back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

Gazeta

Lazër Radi me nji miken e tij gazetare - Romë 1941
Lazër Radi me nji miken e tij gazetare – Romë 1941

 Nji prej historive ma të bukura studentore,
të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik:
“Vorbulla t’jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij karakteristik,
me shpirtin e vëzhgimit të hollë dhe aftesinë e tija
për të qenë gjithnji i kandshëm në shoqnina të çfardo rangu t’ishin ato!
Historitë ee tij të jetës studentore nuk lexohen, ato përpihen,
aq magji e sinqeritet ka mbrenda tyne,
e ku çdonjena mund t’ishte konceptue edhe si roman!
jozef radi, 3 prill 2022

Lazer Radi 1942
Lazer Radi 1942

Kontesha Bengazina

nga Lazër Radi

Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

***
Besoj se asht me interes me e kallzue nё kёto shёnime pafund tё kësaj pjese tё jetёs sime edhe njoftjen me at grue tё bukur, tё çuditshme, ambicioze, kapriçoze e tё fuqishme: Konteshën Bengazina.
Ajo i pёrkiste asaj kategorie njerzish, tё cilёve fati u asht shkrue nё ballё, mandej cilёsitё i përsos secili prej nesh.
Kontesha Bengazina ishte prej atyne grave qё janё tё binduna nё vetvedi për magjinë e bukurisё, tё forcёs, për forcën e fjalёs e tё sharmit të tyne, për shpirtin determinues. Lajkat qё u vijnë nga katёr anёt, i bàjnë tё pandjeshme ndaj meshkujve nё pёrgjithёsi, dhe i shpёrblejnë me shpёrfillje; kurse komplimenteve tё tyne pa doganё u pёrgjigjen me ndonji dromcё buzqeshjeje. Tё gjithё burrat: tё pashёm a tё shёmtuet, tё mençёm a torollakё, tё pasun a tё vorfёn, intelektualё a parveny, pa pёrjashtim ajo i fuste nё nji thes, dhe dukej sikur pёr tё gjithё kishte nji qёndrim tё vetёm: shpёrfilljen krenare.
Ka gra, qё me kёsi qёndrimesh bahen qesharake o tё urrejtshme, po kjo s’ndodhte me Bengazinën, jo qё s’humbte asgja nga bukuria e saj turbulluese, po i shtohej edhe ma shumё sharmi, bahej ma simpatike e i tёrhiqte ma shumё meshkujt. Gjithё mospёrfilljen, refuzimin dhe hendekun me burrat e pёrcillte me nji buzagaz ironie qё kurrё s’ua shuente shpresёn ndёr shpirtna. Tё gjithёve u dukej sikur u thoshte: “Sot s’jam fort nё terezi, ndoshta nji herё tjetёr ka me qenё e mundun!” Dhe… cilido burrё largohej i kёnaqun e me shpresё… edhe pse ishte shёndrrue nё nji gurё nё trastё…
Kёt pёrshkrim tё saj, ma bani Karloja, nji sipёrmarrёs i madh ndёrtimesh dhe shtoi:
-Kam tri vjet qё i sillem e i pёrsillem e asgja s’asht e mundun me nxjerrë prej saj. Dy herё kam udhëtue me tё Romё-Sanremo në veturё time, dhe nji herё në tё sajёn, herёn e dytё, ka fjetё nё shpinё time nё Sanremo e jo qё s’e kam puthё, po as kam guxue me prekё me gisht dore. Pra, asht karakter i vёshtirё dhe pikё. Dy vila m’i ka ble nё Sanremo. Ia kam dhanё me shumё leverdi, gjithnji duke shpresue se do t’m’i shpёrblente diqysh. Po asgja! Tash, shpresat i kam veç te ti, jo pёr vedi, po s’paku me ma marrё hakun. Ti e di qё jam korsikan, qё dreqi e marrtё.
Ma tha at fjali, pse e dinte qё unё e njifja mirё at ishull, ku asht shumё i fuqishёm zakoni i hakmarrjes.
Me e plotsue bisedёn, i kallzova se edhe nё Shqipni nji zakon i tillё asht mjaft i pёrhapun, bile n’nji krahinё tё saj, qё quhej Mirditё, ky zakon asht aq i pёrhapun, sa asht vёrtetue se pёrqindja ma e madhe e atyne qё vdesin nё Shqipni nga hakmarrja, janё bash prej asaj zone.
-Edhe ma mirё at’here. Qenkena t’nji fisi, po jashtë territorit tonё! Unё due prej teje “hakmarrjen”, dhe si shpёrblim ke 400 metra katror terren nё Sanremo!
E gjitha kjo bisedё ishte e ndёrtueme mbi humor, po ideja e atij provokimi mё pёlqente me e vù nё provё, po edhe me dёshtue s’ishte se po humbja ndonji gjà tё madhe!!
Nё kapёrcyell tё vitit 1940-’41, isha nё Romё. Idenё e kthimit nё Shqipni pёr pushime dimnore, e kisha braktisё kaherё.
Festat e fundvitit do t’i kaloja nё shpi, aty pranё radios. Isha krejt vetёm, mbasi e zoja e shpisё kishte shkue nё Gjenovё, te nji aviator, i dashtuni saj. Karloja mё lajmёroi se kishte organizue nji mbramje vallzimi nё shpi tё vet, diku nё qendёr tё Romёs. Me thanё tё drejtёn, disa herё mё kishte ftue, po unё i bishtnoja, jo vij sot e jo vij nesёr… dhe s’kisha shkue asnjiherё.
Kisha bà nё mendje me shkue nё “Veglione della stampa”, qё organizohesh nё Romё pёr çdo Vit tё Ri, e ku merrnin pjesё gjithё korrespondetёt e jashtёm tё akredituem nё kryeqytetin italian. “Veglione della stampa”, (Natёgdhimja e Shtypit), organizohej nё njenin prej hoteleve ma fuoriclass tё Romёs, dhe ishte diçka madhёshtore. Gjeje aty krejt elitёn e shtypit, diplomacisё dhe aristokracisё romane. Nji biletё hymjeje edhe mund ta gjeja pse kisha librezёn e korrespondentit tё shtypit shqiptar, po mbas pushtimit tё Shqipnisё sikur i kishte rà vlera e korrespondentit tё jashtёm.
Po s’ishte vetёm ajo. Me shkue n’at mbramje tё famshme duhej nji veshje e posaçme si fraku o sёpaku redingota. Veç kёsaj, çdo konsum aty ishte aq i shtrenjtё sa unё me aq pare sa harxhohesh nji natё, jetoja rehatshёm tre muej si student midis Rome. Kёshtu qё s’e lakmova fort at zgjidhje, dhe vendosa me e kalue nё shpi. Aty mundesha me ftue shokё e shoqe… po s’kisha vendosё asgja dhe isha si tё thuesh, pezull.
Mbasditen e natёs sё Vitit tё Ri. Karlo mё telefonon dhe mё thotё me shkue urgjent nё shpi tё tij. Bante nji i ftohtё i thatё qё ta kёpuste hundёn edhe pse jashtё mbasditja ishte e bukur e plot diell. Ta shifje kohёn prej dritares tё bahej me fluturue nё rrugё pa pallto e pa kapele. Po tё dilje nё rrugё, thoje: po ç’dreqin pata qё ia bana kёt sherr vedit! Dhe vёrtet, kur dola nё rrugё, ishte nji i ftoftё si teh brisku qё me ngjeshej pёr ftyrë e tё fuste drithmёn. Edhe pse i veshun kokorosh e si pёr dimёn tё egёr, nji shpulle ere e mora.
Derёn ma hapi Karloja qё e dinte se do tё shkoja. Me bisedue ma lirshёm, mё futi nё dhomёn e tij tё gjumit. Doemos qё e gjithё biseda u vёrtit rreth Bengazinёs. Dukej se e kishte problem aq tё randsishёm sa çdo gjà tjetёr kalonte e dorёs sё dytё e tё tretё. Bengazina ia kishte dhanё fjalёn se do tё vinte, po veç pёr pak kohë para mesnate, sa me e pёrshёndetё Karlon dhe mysafirёt e tij. Pra, punё nji ore. N’at orё unё duhej t’isha me doemos aty, mandej mund tё shkoja ku tё doja. Ishin dy gjana: e para, kaq e urrente Karloja Bengazinёn sa dukej sikur as dheu s’e treste, po mos t’ia gjente at mёnyrёn “m’u hakmarrё” ndaj sajё; e dyta, ishte krejt i sigurt se veç unё mund tё baja pёr vedi at lloj femne qё i sillte “nё bisht tё lahutёs” krejt idhtarёt e saj: e pra ishin gjithё njerёz tё sjellshёm, tё kulturuem, tё pasun, tё pashёm, oratorё e tё marifetshёm.
Ndёrkohё unё para tyne s’isha kёrkushi!
“Po mё ngarkonte nji detyrё tё vёshtirё, ku mund tё dёshtoja pa u nisё!” Po e provoj! – thashё me vedi – Nuk asht se po humbas gjà! Humbjen e kam nё xhep, po tё fitoj ndonji gjà qar e kam!
Ndejta vetёm nё shpi deri nё dhjetё tё mbramjes. Meqё s’ishim fort larg me banesa, vendosa me e bà rrugёn nё kambё. Moti edhe pse shumё i ftohtё, natёn e kishte ba shumё tё bukur. Nji qiell kristalin plot yje, me nji hanё tё re qё e kishte qitё vetullёn e saj lodruese n’at terr tё paqёm ku veç i ftofti ta nёpёrmendte se ishe midis dimnit.
Kur hyna nё shpinё e Karlos, nji orkestёr katёr vetёsh i binte nji tangoje argjentinase, e tri çifte vallzonin nё sallonin e madh qё me at rast ishte zbukurue e zgjanue duke hapё vetratat midis dhomave e sallonit. Pёrpara mё doli Karloja, i gёzuem dhe m’i paraqiti nji pёr nji mysafirёt qё ishin n’kambё. Tё gjithё, kush ma i vogёl e kush ma i madh, kishin tituj e shkallё fisnike. N’at mjedis blazonesh, i vetёm plebean isha unё. Simbas Karlos, nё garё me krejt shkёlqimin e tyne do tё konkuroja edhe unё! E pёrshkuem krejt sallonin dhe mbrrita te bufeja qё ishte aq e pasun. Me e mundё sado pak tё ftoftin qё kisha marrё rrugёs dhe drojen e emocioneve, porosita nji “xhin”, me mendimin se pak a shumё afronte me rakinё tonё, e ndoshta ndihmonte në efektin qё dёshiroja: m’u naltue shpirtnisht.
“Xhin-i” qe vёrtet i fortё dhe rёkllima e kupёs me fund mё shkundi mjaft. Karloja m’u afrue krejt afёr veshit e mё tha:
-Kontesha ende s’ka ardhё, po nga çasti nё çast pritet tё jetё kёtu!
-E ç’mё duhet mue kjo punё?
-Siiii?! A nuk biseduem bashkё pёr kёt çeshtje.
-Po biseduem! Po s’e kam ndёrmend me u turpnue kёtu mes aristokracisё sё qytetit. Nёse natyrshёm ndodh diçka, mirё, pёrndryshe le tё festojmё tё tanё sёbashku!
Karloja u prè, dhe më pà me vemendje, nëse e kisha seriozisht, a tallesha! – ndёrkohё qё njeni prej organizues-ve lajmёroi nga porta se:
“Kontesha Bengazina Rossi – Passavvanti” – ju nderon me praninë e saj!
M’u duk sikur m’u mor fryma, e pёr pak çaste s’isha as nё qiell e as nё tokё. Zemra mё mori nji revan e mё dukej sikur tё gjithё m’i ndigjonin rrafjet e saj… bile edhe ajo vajza me kryet lidhun me turbante tё bardhё, qё shёrbente te banaku i barit.

