
Konspiracioni e disidenca e turpshme e Kadaresë me Naim Frashërin
nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Autor i librit në proces “Naim Frashëri – nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”
Synimi i Ismail Kadaresë është të bënte një roman ku të digjte Poetin Kombëtar Naim Frashëri, duke pasqyruar sa më shumë Zyrën e Censurës ku punonte Naim Frashëri. Si mbulojë do të kishte interesin e PPSH-së për të zbardhur lirinë e botimit dhe të drejtat e njeriut në kohën e Enver Hoxhës. Ndërkohë për vete nxirrte përfitimin revanshit të uljes së figurës së Naimit. Nuk përjashtohet që të ketë bashkëpunuar me Sigurimin në atë mënyrë që familjet patriote të lidhura me Riilndjen Kombëtare të mbaheshin në trysni (pra “mos na u krenoni shumë se kemi edhe ne çfarë narrative tjetër të themi dhe nxirrnin Kadarenë”). Ashtu si disave u thuhej “spiunë të amerikanëve” të kishte edhe “spiunë të osmanëve” etj. pra çfarë t’u dilte para, të paralizonin çdo mundësi që dikush të kishte një reputacion që i krijonte një bazë të shëndoshë respekti kombëtar. Ishin smirëzinj.
Është e sigurt që disidencën kombëtare shqiptare nuk e bëri Kadareja, por Naim Frashëri dhe Rilindasit.
Për të kuptuar saktësinë e marrëdhënieve të Naim Frashërit me Sulltanin, na ndihmon ky kujtim i Hafiz Ali Korçës (botuar nga Drejtoria e Arshivave, më 2000, libri “Naimit”, fq. 121)
Hafiz Ali Korça: “Një ditë tjetër më pat thënë Naimi: – T’i lutemi Zotit t’ia zgjatë jetën Sulltan Abdyl-Hamidit dhe t’ia bëjë si tërkuzën e Romës. Se po vdiq ky tashti shpejt, pa u përhapurë gjuhë e jonë, ahera dhe n’u bëftë një Shqipëri, do të jetë shumë e vogël, do të jetë ajo e Skanderbeut. Me vdekjen e tij pas Kuvendit të Rewal-it mundet do të pjesëtohet Turqija, e bashkë me të dhe Arabia e Shqipëria. Po të bëhet që sot pjesëtimi, kur akoma ndër të katër vilajetet e Shqipëris, nuk kanë hyrë ndjenjat kombëtare, fat’i Shqipëris është shumë i errët. Prandaj dhe barinjëvet u duhen të kenë ndër duar nga një abetare shqip, pse në rast që copëtohet sot Turqija, i tërë populli shqiptar duhet të bërtasë përpara botës së huaj të qytetëruar, duke thënë: Dhe jemi një komb i vjetër, dhe ne duam ringjalljen tonë, duam një Shqipëri të pavarur. Kemi të gjitha elementet për një shtet e popull sovran: kemi gjuhën, më të parin element…”
Merret vesh që Rilindja Kombëtare nuk mund të shihet e shkëputur nga një marrëdhënie tepër e veçantë e Komitetit Shqiptar të Stambollit, që monitoronte orë e çast përfitimet dhe humbjet e kombit shqiptar dhe ia arriti me sukses. Paul Fesh kujton që garda personale e Sulltanit ishte me shqiptarë dhe po ashtu Kryeministër i Turqisë u bë një shqiptar që ishte pjesë e Komitetit të Stambollit, Ferit Vlora (nga familja Vlora i njëjti fis i Ismail Qemalit). Ndaj është jashtë çdo diskutimi që narrativat e pista të Kadaresë, por gjithmonë frikacake (e çon deri diku dhe tërhiqet) janë një investim i turpshëm.
Fakti që edhe ai ka turp për këtë, e provojmë me faktin që për 50 vjet askush nuk ka thënë se ky roman është për Naim Frashërin dhe Rilindjen Kombëtare. Vetë Kadareja i ndërroi titullin dhe emrin personazhit dhe kaloi në narrativën që romanin e kishte disidencë për PPSH-në e Enver Hoxhën. Ai kishte shumë frikë që romani është i mbushur me nënkuptime të turpshme. Këtu po sjellim një episod nga libri, por më parë le të sqarojmë disa pika.

