytyruan,
u humbën,
tiparet e fytyrës, ndryshuan,
u shëmtuan.
Nuk mbahet mënd të ketë ndodhur,
ndonjëherë një gjë kaq tepër e lodhur.
Ecnin rrugës dhe harronin ku shkonin,
ku iknin, ku përfundonin,
këputeshin, më këmbë dot nuk qëndronin.
… etj, etj. 
(E gjithë poema është sjellë nga Ilia V. Ballauri në botimin: “Folklor Voskopojar” shih më poshtë) Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©

* * *
Mihal Shipskioti (i Dhespotit të Gorës) (afrs.1700 – 1790)
Mihal Shipskioti i biri i dhespotit Theodhos të Gorës dhe Mokrës (prej Shipske) i njohur shkurtimisht si Mihal Gora, lindi në Shipskë rreth vitit 1700 dhe vdiq më 1790.
Dhespoti i Gorës, Theodhosi, e mbajti këtë funksion, nga viti 1716 deri më 1752 (pra për 36 vjet!). Duket se ai ishte martuar para se të bëhej dhespot dhe për nevojat e kohës, ndonëse i martuar, u vesh dhespot, gjë që në ato periudha, ndodhte.
M. Gora, mësimet e para i mori në Shipskë dhe më pas studioi në shkollën e Voskopojës. Ishte me prejardhje nga një familje e pasur, me kulturë të gjerë për kohën e tij dhe sipas Zavirës, ishte njeri i rëndësishëm. Kuptohet se si i tillë, ishte e natyrshme që ai të përziehej me problemet shoqërore të kohës.
Mihal Gora derisa vdiq nuk pushoi së studiuari dhe së ndjekuri nga afër, gjithë aktivitetet shoqërore që preokuponin komunitetin e Voskopojës së asaj kohe. Ai shkrojti epigrama, ngjarje historike, jetë shenjtorësh, u muar me mbrothësimin e Voskopojës dhe veçanërisht të Manastirit të Shën Prodhomit, etj.
Ka ndjekur nga afër si dëshmitar i gjallë në Voskopojë, ngjarjet e njëpasnjëshme tragjike që ndodhën në atë kohë në qytetin malor. Madje përmendim këtu se, sipas një gjurme të mbetur deri aty para 60 – 70 vjetësh në folklorin popullor të Shipskës, në një strofë në vllaçe (idioma latine e Voskopojës) thuhet se, “Aty tek porta e Zotni Mihalit [të Gorës] vranë tre pashallarë.” Ka mundësi që në këto vargje popullore, të flitet për ndonjërën prej përleshjeve që u bënë në ato anë, pra edhe në Shipskë, mes Kurt Pashë Beratit dhe Mahmut Bushatit, të Shkodrës.
Sidoqoftë, duket se gjatë vitit tragjik të djegies së Voskopojës, pra më 1769, nga maji deri në shtator u largua në Shipskë, ku priste prej andej shkatërrimin fatal të qytetit.
Një dorëshkrim voskopojar me titull, “…mbi klerikët dhe fisnikët…” vë në dukje, ditën e vdekjes së tij në këtë mënyrë: “2 Tetor 1790, dita e mërkurë, vdiq i ndjeri Mihal Gora, shleu pra detyrimin që kemi të gjithë. Për jetë qoftë kujtimi i tij.”
Mihal Gora pati një aktivitet të gjerë krijimtarie, ai pat lënë një sërë dorëshkrimesh në kisha dhe nëpër familje të ndryshme voskopojare, të cilat i pati parë Joaqim Martiniani në Voskopojën e para 130 vjetëve, nga dita e sotme. Sipas tij Mihal Gora, kish një kaligrafi jashtëzakonisht të bukur, të kuptueshme dhe me shkrim të rrumbullakosur. Një ndër aktivitetet e veçanërisht të dashura dhe të lëvruara të Mihal Gorës duket, se ka pas qenë kronika. Si kronikan ai rishkrojti dhe pasuroi jo vetëm Kodikun e Shën Prodhromit por edhe duhet të ketë lënë edhe kronika të tjera, të ndryshme, e me rëndësi të veçantë, prej të cilave me sa duket deri më sot na ka arritur vetëm, Kronika e zisë së Voskopojës më 1740.
Këtë kronikë të shkruajtur prej Mihal Gorës rreth zisë së bukës që, kam sjellë këtu pjesërisht dhe që e kam botuar të plotë tek “Folklor Voskopojar”, fq. 18–34, viti 2015, e ka gjetur, në gusht të vitit 1896, në bibliotekën e manastirit të Simon Petras në Malit e Shenjtë, Ioaqim Martiniani, siç thotë krejt rastësisht.
Kontributi im në dhënien e kësaj kronike, veç shqipërimit qëndron edhe në përpunimin artistik të vargut, duke i mbetur gjithmonë sa më tepër që të jetë e mundur, besnik përmbajtjes dhe strukturës origjinale.
Nxjerrë nga: I.V.B. “Folklor Voskopojar” bot. Kotti, Korçë, fq. 18- 34
Këtu sjell edhe një fragment, të një gravure të vitit 1767, që paraqet pamjen e atëhershme të fshatit Shipskë, realizuar prej Theodhor Sina Grundut me porosi, të tregtarit të madh prej Voskopoje, Andrea Tirka që të dy këta në atë kohë kur është skicuar gravura, ndodheshin të vendosur në zonat danubiane, Tirka në Vienë dhe Grundu, në Eger të Hungarisë. (I.V.B.)
Marrë nga Ilia V. Ballauri, 31 maj 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.