back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024

Koço Dinella – Tomashevski i portës shqiptare… nga Adriatik Riza Dosti

Gazeta

Adriatik Dosti - Koço Dinella - Luan Merdani - 2019
Adriatik Dosti – Koço Dinella – Luan Merdani – 2019

Koço Dinella – Tomashevski i portës shqiptare…

nga Adriatik Riza Dosti

Pjesë nga krenaritë e sportit shqiptar

Më së fundi, falë përkujdesjes së mikut tim të mirë Luan Merdanit, pas shumë e shumë vitesh… ëndrra ime për të pasur përballë në një rrëfim sportiv tejet njerëzor njerën prej legjendave dhe ikonave të futbollit shqiptar ose siç e kam quajtur unë jo rrallë herë në disa shkrime të mijat ”Tomashevski shqiptar”, të mirënjohurin Koço Dinella… u bë realitet!
Sot… në këtë pasdite të 2 shkurtit 2019, kam darkuar gjatë me dy miqtë e mi të mirë dhe bashkëbisedimin me Koço Dinellën nuk e desha të mbaronte kurrë…
Sa rrugë e gjatë sportive, sa shumë respekt për atë kohë e atë brez futbollistësh… për ata njerëz të mrekullueshëm që i falen futbollit gjithçka të mirë prej jetës së tyre, dhe pothuajse nuk morën kurrë asgjë… veë duartrokitjeve, respektit e mirënjohjes sonë, që i ndoqëm këmba-këmbës për vite e vite me radhë…
Sa shumë emocione, kujtime e sa shumë sinqeritet e modesti prekëse pati rrëfimi i këtij mjeshtri të madh të portës shqiptare, që për shumë arësye objektive i pat munguar Arkivës sime profesionale të gazetarit sportiv… po aq sa na ka munguar gjatë të gjithëve ne dashamirësve e tifozëve të shumtë e të hershëm të futbollit ndër dekada…
I madh e i rrallë në cilësitë sportive, sa më s’ka, por edhe më i madh, modest e me fisnik akoma në thjeshtësinë e fisnikërinë e tij unikale… qytetare e civilizuese sa të imponon respekt absolut… ky është Legjenda e portës korçare e asaj shqiptare bashkë, të mesviteve ’60-’70: Koço Dinella…
Edhe sot tek troket te 72 vitet e jetës ka mbetur po ai… shtatlartë… i hijshëm… babaxhan, i qetë, i shtruar e shumë i kulturuar në muhabet e mbi të gjitha siç thonë tironcit “gjeth” a thua se pas bisedës me ty do të rikthehet sërish të mbrojë portën e Skënderbeut të tij të zemrës apo edhe atë të Tiranës, Dinamos, Vllaznisë apo edhe atë të Kombëtares së Shqipërisë… fanella të cilat i mbajti me nder si pakkush tjetër në historinë e futbollit shqiptar…
Ishte vetëm 17 vjeçar… kur më 1964, emri i tij do të vihej në reth prej më të zëshmëve specialistë e trajnerë të futbollit shqiptar pas atij aktivizimi surprizë në portën e Skënderbeut teksa Maqo Prodani do t’i besonte të luante kundër Partizanit të famshëm të kohës së Panos së madh të cilët sapo ishin kthyer me bujë prej Këlnit të Gjermanisë…
Dhe djaloshi shtatlartë e i hijshëm Dinella, do t’i priste penalltinë Mjeshtrit të madh e të pagabueshem Panajot Pano e Partizani ndalet në Korçë në një 0-0 historik për vendasit…
Dhe kaq u desh… dhe Dinella nuk do të ndalej më, për t’u ngjitur shpejt në majat më të larta të futbollit shqiptar… pasi talenti i tij tashmë nuk mund të zhgënjente dot me kërkënd…
Më 1966, e thërret Dinamo e famshme e Skënder Jarecit, dhe në krah me Jani Ramën do të përbëjnë për gati dy vjet e gjysëm duetin e famshëm historik të dy prej portierëve më të mirë që ka patur kjo skuadër në historinë e saj…
Absolutisht që Skënder Jareci mbetet figura më e madhe e trajnerit pasionant, të mençur e njohës të përkryer të lojës së futbollit thotë Dinella… të mirë ishin shumë prej tyre si Loro Borici, I. Shuke, M. Prodani, Aleko Pilika, Zihni Gjinali, Myslym Alla, Xhodë Shaqiri, Zyber Konçi, shton Koço, por Jareci se ç’kishte diçka të veçantë në strategjinë e tij të trajnerllikut që s’e kishte askush prej tyre…