Dedikim prej nji artisteje të kohës - Si nё pёrrallё... para meje u shfaq Sheherazadja
Dedikim prej nji artisteje të kohës – Si nё pёrrallё… para meje u shfaq Sheherazadja


Me nji peliçe ma të bardhё se bora mbulonte trupin. Nji fustan i bardhё, i gjanё e i gjatё deri nё fund tё kambёve ndiqte nga mbas hapat e saj. Kapelja e bardhё prej peliçeje ia mbulonte kryet duke ia lanё flokёt e zes t’i derdheshin sa para, mbi supe e mbas shpine. A mё verboi si tё verbon drita e diellit kur ia ngul sytё, po at çast besova se s’kisha pà gjà ma tё bukur nё botё se ajo. Veç aty m’u bà e qartё pse ishin kapriçot e saj, edhe pse gjithë ai adhurim i idhtarёve tё saj… kёshtu, edhe unё u vuna nё rresht mbas tyne. Veçse si gjithnji nё kёsi rastesh: i arsyeshёm. Kur s’mund tё mbrrija, tёrhiqesha me kujdes e me kohё tё mirё e pa m’zanё shiu… e s’ia thoja as vedit e as botёs fabulёn e dhelpnёs me rrushin!
Posa u shfaq ajo at mbramje, në vend u ndёrpre vallzimi… Si nji magnet i fortё që tёrheq me vrull nji grup gjilpanash edhe ata djem e vajza u turrёn drejt saj. Kush e njifte u pёrshёndet me pёrzemёrsi, tё tjerёt u prezantuen ma ftoftë njeni mbas tjetrit, me buzqeshje kortezie. Salla u pёrfshi e gjitha nga gjallnia. Karloja, si i zoti i shpisё, printe pёrpara dhe e shoqnonte duke e mbajtё pёrdore e duke i ra tej e mbanё sallonit. Unё vazhdova te banaku i barit duke pi gotёn e dytё tё “Xhin-it”, sikur s’e kisha fort mendjen se çfarё bahej n’at mbramje mbas Bengazinёs. Ma nё fund, Karloja e afroi edhe te unё. N’at çast i dhashё fund gotёs sё “Xhin-it” dhe po i thoja baristes, t’mё mbushte gotёn e tretё. Karloja mё ftoi me mё prezantue me Konteshёn. Pa e ça fort kryet, mora gotёn e “xhin-it” dhe e vendosa para vedit, kur shof pёrballё Karlon me Konteshёn:
-Mё falni! – ju thashё.
-Konteshё, mos ia ven re, djaloshi asht student i drejtësisë nga orienti, ju paraqes zotin Radi!
Ajo ma zgjati dorёn, nё pozicionin qё t’ia puthja… Me majat e gishtave, pa i thanё asnji fjalё, ia vёrtita pak dorёn nё krahun tjetёr, e kqyra ngultas pёr nji çast, mandej ia lshova me kujdes. Nuk tha asgjà. Vazhduen ecjen nё krahun tjetёr tё sallonit. Karloja mё bani disa shenjë me kokё e me sy sikur donte me m’thanё:
“Po si mor gomar, s’mujte me i ba nji kompliment, o tё paktёn t’ia kishe puthё dorёn. U tregove i pagdhendun, njashtu siç je nё fakt!”.
S’ia vuna fort veshin gjesteve tё tij po vazhdova me gotёn e tretё tё “Xhinit” pa luejtё vendit.
Orkestra nisi me valserin “Valёt e Danubit”, dhe çiftet filluen menjiherё me vallzue. Nji nga djemtё ma tё pashёm, ndoshta ai qё ishte i shoqnuem me nanёn e vet, e mori Bengazinёn dhe po vallzonte me tё. E ndёrsa unё e ndiqja me nji shikim tinzar, ajo vjedhtas herё mbas here, shifte kah unё. Gjatё vёrtitjeve rrotulluese, kur m’u afrue krejt afёr, mbrrita me i thanё:
-Madam, vallzimin tjetёr a mund ta ndajmё bashkё?
-Patjetёr! – mё tha serioze me ata sytё shkёndijё qё s’ishte nevoja me t’pa ngultas, mjaft me t’i lshue do shigjeta.
Mbas nji pushimi tё shkurtё, me kёrkesё time indirekte, orkestra filloi nji tango. Bengazina u çue prej vendit ku ishte dhe mё doli pёrpara. Filluem me vallzue. Pyetjes se nga isha, meqë Karloja kishte thanë nga Orienti, si nёpёr dhambё i thashё “Jam libanez!”. I pёlqeu mёnyra e ime e kёrcimit, e ndёrsa i mbaja dorёn ia kqyra nji çast sërish pllambёn. Nga enciklopedia “Bompiani”, kisha mёsue pёrmendёsh leximin e pllambёs sё dorёs dhe gishtave. I thashё disa gjana qё asaj i rezultuen tё vёrteta, po qё unё i kisha mёsue prej Karlos. Kontesha u çmend dhe u bind se unё isha o falltar o magjistar, ndaj kambnguli me dijtё ma tepёr – kurse unё asnji fjalё ma tepёr s’i thashё. Si mbaroi muzika e çova nё vendin e saj ku ishte edhe Karloja.
-Tjetrёn mbas kёsaj, do ta kёrcejmё prap bashkë, – mё tha duke u ulё nё poltronёn krah Karlos.
-Patjetёr zonjё!
E ulun, diçka po i thoshte Karlos. Papritmas pashё se nisi nji mosmarrveshje mes tyne. Bengazina ngulte kambё se isha libanez, kurse Karloja i thoshte se isha albanez, pra shqiptar. Karloja s’e dinte ç’i kisha thanё unё, dhe me e vёrtetue, u çuen tё dy dhe erdhёn e m’pyetёn.
-Karloja ka tё drejtё, unё ju kam thanё “jam albanez”. Ndoshta zhurma e orkestrёs, ndoshta s’e keni pasё mendjen te fjalёt e mia, e keni ndigjue si libanez…
Bengazina ndejti te banaku dhe porositi nji pije tё ambёl, ndёrsa Karloja mё shifte me habi. Filluem sёrish me vallzue. Pak duke trillue e pak duke i rrёfye ndonji pjesё nga “Pёrrallat e Njimijё e nji netёve”, e mbusha gjithё kohёn e vallzimit me gjanà të kandshme. Mandej ia kqyra pёllambёn e dorёs. Prap i kallzova dy-tri gjana tё vogla po tё vёrteta nga jeta e saj dhe ia lёshova me kujdes dorën sikur doja me i thanё se ka edhe plot tё tjera me tregue, veçse aty s’ishte vend i pёrshtatshёm.
Më kërkoi me ia vazhdue leximin dorёs, kurse unё i thashë:
-Mos kambngulni konteshё, njiherё tjetёr! Apo s’do ketë njiherë tjetër?!
Ajo m’i nguli ata sytë me dritë përthithëse. Ndёrkohё muzika mbaroi. E shoqnova konteshёn afёr barit, rrёklleva gotёn e tretё tё “Xhin-it” dhe shkova te Karloja. U thashё publikisht se më duhet të shkoja diku tjetёr, ku isha i ftuem me kalue mesnatёn e ndrrimviteve.
-Siii, po shkoni kaq shpejt? – pyeti gjithё habi Kontesha.
-Ia kam dhanё fjalёn nji shoku, e s’mundem me dalё nё rrenё.
-Epo mirë, prisni edhe pak, se ju pёrcjell unё me makinё!
-Oh s’asht nevoja, ju falenderoj Konteshё! Kur netёt janё tё bukura edhe pse tё ftofta, mё pёlqen me ecё nё kambё.
-Mrekulli, po dalim dhe ecim bashkё!
E tё dy, sёbashku dhe me Karlon u drejtuem kah dhoma e gardarobёs. Njerzia, posa morёn vesh se Kontesha po largohej u turrёn m’e pёrshёndetё dhe i luteshin me qёndrue edhe pak nё shoqni tё tyne.
