
Kontributi i Austro-Hungarisë në Pavarësinë e Shqipërisë dhe për Shkodrën;
Kontributi i Republikës Austriake
nga Zejnepe Dibra
Këtë postim e bëj për t’i treguar publikut e sidomos të rinjve shqiptarë dhe veçanarisht atyre shkodranë për mirënjohjen që duhet të kenë për ata që e ndihmuan Shkodrën si qytet të qëndronte mbrenda kufijve shtetnorë të Shqipërisë së sotme si dhe për shumë reforma të rëndësishme që ata ndërmorën përgjat viteve 1916-1918, po edhe më herët, edhe deri në ditet e sotme. Për të qenë të vërtetë Perandoria Austro-hungareze e pushtoi Shkodrën në vitin 1916, duke ndenjur për afro dy vite, por ajo gjatë këtyre viteve e reformoi këtë qytet e sidomos administratën, bëri ndërtime të rëndësishme në infrastrukturën ndërtimore dhe rrugore dhe i la intelektualët e lirë në zgjedhjet e tyre.
Ka patur edhe disa raprezalje ndaj popullsisë në disa momente që nuk duhen përkrahur për të cilat kanë hasur në kundërshtimin e shumë patriotëve por karshi mbrojtjes që i bëri Shkodrës për të qenë mbrenda kufijve shtetëror të Shqipnisë, ato do të jenë shumë më të vogla se sa vepra e tyre e madhe.
Kam dy mbesa në Grac të Austrisë, që studiojnë njëra për informatikë dhe tjera për mjekësi. I kam porositë duke ju dhënë edhe literaturë për të ditur dhe për pasë mirënjohje ndaj Austrisë. Mbesës së vogël, Edonës, që studion për mjekësi i kam thënë që ti je duke studiuar në një qytet ku mori diplomë një nga mjekët më të shquar shkodranë dhe shqiptarë, Dr. Frederik Shiroka dhe duhet ta mbash lart emrin dhe veprën e tij që ky qytet ia krijoi kushtet për të qenë i tillë… Zejnepe Dibra

Austro-Hungaria nuk ka pasur asnjë lloj interesi aneksues në Shqipëri, por interesi i saj ka qenë vetëm gjeo-strategjik. Ajo kishte interes të ngrinte një shtet shqiptar për arsye se donte t’i vinte një fre shtrirjes së sllavëve në brigjet e Adriatikut pasi pas tyre qëndronte Rusia. Austro-Hungaria përgatiti për tridhjet vjet Pavarësinë e Shqipërisë me një bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha, me të cilët nënshkroi disa marrëveshje për këtë çështje si dhe me faktorin vendas në Shqipëri. Austria bëri një përpjekje të madhe për krijimin e shtetit shqiptar në drejtim të rritjes së ndërgjegjës kombëtare, zgjimit kombëtar dhe bashkimit të popullit shqiptar. Këtë strategji ajo filloi ta vëjë në zbatim nëpërmjet hapjes së shkollave ku mësimet të jepeshin në gjuhën shqipe. Ajo ngriti çështjen e një alfabeti të unifikuar shqiptar për dy dialektet, duke subvencionuar botimin e teksteve shkollore. Kështu ajo luan një rol kyç në Kongresin e Manastirit të v. 1908. Kontribuoi në arsimimin e shumë të rinjve në universitete austriake duke iu akorduar atyre bursa. Për të rritur shkallën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe për të ngritur krenarinë kombëtare do të vërë bazat e shkencës Albanalogjike nëpërmjet studimeve albanalogjike të Franc Baron Nopçës, Norbert Jokl, Teodor Ippen, Gustav Majer të cilët jo vetëm themeluan shkencën e albanalogjisë që do të ishte bazë për studimet e mevonshme të abanologëve shqiptarë, por ato ngritën edhe Institute në Sarajevë, Budapest dhe Vjenë.