Majbeni – Shërbimi sekret personal i Sulltani Abdyl-Hamidit
Sipas ChatGPT kemi këtë shpjegim:
“Majbeni ishte formë shërbimi sekret në Perandorinë Osmane, që vepronte si syri dhe veshi personal i Sulltanit. Ky shërbim nuk ishte i institucionalizuar si shërbimet moderne të inteligjencës, por funksiononte përmes një rrjeti informatorësh, agjentësh të fshehtë dhe “spiunësh” që raportonin drejtpërdrejt tek oborri sulltanor. Qëllimi kryesor ishte: Mbikëqyrja e zyrtarëve të lartë; Parandalimi i komploteve kundër Sulltanit; Kontrolli i mendimit publik në provinca; Raportimi mbi aktivitetet e guvernatorëve, pashallarëve dhe vezirëve; Raportet e Majbenisë ishin shpesh të koduara dhe i dorëzoheshin vetëm Sulltanit ose njerëzve më të afërt të tij. Në disa periudha, ky shërbim ishte shumë i frikshëm, sepse përdorej edhe për eliminim të kundërshtarëve politikë.”
Majbeni ua dorëzon letrën e Faik Konicës Vëllezërve Frashëri.
Letra e Konicës iu nis ambasadës otomane në Bukuresht – Naimi dhe Samiu i shkruajnë dhëndrit të tyre Murat Toptani
Letra, 8 janar 1898, dërguar dhëndrit Murat Toptani (gjendet te Naim Frashëri, botues “Faik Konica”, Prishtinë 2000, vëll. 5, fq. 351-357)
Pjesë nga Letra qortuese e Naimit dhe Samiut, dërguar Murat Toptanit, meqë ky ka shkuar për të takuar Faikun:
“Qëndrimi i Faikut është i dyshimtë. Ai është një erudit e sidomos kundërshtar i rrugës sonë. Dihet se ai i shërben një qëllimi të dëmshëm, që synon shembjen e punëve të kryera këto njëzet vjet. Shprehim habinë dhe keqardhjen tonë që keni vajtur deri në Bruksel vetëm për t’u takuar me të dhe për të marrë vesh qëndrimin e qëllimet e tij.
Kemi parë një letër të këtij zotërie, dërguar Ambasadorit Otoman në Bukuresht, letër që nga ambasada i është çuar Portës së Lartë dhe nga kjo Mabejnit (Shërbimit Sekret të Sulltanit, A.Sh.) Nga Mabejni na e treguan neve letrën, që të jepnim mendimin për të. Faik beu me këtë letër kërkonte nga qeveria t’i jepej lejë që të mund të fuste lirisht në Turqi gazetën e tij (le ta quajmë ëndërr, A.Sh) dhe, kundrejt këtij nderi që do t’i bëhej, i premtonte qeverisë këto shërbime: 1) të bëhej vegël e mjet që shqiptarët të dorëzonin armët; 2) të prishte alfabetin që është përhapur në Shqipëri; 3) të orvatej që të mbyllen shkollat e hapura në Shqipëri dhe të mos hapen të tjera këtej e tutje 4) të propagandonte përdorimin e shkronjave turke për shqipen në qoftë se është dëshira e qeverisë të shkruhet e të mësohet shqipja. Ka edhe një varg tradhëtish të tjera që na kanë ngelur në hatër. Dy javë mbasi pamë këtë letër vjen “Albanie”-ja që del në Bruksel me një veshje të ndryshme prej së parës dhe me nja dy faqe shkruar turqisht. Pra kuptohet që qenkan marrë vesh në pazarllëqe. U mor vesh tani shkaku se përse Faiku nuk pranon alfabetin tonë që zuri rrënjë dhe u përhap? Duhet të ruheni fort që të mos bëheni vegël e një njeriu tradhëtar e dinak si ç’është Faiku dhe t’i ngulni thikën mu në zemër kombit. Ja, ky është Faiku i vërtetë…” (vijon letra e Naim dhe Sami Frashërit).