U pёrshёndeta, i urova tё gjithё dhe dola nё korridor… Nuk vonoi erdh edhe Kontesha. Para kangjellave tё portёs, e priste nji makinё e zezё, luksoze, shoferi i sё cilёs posa u shfaq Bengazina i hapi me të shpejtë portat e makinёs. Ajo i bani shenjё qё s’ishte nevoja, dhe i tha tё shkonte se kishte dëshirë t’i bante dy hapa nё kambё.
Doemos mё takonte mue me e pёrcjellё.
Mё tha se banonte diku afёr sheshit “Bolonja”, pra jo ma shumё se tre-katёr kilometra ishte larg prej ku ishim.
Kёshtu u vumё sёbashku pёr rrugё në të ftoftin e natës së ndrrimit të motmoteve.
Gozhdё i kishte mbetё, pse s’i kisha kallzue çfarё shifja nё pllambёn tjetër të dorёs. I thashё se ato ma kryesoret ia kisha kallzue tё gjitha tash mbeteshin veç do vogёlsina pa randёsi. Mali i Venerёs, qё asht edhe i dashnisё, tregon se ti ke me u dashurue me nji djalё tё bukur si Apolloni, e si Zeusi me Alkmenen, prej kёsaj dashnie ka me ju lindё nji djalё i zoti si Herakliu.
-Fol, fol… mё kallzo…
-Kam me tё kallzue, se kena kohё, pse besoj se kjo mbramje e parë ka me qenё e fundit mes nesh.
-Pse, e bukur asht kjo mbramje?
-Ke tё drejtё! Edhe e bukura asht relative: simbas synit, simbas shpirtit.
-Mos na fut nё filozofi, tё lutem!
-Ja praktikisht: Shatobriani poet, po edhe shkrimtar i madh romantik, po aq i madh sa edhe Lamartini, thotё se: “Roma, nёn dritёn e hanёs, duket si nji planet i vdekun” – kurse pёr Lamartinin pikёrisht “…kur del me e pà Romёn nё netёt me hanё, tё duket se vetёm nёn at dritё toksorja dhe qiellorja puthen, dhe se amshimi e tregon ma mirё se asgja tjetёr, pavdekёsinё e vet…!
-Ah sa i vёshtirё qenke me u kuptue. – qeshi Kontesha.
-S’asht e vёrtetё! Nёse ju hiqni dorё prej ironisё, mund të kuptohemi lehtёsisht.
Tash rrugёt kryesore i kishim lanё dhe ishim futё nёpёr do rrugica tё errta e tё ngushta, ku kishte pak lёvizje. Dritaret ishin plot drita, dhe dukej se e gjithё Roma ishte në pritje të mesnatёs. Nёn nji dritё neoni kqyra orёn! Kishte mbetë edhe nji grusht minuta prej mesnate, e ai çast i kёputjes sё dy moteve, do t’na kapte nё rrugё, ndërsa ecnim ngadaltё e të harruem ndёr biseda, e na dukej sikur nata dhe bota krejt ishte e jona.
N’ato çaste u shuen dritat dhe befas qielli i Romёs u mbulue nga mija flakёza, ngjyrash e krismash. Nё çdo shpi, njerzia ishin çue nё kambё dhe cakrronin gotat e mbushuna me dollinё e urimit pёr Vitin e Ri…
Ishim midis nji rrugice nё tё ftoftё dhjetori, pa gota, pa shampanjё, pa miq rrotull, në terrin e mesnatës e në “vorfninё” e dy njerzve tё mbetun nё rrugё, po tё habitun e tё mrekulluem me çka ndodhte mes nesh… çfarё urimi mund t’i dhuronim njeni-tjetrit e botёs mbarё, çfarё mund tё banim ma shumё se tё pёrqafeshim si tё çmendun… e pa u shtrëngue fort i kishim lёshue nji tё puthun ndёr buzё njeni-tjetrit, njashtu tё pamendueme, tё pavuejtun, instinktive, n’nji pёrqafje e pёrndezjё ku buzёt s’kishin asnji mundёsi me psherëti, lene ma me thanë ndonji fjalё… çka ndodhi ishte ma shumё se fjalё…
Ja kёshtu ia uruen ardhjen vitin 1941, dy tё panjoftun aty rranzё nji shtylle nёn dritat e pёrflakuna tё qiellit tё Romёs, i cili vёrtet erdhi duke zbehё prej fishekzjarreve, po jo sa me e shue at zjarr tё ndezun befas mes nesh…
A ishte krejt rastёsi ajo çka ndodhi at mesnatё?! Sigurisht që po. As unё e as kontesha Bengazina s’e kishim mendue kurrë nji gjà tё tillё. Dy orё ma parё, as e njifnim njeni-tjetrin, e jo ta kishim mendue ndrrimin e dy viteve nё nji mёnyrё aq origjinale e tё pabesueshme! Shprehja: “Ç’ka sjell dekiku s’e sjell moti”, kurrё ma e bukur se at natё s’ka me qenё. Nji rast i rrallё, qё çfardo qё t’i ndodhё njeriut nё jetё, mbetet i paharrueshёm, bile sa ma e zymtё t’i bahet jeta atij, aq ma tё ambla bahen ato çaste kujtimesh, si ardhja e atij ndrrimviti të 1941…
Nuk ishim as njiqind metra larg nga shpia e Konteshёs. E pёrcolla deri te kangjellat e portёs, tё cilat u hapёn menjiherё, si me frymё tё shenjtё, posa u afruem, pa i ra kush ziles e pa trokitё. Si duket nga mbrenda po e prisnin. Para se me u futё në oborr mё dha nji kartvizitё tё sajё dhe mё porositi me i telefonue tё nesёrmen nё mёngjes… edhe pse nё pikpamje tё orёs dita e re kishte nisë… po e pazbardhun!
U ndamё veç me nji tё shtrёngueme dore. Atë sikur e pёrthithi errёsina… dhe veç kur ndigjova nji shpёrthim hareje prej shpisë ku ajo posa kishte hy.
U zhyta mendimesh nёpёr rrugёt e rrugicat e errta tё Romёs. M’u desh ma shumё se nji orё ecje me mbrritё nё banesё, si duket kam ecë i dehun prej “Xhin-it” a prej Rexhinës… s’e mora vesh…
Tё nesёrmen, rreth orёs nantё mendova me i telefonue. M’u duk ende herёt, dhe thashё po pres edhe nji gjysё ore… Rreth orёs dhjetё vendosa me i telefonue n’at numёr qё kisha nё kartvizitё të saj. Mё doli kamerierja, e cila me sa duket e priste telefonatёn, se posa e thirra mё tha:
-Zoti Radi? Kontesha nuk ndodhet e lirё. Mё jepni ju lutem nji numёr tuejin dhe ka me ju marrë vetё. Kjo asht porosi e saj.
Ia dhashё numrin. Nuk kaluen as dy minuta dhe krisi zilja e telefonit… e askush tjetёr, veç Ajo.
-Ku dёshironi tё takohemi, z. Radi?
-Ku ta gjykoni ju ma mirё Konteshë!
-Ma thuej ti.
-Ndoshta te kafe “Xhuliani”! – i thashё.
“Xhuliani” ishte kafe luksoze, krejt afёr shpisё, kёshtuqё sa tё shkova unё nё kambё… ajo me makinё kishte mbrritё para meje e po mё priste.
Posa mё pa, i tha diçka shoferit dhe makina u nis. U futёm nё kafe dhe porositёm diçka.
Kishte aq njerёz, aq lёvizje, aq urime, aq zhurmё, sa u ndjemë të ndrydhun!
-Uffaaa… – shpёrtheu – ç’ambjent i rrёmujshёm e i mёrzitshёm!
-A shkojmё ma mirё nё shpinё time?
-Shkojmё… – mё tha sikur e priste at ftesё.
Nё radio-gramafonin tim, vuna disqe me muzikё vallzimi dhe kёrcyem njashtu ambёl e të shtrёnguem derisa… s’e di se ç’pije a forcё gravitacionale na rrёzoi mbi shtrat ku u gjetёm tё mbuluem e mbytun puthjesh…

