back to top
30.5 C
Tirana
E diel, 21 Korrik, 2024

Kolë Tromara: Për Shqipërine të japim qesen dhe shpirtin…

Gazeta

Kol Tromara (1882-1945)
Kol Tromara (1882-1945)

Kolë Tromara: Për Shqipërine të japim qesen dhe shpirtin…

nga Agim Bacelli, NY

Një letër, Thirrje-Zjarrtë.

Më poshtë është letra e z. Kol Tromara dhe z. Loni Kristo. Kjo letër është një thirrje patriotike e zjarrtë drejtuar shqiptarëve të Amerikës për të ndihmuar Shqipërinë, dhe besoj se është pak o aspak e njohur në kohën e sotme. Unë e kam marrë këtë thirrje nga gazeta “Përparimi” e Qershorit 1917, që dilte një herë në muaj në qytetin e Nju Jorkut dhe shpërndahej atje ku kishte shqiptarë. Letra është me pak shkurtime pasi gjuha e shkruar e atëhershme ndryshon disi me të sotmen dhe e pata të vështirë kuptimin e disa fjalëve duke ju kërkuar të falur.
Letra firmoset nga: Kryetari, Kol Tromara Sekretari, Loni Kristo. Boston, 22 Maji 1917.

Stema e Vatrës
Stema e Vatrës

Të dashur shqiptarë,
atdhetari i shkëlqyer Z.Dr. Turtulli në letrën e tij që u botua në “Dielli” javën që shkoi na thotë: “Çlirimi dhe e Ardhmja e Shqipërisë varen nga Shqiptarët e Amerikës.”
Domethënë jemi ne ata që mund të shpëtojmë Shqipërinë nga robëria dhe copëtimi e ti japim atdheut tonë lirinë dhe kufijtë e saj kombëtarë nga Veriu, nga Lindja, Jugu dhe nga Perëndimi. Ne mund ta madhojmë Shqipërinë e Konferencës së Londrës duke fituar nga Kongresi i Paqes, copat e Atdheut që na rrëmbyen fqinjtë lakmonjës. Ne pastaj mund t’ja sigurojmë Shqipërisë të ardhmen… Perëndia na zgjodhi ne; shqiptarët e Amerikës si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria e pret shpëtimin dhe sigurimin nga ne.S’ka shpresë nga ndonjë anë tjetër na thotë Dr. Turtulli. Po si mund ta bëjmë atë ne? Mënyrën na i tregoi një Be, delegati ynë, Mehmed Bej Konica dhe tani na e përsërit Dr. Turtulli. Të dërgojmë delegatë në Europë dhe këta ti ankohen Europës për të drejtat tona. Këta delegatë të organizuar të venë në Koferencën e Paqes dhe atje të kërkojnë një Shqipëri të lirë me kufijtë e saj etnike, pastaj të kthehen në Shqipëri dhe t’i sigurojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.Po për të bërë këtë gjë duhen para. Dr. Turtulli thotë se na duhen $40.000 dhe ay i pari jep $1.000 si një gur themeltar të kësaj shume…Vini re. Vendosëm të mbledhim vetëm para për shpëtimin e Shqipërisë. Asgjë tjetër. Hollësitë ja lamë popullit t’i vendosë me anën e kuvendit.Përfaqësonjësit e Shqiptarëve të Amerikës do të shtrojnë dhe do të votojnë organizimin e Komitetit nën Mehmed Bej Konicën. Ata do të zgjedhin delegatët dhe do të shkoqitin qysh do të përdoren këto para. Komisioni ka vendosur një gjë për të cilën s’ka diskutime:

Kuvendi i Vatres - 1920
Kuvendi i Vatres – 1920

Cili shqiptar i mirë që dhëmbet për Atdheun e mjeruar nuk e do çlirimin, zgjerimin dhe sigurimin e Shqipërisë?Cili shqiptar i mirë që dhimbet për vëllezërit e robëruarë nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë? Cili shqiptar i mirë nuk jep jo vetëm qesen po edhe shpirtin e tij për qëllimin e shenjtë?
Ay që rri dhe i diskuton këto pyetje nuk është shqiptar i mirë dhe ne s’kemi punë me këta tipa. E vetmja pyetje që mund të bëjnë atdhetarët është: “KUR dhe SA?” Kur? Me 3 Qershor. Sa? Sa të mundeni e më tepër. Të gjithë bashkë shoqërisht si në kohë lufte, me flamurin përpara, një tok (një grup – A.B.) këtu e një tok atje, si taborë (ushtarë – A.B.) të një ushtrie që mblidhen kur i thërret trumbeta (buria – A.B.) e detyrës. Jepni aq sa do t’i jepni mjekut për një të sëmurë për vdekje. Ç’e doni paranë kur të na i rrëmbejnë vatanë? Shikoni grekët dhe shqehtë si kanë mprehur dhëmbët!
Shqiptarë!
Në botë vriten me milona, harxhohen me miliarda, lëftojnë me qip (me mish – A.B.) e thonj për atdheun e tyre. Digjen dhe shkretohen për të shpëtuar veten dhe familjen e tyre nga robëria dhe armiku. Ne mund ta mbarojmë detyrën tonë vetëm me ca para.Shqipëria është e sëmurë e në rrezik. E shkelur, e djegur, e plagosur, e neveritur, e pa mbrojtur dhe me shpirtin ndër dhëmbë ajo thotë:
“Kam djemtë në Amerikë. Ata do të më shpëtojnë.”
Ashtu siç thoshte Korça kur e dogji zjarri dhe e rrëzoi tërmeti dhe ngushëllohej: I kam djemtë kurbetli në Misir (Egjypti, – A.B.) e në Vllahi (Rumania, – A.B.).Na ka dalë nami se kemi para, shoqërira të mëdha dhe se flemë veçse me një ëndërr, me një dëshirë, me një qëllim, Të Shpëtojmë Shqipërinë. Dhe tani po na e këndojnë këngën jo vetëm fëmijët e vegjël por edhe gurët e drurët… duke i dhëne gajret (shpresë – A.B.) Nënës Shqipëri në shtrat të vdekjes me këto fjalë: Mbahu, neno, mos kij frikë/se ke djemtë në Amerikë!
Botuar në gazetën “Illyria”, New York. Viti 1999

*Pra, ishte ky i madhi, i miri, patrioti i flakët, Kol Tramara të cilin regjimi komunist e pushkatoi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.