back to top
20.6 C
Tirana
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Kol Kuqali dhe Loni Adami ranë për idealet e lirisë dhe demokracisë nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli
Kol Kuqali dhe Loni Adami ranë për idealet e lirisë dhe demokracisë
nga Frank Shkreli
me rastin e 103-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Disa ditë më parë kujtova shqiptaro-amerikanin e herëshëm Anthony Stevens dhe familjen e tij si kontribues të zhvillimeve fillestare në marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara fillimshekullin e kaluar. Frank Shkreli: Profili i një shqiptaro-amerikani të hershëm, Anthony Stevens – ndihmës dhe këshilltar i Harry Fultz | Gazeta Telegraf. Sot, në kuadër të 103-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dua të risjell në kujtesë dy ish-zyrtarë shqiptarë të viteve të para të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Loni Adamin sekretar dhe Kol Kuqali përkthyes, të cilët punuan për ambasadën amerikane në kryeqytetin shqiptar deri në mbylljen e kësaj ambasade në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Por të cilët, më vonë u torturuan dhe u pushkatuan – si ish-zyrtarë të ambasadës amerikane – nga regjimi i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm se besonin në vlerat e demokracise dhe të paqes midis dy popujve. Në të vërtetë, Ambasada amerikane në Tiranë, në vitin 2010, brenda hapësirës së saj, u ka ndërtuar memorialin kushtuar dy ish-zyrtarëve të saj shqiptarë. Me atë rast kam përshëndetur, me një shkrim modest, gjestin human të ambasadës kushtuar dy shqiptarëve, nëpunës të ambasadës amerikane, por më vonë të torturuar dhe pushkatuar nga regjimi diktatorial sllavo-komunist i Enver Hoxhës, si rrjedhim i lidhjeve të tyre të punës me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Kolë Kuqali
Kolë Kuqali
Loni Adami
Loni Adami

Për fatin e tyre të zi, mësuam gjatë vizitës së parë të Delegacionit të Departamentit të Shtetit në mars/prill të vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marërëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Njëra prej objektivave të misionit të këtij delegacioni diplomatik amerikan ishte rihapja e ambasadës amerikane në kryeqytetin shqiptar, e mbyllur për pothuaj 50 vjet nga regjimi komunist. Për mua, si shqiptaro-amerikan, pjesëtar i atij delegacioni, nuk kishte gëzim më të madh, që lidhjet e miqësisë midis dy vendeve tona u rivendosën, më në fund. Në ditët e para të qendrimit tonë në Tiranë dëgjuam tregime rrënqethëse mbi krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të regjimit, që në sipërfaqe dukeshin të pabesueshme dhe të pakrahasueshme me ndonjë vend tjetër, për nga brutaliteti i tyre. Në këtë grup përfshihej edhe tregimi për torturimin dhe pushkatimin e Loni Adamit e Kol Kuqalit.
Fatkeqsisht, askush nuk dinte shumë hollësi mbi fatin e këyre dy burrave, përveç informatave bazë se ata ishin vrarë, vetëm e vetëm, se kishin punuar për ambasadën amerikane dhe si të tillë konsideroheshin agjentë amerikanë dhe armiq të regjimit te ri komunist, si “spiunë” të “imperializmit amerikan”. As sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare nuk di shumë për ta, ashtu siç është edhe rasti i mijëra kundërshtarëve të tjerë të regjmit, të vrarë, e të cilëve as sot nuk u dihet fati as varri.
Por, 15 vjet më parë ka qenë Ambasadori John Withers dhe stafi i ambasadës së Shteteve te Bashkuara në Tiranë që me fisnikërinë e tyre – në përkujtim të përjetëshëm për ta – vendosën me atë rast pllakën përkujtimore për nder të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit në oborrin e ambasadës me mbishkrimin: “Ranë për idealet e lirisë dhe demokracisë”. Me atë rast, Ambasadori Withers ka thënë se dy gurët e memorialit, njëri i vogël dhe tjetri më i madh, simbolizojnë jetën e re të tyre, shkurtuar nga diktatura komuniste, ndërsa guri i madh simbolizon kontributin dhe respektin e përherëshëm karshi këtyre dy ish-zyrtarëve shqiptarë të Ambasadës amerikane në Tiranë. Ky gjest human, simbolizon njëkohësisht edhe natyrën e shoqërisë amerikane për të mos harruar kurrë ata që jane flijuar për një kauzë të drejtë dhe njerëzore, siç ishte kauza e këtyre dy ish-zyrtarve të ambasadës amerikane në Shqipëri – miqësia midis dy popujve tanë. Gjithashtu, ndjej se kjo pllakë përkujtimore, simbolizon gjithashtu edhe punën e sakrificat e të gjithë atyre – shqiptarë dhe amerikanë – të cilët për dekada të tëra kanë punuar për të sjellur marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan, në nivelin që këto marrëdhënie meritojnë të jenë, në këtë 103-vjetor të vendosjes së tyre.
Kol Kuqali dhe Loni Adami besonin së të qenit besnik ndaj traditave të shëndoshta shqiptare dhe ndaj vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë, nuk pengonte aspak harmoninë dhe paqen midis kombeve të botës, në këte rast kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Unë, si shqiptaro-amerikan, që gjithmonë kam besuar dhe besoj në përforcimin e mëtejshëm dhe në përjetësimin e miqësisë shqiptaro- amerikane, jam munduar të vendos edhe unë një gur sado të vogël në monumentin e miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta midis kombit shqiptar dhe atij amerikan.
Prandaj, në këtë 103-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në besim të plotë për mbarërvajtjen e këtyre marrëdhënieve, midis dy vendeve tona, nderoj kujtimin e sakrificës së Kol Kuqalit dhe Loni Adamit. Por, edhe në emër të të gjithë atyre që nuk mund të flasin më e që janë zhdukur e mbytur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm, pse besonin në vlerat e demokracisë e të lirisë për kombin shqiptar si dhe në miqësinë mbi 103-vjeçare midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan.
Frank Shkreli

Ish-Ambasadori i ShBA në Tiranë, John Withers
Ish-Ambasadori i ShBA në Tiranë, John Withers

Nga portali i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë
Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers: “Ky vend në të cilin jemi sot këtu është një vend që na bën krenarë. Ne nderojmë dy pjesëtarë të misionit tonë që u dënuan nga regjimi i Hoxhës pasi besonin tek vlerat e demokracisë. Ata u torturuan deri në vdekje nga regjimi i Hoxhës sepse besonin në vlerat e paqes e demokracisë. Nuk dëshiroj që ky memorial të shihet si një nderim që ne i bëjmë së shkuarës, por dua që ky memorial të shërbejë si një monument i një fryme të gjallë. Shpresoj të shërbejë si monument vlerësimi për stafin tonë që ka punuar prej vitesh duke luajtur një rol kyç për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë. Unë shpresoj që ajo që ne të marrim teksa zbulojmë këtë memorial të jetë frymëzim për ne, të marrim në jetën tonë forcën dedikimin dhe idealizmin e tyre”, ka theksuar Ambasadori John Uidhers me rastin e inaugurimit të pllakës pëkujtimore kushtuar Loni Adamasit dhe Kol Kuqalit, në 2010.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.