Lazer Radi - ne vitet studentore - Rome 1940
Lazer Radi – ne vitet studentore – Rome 1940

***
Mbas nji ore, nga telefoni qё kisha mbi komodinёn time, bana nji numёr e nё krahun tjetёr, ishte Karloja, ai i interesuemi i “hakmarrjes”.
-Hë mor, si ja kaluet mbramё me Konteshёn?
-Mbramё, me Konteshёn, kemi fitue nji kujtim qё s’kena me e harrue kurrё: mesnata na zuni rrugave, nёn drita tё zbehta elektriku, e nёn qiell fishekzjarresh ku veç me tё puthuna mundёm me ia urue Vitin e Ri njeni-tjetrit.
-Po mandej?
-Mandej asgjà. Fjetёm secili pёr llogari tё vet…
-Besoj se Kontesha ka mbetë e kёnaqun nga festa e mbramshme…
-S’e di, s’e kam pyetё ende. Po foli ma mirë vetё Konteshёs, e ajo tё shpjegon. – dhe ia kalova telefonin…
Nё krahun tjetёr ra heshtje e plotё…
-Tё falemnderit Karlo, qё mё njofte me zotin Radi, asht dhurata ma e bukur e kёtij viti, dhe e kam prej teje! Ciao!
Mandej folёm prap bashkё.
-Kur tё duesh mundesh me e marrё at copё tokё qё ta kam premtue nё Sanremo!
-Nuk due asnji lloj toke mor Karlo! Tokёn ma tё shtrenjtё e kam kёtu, n’shtratin tim!
-A po vjen nga unё pёr drekё.
-Nёse mundem pse jo, po nuk besoj!

***
Kjo ishte historia e njoftjes me Konteshёn Bengazina, miqsia me tё cilёn vazhdoi derisa mbarova studimet universitare dhe u ktheva nё atdhe. Ishin kohë të bukura e të shkujdesuna. Po nё gjithё atë kohë të bukur sentimentale s’e lejova kurrё vedin me pёrfitue as nga gjendja e saj ekonomike, as nga pozita e naltё e shoqnore, as nga influenca e saj. Sa herё kisha nevojё pёr tё holla preferoja ma mirё me çue peng sendet e mia tё shtrenjta se me iu drejtue asaj. Edhe kur ishte fjala me pague shёrbimet nё bare, kafe apo pastiçeri, gjithnji pagueja unё dhe vetёm kur isha krejt hollshёm i thosha ma përpara se m’u ulё:
-Sot kem me pague si studentё: secili tё vetat!!
Kёshtu, duke mos abuzue nё marrdhaniet mes nesh, mundёm me e ruejtё miqsinё deri nё fund, dhe vetёm fundi i luftёs dhe mbyllja e kufijve shtetnorё na shkatёrruen gjithçka, duke e reduktue at magji t’afёrsisё nё gёrmadha kujtimesh t’ambla…

