back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kllounada e Ligjërimit Publik në një shoqëri të shthurur – nga Erl Kodra

Gazeta

Trapi i Meduzes - Avni Delvina
Trapi i Meduzes – Avni Delvina

Kllounada e Ligjërimit Publik në një shoqëri të shthurur

nga Erl Kodra

Për të kuptuar gjendjen e një shoqërie, së pari duhet kuptuar ligjërimi publik. Në esencën e tij, ky ligjërim është shumësia e asaj çfarë transmetohet në mjetet e komunikimit masiv, siç është televizioni dhe gazetat, përfshirë personazhet e këtij ligjërimi, por edhe web – faqet dhe mediat sociale. Ky ligjërim është përcaktues për orientimin e shoqërisë drejt vlerave morale, sepse ndikimi i ligjëruesve publik është i padiskutueshëm.
Çfarë ndodhë në shoqërinë tonë përgjatë 24 orëve? Cili është fjalori me të cilin përballet njeriu i zakonshëm? Nga shumësia e fjalëve që transmetohen tek njerëzit, sa prej tyre përmbajnë koherencën morale në raport me të vërtetën e jetës së tyre?
Në Shqipëri, ligjëruesit publikë janë qenie të veshura mirë, të mbajtura mirë, të ushqyera mirë, të shkolluar mirë. Jetesën dhe të mirat materiale që zotërojnë, përgjithësisht i kanë arritur nëpërmjet fjalëve që thonë në mjetet e komunikimit masiv. Ata e kanë vënë veten në shërbim, domethënë, aftësitë e tyre për t’u artikuluar, për të shkruar dhe për të shprehur mendime komplekse, ia kanë shitur ofertuesit më të mirë.
Dhe ofertuesi më i mirë është Edi Rama, në të vërtetë, që prej viteve 2000.
Trajtimi i gjendjes nuk mund të shihet i shkëputur nga karakteristikat e diskursit publik që kanë e majta dhe e djathta, por megjithatë, gjendja reale është shumë më komplekse, se sa mund të trajtohet në një tekst si ky. Në të vërtetë, qëllimi im është një debat serioz publik. Të kuptohemi; unë nuk ushqej ndonjë iluzion se debate të tilla mund të ndryshojnë realitetin, por gjithësesi, unë dëshiroj të lë të shkruar dëshminë time rreth “nënës së të gjitha temave”, për një shoqëri me vlera morale të shkatërruara si kjo e jona.
Çfarë është ligjërimi publik në Shqipëri? Një mënyrë përkufizimi mund të ishte kjo:
Ligjërimi publik është shumësia e lajmeve propagandistike rreth aktivitetit të qeverisë në mjetet e komunikimit masiv, të mbështetur kryesisht në propagandues pa asnjë vlerë shoqërore dhe koherencë morale. Folësit publikë në Shqipëri nuk kanë për qëllim orientimin dhe informimin e shoqërisë, por manipulimin e saj.
Grafike nga Avni Delvina
Grafike nga Avni Delvina
***
Zakonisht, emetimi i fjalëve në diskursin publik fillon me Bashkim Hoxhën në Neës 24, i cili lexon pasqyrën e shtypit të ditës. Titujt “konfirmojnë” një realitet vazhdueshmërisht të njëjtë, me të njëjtat sfida të thella që nuk përmbushen kurrë, me të njëjtët emra analistësh, me të njëjtat qasje, që prej dy dekadash. Gjithçka siç ka qenë, njëjtë edhe Bashkim Hoxha.
Gjatë ditës vazhdohet me transmetimet e aktiviteteve të qeverisë, ku dominon Edi Rama me ERTV-në e tij dhe kasetat e kryebashkiakut Erion Veliaj. Zakonisht, raportimet direkt rezervojnë trajtim linear të ngjarjes politike, pa analizë dhe thelb. Mikrofonat e reporterëve lejojnë të rrjedhin lirshëm ligjëratat e protagonistëve.
Drejtorët e Informacionit në televizionet kryesore të vendit kujdesen gjithmonë që temat të rrjedhin ashtu siç duhet; të kontrolluara. Kur skandali është i përmasave të mëdha, darkat televizive rezervojnë zhvlerësimin dhe relativizimin përfundimtar, duke siguruar kështu status quo-në. Darkat televizive janë edhe një spektakël mediokriteti dhe histerie masive, ku në “prime time” garojnë me njëri tjetrin supergazetarët Eni Vasili, Sokol Balla, Artur Zheji dhe Blendi Fevziu.
