back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026

Korça historike dhe turpi i këshillit të sotëm bashkiak – nga Klodi Stralla

Gazeta

Pamje e Korçes
Pamje e Korçes
Korça historike dhe turpi i këshillit të sotëm bashkiak
nga Klodi Stralla

Kujtimet e mia për vendlindjen, Korçën historike, zenë fill aty rreth viteve ’57-58 të shekullit të kaluar, kur isha ende një fëmijë 6-7 vjeçar. Fatmirësisht banoja në një shtëpi në qendër të qytetit, kështu që ato rrugë, atë bulevard dhe ato ndërtesa historike përreth, i kam të gjalla në kujtesë ende sot, pas 60 vitesh.
Korça, si pak qytete të tjera të Shqipërisë, ishte një qytet me fizionomi urbanistike origjinale, që nga rrugët e ndërtuara me sistem, bulevardin qendror dhe deri tek godinat me vlera historike dhe arkitektonike që zbukuronin qendrën e saj. Një qytet që regjimet, që shkonin e vinin, duhet t’ia respektonin individualitetin dhe jo t’ia përdhosnin siç ndodhi në vitet e komunizmit dhe siç po ndodh sot në vitet e babëzisë për të fituar para me çdo çmim.
Vizitori, që nisej nga “Lëndina e lotëve” e merrte rrugën përpjetë, do të haste nga të dy krahët e bulevardit (dikur i quajtur “Piro”), vila të shumta banimi të qytetarëve korçarë, me oborre të qëndisur bukur, plot lule shumëngjyrëshe e trotuare gjithë pastërti. Në të majtë shtëpia e prof. Ilia Tilit dhe karshi saj shtëpia e dikurshme e Kondilëve, shtetëzuar në kohën e komunizmit (ish-turizmi i vjetër); më sipër bar-lulishte “Plakoci” (plaku Koci), më vonë “Dinamo”, edhe ajo dikur pronë private e shtetëzuar dhe karshi saj shtëpia e Vangjo Bodes; më tej të ashtuquajturat Pallacinat, ndërtime italiane që, në kohën e komunizmit, u shndërruan në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit dhe përkarshi shtëpia e Lakove (shndërruar më vonë në hotel); pak më sipër shtëpia impozante e Xexove dhe vila e Tezhave, për të vazhduar me ëmbëltoren e Koci Bezhanit, e njohur në gjithë qytetin; përkrah saj shtëpia karakteristike e ish-kryetarit të parë të Bashkisë, Vasil Avramit, që ne fëmijët e thërrisnim “Konsulli”; në krahun tjetër lulishtja e Themistokli Gërmenjit me monumentin e tij punuar me mjeshtëri dhe dashuri nga Odise Paskali, paguar me kontributin e vetë qytetarëve korçarë dhe brenda atij kompleksi “Bibloteka”, dhuratë për qytetin prej filantropit Thoma Turtulli. Pak më sipër, në të majtë, kafeneja e “Splendit”, shoqëruar nga ndërtesa historike e Kishës së Vllehëve (Shën Sotiri), e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 1931-shit dhe për karshi shtëpia e Zadove.
Këtu bulevardi zgjerohej në formën e një sheshi me kinema Majestik-un, ku Raqi Mano i sillte qytetit filmat europianë më në zë të kohës, me Liceun francez, një godinë guri e ndërtuar posaçërisht për shkollë dhe në krye shtëpia karakteristike e Emanoilëve. Këtu bulevardi degëzohej: rruga në të majtë të çonte tek sheshi i madh i Mitropolisë, kurse degëzimi në të djathtë tek Sheshi i Luftëtarit Kombëtar.
Edhe kjo pjesë bulevardi 300-400 metra e gjatë, që ne femijët e quanim “Tuneli” për shkak të pemëve dekorative të trotuarit që kryqëzoheshin në lartësi, i jepte një pamje mbresëlënse xhiros karakteristike që banorët e qytetit bënin aty çdo mbrëmje, dimër e verë. Aty gjendeshin shtëpitë korçare të Nukëve, Shqaut, Evangjelit, Zikos, Angjeliut, Kotokos etj.
“Tuneli” hapej me një shesh në qendër të të cilit ishte monumenti i Luftëtarit Kombëtar, edhe kjo vepër e skulptorit Odise Paskali; përreth furra e Mavros, “Vapori”, shtëpitë e piktorit Vangjush Mio dhe Mihal Gramenos, shtëpia karakteristike e Rakos (ish-Komiteti i Partisë), dyqani i Bopit, Mësonjëtorja e parë shqipe, shtëpia e Themistokli Gërmenjit, ajo e Tashko Ilos (shtëpia rumune), kinema “Lluksi”, shtëpia impozante e Kosturëve, Hotel “Pallas”, për të përfunduar me Katedralen monumentale të Shën Gjergjit në njërin krah dhe shtëpinë e Flamurit në krahun tjetër. Pas tyre fillonte Pazari, një kompleks historik më vete.
Sa histori, art e kulturë në kaq pak metra! Por dora vrastare, dashakeqe e injorante e xhahilëve vendas shkatërroi shumë nga këto vepra arti të ndërtuara me mund e dashuri nga paraardhësit tanë.
Këto pak rreshta kujtimesh, të shkruara me ngut, morën shkas nga një ngjarje që më la shije shumë të hidhur: Këshilli Bashkiak i qytetit i akordoi arkitektit Peter Wilson titullin e lartë “Qytetar Nderi”, atij që, për mua, vrau dhe po vret përditë kujtesën historike të qytetit tone. Shumë turp!
Marrë nga Kjo është Korça

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.