Fate dhe fatalitete

Nji atavizëm i çuditshëm, nji yll i përgjakun, nji fat prevers dhe i xhindosun m’ka ndjekё si hije prej lindjes sime.
Nën at’ hanë të keqe, e kam pà edhe fatin tim… kur po shkelja në tokë shqiptare. Duke ecë mes atyne maleve të ashpër, duke kapërcye pyje të shumtë, duke vëzhgue shtigjet e tërthoret, duke ça luginat e thella e at çorodi pemësh e bimësh që më rrethonin ngado shkoja, prej thellësive të shpirtit m’u shfaq vargu infernal i Dantes:
“…Braktisni çdo shpresë o ju që këtu po hyni…!”
Asht ajo parandjenjë e zymtё, që e ka ndjekë në mjaft raste jetën time. Me drithërimë shpirti isha përpjekë m’e harrue at varg që e kisha përjetue si mallkim mbrenda meje, ndërsa hidhja hapat e parë mbi nji tokë ku asgja s’e kisha të sigurt, e për të cilën gjithnji kisha andrrue… Ndërsa ecja, më dukej sikur s’kisha taban nën kambët e mia. Isha nisë me nji andërr t’madhe, tash e ndjeja, se s’do ta kisha fort të lehtë m’e përballue at botë që m’u shfaqte si andërr dhe si frikë njiherit. Nuk doja ta besoja se ajo ikja e dikurshme mbi mushka me do thasë teshash, aq shumë t’i ngjante hikjes prej shiut në breshën… E megjithatë, shpresa më kishte mbajtë gjallë e në kambë në betejat ma tё mёdha të jetёs sime.
Krejt at mërzi, pesimizëm, apo vizione të shëmtueta që më lodronin ndër sy, besoja se ishin të lidhuna me faktin pse kisha braktisë vendlindjen, shokët, qytetin ku isha rritë, e kujtimet që m’baheshin gjithnji e ma të largëta e ma të vakta…
A ka vallë gjà ma të bukur se përfytyrimet e para të jetës, kur të mbeten ngulitun thellë në mendje? Ato bahen t’paharrueme për tanë jetën, e me besnikëni na përcjellin deri te hapi ma i fundit i saj. Ato emocione baheshin ma të forta, sepse i ndigjoja me veshët e mi, e më trondisnin në shpirt. S’e harrova kurrë at krahun e drunjtë kur e lëshoi ushtari i kufinit, me ma mbyllë njiherë e përgjith-monë, rrugën e kthimit e vendlindje.
E kujtoj si sot, ktheva kryet me i dhanë lamtumirën e fundit asaj tokë që ende shpaloset e shenjtë para syve të mi…
“Si zog prej pyllit sterrë u arratisa,/  Për nji fole nё ferrë e drizë u grisa
Po prijës që di Udhën gjëkund s’gjeta/ Nga dera q’u vërsula jashtë mbeta…”
Shpesh herë n’ikjet e mia pafund, i ngjyeja buzёt në burimin e freskët e të mençёm të Khajamit, sepse n’at gurrë gjeja melhem për plagët që m’hapte jeta…
Për njizet e nantë vjet kisha hecë gjithnji vetëm, herë në majmale suksesi, e herë buzë greminash dështimi. Do t’mё mjaftonin veç pak çaste hutimi, apo shtymja ma e vogël me u gllabërue humnerash, pa lanë nam e as nishan në kët jetë. Po gjithnji kam pasë edhe nji yll fati qё m’ka kёshillue mos m’u ndalё, edhe njashtu vetëm, me gjoks e kam hapë rrugën drejt dijes e dashnisë pёr jetёn. Si titan jam përpjekë me dalë prej padijes, e me kapërcye pёrtej hendeqeve të mёdha, përtej drizave dhe ferrave të injorancës, përtej ligësisë njerzore që me aq dёshirё po e mbyt kёt vend. S’jam lodhё asnjiherё me gjetë shtegun e jetës, edhe kur kambët e lodhuna prej ecjes m’kullonin gjak.
Përpjekja ime ka qenë e pashterrun. Aq shumë kam studiue, kam lexue, jam vu në prova të njimbasnjishme, kam botue shkrime e artikuj në shtyp, kam njoftë mija njerëz, i jam ba krah familjes në ditë ma të zeza, e pikërisht kur kisha mbrritë në kufijtë e realizimit të vetvedit, dhe iu dorzova kёtij vendi me shpresёn e vlerё-simit tё sakrificave tё mia, po e pësoja randë. Isha njizet e tetë vjeç, dhe ende asnji thinjë s’ma kish mësye kryet.
Së bashku me Khajami kishim mbrritё këtu:
“Nga Rrot’e Fat e Zot, s’kuptova hiç/ Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç
Për dijen shtatëdhjetë vjet luftova/ Më kot i humba, e nuk zbulova hiç…!”
Krejt kjo zymtësi mendimesh më përcolli at 23 nëntor, kur mes atyne tre katër hijeve të armatosuna, që më shoqnuen në heshtje veç “Për nji bisedë nё komandё!!”
E dija. Po shkoja drejt së panjoftunës ma të madhe të jetës, drejt asaj çka kisha parandje e që aq shumë i druhesha… Ishte po ajo gjendje si atëherë në kufi kur krahu i drunjtë më nxori jashtë asaj bote që e mendoja timen…
Nuk kishin kalue ende pesëmbëdhjetë vjet prej asaj dite.
Dhe m’u duk e njejta ditë… Nji tjetër krah, tash i hekurt, po më nxirrte jashtë asaj bote për të cilën kisha ba njimijë sakrifica, t’ishte e imja.
Dhe krahu i hekurt ra dhe unë mbrenda kurthit ma të madh të jetës sime.