E biseda jonë shkon tek ai titull kampion që Dinella pat fituar asokohe me Dinamon… Fjala është për atë të edicionit ’66/’67… Ehhhh, as mos e zer me gojë më thotë me shumë sinqeritet Mjeshtri, sepse dihet mirë ajo histori, kur titullin ja hoqën Tiranës e na e dhanë ne… ndaj harroje shton duke nisur ligjeratën për Tironën e famshme të Myslym Allës…
E them me shume bindje e sinqeritet, se ajo Tiranë e futbolli i tyre nuk i vjen më Shqipërisë, ata lojtarë e ai trajner, ajo shoqëri brenda skuadrës e ata djem sa të ngritur, të kulturuar e me shkollë, kaq të pasionuar pas futbollit, vështirë se mund t’i vijnë sërish historisë sonë të futbollit… ndaj ata mbeten krenari me vetë në futbollin tonë…
Tiranë, 17 dhjetor 1967 - Shqipëri -R.F.GJ - 0-0, I Lin Shllaku, Koço Dinella, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso, Frederik Gjinali, Panajot Pano
Tiranë, 17 dhjetor 1967 – Shqipëri -R.F.GJ – 0-0,
Lin Shllaku, Koço Dinella, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi,
Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso, Frederik Gjinali, Panajot Pano
Të gjithë ishin djem zotninj… por unë do të veçoja mikun tim të ngushtë dhe futbollistin e njeriun Nobel, Fatmir Frashëri, model i sportistit e qytetarit… fisnik, i thjeshtë, i madh e unikal në llojin e tij, rrëfen Dinella jo pa emocion…
E po me kaq respekt Koço të flet edhe për dinamovitët e mëdhenj Ilir Pernaska e Faruk Sejdini, të cilët vazhdojnë të mbeten ndër miqtë e tij më të mirë të atyre viteve të paharruara futbollistike…
Sikurse Marjetën e Kushtrim Zaçen i vlerëson në maksimum si njerëz të rrallë e sportistë të niveleve të larta botërore…
E më tej biseda për Skënderbeun e tij, krenarinë e Qytetit të tij Korçës… të cilën Koço nuk e ndërron me askënd në botë…
Kujton me respekt e konsideratë të veçantë Pilikën… dyshen Vaso e Dembo… si dy Mjeshtra të vërtetë dhe figura shumë të respektuara të futbollit korçar e atij shqiptar bashkë… sikurse edhe Ballçon… golat e papërsëritshëm të Xhambazit, zëvendësuesin e tij Kaçin, por edhe M. Kërçiç thotë Mjeshtri, mbetet futbollisti më i veçantë e më i talentuar që Korça ka në historinë e vet… të paktën për mua ai ishte një lloj futbollisti i tipit hollandez që kish veshur fanellën e Skënderbeut tonë, dhe unë lojën e klasin e tij e admiroja pa masë… sikurse të madhin Xhambazi që më mrekullonte mua e këdo me gjithçka bënte në fushën e lojës, e veçmas me golat e tij spektakolarë…
Dhe rrëfimi vazhdon tek Koço Dinella në Amsterdam përballë Ajaksit të famshëm me 1970… por këtë radhë në mbrojtje të portës së ish 17 Nëntorit magjik të M. Allës… “Kemi bërë një lojë të shkëlqyer, kujton Dinella, dhe atë ditë vërtet kam qënë në një formë të mrekullueshme, por Ajaksin nuk e mundnin dot në atë kohë edhe ekipe shumë herë më të mëdha se Tirana, e jo ta ndalnim dot ne… Të vegjëlit e futbollit shqiptar pa shumë histori!”
“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit - Schiphol 30.09.1970...
“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit –
Schiphol 30.09.1970… Koço Dinella me kostum te hapur
Më pas për Kupat Ballkanike, Koço Dinella do të mbronte edhe portën e Vllaznisë… teksa kujton me emocion e nostalgji një nga bukuritë e rralla të futbollit shkodran e atij shqiptar bashkë, siç e vlerëson ai “magjistarin e topit” Sabah Bizi… dhe shton se i ulet ne gjunjë me respekt të veçantë publikut fenomenal e tejet objektiv e futbolldashës shkodran!
Tek mundohem t’i ”vjedh” emrin e më të mirit të portës shqiptare në gjithë historinë e futbollit tonë, Koço e ka të vështirë të veçojë vërtetë më të mirin, ndaj dhe i përmend radhazi me respekt paraardhësit e tijsi: Maliqatin, Voglin, Bonatin etj., e ai nis e tregon histori reale të jetuara vetë me mrekullitë e portës shqiptare që nisin me Mikel Jankun e vazhdojne me Jani Ramën, Bashkim Muhedinin, Paulin Ndojën, e me radhë deri tek Jani Kaçi, Perlat Musta e deri vonë tek komentet e tij për Luarasin, Strakoshën, Nallbanin, etj., duke vlerësuar sot së tepërmi edhe Berishën, e veçmas cilësitë e shkëlqyera e komplekse të fenomenit e “krenarisë së portës shqiptare” – siç e cilëson Dinella talentin e sotëm Tomas Strakosha…
