back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Koha me humbë dashninë… tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015

Koha me humbë dashninë…

tregim nga Jozef Radi

U ba kohë që largësitë s’i ndjej ma n’at njisinë e tyne bazë, po ndryshe… aq sa mundem me thanë se sa ma shumë kohë kalon, aq ma bindun bahem që kjo njisi e përzgjedhun dikur me drojë prej meje, sot më duket ma e drejta, bile ndjehem edhe ma i thekun, se njeriu në ksi kohnash moderne pa e kuptue shndërrohet në nji kordinatë, në nji pikë, në nji njisi lëvizse e kontrollueme prej qiejsh, prej toke e prej njerzish pra, ai s’asht tjetër veçse nji afërsi e largët o nji largësi e afërt… n’centrifugë të vetvedit… gjithnji n’vartësi të ngarkesave emocionale që pretendon me i dhanë vedit o tjerëve, o kur tjerët bajnë të njatën gja.
Kështuqë, ky rrëfim asht jo fort i natyrshëm, për ata që marrin guximin me i dalë në breg këtij mundimi të shkruem, edhe pse unë mbetem i bindun e i palëkundun në të drejtën teme se asht nji mundim i vyeshëm për cilindo që jeton sadopak si qenie virtuale…
Prej shumë vjetesh, qysh se jena njoftë ma së pari, unë dhe Griis, ishim në vazhdimësi konstante gjashtë orë diferencë prej njeni tjetrit. Bile qysh prej ditës së parë e deri te kjo ma e mbramja, njaq larg kena mbetë: gjashtë orë t’plota, rrumbullak! Gjashtë orë të palëvizuna nji sekondë edhe kur afërsia (gjithnji prej fjalësh), u ba shumë ma tepër se fjalë. Ndoshta kjo distancë u ba edhe thelb afërsisë mes nesh, thelb i asaj çka na shtynte me u kuptue edhe ndër keqkuptime; edhe kur ndjeheshim fajtorë të dypalshëm, kur asnjeni s’ishte i tillë; edhe kur jena përpjekë me i dhanë kuptim gjithçkaje që mendonim e besonim se e thoshnim… kur veç kishim heshtë dhe asgja ma shumë…
Tash besojmë të dy njiherit, se krejt kjo asht nji jetë e jetueme qetsisht ambël, se gjashtë orët larg njeni tjetrit pa u pa kurrë me sy të xhveshun, pa u përshndetë kurrë (as me krye as me buzqeshje), pa u ndje realisht as me fshikje e as me prekje… (lene ma për puthje e ma përtej, as bahet fjalë), s’janë veçse refleksione andrruese drejt nji afërsie që s’mbrrihesh kurrë. Kështu pra, vazhdon ai mundimi prej kohësh që s’mbahet mend, tuj u marrë vesh me pa-të dhe me-të tona, në kët largësi konstante ore dhe hapsine, që me thanë të drejtën, s’na ka pengue fort në mirkuptimin mes nesh, edhe kur shumë kapituj të vështirë i kemi zgjidhë me heshtje të gjata…
Nji herë, vendosëm me ju hikë këtyne gjashtë orëve që na rrijshin si sfinks midis, po ndodhën aq shumë pamundësina, në dukje të magjishme, sa s’di nse mundem me e quejtë fat të vërtetën e përjetueme, o thanë ndryshe at përputhje të krejt koordinatave tona që s’ishin asgja ma shumë se nji andërr… ndoshta edhe ma e bukur se nji andërr, pse kishim mendue aq shumë gjana të shkrime në nji dekik të vetëm, sa krejt ajo dritë lbyrse na shkoi sa hap e mbyll sytë… Dhe ndodhi gjithçkaja në asgja, dhe asgjaja në gjithçka… në nji fraksion sekonde na parakaloi ndër sy krejt ferri dhe parajsa e nji dëshire të kapërthyeme… dhe s’u mor vesh nëse ndonjeni prej nesh e gjeti të vërtetën e vet te tjetri, apo e vërteta e të dyve u derdh si nji gotë vene të mirë e na i ndezi dëshirat përtej fjalëve, pa na çue askund…
E gjitha qe veç frymë, o ma shumë se frymë! Njashtu të kapërthyem flake na u duk se e fshikëm andrrën si me bisht komete. Dhe befas ideja e nji krijese të përbashkët dalë prej asaj andrre zhgjandërr, s’qe tjetër veçse nji dhimbë ende e pakuptueme si dhe sa duhet. Nji hjekë që e vuejtëm të dy, në trajta ende të parrëfyeme.
Prej atij trazimi, që ma së shumti na u duk andërr, mbeta i krejt i bindun se ne, ma shumë se krijesa reale jemi dëshira shetitëse, dhe bash ditën kur na duket se mbrrijmë te caku i i së vërtetës… ndjehemi përfundimisht të hikun prej asaj çka kemi mendue dhe dëshirue aq marrzisht.
Si andërr, sado e bukur që mund të kishte qenë… në fund të fundit them se edhe ne meritojmë respekt prej atyne që s’besojnë në andrra… e nëse ishte zhgjandër, duhet ta bindim vedin se e paskemi tejkalue andrrën… Njeriu kur ndjehet viktimë e kohës, kërkon me hikë prej saj, dhe futet ndër asi fantazish që i krijon veç andrrimi, dhe shkëmben zjarr e zjarrmi, aq bukur e aq madhnishëm sa s’dëshiron me dalë prej saj. I ven në lëvizje krejt ndrydhjet e veta, i jep hapsinë krej nji bote që flen mbrenda tij, i shtyn në vrull e çmendi krejt hovet e veta, duke u shndërrue në nji enë komunikuese fryme, langjesh e andrrash njiherit… E nse s’mundet me mbrritë n’at kordinatën e dëshirueme; edhe nse s’mundet me u kuptue sa dhe si duhet çka po i ndodh me vedin o me tjetrin (ndoshta edhe me tan botën…) n’at dekik hyjnor përputhjesh e gjetjesh perfekte kordinatash; edhe n’se hapsina dhe koha e atyne dy krijesave tashma të shkrime në nji të vetme asht e pezullt… befas ai ndjehet i lëshuem në pikiatë të lirë si nji zog detnash që kur s’e gjën vdekjen prej përplasjes…