***
Tash, atij shtegu të panjoftun, asaj rruge ngujimit, befas m’u shfaq përpara imazhi i konteshës Bengazinë…
“Qe nji ditë e ngrysun nandori, pa diell e pa shi, as e nxehtë e as e ftoftë; nji ditë prej atyne të rrallave të Romës. Mbasi zakonisht aty ditët janë të bukura, pse asht vetë qyteti që rrezaton bukurinë, dhe ai vetë bahet herë diell e herë hanë…
Pse dritë ka dita, e dritë ka nata, në Romë…
Po ajo ishte nji ditë e zatetun, njifarë mjegullnaje që shtyhej frikshëm mbi kokat tona, e kërkon me na e marrë frymën ne dhe objekteve përreth. Bash n’at ditë të zymtë, kontesha Bengazinë shtrëngue fort mbas krahut tim më kërkoi me shkue në Borgo Vecchio, n’at lagje të famshme e popullore të Romës, ku gjithё pallatet ishin pothuej katërkatësh, gjitha godina të vjetra e hijeranda me dhoma e korridore të gjana, shtrue me tulla, që prej tejpërdorimit ishin konsumue aq sa t’jepnin përshtypjen se shkelje ndër kalldrame. Hymë te nji portë. Morëm koridorin e ngjitëm mjaft shkallë. Asnji prej atyne ndërtesave s’e njef ashensorin, pse kur qe ndërtue ajo lagje askujt s’i kishte shkue ndërmend, se mund të shpikeshin objekte të tillë, që ta ngjisnin e ta zbrisnin njeriun, pa lëvizë, veç me nji shtypje butoni…!!
E ndërsa mendoja ashensorin, kishim mbrritё te kati i epërm.
-Këtu banon zonja Hekatë… – më tha nënzà kontesha. Ajo nxori prej çante nji guralec dhe i trokiti lehtas portës në tri vende të ndryshme. Dolën tinguj të ndryshëm e të çuditshëm. Pa sy magjik u mor vesh se kush ishte. Porta u hap ngadalë, si t’ishte kështjelle. Po askush s’u shfaq. Kontesha eci me hap të pupёlt. Unë mbas, si hije e saj.
-A ndodhet në shpi zonja Hekatë? – pyeti kontesha
-Sigurisht… – u përgjigj nji grue e shkurtë, e imtë e paksa e kërrusun. Flokët e shkurtë, të pakrehun i derdhe-shin si bishta minjsh mbi supe. Fliste me nji mjaullimë të çjerrë e lëvizte përtueshёm me nji mace. Duert i dridheshin e dukej sikur i dridhej krejt trupi. Nji rrobë e errtë e mbulonte at krijesë të brishtë e nji shall i zi lëshohej lirshëm përpara… Si duket Bengazina e njihte mirë at personazh që mbeti hije. Ajo u përpoq me e respektue, me i buzqeshё, me i folё ambël e në mënyrë të edukueme. Po gjithçka e asaj gruaje m’u duk qesharake dhe e pocaqisun, dhe buzqeshja ma shumë se nji ngër-dheshje e frikshme.
Dikur na thirri dhe na futi në nji dhomë me divanё lëkure, qylymë e sixhade. Mё dha përshtypjen se isha diku në zemër t’Anadollit dhe jo midis Romës.
U ulëm pranë njeni-tjetrit. Po e vështroja drejt e në sy konteshën, e s’po dija si t’i thoja: “Pse më prune?! Ç’dreqin kërkojmё kёtu?”
Ma bani me shenjë mos të flisja, e duke ma futë frymën e saj në vesh ndigjova:
-Asht kiromantja ma e famshme e Romës. Kam ardhë disa herë këtu. Asnji fjalë e saj s’tё shkon hupë. A ke vendosё me e braktisё Romёn! Lene ta shofim fatin tand?!
M’u duk nji atmosferë e randë. Kurrë s’isha marrë me kësi gjanash, përjashto lojën që i kisha ba asaj e që ma vonë tallesha me të. Po e ndjeja vedin pjesë t’asaj marrie që lehtësisht i pushton gratë. Ndihesha jashtë botës sime, e ajo grue, më kish zbritë të dëshira e njoftjes sё fatit! Gjaja ma absurde, po ishte e kotë ta kundërshtoja. E randsishme ishte të mbaronim punë nji çast e ma parë e të zhdukeshim prej atij terri ku ishim futë. Diku qosheve shfaqej ndonji dritë e zbehtë që hynte kontrabandë prej grilave, o ndonji dritë qiri që ndriste përballë ikonash fetare. Ajo zymtsi më zhyti në dyshime. Përjashta kishim lanë mesditё, e aty mbrendë ishim kredhë në muzg! Me vështirsi po ia dalloja tiparet e konteshës…
Ndërsa prisnim m’u shfaqë dikush, vëzhgoja me vëmendje çdo objekt t’asaj dhome dhe përpiqesha me gjetë arsyen dhe kuptimin e atij rregulli që sigurisht kishte nji domethanie.
S’di sa kohë kaluem n’at heshtje terri. Vrava mendjen me e kuptue metodën e punës. Asgja. Ajo grue qё ende s’na qe shfaqë, me siguri na vëzhgonte prej ndonji pasqyre.
Papritmas nga nji portë me perde të randa na u shfaq nji grue që m’u duk plakë, po errsina e shndërroi nё fantazmë. U afrue ngadalë e me nji përkulje prej figaroje na tha:
-Urdhnoni! – dhe na e bani me dorë duke mbajtë hapë njenin krah të perdes.
Kontesha para, unë mbas saj, e pamё vedin n’nji dhomë të madhe pothuej bosh, në kontrast me dhomën e pritjes ku kishim qenë pak çaste ma parë. Në ballë, mbështetë mbi nji poltronë lëkure të zezë, nji zonjë e moshueme, veshun krejt në të zeza. Mbi kryet nji sharpë e errët mëndafshi. Përpara, nji mangall bakri që lshonte nji dritë të mugtë. Edhe ai përplitesh si pjesë e asaj drite. Pranë zonjës ishte nji tavolinë e ultë, përplot me letra bixhozi tё të gjitha llojeve, kuti nga të gjithë format, thika të ndryshme, gurë gjithfarë ngjyrash, gërshanë, kocka, lecka, pendë zogjsh, figurinat, zare… Fallxhorja s’na foli fare. Na kqyrte nё sy e na bante me shenja. As ajo që e ndihmonte s’nxirrte fjalë nga goja, veç me xheste na uli mbi ca stola druni aty rreth mangallit ku shndriste prushi i pakët.
Ndihmsja, po e quej kështu, na pyeti me zà pothuej të mekun, si zà i dikujt që asht duke dhanë shpirt. I thashё se isha interesue me pà fatin.
