
Klepsidra shqiptare – Hallka e ntrashur me ndryshk
nga Shaip Beqiri
Duke e njohur natyrën e lojës pushtetare, ku është e domosdoshme propaganda e dirigjuar me rreptësi, ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka që mjetet e informimit t`i kenë në duart e veta. Dhe kjo punë nuk mund të bëhet me krijues të mirëfilltë, me profesionistët që fjalën publike nuk e shndërrojnë në sharje të dehurish e rrugaçësh nëpër kafene e rrugë.
Pra, në këtë lojë pushtetare futen zakonisht mediokritetet, të cilët, duke mos pasur drejtpeshim midis ambicieve e mundësive, janë gjithmonë të përshtatshëm për t`u hedhur në kësi vorbujsh ku zihen të pabërat.
Në periudhën kohore të 20 vjetëve të fundit, sipas një liste jo të plotë që kam bërë kohëve të fundit, del se në qarqet e mërgatës shqiptare në Europë kanë dalë 40 tituj të ndryshëm gazetash, revistash dhe botimesh të tjerë të kësaj natyre. Domethënë janë botuar mesatarisht nga dy tituj të rinj brenda një vjeti. Dendësia e botimit të tyre ka filluar të bëhet më e madhe gjatë katër-pesë vjetëve të fundit, e cila vazhdon ende me të njëjtin ritëm.
Në krye të herës më duket e nevojshme që sferën e veprimtarisë informative ndër shqiptarët ta vështroj të lidhur me sferat e tjera të jetës së tyre në mërgim. Pa mëtimin të bëj ndonjë vështrim që do të thoshte diçka më shumë për një historik të këtij shtypi, i cili patjetër që e ka edhe një histori pararendëse me vlerë shumë të madhe pikërisht në mërgatën shqiptare, do të përpiqem të vë në pah disa veçori dhe dukuri të shtypit tonë sot e këtu.
Shëmbëllimin e organizimit të jetës së shqiptarëve e ka ndjekur hap më hap edhe shtypi. Në fillim ai qe ilegal apo gjysëmilegal, sikundër që ishin edhe organizimet shqiptarë në mërgatë, në gjirin e të cilëve ishin veprimtarët për çështjen kombëtare, të cilët si të thuash e themeluan atë shtyp me shumë pasion e me më pak profesionalizëm. Po flas për periudhën kur një pjesë jo e vogël e mërgatës sonë atëherë ishte e organizuar ndër klubet apo shoqatat e atëhershme të të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim jugosllav, kurse pjesa dërrmuese e saj ishte jashta çdo organizimi. Roli i këtij shtypi atëherë qe shumë i madh, sidomos për sa i përket shprehjes reale të gjendjes së shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjerë nën terrorin shtetëror jugosllav, të cilën e bënte pa censurën që ishte në Kosovë e gjetkë. Të them shkarazi se në këtë rol pikësëpari u dallua e përkohshmja “Zëri i Kosovës”, e cila e vazhdoi daljen deri sot në një periudhë kohe prej më se 15 vjetësh. Me kalimin e kohës, në rrjedhjë të ndryshimeve të thella që u bënë, ky lloj shtypi megjithatë nuk u lirua nga parashenjat e theksuara ideologjike, duke ruajtur kështu me një fanatizëm pa mbulesë një kontinuitet koncepcioni me shumë pak transformime.
Në vjetin 1990 ndryshimet e mëdhenj shoqërorë që ndodhën në një qark të gjerë vendesh europianë, që i përfshinë të gjithë trojet shqiptarë, u reflektuan fuqishëm në shtypin tonë. Duhet thënë se në fillim ata nuk qenë të përgatitur që t`i kapnin këta procese, e të mos flasim për ndonjë pararendje. Këtë rol pak më heret e kishte marrë e përkohshmja “Alternativa” e Lubjanës, e cila, pas disa numrash, doli si gazetë me emrin “Republika”, për t`u kthyer sërish në revistën e tashme, e cila u bart më vonë në Zvicër.