Qartësisht, Ismail Kadare ka qenë në dijeni të literaturës për Censurën, Shërbimin Sekret të Sulltan Abdyl-Hamidit. Një prej literaturave është në gjuhën frëngje dhe ajo është shkruar nga prifti katolik Paul Fesch, libri “Stambolli në ditët e fundit të sulltan Abdyl-Hamidit” (1907). Ne vetë kemi botuar dy artikuj:
“Sami Frashëri mbi shërbimet sekrete dhe një rrëfim Paul Fesch” ose “Paul Fesch mbi gardën shqiptare të Abdyl-Hamitit”.
Kadare ka patur qasje në në Arshivën e Shtetit dhe problemi me “diturinë” e tij është që ai jo vetëm e mban për vete, por e anonimizon, duke e ditur që raportimin e ka të përgjithësuar (pra pa emër). Kjo do t’i shërbejë si një “grep” i mirë për shërbimet sekrete për të kuptuar se kush do të ishte “fatlumi” që do të kishte më shumë njohuri në këtë roman. Ndaj Kadare ka ndërtuar kështu një “kërcënim” për të tërë Rilindjen Kombëtare, që do të thotë se askush nuk mund të “krenohej” në kohën e komunizmit për “merita kombëtare” Kadareja do t’ia gjente bishtin.
Tani po japim çfarë ka shkruar Kadareja në romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”
Kadare: “Në humbëtirat e thella, në mëngjeset me shi apo me baltë, drejt atyre seksioneve të trishtuara drejtoheshin nganjëherë që pa gdhirë banorët e nënprefekturës për të dhënë ëndrrat e tyre. Shumica nuk dinin shkrim, ndaj edhe vinin që herët, pa kaluar akoma nga mejhania, për të mos harruar ëndrrën. Ata e thoshin atë me gojë, ndërsa kopisti, me sy të përgjumur, duke mallkuar ëndrrën dhe të zotin e saj shkruante në letër atë që dëgjonte. Eh, ishalla këtë herë kemi fat, psherëtinte në mbarim të kopjimit zoti i ëndrrës…” (fq. 207)

Artur Shkurti: Fjala është për spiunimet dhe ëndrra nuk është ëndërr, por raport, prej të cilët spiunët prisnin shpërblimin. Nuk mund të shpërblente Perandoria Osmane për “ëndërr” por për rëndësinë e raportit të spiunimit. Kjo është arsyeja që Kadare thotë “Ishalla këtë herë kemi fat”.
Kadare: “Ebu Qerimi kishte mbetur gojëhapur nga tregimi i inspektorit. A ishte e mundur që gjithë kjo të kishte një fillim kaq banal? Por inspektori, sikur ta kishte kuptuar zhgënjimin e tij, kishte shpejtuar t’i sqaronte se nuk ishte kudo kështu, se seksionet e Tabir Sarajit qëllonin të ishin ndërtesa solide, në qytete madhështore të Azisë e të Evropës, dhe ata që çonin ëndrra atje, nuk ishin hallexhinj të paditur të provincës, po njerëz të lartë, të komplikuar, me grada, shkolla, akademira, me mendje të thellë e ambicje të mëdha. Inspektori kishte folur një copë herë të tërë për këtë gjë, ndërsa Ebu Qerimi ndiente se si në ndërgjegjen e tij po rivendosej prap pesha e rëndë e Tabir Sarajit.” (fq. 208)
Artur Shkurti: Kjo do të thotë se ndryshe nga çfarë e ka konceptuar Ebu Qerimi (Naim Frashëri) ata po fillonin me raporte të thjeshta spiunimi nga “provinca”. Merret vesh nënteksti ngacmues i Kadaresë. Por më vonë i thuhet se “seksionet e Tabir Sarajit qëllonin të ishin ndërtesa solide, në qytete madhështore të Azisë e të Evropës, dhe ata që çonin ëndrra atje, nuk ishin hallexhinj të paditur të provincës, po njerëz të lartë, të komplikuar, me grada, shkolla, akademira, me mendje të thellë e ambicje të mëdha.” Në kontekstin e letrës së Naimit dhe Samiut, Ambasada Osmane në Bukuresht ishte e tillë dhe Faik Konica po ashtu ishte i lartë, i komplikuar, me grada, shkolla, akademira dhe ambicje të mëdha”. Duket sikur Kadareja e ka patur saktësisht këtë parasysh.