I bana shenjë se isha unë. Ajo ma bani me shenjë që t’i afrohesha mangallit tё prushit. Ma mori dorën në dorën e saj të rreshkun dhe me nji gërshanë të vogël, më preu nji copë të vogël thoi e vuni mbi nji copë letër dhe ma la para syve. U kthye sërish te unë me po të njajtën gërshanë më preu disa fije floku. Ato m’i vuni në nji letër. Mandej u afrue ma mori xhaketën, e kqyri mirë e diku nga pjesa e mbrendshme tërhoqi nji fill dhe e bashkoi me të parat. Kur i bani të tria bashkë shqiptoi do fjalë të pakuptimta me shikim kah tavani, ndërkohë thoin, flokët dhe fillin e xhaketës i hodhi në flakën e prushit të mangallit, nga u çue nji tym, i cili u shndërrue në mjegull kur ajo hodhi diçka në prush. Besoj temjan, mbasi e gjithë dhoma mori nji aromë disi të veçantë. Për nji çast unë dhe kontesha s’e pamë njeni-tjetrin. Filloi t’më dhimbtë kryet. Nuk e di nëse kontesha provoi të njajtën gjà?! S’duhet t’ia kisha lejue vedit kurrsesi at marrëzi. Tash që isha aty, mezi prisja me ndigjue ç’ka do t’më thoshte ajo Dodonë moderne, për fatin dhe të ardhmen time… Grueja e mbështetë në tavolinë nisi me folë me nji zà të trashë e të frikshëm, aq sa më krijoi përshtypjen se po fliste përçart. Fjalët ishin të dalë prej rrjedhës normale e më vinin në veshë si të pakuptueshme. Mbas çdo fjalie ai zà i vrazhdë erdhi duke u kthjellue. At’herë u bana i vëmendshëm me e kuptue at mesazh që vinte nga përtej: s’e di nga poshtë a nalt… veç më dukej sikur gurgullonte duke më mbajtë pezull.
“O Hekaaatë e madhnishmeee! Ndihmooomë të futem në t’ardhmen e këtij njeriu… Ndihmomë ta lexoj të keqen dhe të mirën e këtij njeriu t’ia them sa ma qartë e sa ma shkoqun. Ndihmomë o Hekaaatë, si m’ke ndihmue gjithmonë, të jem e drejtë para teje dhe para këtij njeriu… Rrëfemë o Hekaaatë të vërtetat që mshehen para tij, dhe mos ma rando shpirtin me heshtje…”
Mbas pak ra heshtja. I kalova nëpërmend krejt ato fjalë të saj dhe s’di pse m’u fiksue ideja që e keqja në kërkesën e saj ishte para së mirës. Nji zà tjetër ma ndali mendimin.
-Këtij njeriu, i kanë mbetë në horizont gëzime të pakta… Nji gjyq i ashpër ka me e gjykue, e ka me ia futë kryet midis tehut të jetës dhe vdekjes. Veç nji mrekulli ka me e pshtue. Po kjo s’ka me e pshtue prej dramave dhe fatkeqsive. Asht nji rrugë e gjatë, shumë e gjatë. Ka me hecë zbathë, në vende të largta dhe baltna, me duer të gjymtueme, me krye të gjymtueme. Nji tunel i gjatë e pafund ka me qenë udhtimi i tij i jetës. Fëmijët kanë me i ardhë vonë dhe si shpresë, po jo të gjithë do t’i mbesin. Ky njeri i ardhun nga nji ikje, ka me qenë i ndjekun prej ikjes. Dritën në fund të tunelit ka me e preke, po do të jetë vonë, tejet vonë, por jo aq vonë, sa mos me i thanë fjalët e mbetuna në grykë. Vdekja ka me i ardhë e lehtë dhe e bukur…!”
Grueja heshti. Heshtja e saj ra si shkamb mbi shpirtin tim. E keqja ishte e madhe, po gjithsesi kishte shpresë. Ishte e para herë që mbetesha n’nji grackë ksisoji, ndoshta edhe e fundit.
“Gjepura…!” ishte e vetmja fjalë që ma shëtiti mendjen, ndërkohë u ndez nji dritë… Grueja me sharpin e errët u zhduk mbas derës me perde të randa. Ndërkohë u rishfaq plaka që na kish pritë në hymje. Kontesha që më kishte ftue si duket e dinte tarifën, i futi diçka në dorë dhe dolëm në rrugë të përcjellë nga ajo buzqeshja e shëmtuet që aq shumë i ngjante nji të zgërdhime.
Ndjeva t’më merrej fryma. U përpoqa mos ta jap veten dhe bana do frymëmarrje të thella. Tymi, errsina dhe duhma e asaj shpie më kishin mbetë mbrenda meje… si nji kufi ndarës midis së tashmes dhe së ardhmes, midis jetës dhe vdekjes.
Ajo skenë e pak viteve ma parë m’u përndrit në mendje, ndërsa çapitesha drejt së panjoftunës, nё kullë të ngujimit.
Prej gjithë thanieve të fallxhores veç njena më interesonte: ajo që jetën e kisha të shpëtueme! Veç asaj më duhej m’i besue.
Atyne ditëve, gjithandej na vinin lajme për vrasje e pushkatime. Në hotel “Bristol”, thuhej se ishin pushkatue dhjetë intelektualë me emën. Dikush i përmendte emën për emën. Unë nuk besoja. Midis emnave që përmen-deshin kishte prej atyne që ishin miqtë e mi. Më pushtoi nji trishtim i thellë. Nuk di pse, po kisha dëshirë mos me besue asgja. Sigurisht ishte fjala për nji revolucion bolshevik, ma shumë se nji çlirim prej pushtuesit. Leximet e mia të shumta, s’ma lejonin me krijue iluzione. Ajo çka po vinte si çlirim ishte nji uragan që do të shkatërronte gjithçka, për me i nisë punët nga e para!! O Zot, s’ka çmenduni ma të plotë, se ideja i nisjes së punve nga e para!!Duheshin pastrue tё gjitha rrugët, në mënyrë që “idetë e reja” t’mos kishin asnji pengesë në suksesin e tyne. Mjerë kush mund t’u dilte përpara “ideve tё reja”… E priste rroposja! Kishte ardhë bash koha qё s’e merrte vesh qeni të zonë; e askush s’paguente për jetën e nji njeriu ma shumë se nji plumb… E kur ishte fjala pёr jetë njerzish të dijshëm, jeta, edhe ma pak se e nji qeni vlente!
Mbasi na kaluen nëpër tri-katër shpi private, që kishin nisë me funksionue Zyrat e Përkohshme të Popullit, ma në fund mbrrita te “Selvia”. Vetë “Selvia” ishte nji simbol i prehjes në paqe, pra i vdekjes, po unë vazhdoja i bindun se s’kisha asnji punë me vdekjen.
Aty krijuen nji qendër grumbullimi të randsishme. Në nji dhomë të vogël, tre me katër ishim diku te dhjetë vetët. Njaty e kaluem natën e parë. Nji natë ankthi, mbasi nuk na u tha e nuk na u dha asgja… as me hangёr! Nuk na pyeti kush, as kush ishim, as çfarë kёrkohej prej nesh.
Asaj çka i frikesha ma shumё kishte ndodhë. Duhej me pritë me gjakftohtësi, gjithçka mund të na shfaqej. Fytyrat që hynin e dilnin në zyrë, ishin t’nji egërsie të pashoqe. Çdo dëshirë me pyetë o me shkëmbye dy fjalë, ishte diçka krejt e pakuptimtё. N’at dhomë shkolle me nji grusht kashtë të hjedhun përtokë kishim kalue disa netë. U përpoqa me sjellë ndërmend mundimet e jetës sime që tash ishin mbyllë aty, në pritje t’asaj çka do të ndodhte, e çka do të vendoshesh për ne.
Edhe aty, Khajami m’u ba shok:
“Ma dhe të mjerit mue squjtësinë/Të mjaftë sa të mbytem n’errësinë
Po sikur t’ishte vetë – o Zot – njeri/ A do ta doje këtë tru të mpimë…?”
Aty ku kisha mbetë, ishte nji portë e madhe me u futë, e nji birë gjylpane me dalë. Tashma historia ishte mbyllё.

