back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kopshte letrare – nga Vedat Kokona

Gazeta

Vedat Kokona (1913-1998)
Vedat Kokona (1913-1998)

Kopshte letrare

nga Vedat Kokona

Dje, megjithëqë u zgjata mjaft në “refleksin” tim mbi një temë që dëshiroja ta trajtoj me dëshirë prej kaq kohësh, nuk u zbraza dot të gjitha fjalët që më mbushnin zemrën.
Pikërisht ahere kur më duhej të vija emri përposh atij “refleksi” që më erdhi vetvetiu ndjeva një lumë fjalësh që rridhte në shpirtin e etur.
Por s’i lashë të derdheshin ato fjalë. I lashë të grumbulloheshin dhe të mbushnin edhe një kupë tjetër. Një stuhi u ngrit në veten time, kur më vajti mendja te shterpësia letrare, tek kjo temë bisedimi që ka derdhur një kuintal ngjyrë dhe ka mbushur kolona fletoreje. Dhe mbaroja duke thënë se nuk jam aspak i mendimit që letrat tona të ishin shterpe. Edhe sot, pikërisht jam i atij mendimi dhe besoj se nuk gabohem.
Dikush do të më thotë ahere me një buzëqeshje ironike: -Nuk ka shtetësi letrare!!! Po duhet të jetë i verbër dhe i paditur njeriu që mos të vërej zbrazëtirën ku kanë rënë letrat tona. Ku i ke romanet? Ku i ke novelat? Ku i ke studimet kritike? Ku i ke vjershat?
Edhe sado arsyetime të tjera të shtonte, mua, prapëseprapë nuk do të më mbushej aspak mendja. Do të qëndroja i patundur në mendimin tim dhe nuk do t’ia vija re fjalët e tij.
Është e vërtetë, është një gjë e pamohueshme, se letrat shqiptare janë shumë të varfra dhe sidomos ishin shumë të varfra para disa vjetëve.
Poetët e ahershëm, të cilëve u kumbonin në shpirtrat e zhuritur për lirinë e atdheut hinnet e një ëndërre vegimtare, këndonin ashtu si dinin, të tërhequr nga një frymëzim i zjarrtë që buronte nga dashuria e atdheut.
Ishin këngëtarët e gjakut që derdhej për lirinë e Shqipërisë, të malit ku oshëtinin kushtimin plumbat e heronjve, të fushave të betejës ku shtriheshin shqiponja.
A ishin me të vërtetë poetë? Dikush, ka disa kohë, u ngrit në shtyllat e një gazete që botohet atje përtej oqeanit, duke thirrur e duke mos lënë gjë pa thënë për Naimin. Naimi ishte për të vargëtari i tatatave. Gjuha e tij ishte si ajo e lypësave malëshovitë “një gjuhë e shqepur dhe zvarranike”.
Për mua Naimi është poet dhe poet i vërtetë, se ka kënduar atë që ka ndjerë. Ç’është poezia më tepër se një ndjenjë e thellë që jeton në thellësitë e një zemre dhe që dridhet në telat e lirës të një poeti?
.
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)
Por mos të zgjatemi edhe më tepër mbi këtë pikë, që do shumë kohë për t’u ndriçuar. Le të vijnë në temën tonë.
E kishim fjalën te poetët e dikurshëm. Kish plot nga këta që këndonin flamurin, atdheun, lirinë, pushkën etjerë. Me shumë pak përjashtime, këta ishin vetëm deri sa kënga u vlonte në zemër nuk kumbonte në ajër, sepse ahere, ajo simfoni madhështore që buçiste përbrenda ndryshohej, kur dilte jashtë, në një kakofoni të mërzitshme. Nota të dobëta nuk e kompozonim dot simfoninë. Por ata shkruanin vargje ashtu si dinin, e njeriu kur e ndien zemrën të mbushur me një harmoni qiellore, kërkon që të shprehet ashtu si të mundë.
Kur aguan rrezet e ëmbla dhe të praruara të lirisë, këngët heshtën. Ahere dolën andej-këndej shkrimtarë që mbinin vetvetiu si ato lulet e fushave, që çelin në gjirin e fshehtësisë. Këto lule nuk mbinin në një kopsht të vogël dhe të përgatitur me kujdes, por atje ku të mundnin.
Kjo mënyrë mbjelljeje lulesh letrare vazhdon sot e gjithë ditën, por vetëm duhet thënë se ata që e hedhin farën, nuk e hedhin si t’ju vijë, por e përgatisin, e mbajnë në një klimë të ngrohtë, kujdesohen për të. Një ndryshim të madh vëmë re në mbjelljen e kësaj fare. Por ende nuk është bërë ajo që duhet bërë. Na mungon një kopsht i përgatitur, që të na grumbullojë, që të na bëjë të çelim në një atmosferë të përbashkët.
Letrat shqiptare janë pasuruar mjaft këto kohët e fundit. Përpara Koliqit, novela pothuajse nuk ekzistonte në Shqipëri. Shumë ishin ata që nuk dinin se novela e punuar mirë është një episod i vogël i një jete. Koliqi i vërejti këto episode dhe na dha një pasqyrë të vogël të jetës shqiptare. Por duhen edhe pasqyra të tjera që të drejtohen nga këto.
Lasgushi u ngrit dhe këndoi në lirën e dashurisë vashën sygjumashe dhe belkëputur tek shkon në krua për të mbushur ujë.
Haxhiademi na i dha të parat tragjedi shqipe te punuara me kujdes. Kjo gjë duhej t’u mësonte atyre që nxijnë letër natë e ditë se si duhen shkruar tragjeditë.
Në kopshtin letrar të “Përpjekjes Shqiptare” “Lekës” dhe të tjera revistave, çelin lule të reja në dritën e një agim.
Çelin e do të çelin, megjithëqë s’kujdeset njeri për ta. Se fara është hedhur dhe do të mbijë.
Qoftë edhe vetvetiu.
.
Botuar në gazetën “Drita” 22 janar 1939
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.