u nisa per atje ku s'më priste askush...
u nisa per atje ku s’më priste askush…

E vërteta asht që edhe pse larg ne vazhdojmë me jetue, me folë, me u shkëmbye, me u dashtë… bile shpesh edhe me u kundërshtue, me u zemrue, me u shty, gjithnji midis njatyne gjashtë orëve të bekueme e të mallkueme… të largësisë në kohë, po jo fort në hapsinë. Trupat tonë padrejtsisht vazhdojnë me e vuejtë kët ndëshkim të mendjeve tona, e njashtu n’heshtje e në mirkuptim të detyruem, shtyhen pa u ankue dhe pa ju zemrue kërkujt, si t’ishte fjala për nji nënshtrim marrëzie, mbasi vetëm kështu mundet me jetue bindja se edhe pak e gjendet ai çilsi i artë që ka me na ndihmue me iu avitë afërsisë.
Njato gjashtë orë largsi midis nesh, na kanë ndihmue me qenë dy qenie të lidhuna pa shumë detyrime, me e ndjekë njeni tjetrin pa zhurmë e pa u mbrritë, si të thuesh jemi dy hallka t’nji zinxhiri që ven në lëvizje nji biçikletë të bukur, e cila shetitë pafundësinë e së njejtës rrugë, që kryen punë të përbashkta, (po për të tjerë), e që për dreq s’takohen kurrë.
E bukur the…?! Jo, aspak e bukur!
Pse kur unë kcej prej shtratit me la sytë e me pi kafen, n’krahun tjetër posa ka mbrritë gjumi dhe rraskapitja e krejt nji dite; e kur ka mbarue gjumi e zbret zgjimi në krahun tjetër, unë kam heqë qafe pjesën ma të lodhshme të ditës; kur unë futem te zona e mbylljes së ditës… në krahun tjetër asht ndezë motorri i nji dite të çmendun e të pasosun, e s’mundet me nisë as nji përshëndetje… e kur vjen ai çast i bekuem që mundem me e nisë at përshëndetje aq të pritme e t’bame shuk, o jam në prag të rrëzimit o i rrëzuem dekun… o krejt i pamundun me kthye nji përgjigje si duhet mbasi ndjehem i sherrun…!
E megjithatë kjo s’na prish asnji punë.
Gjithsesi, besojmë bashkarisht se në kët vrapim përplot me hendeqe s’ka asgja tragjike… Thjesht, ne jemi n’përpjekje me iu avitë njeni tjetrit me dëshirën se dikur e diqysh ka me u kujtue ndokush(!?) me i heqë njato dy hallka që duket sikur i shërbejnë veç botës, e s’na lanë me jetue qoftë edhe do ditë të vogla në qamje hallesh të përbashkta…
Kur ulem dhe e mendoj me qetsi kët gja, mbrrij me thanë se njena hallkë asht çmenduni aktive që s’ka zot me e ndalë, kurse tjetra çmenduni reflektive që s’jeton dot pa u frenue e here mbas here pa u ndalë, po gjithsesi në sensin matematik të dyja kanë çmenduninë të përbashkët dhe ajo çka mund të mblidhet o të zbritet asht aktivja me reflektiven, po kjo ende s’ka ndodhë e as ka me ndodhë… pse bota njisoj ka me qenë dhe njisoj ka me e shpërfillë dhe me e shprishë gjithçka ndodh me o pa dashtas mes nesh…
Asht nadje vere. Jam ulë në nji bar me kafen dhe gotën e ujit me akull, para nji agjensie ku priten bileta avionash dhe nisen udhëtarë. Mendimi i parë që m’erdh n’sa zbardhte drita qe: “Veç nji shkreptimë n’mendje… dhe mundem me iu afrue e me ia përputhë krejt koordinatat e mia fizike me Griisin…” Ndërkohë gjerbja me nge kafen dhe vazhdoja me e kqyrë at ngut njerzish që turresh qiejve, dhe at shfaqje, si ironia ma e madhe që ban njeriu me vetvedin…