Me rrënimin e censurës, kur shtypi shqiptar i Kosovës u lirua nga klishetë e hekurta ideologjike, të cilat i kishin shërbyer për një kohë të gjatë propagandës së regjimit duke e mbajtur atë rreptësisht të mbikëqyrur, organet e tij kryesorë u penguan ose u nxorën nga funksionimi me masa ndalimi e shuarjeje, me ndjekje të egra e ndëshkime absurde të redaktorëve e gazetarëve shqiptarë. Si pasojë e këtyre veprimeve u ndalua e përditshmja “Rilindja” pas 45 vjetësh të daljes së rregullt, u ndaluan disa numra të “Zërit”, “Fjalës”, “Shkëndijës”, “Botës së re” etj.
Në këtë kapërcyell kohe, megjithë vështirësitë dhe pengesat e mëdha, u kthye një faqe e re në shtypin shqiptar të Kosovës. Dhe mund të thuhet se ato u përballuan me sukses jo të vogël. Mirëpo doli problemi i mbiekzistencës së tij, që ishte një nga problemet themelore. Si një zgjidhje e mundshme lehtësuese qe dalja e tij në mërgatë bashkë me qindra mija njerëz tanë që mësynë udhët e botës. Kështu u trasua një udhë, e cila në kontekst të temës për të cilën po flasim, qe njëfarë zbulimi i Amerikës, kurse në ndonjë rast ironik edhe gjetje e një miniere floriri!
Në qasjen fillestare kishte një harmoni midis nevojës për informim te një masë kaq e madhe njerëzish tanë këtu me atë nevojë që kishin këta mjete informimi për mbijetesën e tyre, sidomos po të shihet roli i tyre i pazëvendësueshëm në sendërtimin e synimeve historikë të gjithë kombit shqiptar. Kjo qasje fillestare e drejtë u përkrah dhe u mbështet pa kursim nga mërgata shqiptare, duke lënë mënjanë mëritë dhe mllefin e çdo lloji. Këta njerëz e kuptuan drejt dhe shpejt këtë nevojë reciproke, e cila po mbudhej me mjaft entuziazëm e sinqeritet, por edhe me më shumë eufori njëkohësisht. Nga ana tjetër, pra nga ana e përfaqësueve dhe krijuesve të këtij shtypi të renovuar, me kalimin e kohës, sa më e favorshme që po bëhej klima e këtij besimi që krijonin njerëzit tanë ndaj tij, pa marrë parasysh që kurrë nuk ishte marrë mundimi më i vogël t`i kërkohej qoftë edhe ndjesa formale për jo aq pak fyerje që i ishin bërë kësaj mërgate në emër të regjimit nga shtypi ynë, zuri të përgatitej një luftë e pështirë për të vendosur monopolin, për të bërë qërim hesapesh dhe sidomos për të bërë biznes të ndyrë në emër të synimeve kombëtare.
Rrënjët e kësaj lufte janë të thella dhe shumë komplekse, por nuk janë të pakuptueshme as të pazbërthyeshme. Betejat e saj i zhvillojnë ata që synojnë të vendosin monopolin në çdo sferë të jetës shoqërore në Kosovë, duke e mbyllur lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në një qark sa më të ngushtë njerëzish të përdorshëm për qëllime aspak parimorë. Duke e njohur natyrën e lojës pushtetare, ku është e domosdoshme propaganda e dirigjuar me rreptësi, ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka që mjetet e informimit t`i kenë në duart e veta. Dhe kjo punë nuk mund të bëhet me krijues të mirëfilltë, me profesionistët që fjalën publike nuk e shndërrojnë në sharje të dehurish e rrugaçësh nëpër kafene e rrugë. Pra, në këtë lojë pushtetare futen zakonisht mediokritetet, të cilët, duke mos pasur drejtpeshim midis ambicieve e mundësive, janë gjithmonë të përshtatshëm për t`u hedhur në kësi vorbujsh ku zihen të pabërat.
Një aspekt tjetër tepër i veçantë i gjithë kësaj çështjeje pa dyshim është qëndrimi aspak korrekt i shumicës së këtyre botuesve ndaj redaksive dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, të cilët, them pa e tepruar, aq shpesh trajtohen si skllavë të vërtetë.
Për të mos u ndalur tepër gjatë te ky fenomen i shtypit tonë në përgjithësi dhe sidomos tek ai në mërgatën tonë, por edhe për ta sqaruar së paku njërin nga shkaqet themelorë të kësaj gjendjeje, po them se është një kompleks i gjerë problemesh që e ka krijuar këtë situatë. Pra, seleksionimi negativ i kuadrave është hallka kryesore e këtij zinxhiri të pakëputur. Ajo hallkë, me kalimin e kohës, është ntrashur shumë me ndryshkun që i është mveshur, sa në shikim të parë duket e fortë, por në esencë është pa rezistencë.