Kadare: “Prandaj, kur Tabir Saraji sinjalizonte shenjat e para të pagjumësisë, shteti merrte masa të ngutshme për t’i dalë përpara së keqes. Ebu Qerimi e kishte vështruar gjithë habi bashkëfolësin kur i kishte zënë ngoje pagjumësinë e popujve. E di që të tingëllon e çuditshme, i kishte thënë tjetri, por duhet ta kuptosh këtë brenda logjikës së krahasimit. Një popull quhet që ka rënë në pagjumësi, kur sasia e gjumit të tij është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme, në krahasim me periudhat normale të tij. Dhe për këtë gjë kush mund të sinjalizojë më saktësisht se Tabir Saraji?” (fq. 209)
Artur Shkurti: Është e qartë se letrat e Naimit dhe Samiut drejtuar Murat Toptanit dhe që mbajnë qëndrim ndaj Faik Konicës dhe figurave të tjera janë saktësisht një shqetësim kombëtar, pra një raport i tillë, sigurisht është një sinjal për Perandorinë Osmane.
Kadare: “Me bisht të syrit nisi të vështronte përsëri herë djathtas, herë majtas. Të gjithë dukeshin si të përpirë nga dosjet, krejt të magjepsur mbi to, thuajse ato s’ishin letra të shkruara, por mangaj, ku digjej një qymyr që të zinte. Ndoshta edhe unë dalëngadalë do të bie në këtë magjepsje, mendoi ai pikëllueshëm, dhe do të harroj botën e gjithçka…” (Vepra 9, 1981/9, fq.209)
Artur Shkurti: Këtë e kemi analizuar dje. Kadare ka futur këtu një fjalori që është ndërtuar me nënkuptime nga vargje nga poezia “Dielli” e vëllimit poetik “Ëndërrime” të Naim Frahsërit (1885). Është një zhvendosje e qëllimtë dhe një dykuptimësi e një diabolizëm e dhelpëri e lartë. Po e shpjegojmë.
“Dielli” (1881) i Naim Frashërit (persisht) Përkthyer nga Vexhi Buharaja (disa nga vargjet)
“Me sy shenja njëri-tjetrit duke i bërë.
Yjet lart në qiell po fshihen sërë-sërë”
Kur ti fshihesh, toka mbrohet si në zi…
Dridhet, fshihet, s’duket asgjëkund,
dhe qe bërë ylli – tokës teje ndarë….
…
Mendja ime majtas-djathtas fluturon,
Që të shohë hapësirën gjer ku shkon.
Fluturon, por fund e anë s’gjend kurkund,
Kokëulur prapë kthehet më në fund.
…
Kjo e gjera hapësirë pa kufi
Kaqë drita e të fshehta mban në gji
Djathtas, majtas s’ka natyra, as dhe skaj,
Të panumërt janë trupat e kësaj.
…
Mençuri pa si e sa, pa shembëllim!
Plotfuqi që s’ka fillim dhe as mbarim!
Rrofsh përjetë, o ti shpirt i Gjithësisë!
O ti det pa skaj, pa fund i gjallërisë!
Kadare shkruan: “Me bisht të syrit nisi të vështronte përsëri herë djathtas, herë majtas. Të gjithë dukeshin si të përpirë nga dosjet, krejt të magjepsur mbi to, thuajse ato s’ishin letra të shkruara, por mangaj, ku digjej një qymyr që të zinte. Ndoshta edhe unë ngadalë do të bie në këtë magjepsje, mendoi ai pikëllueshëm, dhe do ta harroj botën dhe gjithçka”. (fq.209)
Artur Shkurti: Merret vesh qartë se Kadare po zëvendëson magjepsjen e Naim Frashërit nga bota dhe universi me magjepsjen e nëpunësve të Tabir Sarajit me poezitë që janë të detyruar të lexojnë dhe të miratojnë ose censurojnë. Naim Frashëri (Ebu Qerimi) ka marrë dosjen e vet që kuptohet nga “befasija” e Ebu Qerimit kur i vihet para dosja e parë që në datë ka datën e vdekjes së vet (19 tetor). Do të shohim që Ebu Qerimi i çon përpara dosjet e veta (pa u kuptuar nga lexuesi që është dalldisur me “alegori” dhe i mbush me fantazinë e vet. Është e qartë se rreshti i parë i Kadaresë referon dy vargje të Naim Frashërit. Nëse Naim Frashëri përpihet nga universi, Ebu Qerimi përpihet e magjepset nga dosjet, që në fakt përmbajnë pikërisht të njëjtat poezi të vëllimit (dosjes) me poezi që shqyrton. Pra kemi një “magjepsje mbi magjepsje”. “Mangaj ku digjej një qymyr që të zinte” (Kadare) është referenca për poezinë “Dielli” (Naimi thotë: “Kur ti (diell) fshihesh, toka mbrohet si në zi” (pra ësht një prush nga jashtë i zi dhe brenda zjarr) (Naimi: Dridhet, fshihet, s’duket asgjëkund, dhe qe bërë ylli- tokës teje ndarë) Naimi thotë “Kokëulur” dhe kjo është kaq e dukshme tek përshkrimi i Kadaresë për punën që bëjnë nëpunësit, pra nënkuptohet këtu, por del qartë kudo.