në nji fraksion sekonde na parakaloi ndër sy krejt ferri dhe parajsa...
në nji fraksion sekonde na parakaloi ndër sy krejt ferri dhe parajsa…

E nxorra bllokun dhe nisa me shkruejtë ngutshëm, duke i habitë disa ata që përreth që e përpinin kafen dhe ujin me akull qysh në t’zbrdhun të ditës… Mendova se duke e shkruejtë mund ta rueja ekuidistancën dashunore mes nesh… se vetëm kështu mund t’i baja shërbimin ma të vyem nji historie që ndoshta kishte me shkue deri në përjetsi. Sepse me zbritë te e zakonshmja e secilit prej nesh mjaftojnë veç me dalë prej koordinatave të kohës e hapsinës dhe me u shfaqë asgja ma shumë, po nji thërmijë aktive e etun, që synon me gjenerue tjera thërmija, të ngjashme me vedin e që ma së shumti lëvizin instinktivisht… Njato thërmija s’janë tjetër veçse do bashkime efimere, të pastudjueme, të pallogarituna, të paqarta bile shpesh të pakënaquna që udhëtojnë me dëshirën e madhe e shpesh të dyshimtë të afirmimit…
Ndjehesha i lodhun ksi mendimesh, dhe e ndava mendjen që at ditë me udhëtue surprizë, e me mbrritë atje ku s’më priste askush. I kreva tana formalitete, e ngjesha valixhen me do ndrresa… dhe ngjita shkallët e ma të parit avion të udhëve të gjata.
Para nisjes shkrova nji mesazh: “Ndodhem në rrugë… Jo gjashtë, po veç katër orë larg teje!” e njashtu i lumtun, i lidhun mbas sediljes ndjeva nji cërre si përgjigje. S’e kisha besue t’ishte aq e shpejtë: “Cili oqean qenka mikpritësi yt… para meje… Hahaha!?”
Edhe paksa i trishtë, u ndjeva i lumtun… Buzqesha, mandej qesha, mandej qesha me të madhe… aq sa mund t’u jem dukë pak i çmendun gjindjes përreth. Meqë s’më njifte kush e lashë të qeshunën me u derdhë n’qejf të vet…
Kur zbrita prej avionit, e para gja e rilexova mesazhin.
Tash isha krejt i palargësi prej orës së Griisit… U nguta, pa e dijtë pse… dhe eca pa e ditë se ku, i bindun se kisha mbrritë atje ku dikush do t’më shfaqej me nji ankth të përmbledhun…
Vazhdova me ecë midis njerzve pa kqyrë askënd… Më përshkoi nji drithme kur mendova që s’më priste askush… pse aty vetëm kohën e kisha të përbashkët me Griisin, po jo hapsinën… E qeshuna e marrë e para pak çasteve… vazhdonte e m’shugullonte ndër veshë… Nisa të ngutem e të mendoja: “Veç kështu mund ta humbja përgjithnji Atë… Njeriun e dashnisë ma të madhe të jetës… Atë njeriun që e kisha ndërtue me fantazi! Veç duke iu avitë fizikisht… njasaj krijese tashma të shenjtnueme në mendje, që s’kujtoja nëse e kisha pa ndonjiherë a s’e kisha pa kurrë…!? Ecja njashtu me at trokun e këpucve mbi asfalt, i bindun se diçka të shtrenjtë e kisha humbë përgjithmonë!”
Tiranë, korrik 2015 – Ancona, tetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.