Të ftuarit e tyre janë të njëjtët; diçka nën nivelin e inteligjencës mesatare, të gatshëm të thonë se toka nuk rrotullohet, nëse kështu ua do puna për të justifikuar dhe sfumuar ndyrësitë e regjimit.
Këtu duhet bërë një parashtresë; shqiptarët, në shumicën e tyre janë të varfër. Si të tillë, ata mbijetojnë në një mjedis të ashpër dhe armiqësor, në një shoqëri të polarizuar, ku vesi nderohet dhe seriviret si virtyt. Shqiptari i thjeshtë gjendet nën agresion nga ligjërues publik të paskrupullt, në një lloj spektakli açik, që imponohet masivisht nga mediat e komunikimit masiv. Qëllimi arrihet me sukses të plotë; darkat televizive kthehen edhe në një lloj spektakli ku rëndomë dëgjohet Kujtim Gjuzi dhe Fatos Klosi në diskursin e tyre për moralin shoqëror.
Gjithashtu, kriminalizimi i shoqërisë shqiptare ka patur vetëm trend rritës. Me mijëra e mijëra shqiptarë gjenden në burgjet e vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht në Greqi, Itali, Francë, Gjermani dhe Angli. Pothuaj të gjitha krimet e tyre janë të lidhura me trafikun e drogës, trafikun njerëzor, dhe krimet kundër pronës dhe jetës. Me mijëra të tjerë janë të shpallur në kërkim nga drejtësia e këtyre vendeve. Fakti është se pikërisht kjo kategori e shoqërisë ia ka dalë të “bëjë prokopi” në shoqërinë shqiptare. Vitet e fundit ata kanë marrë edhe role politike, duke u shkrirë me Rilindjen e Edi Ramës. Kështu shoqëria shqiptare ka mbetur e mbërthyer në një trafik të çuditshëm influence, ku qarkullojnë interesat e trafikantëve dhe kriminelëve, bashkë me ato të politikës, gazetarisë, mediave dhe ligjëruesve publik. Jashtë kësaj skeme nuk mund të mbijetojë askush. Jashtë kësaj skeme, ti je i dënuar me heshtje dhe injorim, dhe nëse kjo nuk mjafton, edhe me përndjekje dhe persekutim*).
Shoqëria shqiptare nuk mund të mbijetojë në një ambient të tillë, të papërshtatshëm dhe armiqësor me normat e moralit njerëzor. Ligjërimi publik po vret çdo shpresë se shqiptarët mund të ndërtojnë vendin e tyre. Braktisja e masive e vendit po e zhytë shoqërinë në kufinjtë e mospërmbushjes ekonomike dhe në humbjen e moralit shoqëror. Është tragjike të shohësh të rinj që i hyjnë biznesit të drogës dhe prostitucionit, krimit dhe korrupsionit, hapur dhe pa teklif si në Shqipëri.
Një ndër “sportet” kryesore të ligjëruesve publik është denigrimi i opozitës. Zaten, me këtë sport merren shumica e tyre; në një lloj gare të neveritshme se kush do të shpifë, denigrojë, sulmojë dhe ta deligjitimojë më shumë opozitën. Madje, ka edhe njëlloj gare të çuditshme mes ligjëruesve publik, se kush do të bëhet më interesanti në merkaton që e drejton Edi Rama. Por ky tekst është vetëm parathënia e një serie shkrimesh për këtë temë.
Teksti i ardhshëm do të përqëndrohet në luftën e paprecedentë nën të cilën gjendet opozita shqiptare, gabimet e saj në ligjërimin publik, si dhe çka mund të ndryshojë opozita në këtë drejtim.
.
*)Autori i tekstit prej disa vitesh gjendet nën sulme direkte nga “segmente” të shtetit shqiptar, saktësisht për shkaqe që lidhen me autorësinë e tij.
.
Marrë nga Muri i Fb. i Erl Kodrës, 26 janar 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.