Biseda shkon edhe tek turnetë të famshme të asaj kohe me ekipin Shpresa në Kinë e me kombetarën olimpike në Egjipt… ku Koço flet me shumë respekt e konsideratë për brezin e artë të futbollistëve të kohës së tij… por edhe për ata trajnerë të zot shqiptarë që meritojnë të kujtohen ashtu siç ju takon…
Duke mos dashur të qëndrojë tek Dinamo e i shtyrë edhe nga dashuria e respekti i tij i pakufi për Korçën dhe korçarët e tij të mrekullueshëm, Dinella vendosi që në kulmin e karierrës së tij, teksa e kërkonin dhe e lusnin të gjithë… të rikthehej në vendlindje… se natyrisht “guri i rëndë peshon më shumë në vend të vet…” vërtet Koço Dinella peshoi e sërish peshon ende shumë në Korçën e tij…
Ai do të luajë për Skënderbeun përsëri… nga 1969-1978, duke mbetur pika më e fortë e tij dhe ndër futbollistët më të dashur, më të respektuar e më popullorë jo vetëm të Korçës, por të gjithë Shqipërisë… Korrekt, serioz, shumë i edukuar brenda dhe jashtë fushës së lojës dhe me një autoritet e vlëresim prej të gjithëve sa do ta kishte zili çdokush si profesionist e më së shumti si qytetar…
Dhe kujton jo pa ”gjë” atë titull që ju mohua Skënderbeut prej makinacioneve të turpshme të FSHF-së Mehdi Bushatit në atë kohë si dhe mbylljen e karrierës së tij futbollistike gati 14 vjeçare, pas ndeshjeve të Skënderbeut për Kupën Ballkanike kundër Arisit të Selanikut dhe Rijekës së ish Jugosllavisë, duke marrë me vete respektin, simpatinë e mirënjohjen e pakufi të publikut të tij…
Tashme në Korçë, e në futbollin shqiptar ka mbrritur zëvendësuesi i tij, i pagabueshëm… ai që më pas do të bëhej një ndër Heronjtë e portës shqiptare, bashkëqytetari i tij: Jani Kaçi… të cilit duket se Koço plot shpresë e besim ia lëshon vendin…
Jani Kaçi e Perlat Musta janë dy emra që vërtet më kanë mrekulluar për ato vite që ishin në fushë thotë Dinella… ishin e mbetën dy prej modeleve më të mira të portës shqiptare e historisë së futbollit tonë…
Koço Dinella, merr titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Koço Dinella, merr titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Tek e ngacmoj se cilit sulmues i druhej e i trembej në fushë… Dinella vë buzën në gas e më thotë: nga natyra ime askujt, pasi për çdo ndeshje isha i përgatitur siç duhet dhe e dija se kundër kujt luaja…
Një histori të hidhur me sulmuesin shkodran Lekë Koçobashi që asokohe luante në Gjirokastër. Mjeshtri nuk ka dëshirë t’ia kujtosh fort, pasi siç thotë vetë ai ka qenë i vetmi rast në gjithë karrierën e tij sportive, që ai ka dalë jashtë fushës së lojës me karton të kuq… por shton me sinqeritet se Koçobashi ma bëri vërtet borxh dhe më dëmtoi fizikisht disa herë… si në Gjirokastër po ashtu edhe në Korçë…
Ndeshjet me Shpresat, Olimpiken e Kombëtaren që nga 1964-’73, janë “qershia mbi tortë” për Koço Dinellën, ku sidomos dy përfaqësimet e jashtëzakonshme të tij kundër RFGJ së famëshme të asaj kohe me 1967 dhe 1971, janë Libri i Artë i karrierës së tij sportive, e ndër faqet më të bukura të futbollit tonë kombëtar…
Sa i madh ka qenë vërtet në ato dy ndeshje të paharruara për futbollin shqiptar 20 e më pas 24 vjeçari korçar Dinella, aq sa zuri vend me nder e dinjitet, njëherë e mirë në historinë e futbollit shqiptar… për të mos u harruar kurrë, e për të mbetur në Panteonin e tij, plot meritë…
