
Kongresi i Përmetit (24–28 maj 1944) – 82 vjet më parë
nga Saimir Kadiu
U vendos solemnisht:
“Të mos lejohej krijimi i çfarëdo qeverie jashtë apo brenda Shqipërisë dhe t’i ndalohej hyrja Mbretit Zog në Shqipëri.”
Pra, zgjedhjet ishin “kryer”. Kongresi thjesht vulosi zarfin.
Kongresi i Përmetit u paraqit si një moment “historik i madh”, por në thelb ishte edhe një akt formalizimi i një realiteti që në terren ishte vendosur më parë me pushkë, jo me vota.
Vendimi për të mos lejuar asnjë qeveri tjetër dhe për të ndaluar rikthimin e Mbretit Zog nuk ishte thjesht deklaratë politike… ishte mbyllja e çdo alternative para se të hapej diskutimi. Në këtë kuptim, kongresi më shumë konfirmoi balancën ekzistuese të forcës sesa e krijoi atë.
Nga jashtë u duk si “institucionalizim i pushtetit të ri”, nga brenda ishte një skenë ku delegatët po i jepnin formë politike një realiteti ushtarak tashmë të fituar. Pak vend për surpriza, edhe më pak për pluralizëm.
Me pak fjalë: një kongres ku historia nuk u debatua – u ratifikua.
Në foto, drejtuesit e Kongresit – një galeri ku revolucioni hëngri pothuaj të gjithë fëmijët e vet:
Ramadan Çitaku (1914-1990) – Një nga themeluesit e PKSH-së më 8 nëntor 1941, njeri i orëve të para dhe i besimit absolut. Në revolucion hyri si figurë e rëndësishme; prej tij doli si kujtim i padëshiruar. Minister i pare i Financave pas 1944… U spostua gradualisht nga qendra e pushtetit, derisa përfundoi drejtor i Arkës së Kursimeve – një lloj pensioni politik për ata që dinin shumë dhe duheshin harruar ngadalë. Jetoi dekada në heshtje, pothuaj i izoluar, aq sa Tirana nisi t’ia harronte fytyrën para se t’i vinte radha nekrologjisë. Në fund, partia që kishte ndihmuar të ndërtohej e trajtoi si mobilie të vjetra: nuk i hodhi, por i mbuloi me pluhur.
Ramadan Çitaku ka qenë ambasador i Shqipërisë në Beograd gjatë viteve 1947–1948, në periudhën kur marrëdhëniet Shqipëri–Jugosllavi ishin ende shumë të afërta dhe ndikimi jugosllav mbi Tiranën ishte i madh.
Kjo nuk ishte rastësi. Çitaku konsiderohej njeri i afërt me linjën jugosllave dhe me Miladin Popoviçin, një nga figurat kyçe të lidhjes PKSH–Beograd. Në atë kohë, të dërgohej ambasador në Beograd do të thoshte se ishe brenda rrethit të besimit politik.
Por pas prishjes Tito–Stalin në vitin 1948, kjo afërsi u kthye nga avantazh në barrë politike. Shumë figura të lidhura me Jugosllavinë ranë në dyshim dhe Çitaku u godit politikisht: u hoq nga Byroja Politike, u përjashtua nga partia dhe u largua gradualisht nga qendra e pushtetit.
Ironia ishte se njeriu që dikur përfaqësonte Shqipërinë në Beograd, më pas u bë pothuaj i padukshëm në vetë Tiranën.
Liri Gega (1917-1956) – Një nga gratë më të fuqishme të elitës komuniste të luftës, delegate në themelimin e PKSH-së dhe fytyrë e revolucionit në tribunat e kohës. Dikur duartrokitej si “heroina e partisë”; më pas partia vendosi se heroina dinte shumë.
Liri Gega ishte nga Gjirokastra, e lindur në një familje relativisht të njohur dhe të arsimuar. I ati, Beso Gega, kishte qenë farmacist dhe madje kryetar bashkie i qytetit.
Në vitet 1943–1944, ajo ishte pa dyshim gruaja më e fuqishme politikisht brenda lëvizjes komuniste shqiptare. Ishte: e vetmja grua themeluese e PKSH-së,
anëtare e Byrosë Politike, figurë e Shtabit të Përgjithshëm, drejtuese e organizatave antifashiste të grave dhe rinisë.
Në atë kohë, Nexhmije Hoxha ishte ende shumë më pak e rëndësishme politikisht. Fiqrete Shehu dhe Vito Kapo do të ngriheshin më vonë, sidomos pas konsolidimit të regjimit. Në vitin 1944, Liri Gega kishte profil politik shumë më të fortë dhe më autonom se ato.
Sa për thashethemet nëse ra “prè e xhelozisë” së Nexhmije–Fiqrete–Vito: kjo është më shumë një tezë politike dhe psikologjike sesa një fakt i dokumentuar. Nuk ka prova arkivore që ato organizuan rrëzimin e saj. Por është e vërtetë që: Liri Gega kishte personalitet të fortë, vinte nga brezi i parë i komunistëve, kishte autoritet real revolucionar, dhe nuk ishte thjesht “gruaja e dikujt”.