Konteksti i ndyrë ku e fut poezinë e Naimit është i jashtëzakonshëm. Pra, ndërkohë që ka investuar në një kuptim të ëndrrës si një “raport spiunimi” mbjell aty vargje të një bukurie e frymëzimi të lartë, të cilave u përdor fjalët, njëlloj siç përdori vargjet e “Fjalëve të Qiririt” për të ndërtuar konceptin “Flutura të Qiririt të Islamit”.
Kadare: “Ëndrrat ndaheshin në grupe sipas çështjeve me të cilat kishin lidhje: sigurimi i perandorisë dhe i sovranit (komplotet, tradhëtitë, kryengritjet); politika e brendshme (kryesisht uniteti i perandorisë); politika e jashtme (aleancat, luftrat); jeta civile (vjedhjet e mëdha, abuzimet, zvetënimi); sinjalizime për bashëndrrën; të ndryshme (varia)” (fq.210)
Artur Shkurti: Më qartë se kaq nuk ka për ta konceptuar ëndrrën si raport spiunimi në favor të Majbenit.
Ti pëlqehesh prej nesh – për Naim Frashërin
Kadare: “Kështu që, në të vërtetë, puna-bazë e Seleksionimit ishte qërimi. Qërimi ishte thelbi i Seleksionimit, ashtu si Interpretimi quhej thelbi i krejt Tabir Sarajit. E kuptove tani që këtu janë portat ku hyn gjithçka, i kishte thënë shefi Ebu Qerimit ditën e rikthimit të tij në vendin e parë të punës. Ti, me siguri, ke kujtuar në fillim, se në këtë proces fillon puna e Seleksionimit meqënëse ne të vendosëm këtu, ky është edhe më i parëndësishmi. Kurse tani besoj se e more vesh që ky është themeli i punës dhe ne asnjëherë nuk i vendosim fillestarët në të, por ty të vendosëm, sepse ti pëlqehesh prej nesh. Ti pëlqehesh prej nesh. Ebu Qerimi e kishte përsëritur me vete me dhjetëra herë këtë frazë, sikur me anë të përsëritjes ai do t’i hynte asaj në thelb. Mirëpo ajo ishte e tillë, e mbyllur nga të gjitha anët, enigmatike, e lëmuar si një mur, ku nuk ke ku kapesh për ta kapërcyer. Ebu Qerimi fërkoi sytë përsëri. Deshi të rifillonte leximin, por s’ishte e mundur. Shkronjat i dukeshin të kuqërremta si nga një refleks zjarri apo gjaku.”
Artur Shkurti: Është shumë e qartë se fraza e ftohtë “Ti pëlqehesh prej nesh” është një frazë që do t’i shkonte grupit të Shërbimit Sekret të Sulltanit. Asnjë profesionist nuk do të drejtohej në atë mënyrë. “Ti – Ne” dhe “neja” është grup anonim qartësisht referon një grup që siç thotë ChatGPT ishte jo formal, por funksiononte. Ndërkohë mbyllja e paragrafit “Shkronjat i dukeshin të kuqërremta si nga një refleks zjarri apo gjaku.” do të thotë se pasojat e veprimeve apo të raporteve të spiunimeve do të ishin të përgjakshme.
Mund të kuptohet fare mirë Konspiracioni i Ismail Kadaresë ndaj Naim Frashërit.
12 gusht 2025