Ndërkaq, për të mos mbetur vetëm në sfera konstatimesh, dua që këtë fenomen ta konkretizoj me disa aspekte të të dy të përditshmeve shqiptare: “Rilindja” dhe “Bota sot”. As sot nuk do të hiqja një presje të vetme nga një mendim imi i thënë para dy vjetësh: “Jam gëzuar shumë që ka dalë “Bota sot”, sepse së paku “Rilindja” do të bëhet më e mirë”. Besoj që ky mendim nuk i shkon për shtati asnjërës palë, sepse midis tyre zhvillohet një betejë e tërë nën rrogoz. Ne mund të kemi një afri subjektive më të madhe me “Rilindjen”, sidomos ne që jemi krijuar si shkrimtarë e gazetarë nëpër faqet e saj, ashtu siç mund të ndiejmë krupë kur na sillet në kujtesë diçka nga ajo pjesë e zezë që ka mbetur në jo pak faqe të saj, e veçanërisht kur atë dëng të zezash nuk mungon ta shtojë edhe sot. Është për keqardhje kur disa nga përgjegjësit kryesorë të kësaj gazete me emër të madh e të ndritur, konkurrencën në fushë të informimit shqip e kuptojnë si luftë kundër të tjerëve për t`i nxjerrë nga loja! Dhe në këtë vërsulje, duke mos mundur ta mbajnë veten, ata dalin me pozicionime thjesht moniste prej aparatçikësh të neveritshëm, duke mos kursyer askënd nga akuzat dhe denigrimet poshtërues. Për ta konkretizuar më shumë këtë ankth të përçudnuar, ja një shembull shumë i fresktë. Nuk ka më shumë se një javë që në faqet e kësaj gazete, tek po zhvillohej një ndeshje e ashpër çanaklëpirëse midis mediave, jepen edhe këto kualifikime të turpshme për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare: “Nënkampioni i vetëshpallur i Çmimit Nobël” dhe “Disidenti karikatural Ismail Kadare”. Nga rrjedh gjithë ky helm në mjetet tanë të informimit? Sigurisht që nuk është ndonjë betejë më e shenjtë përveç asaj për çanak!
Në këto rrethana e përditshmja tjetër shqiptare “Bota sot” i kishte gjasat shumë më të mira të profilizohej si një gazetë e paanshme dhe me pavarësi të plotë, duke mbajtur shtyllat e saj me informacion të gjithanshëm dhe të lirë. Mirëpo ishte ekskluziviteti i saj që ua zuri frymën shumë gjërave, në radhë të parë mëtimi për të krijuar një koncept politik-informativ djathtist edhe nga koniukturat aktuale politike si edhe nga ato me të kaluar esencialisht majtiste, pastaj improvizimet jo të paktë me synime biznesi. Te kjo gazetë më shumë se gjetkë u lansua një aspekt i veçantë narcisoid i folkloropatriotizmit.
Ç`të thuhet për atë dyzinë revistash e fletushkash që dolën e s`dalin më, për ato që vazhdojnë të dalin dhe për të tjerat që sapo kanë nisur të dalin në dritë? I ngjajnë njëra-tjetrës aq shumë, sa mund të thuhet se përbëjnë një revistë të vetme të shkapërderdhur andej e këndej, siç është, më në fund, vetë jeta e shqiptarëve në Europë e gjetkë. Dhe kjo “revistë” e shkapërderdhur në këtë mënyrë, ka mbetur sot e gjithë ditën pa identitetin e vet të plotë, ka mbetur me profil të përcopëzuar. Dhe kaq pak jetë shqiptare ka në këtë farë krijese, kaq pak halle të vërtetë të njerëzve tanë të rinj e të moshuar, kaq pak kulturë e art; e në anën tjetër kaq shumë seks e epsh gjithëfare, kaq shumë vetëreklamë e shkëlqim të zi spektaklesh…
Le të përftojë secila syresh fytyrën e vet, të mos mbeten një e vetme kaq e shkapërderdhur, të mos mbeten pa fytyrë!
Cyrih, 26 Nëntor 1997, Shaip Beqiri