Pas vitit 1948, ajo u godit politikisht, u largua nga qendra e pushtetit dhe dhjetor 1956, u pushkatua bashkë me Dali Ndreu, edhe pse sipas disa dëshmive ishte shtatzënë.
Ironia tragjike është se gruaja më e fuqishme komuniste e vitit 1944 përfundoi e zhdukur pothuaj nga historia zyrtare e regjimit që ndihmoi të sillte në pushtet.
Regjimi që premtonte “njeriun e ri” nuk pati problem të vriste edhe gruan që e kishte ndihmuar të lindte vetë.
Hysni Kapo (1914-1979) – pati luksin e rrallë të largohej nga kjo botë pa trokitjen e skuadrës së pushkatimit.
Një nga njerëzit më të afërt të kupolës së pushtetit dhe figurë e fortë e hierarkisë së Partisë së Punës. I pranishëm në çdo fazë të konsolidimit të regjimit, ai përfaqësonte aparatin besnik dhe të disiplinuar, pa shumë zë publik por me peshë të madhe brenda strukturave vendimmarrëse.
Ndryshe nga shumë bashkëkohës, ai pati një fund natyral në vitin 1979, duke i shpëtuar valëve të spastrimeve që përndoqën figura të tjera të së njëjtës epokë. Në një sistem ku mbijetesa politike ishte shpesh po aq e rëndësishme sa merita, ai mbeti deri në fund pjesë e bërthamës që e mbajti regjimin në këmbë.
Sejfulla Malëshova (1899-1971) – intelektuali i fitimtarëve, përfundoi magazinier ne Fier dhe vdiq në harresë.
Një nga rastet më paradoksale të elitës së re komuniste: intelektuali më i formuar i brezit të tij, me kulturë europiane dhe prirje më të hapura se shumica e udhëheqjes së kohës. Në vitet e para pas luftës u duk si një zë i mundshëm racional brenda sistemit, por shpejt u shpall “devijant” politik.
Pas rënies nga favoret, u zhvendos nga qendra e pushtetit në periferinë më të largët të saj: u izolua, u harrua dhe përfundoi duke punuar si magazinier në një kooperativë në një fshat të Fierit. Nga njeri që shkruante dhe përkthente ide, në njeri që numëronte sende – një rrëshqitje tipike për një regjim që nuk toleronte mendimin ndryshe, edhe kur vinte nga njerëzit e vet më të ditur.
Ka patur edhe një histori private që qarkullon prej vitesh në kujtime, dëshmi dhe publicistikë mbi marrëdhëniet mes Sejfulla Malëshova dhe Enver Hoxha.
Sipas disa dëshmive të botuara pas viteve ’90, Enveri dhe Nexhmije Hoxha kishin menduar ta lidhnin Malëshovën me motrën e Enverit, Sano Hoxhën. Thuhet se ndërmjetësi ishte Pandi Kristo dhe se Malëshova e refuzoi prerë idenë. Versioni më i njohur i rrëfimit i atribuon atij frazën:
“Krushqi me të nuk bëj kurrë.”
Megjithatë, duhet thënë me kujdes se kjo histori mbështetet kryesisht në kujtime dhe dëshmi të mëvonshme, jo në dokumente arkivore zyrtare të kohës. Nuk ka provë historike të pakundërshtueshme që refuzimi i kësaj fejesë të ketë qenë arsyeja kryesore e goditjes së Malëshovës.
Arsyet reale të rënies së tij ishin kryesisht politike dhe ideologjike: ai konsiderohej tepër liberal për standardet e regjimit, kërkonte një Front më të gjerë politik dhe kishte një vizion më pak dogmatik për kulturën dhe jetën intelektuale.
Por në atmosferën paranojake të regjimit, edhe gjërat personale shpesh ktheheshin në çështje politike. Dhe historia e refuzimit të motrës së Enverit mbeti si një nga ato legjendat e errëta ku krenaria personale dhe hakmarrja politike duket se përziheshin bashkë.
Haxhi Lleshi (1913 -1998) – një figurë e lartë e luftës dhe më pas e shtetit, që kaloi nga komandat partizane në majat formale të pushtetit. Në dukje, pjesë e elitës së fitimtarëve; në praktikë, i mbajtur brenda një ekuilibri të kujdesshëm ku besnikëria vlente më shumë se pavarësia
Ministri i parë i Brendshëm pas 1944.
Në vitet e mëvonshme, ndikimi i tij u tkurr gradualisht, ndërsa aparati i pushtetit filloi të mbyllej mbi vetveten. Edhe figura të tilla, dikur të paprekshme, zbuluan se statusi nuk ishte mburojë, por leje e përkohshme që mund të zgjatej ose të shkurtohej sipas klimës politike.
Firmoste internime, derisa radha trokiti edhe në derën e familjes së vet. Ne vitin 1976, iu internua e shoqja, i biri Rushit dhe vëllezërit e gruas me mbiemrin Jegeni.