E më pas do të vijnë takimet me Poloninë, Finlandën, Algjerinë, Turqinë etj etj., ku ai si gjithnjë do të ishte ndër pikat më të forta të kuq e zinjve… dhe ndër më të preferuarit e Boriçit me shokë, por edhe të publikut shqiptar…
Korçës sime e korçarëve të mi ju jam borxhli tërë jetën… – vazhdon rrëfimin Dinella, pasi më kanë dashur e më duan, më kanë respektuar, vlerësuar e nderuar si pakkënd, teksa kujton që e kanë nderuar me tituj të shumtë nderi… si qytetarë të saj të veçantë e si sportistë model e të niveleve të larta, etj etj…
Dhe Dinella i ka merituar, e i meriton të gjitha vlerësimet e tilla sepse ishte e mbetet mbi të gjitha jo vetëm një sportist elitar i qytetit e vendit të tij, por mbi të gjitha një vlerë e rrallë njerëzore, qytetarie e civilizimi model, si pak kush tjetër…
Po kështu edhe futbolli shqiptar e ka vlerësuar jo pak Koço Dinellën duke i akorduar titujt “Mjeshtër i merituar sporti”, “Legjendë e futbollit shqiptar”, “Nderi i futbollit shqiptar” etj, etj.
Së fundi… këto ditë Mjeshtri i madh do të jetë i ftuar në Uashington ku në Ambasadën tonë atje, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Meta pritet t’i dorëzojë titullin e vlerësimin e lartë të Urdhërit të Kalorësit të Skënderbeut…
I meriton të gjithë vlerësimet, nderet e respektet Koço Dinella, sepse në kohën tënde e të brezit tënd të pa përsëritshëm po aq sa të mrekullueshëm na fale emocione të rralla, kënaqësi pafund, cilësi të lartë sportive Bio… ndershmëri e profesionalizëm të rrallë pa marrë kurrë mbrapsht atë që meritonite në të vërtetë të merrnit… shpërblimin material që ju takonte sa më s’ka…
E tash prej gati më shumë se 20 vitesh Dinella jeton këtu në Michigan së bashku me familjen e tij dhe kurdoherë i rrethuar me respektin e dashurinë e tyre… të bashkëshortes dhe dy vajzave të tija si dhe të mbesave e nipërve të tij… por edhe të miqve e dashamirësve të tij të shumtë dhe po kaq i vlerësuar jo pak kurdoherë edhe prej bashkëatdhetarëve të tij jo të pakët, mes të cilëve Mjeshtri ndihet vërtet mirë, si ”pensionist që jam” nuk jam keq shton me shaka, kur unë i them se absolutisht nuk tregon për moshën e fizikun që ka…
çdo të bëje ndryshe… nëse futbolli do të të thërriste si dikur ty Koçon e super talentuar të asaj moshe i them në fund të bisedës sonë…
.
Koço Dinella, merr titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Koço Dinella, merr titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
“Asgjë më shumë se ç’bëra! – më thotë aty për aty – do të luaja serish për Korçën e Skënderbeun e zemrës sime dhe për fanellën e shenjtë të Kombëtares sime… me të njëjtin pasion, seriozitet, përkushtim e korrektesë si dikur kur për futbollin lija çdo gjë nga jeta ime e asaj kohe deri edhe gëzimet familjare, dasmat, mbrëmjet, pasionet e moshës, etj, etj…
Kaluam së bashku rreth tre orë si pa u ndjerë me Mjeshtrin e madh të portës shqiptare Dinella e me mikun tim të mirë Luan Merdani… folëm e kujtuam gjatë gjithkënd që mundëm prej historisë së sportit shqiptar e gjithese i lamë ende pa treguar edhe shumë e shumë histori të tjera krenarie, të sportit të vendit tonë… histori të cilat këta ”gazetarucët e sotëm ” paturpësisht e prej injorancës e padijes së tyre i kanë zëvendësuar rëndom, me Ronaldon e Messin, me Barcelonën e Realin, me Juven e Bajernin, me Buffonin e me De Gean me shokë…
Mirë bëni që flisni e shkruani për ta… por mos harroni se bota ka heronjtë e tyre sikurse edhe Shqipëria jonë e vogël ka pasur e ka heronjtë e saj të mëdhenj të sportit të vet, që nuk nisi pas 1990… siç ju gënjen mendja juaj mjerane e nihilizmi juaj pervers… Ok…
.
17 dhjetor 1967 - Shqipëri -R.F.GJ - 0-0
17 dhjetor 1967 – Shqipëri -R.F.GJ – 0-0
Marre nga Muri i Fb i Adriatik R. Dostit, 4 shkurt 2019
 

 

 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.