Konsulli dhe studiuesi Johan Georg von Hanh (1811-1869) me veprën “Studime shqiptare”, mbahet edhe sot si babai i albanalogjisë shqiptare. Theodhor Ippen, (1861-1935), diplomat austriak dhe albanolog, njohës i mirë i çështjes shqiptare, më 1912, skicoi një hartë etnografike të trevave shqiptare nën Perandorinë Otomane. Këtë hartë do ta përdorte më vonë delegacioni austro-hungarez në Konferencën e Ambasadorëve lidhur me vendimin për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. Alfred Rappaport Ritter von Arbengau (1868-1946), ekspert i çështjeve shqiptare që mblodhi shumë lëndë folklorike nga Veriu i Shqipërisë. Konsulli austriak Lipih fon Lindburg (Lipich von Linburg), i cili punoi për 24 vjet në Prizren e në Shkodër dhe që qysh në vitin 1877 dhe që kishte rekomanduar përkrahjen e shqiptarëve kundër lakmisë së fqinjëve për zgjerim territorial në kurriz të Shqipërisë, në një memorandum shënoi edhe kufirin gjuhësor midis shqiptarëve dhe sllavëve.

Në konkurrencë për ndikim në popullatën vendore me italianët të cilët hapnin shkolla laike, Austria e intensifikoi hapjen e shkollave. Sipas evidencës nga diplomatët austriakë, në Shqipërinë e pavarur numëroheshin 26 shkolla të kategorive të ndryshme. Qeveria e Austro-Hungarisë, politikën arsimore ndaj Shqipërisë e zbatoj edhe në dhënien e bursave për studime të rinjve në qendrat e ndryshme të perandorisë duke përfshirë këtu Vjenën, Gracin e qendra tjera. Studentet që u dërguan për studime në Austri mes viteve 1880-1890 dhe vitet 1900-1905 në drejtimet teologji si dhe shkollat publike, mund të permenden Pjetër Gjura, Lazer Mjeda, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi, Mathe Prenushi, Luigj Bumçi, mësuesit që shkëlqyen: Hilë Mosi, Kol Kodheli, Ndue Paluca, Kolë Margjini e disa të tjerë. Por edhe në mjekësi, inxhinieri, agronomi etj., janë shumë studentë që u diplomuan në Austri.
Shtypi shqiptar, që botohej në botë por edhe në Shqipëri kishte financim austriak., si revista “Albania, “Besa shqiptare”, gazeta “Populli”, “Posta e Shqipërisë”, “Atdheu”, por edhe vepra të autorëve shqiptarë janë financuar nga Austria. Në vitet e para të fillim shek. XX, do lindin shoqatat: “Liria” e cila më vonë u quajt “Dija”, “Djalëria Shqiptare”, e cila më vonë u quajt “Albania”. Nga këto shoqata u botuan krijime letrare, revista, gazeta, tekste shkollore etj. Ndër më të njohurat revista , “Djalëria” dhe gazetat , “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva”, “Albanische Corespondenze”, “Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”. Në to u botuan shkrimet e tyre studentët shqiptarë që studionin në Universitetet e Austrisë të cilët tani njihen si figura me peshë në historinë tonë kombëtare, ku spikasin shkodranët: Hil Mosi, Kolë Rrota, Nush Bushati, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Kolaj, Rrok Stani, Teofik Bekteshi, Gjon Temali, Ndoc Naraçi, Kolë Kodheli, Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec Çurçia, Ndoc Krajni, etj.