Vorbulla t’Jetës Universitare – Lazër Radi (faqe 407 – 423; 607-618)

Lazër Radi - “Vorbulla të Jetës Universitare” - Roma
Lazër Radi – “Vorbulla të Jetës Universitare” – Roma

Trilogjia e Jetës – Libri i tretë (1938-1944)
Vorbulla t’Jetës Universitare – Lazër Radi

Libri u përgatit për botim nga Luçiano Radi dhe Jozef Radi
Redaktor letrar Jozef Radi
Në ballinë – Lazër Radi në Romë 1940
Punimi i kopertinës – Jozef Design
Botimet, Jozef Durrës
ISBN 978-9928-280-08-4
Shtypur në shtypshkronjën Jozef,
Durrës, Shtator 2018

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Në vitet ’30-40 qenë me qindra studentët shqiptarë që u shkolluan në Universitetet më në zë të Europës si në: Angli, Francë, Austri, Itali, Rumani, Greqi, Kroaci etjerë por një histori rreth jetës Universitare, të asaj periudhe të vështirë historike, një vepër të plotë me rreth 640 faqe, thuajse në kufijtë e një romani autobiografik ka mundur të na lerë vetëm Lazër Radi… Si duket, ky ka qenë edhe një mision i tij, për ata qindra studentë të shkëlqyer që për arsye të diktaturës nuk mundën ta realizonin një gjë të tillë…!
    Fragmenti i mëposhtëm është shkëputur nga pjesa e Tretë e Trilogjisë së Jetës, “Vorbullat e jetës Universitare” Botimet Jozef 2019
    j. r.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.