
Kosova: Sa më larg Serbisë – aq më larg Shqipërisë
nga Nosh Mernaçaj
Të paktën, qysh me mbarimin e Luftës së Dytë Botërorë, Kosova është referuar si një nga “Trojet Shqiptare në Jugosllavi”, së bashku dhe njësoj si Ulqini dhe Shkupi. Në asnjë rast, të paktën që di unë, Kosova nuk ka qënë një komb paralel i Shqipërisë apo dy vende si motra. Të mos harrojmë se Hasan Prishtina ka qenë kryministër i Shqipërisë, ose Shqiptarisë, sepse për ta ishte një. Sa shpejt kjo u kthye në “ne dhe ata.”!!
Pavarësia e Kosovës krijoi një entitet të dytë Shqiptar, që deri atëherë nuk ekzistonte: një komb të dytë shqiptar – të paktën në sytë e shumëve sot. Ndërsa unë refuzoj t’i bashkohem këtij kori.
Ky fenomen për mua sjell një rrezik kombëtar. Nëse Serbia nuk heq dorë nga Kosova publikisht, ne duhet doemos që kurrë të mos pranojmë të flasim me terma si, “ne dhe ata”, apo “Shqiptarë e Kosovarë”.
Krijimi i shtetit Kosovar, normalisht që ishte një fitore e madhe, por në të njejtën kohë krijoi një problem tjetër për kombin tonë. Veçanarisht ishtë fitore njerëzore, sepse shpëtoi një popull të tërë nga kthetrat e bishës Serbe, por fuqitë e mëdha vendosën, si atëherë kur ja morën Shqipërisë këtë tokë edhe këtë herë prapë të mos ia japin. Tirana e pafuqishme dhe e udhëhequr nga një elitë e rritur në një epokë komuniste që Kosovën e trajtoi si çështje të huaj, heshti me paturpësi: njësoj sikur të kishte ndodhur në Mal të Zi. Fqinjë dhe jo pjesë e jona.
Kosova u detyrua të marrë simbole tjera, normalisht, sepse ajo është thjesht e domosdoshme. Por Kosova nuk ndërroi gjakun. Kosova nuk u bë komb. Pra, referime të tilla si “Kombi Kosovar” janë pa vend.
Kosova është Shqipëri. Kosova është bija e Shqipërisë dhe jo motra e saj. Kosova është krahinë si Malsia apo Labëria. Biles, nuk është as e nevojshme ndër Shqiptarë të etiketohen si Kosovar, por si Prishtinali, Gjakovar, apo Prizrenas. Njësoj si unë paraqitem si Shkodran. Kjo diferencë duhet të jetë e qartë për këdo dhe të gjithë. Jo sepse është një rivalitet, që do të ishte absurditet, por sepse Kosova nuk u nda nga Shqipëria për ndonjë inat. Ajo u nda nga robëria serbe. Pamundësia që të bëhet me familjen e ndarë nuk ishte dëshirë e popullit Kosovar, por kushtet ia imponuan. Edhe pse unë mendoj se sikur shqiptarët të insistonin pak më shumë, do të ndodhte. Mbase jo aq shpejt sa do të donim, por do të ndodhte një ditë. Nuk mund të fajësoj një popullsi të rraskapitur nga lufta, shkatërrimi dhe largimi me forcë, por fajësoj Tiranën që kishte demek një shtet, një ushtri dhe një zë.
Vitet kalojnë dhe ajo çka mendohej se do të ishte një teknikalitet, po bëhet dita-ditës realitet.
Ka disa në media që duan të mbajnë në këmbë këtë temë ndarjeje ose të vënë në dukje dysinë Kosovë-Shqipëri duke ngritur jo pak polemika. Ka edhe disa të ashtuquajtur VIP-a, që vjedhin vrer e kërkojnë ta thellojnë hendekun e ndarjes. Por më e keqja është se zyrtarët e shtetit Shqipar, vazhdojnë ta trajtojnë këtë temë si diçka të huaj. Përse kemi frikë të themi se Kosova është Shqipëri me të drëjtë, kur Serbia e bën pa të drëjtë dhe pa frikë? Termi “Shqipëria e Madhe”, që në fakt nuk ekziston, mohohet kategorikisht zyrtarisht nga të gjithë politikanët e Tiranës. Nuk ka Shqipëri të Madhe, të mesme, apo të vogël. Ka një Shqipëri ashtu siç është me të gjitha përmasat që i ka dhënë Zoti. Akuzat e Serbisë për një Shqipëri të Madhe nuk duhet të na e imponojnë ne që të trajtojmë tokat tona si toka të pushtuara. “Do të bashkohemi në familjen e madhë BE,” thotë qeveria e Tiranës jo pak herë. Ajo familje trajton njësoj Sllavët dhe Shqiptarët, sipas kësaj llogjike dhe ky është absurditeti që pasqyrohet këtu.
Serbia e Madhe u bë e tillë me pushtime (ashtu ka ndodhur historikisht me vendet që referohen si ‘e madhe’), ndërsa tokat tona na u morën me forcë dhe ne thjesht nuk duhet të kemi frikë të themi se janë tonat. Të kërkosh tokën tënde nuk do të thotë se je grabiqar. E të ja ndalësh turrin grabiqarit është detyrë.
Nuk dua të veçoj zotin Pollo, sepse nuk është i vetmi, por ja si shprehet zoti Genc Pollo, ish zyrtar i lartë i shtetit Shqiptar, me rastin e vdekjes së Elliott Engel, që më shyu të reagoj!