Krahas kësaj pune për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, Austria fillon përgatitjet për të shtruar terrenin në qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, Turqisë dhe vendeve ballkanike fqinje për një autonomi të Shqipërisë. Austria ishte për ruajtjen e status quo-së osmane që të ruante trojet shqiptare që lakmoheshin nga vendet fqinjë. Ajo e çoi situatën në prag të një lufte botërore disa herë për çështjen shqiptare siç ishte çështja e portit serb në Adriatik ku ajo mobilizoi ushtrinë dhe e vendosi në kufi me Serbinë dhe Rusinë. Po kështu gjatë diskutimeve në Konferencën e Ambasadorëve ajo e mbajti ushtrinë të mobilizuar dhe nuk pranoi ta çmobilizonte derisa të merrnin fund të gjitha çështjet që kishin të bënin me Shqipërinë. Problematike ishte çështja e Shkodrës ku Austro-Hungaria iu desh të shpallte mobilizim për luftë ndaj Malit të Zi, që e detyroj atë të braktisë Shkodrën. Në tetorin e 1913, Austro-Hungaria i dërgoi ultimatum me afat tetëditor Serbisë për t’u larguar nga territoret veriore, një pretekst ky, i hapur për luftë botërore. Në fakt ultimatumi i dytë, pas disa muajsh u bë pretekst i kësaj lufte. Austria kërkonte të përfshinte në territorin shqiptar pjesën nga Sanxhaku i Novi Pazarit deri në gjirin e Selanikut. Lufta e saj e madhe diplomatike, që në kufinjtë shqiptar të përfshiheshin Gjakova, Peja, Prizreni, nuk arriti të bindte Fuqitë e Mëdha. Por, kur filloj të diskutohej edhe Shkodra nëse do të jetë ose jo brenda kufijëve të Shqipërisë, ajo u detyrua t’i lërë të gjitha për këtë qytet strategjik, që ajo do ta quante, si kryeqendrën e Shqipërisë. Kontributi i Austro-hungarisë në Konferencën e Ambasadorëve do të ishte vendimtar për moshkëputjen e Shkodrës nga trualli amë. Një rol të jashtëzakonshëm do të luante në këtë maratonë diplomatike ministri i jashtëm austro-hungarez Leopold Berchtold, i cili u bë përfaqësuesi më dinjitoz i mbrojtjes së vendimit për një Shqipëri të pavarur. Ai do të ishte protagonisti i diskutimeve, planeve, peticioneve duke luftuar kundër qëllimet shoviniste të Serbisë, Malit të zi, Rusisë, Francës dhe qëndrimet e dyshimta të Anglisë, dhe herë herë Italisë që do të arrinte ta bënte për vehte në qëndrimin për një Shqipëri autonome dhe të pavarur. Shprehja e tij se do ta hiqte mënjan pistoleten e vet vetëm kur të zgjidheshin të gjitha çështjet mbi Shqipërinë” e bëri atë të vendosur në qëndrimin se do të shpërthente edhe luftën europiane por kurrë nuk do pranonte që Mali i Zi ta merrte atë. Berchtold do të shprehej “Nëse Shkodra nuk do të përfshihej në Shqipëri, Shqipëria do të humbë fiset shqiptare që lidhen me Shkodrën. Këto fise do të absorboheshin pa dëshirën e tyre nga Mal i Zi”. Çështja e Shkodrës për te dhe Austrinë ishte çështje nderi.
Vetëm nga insistimi i Austrisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, fuqitë e mëdha në mars të 1913, do të merrnin vendimin fatlum për Shkodrën që Mali i Zi të tërhiqej nga Shkodra me ushtritë e tij. Një ngjarje që lidh historinë e Austrisë me Shkodren është edhe vizita që një delegacion shqiptar, bën në Vjenë më 17 prill 1917, për t’i uruar hypjen në fron Perandorit 29 vjeçar Karlit I, pas vdekjes së Franc Ferdinandit, për atë se çfarë bëri Austria për Shqipërinë.