Nga dëshmitë dhe studiuesit, internimi i bashkëshortes së Haxhi Lleshi, Haxhire Jegenit, dhe i djalit të tyre Rushitit, në vitin 1976, lidhej kryesisht me origjinën dhe lidhjet familjare të familjes Jegeni, një familje e njohur nacionaliste nga Dibra e Madhe, pjesëtarë të së cilës ishin goditur rëndë nga regjimi komunist që prej viteve ’50.
Sipas dëshmive historike, Enver Hoxha ushtroi presion që Haxhi Lleshi të divorcohej nga bashkëshortja pas afro 40 vitesh martese dhe familja e saj u internua në Mollas. Kjo shihet si pjesë e logjikës së “luftës së klasave”, ku edhe vetë elita komuniste duhej të tregonte besnikëri absolute ndaj vijës së partisë, madje duke sakrifikuar familjen.
Ironia tragjike ishte se Haxhi Lleshi kishte qenë për dekada një nga figurat më të larta të regjimit, por sistemi që kishte ndihmuar të ndërtohej nuk njihte garanci personale: në fund, “biografia” mund të kthehej në problem edhe brenda shtëpisë së presidentit.
Myslim Peza (1897-1984) – një nga figurat më të njohura të luftës partizane, i kthyer shpejt në simbol politik më shumë sesa në rol ushtarak real pas luftës. Emri i tij u mbajt gjatë në qarkullim si kujtesë e rezistencës, ndërsa prania fizike në vendimmarrje ishte gjithnjë e më e rrallë. Një hero i ngritur në monument, por i përdorur më shumë si emblemë sesa si faktor.
Në një sistem ku lavdia shpesh ishte më e vlefshme se veprimi, ai mbijetoi gjatë si figurë referimi, i respektuar, i përkujtuar rregullisht, por politikisht i mbajtur në distancë nga qendra reale e pushtetit qe e shndrroi ne hero ceremonial, i nxjerrë nga vitrina vetëm çdo 16 shtator.

Enver Hoxha (1908-1985) – i vetmi që nuk u përtyp nga makina që ndërtoi vetë. Kampioni i kampionëve.
Vdiq fitimtar…
Doli nga lufta si “udhëheqësi historik” dhe mbeti për dekada i vetmi interpretues i historisë.
Në një sistem ku kundërshtimi ishte luks i rrezikshëm, ai nuk kishte nevojë të fitonte debatet… mjaftonte të mbyllte debatin.
Ndërtoi një shtet ku besnikëria ishte virtyt dhe dyshimi ishte profesion shtetëror.
Rreth tij, aleatët e djeshëm u bënë biografi të redaktuara me vonesë.
Në fund, historia e tij u shkrua gjatë jetës së tij dhe u rishkrua sapo ai u largua.
Omer Nishani (1887 -1956) – firmoste dekretet si President i Republikës, por në Shqipërinë e Enverit presidenca vlente sa një stilolaps pa bojë. Dikur fytyrë ceremoniale e regjimit, më pas një njeri i konsumuar nga izolimi, frika dhe poshtërimi i heshtur.
Më 26 maj 1956, i dha fund jetës me vetëvrasje – një fund tragjik për njeriun që kishte vulosur lindjen e republikës që po i gëlltiste njerëzit një nga një. Gruaja e tij austriake mbeti për vite në një kalvar burokratik e politik, derisa iu lejua të largohej nga Shqipëria. Edhe pas vdekjes, regjimi dinte të hakmerrej me heshtje.
Spiro Moisiu (1900 -1981) – Komandanti i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ushtaraku profesionist mes komisarëve politikë dhe një nga të paktët që kishte autoritet real ushtarak në atë tavolinë. Në luftë mbante gradat dhe frontin; pas luftës, regjimi nuk kishte shumë nevojë për njerëz me prestigj të pavarur. U largua herët nga ushtria, vetëm 47 vjeç, dhe përfundoi Kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë – një degradim elegant, tipik për regjimet që druhen nga hijet e veta.
Nga komandant i një ushtrie, në administrator të çifteve të gjahut. Revolucioni i donte heronjtë vetëm derisa pushonin së qeni të dobishëm.
Revolucionet dinë edhe të degradojnë me humor.
Mustafa Gjinishi (1912-1944) – një nga figurat më të moderuara dhe më të arsyeshme të lëvizjes, i lidhur me idenë e një bashkimi më të gjerë politik gjatë luftës. Më 23 gusht 1944, u vra pas shpine në një pritë pranë Peshkopisë, në një eliminim politik që lidhet me përplasjet brenda radhëve të vetë lëvizjes komuniste; përgjegjësia e drejtpërdrejtë nuk u pranuar kurrë zyrtarisht, por në kujtesën historike ai mbetet viktimë e spastrimeve të brendshme të kohës së luftës.
Për vrasjen e tij, Myslym Peza thuhet se reagoi me zemërim dhe u zotua për hakmarrje, por kur mësoi se prapa saj qëndronte struktura e lartë e lëvizjes dhe vendimmarrja politike e saj, ai u tërhoq dhe heshti – një heshtje që, në atë kohë, vlente sa një pranim i detyruar i realitetit të ri të pushtetit.
Lavdi Kongresit të Përmetit: aty ku u premtua çlirimi dhe u inaugurua radha.