Në përbërjen e delegacionit shqiptar prej 34 vetesh ishin shumë personalitete shqiptare. Shkodra përfaqësohej nga Musa Efendi Juka – Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Kolë Ujka – tregtar (ka zëvendësuar Gjon Çobën, i cili për arsye shëndetsore ka lajmëruar mosmarrjen pjesë në grup), Hasan Efendi Bekteshi – tregtar, Vat Marashi – Bajraktar i Shkrelit, Gjelosh Gjoka – Vojvoda i Kastratit, Abdi Kola – Bajraktari i Shoshit, Hasan Ahmeti – Vojvoda i Postribës. Delegacioni shoqërohej nga Gjergj Pekmezi dhe Nikollë Rrota (vëllai i Justin, Simon dhe Gjon Rrotës,) që jetonin e punonin në Vjenë. Delegacionit i është rezervuar një pritje dinjitoze nga shumë personalitete vjeneze.
Në Shkodër ka patur disa familje austriake që kanë jetuar dhe kanë krijuar familje duke dhënë kontribut në zhvillimin e këtij qyteti, si familja e Francesco Gargjolajve, Siegfrid Shvarc, Stephan Ingrisch, vajzat austriake Maria Schebernick, Ludmilla Jovan, Tereza Nowak (e martuar me Mark Shantojen, shih). Gjatë viteve 1944-1990 marrëdhëniet me Republiken Austriake janë ndërprerë. Mbas viteve ‘90, këto marrëdhënie kanë rifilluar në drejtim të një ndihme të madhe që ka dhënë Republika Austriake për Shqipërinë në përgjithësi dhe në veçanti për Shkodrën. Shqipëria u konsiderua vend prioritar në kuadrin e bashkëpunimit të Kancelerisë Federale Austriake në Europën Qëndrore dhe Lindore. U dhanë ndihma emergjente dhe u financuan shumë projekte. Në Shkodër u zbatua projekti për riabilitimin dhe furnizimin me ujë të pishëm dhe kanalizimin e ujërave të qytetit dhe disa fshatrave; riabilitim i hidrocentraleve mbi lumin “Drin”. Universiteti i Shkodrës krijoi lidhje me Universitetin e Gracit, ku u shkëmbyen eksperienca, me anë të vizitave dhe takimeve reciproke si dhe mjaft konferenca dhe aktivitete promovuese. Shumë studentëve iu dhanë bursa favorizuese. Në Shkodër u krijua Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Austri me kryetar Mahir Hotin; u hap konsullata austriake me konsull nderi Gjergj Leqejza; u hap shkolla austriake “Peter Mahringer“, u ndërtua “Hidrocentrali i Ashtës” nga kompanitë austriake ENV dhe Verbund, u hap dega e bankës Raiffeisen International Holding SHPK (2004). Disa personalitete nga Austria, si Franc Winsauer, Marianne Graf dhanë ndihma me projekte për ndërtimin e shkollave, qëndrave shëndetësore etj. Në v. 1999, Qeveria Austriake, ngriti në Shkodër kampingun për të pritur dhe akomoduar 3600 kosovarë të larguar nga gjenocidi serb.

Shkodra e ka vlerësuar gjithmonë ndihmën austriake. Gjergj Denelli më 2005, ka shkruar librin “Marrëdhëniet tradicionale të Shkodrës me Austrinë 1845-1944”, Shkodër, 2005, ku evidenton të kaluarën historike të marrëdhënive me Austro-hungarinë dhe atë të ditëve të sotme me Republikën Austriake. Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar nderi i Shkodrës”, Dr. Kurt Spellinger, ambasadori i parë austriak në Tiranë, ministres së arsimit Elisabeth Gehrer, ambasadorit austriak në Tiranë Z. Amo Riedel; Marianne Graf i është dhënë nga Universiteti i Shkodrës titulli “Doctor Honoris Causa”. Në v. 2014 në territorin e Bashkisë së Shkodrës është ngritur busti i ministrit të jashtëm të Perandorisë Austro-hungareze Leopold Berchtold i cili bëri përpjekje të jashtëzakonshme që Shkodra të mos shkëputej nga trungu shqiptar. Busti është punuar nga skulptori Skënder Kraja.
9 korrik 2025