back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

Kjo Protesta më serioze e Demokratëve në 20 vitet e Fundit – nga Armir Shkurti

Gazeta

Armir Shkurti
Armir Shkurti
Kjo Protesta më serioze e Demokratëve në 20 vitet e Fundit
nga Armir Shkurti

Iu tha gurrmazi nja dy ditë më parë si të Salës ashtu edhe të Edit kur u përmenda 21 janarin. Çështja në emision qe:
-Si duhet të protestojë PD?
-Si PS në 21 janar – ia ktheva.

Historia
Më 17 janar 2011, një televizion shfaqi regjistrimin e bisedës mes dy shokëve që ç’nuk kishin bërë së bashku. Shokë partie. Ky që regjistronte ishte ministër. Ai i “pisllëkut” – Zëvendëskryeministër.
Katër ditë më vonë, para kryeministrisë u tubua një turmë e armatosur me dajakë, gurë e çmos tjetër dhe iu lëshua policisë. Orë e orë të gjata tensioni dhe dhune. Edhe pasi katër vetë u vranë me armë nga garda (i referohem variantit zyrtar) protestuesit nuk u shkulën prej bulevardit.

Arsyeja?
Zëvendëskryeministri i kishte vjedhur! Ishte i korruptuar!
Edhe pse në ekran nuk u pa asnjë qindarkë, asnjë dokument, asnjë shkëmbim, vetëm biseda mes zëvendëskryeministrit për 700 mijë euro mjaftoi të ndizej Tirana e të derdhej gjak e gjithashtu të niste fundi i pushtetit të Berishës në qeveri.

Rikthimi i Karmës
Gati 15 vjet pa dy muaj, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar merr… Të pandehur zëvëndeskryeministren! Jo biseda, jo perceptime apo hamendje. Letra! Dokumenta!
Kaluan 4 ditë (siç kaluan nga shfaqja e videos së Meta – Priftit deri në 21 janar…) hiç! Qetësi!
Nga java Sala thirri protestë për të hënën, 17 nëntor. Vini re: Protestë!! E keni në të gjitha daljet e Berishës para 17 nëntorit: Protestë. Jo për gjë, por kur e pyeti gazetari Osman Stafa, kryetari i PD e akuzoi për të pavërtetë, se s’kishte qenë tubim por foltore. (se kush përmendi tubim, një Zot e di)
Ecim më tej.
U mblodh “foltorja”, u fol dhe foltarët ikën nëpër shtëpi, të qetë. Në mesjavë GJKKO (pra Gjykata Speciale) mori dy masa ndaj zëvendëskryeministres: pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit…
Të hënën foltarët u mblodhën në foltore, folën për hajdutët, për ilaçet, për shiun dhe Diellën dhe, të qetë dhe të kënaqur u kthyen nëpër shtëpi…
“Nuk e kishim synim Masivitetin”
“Zysh i kam bërë detyrat por i kam harruar në shtëpi”. Kjo gënjeshtra e dytë, e fëmijëve harrakatë të klasës së dytë fillore është shumë më serioze dhe dinjitoze sesa kjo e kastës së skaduar që e mban për flokësh në kënetë (dhe aq saktë e ka përcaktuar – për fat të keq, Edi Rama: “kënetë”) partinë më të madhe të opozitës, frontin e madh antikomunist të fillimviteve ’90.
Të kërkosh të rrëzosh një diktaturë totalitariste, një narkoshtet me foltore me pak njerëz është si ajo barcoleta e të marrit që, për të zbritur shokun nga pema, nxorri një brisk rroje dhe nisi të sharrojë me të trungun e trashë të pemës. Mund të kishte një farë kuptimi ajo pjesmarrje nëse në shesh e tribunë shpalosnin ide mendimtarë, ideologë, akademikë por jo fermerë që i ka marrë Osumi manderinat apo idhujtarë të udhëheqësit legjendarë e të pavdekshëm…
Ti që ke mbërritur deri në këtë rresht dro pyet veten: “po ky mo vlla? Tha në titull “protesta më serioze e Demokratëve! në 20 vite” u tall? Apo u hallakat nëpër histori?
Jo or mik! Të gjitha i thashë për të të shpjeguar se Mospjesëmarrja e demokratëve është protestë e drejtpërdrejtë kundër Sali Berishës. Kanë ardhur në borë e në shi, në zheg e pluhur demokratët, nga të katër anët e vendit. Kanë ngrënë dajakun e policisë, kanë thithur gaz lotsjellës, kanë përfunduar në qeli, kanë ngelur pa bukë dhe familjarët pa punë prej hakmarrjes së pushtetit, por janë kthye protestën e rradhës edhe kur kanë qenë të sigurt në humbje. Edhe kur kanë ndjerë shitjen, pazaret me shpirtin e tyre dhe trajtimin si numra. E kanë gëlltitur por kanë vazhduar përpara. “Ne jemi demokratë!” – dhe, të tallur, të nëpërkëmbur, të uritur e poshtëruar ata nuk e kanë tradhëtuar as emrin, as forcën politike… madje nuk kanë tradhëtuar as tradhëtarët!

Ama boll!
Është i dyti zëvendëskryeministër që ia merr drejtësia Edi Ramës. Nuk po diskutoj ministra dhe funksionarë të lartë. Moralisht ky pushtet dhe ai kryeministër kanë rënë. Politikisht janë asgjësuar…
atëhere
Pse “Foltore!” dhe jo “Tubim”?! Pse “ngatërrohemi” me termin protestë?!
Sepse papandehur Sali Berishën e ka zënë përfund qeveria tashmë e rrëzuar e Edi Ramës, por roli i tij nuk është të vijë në pushtet. Roli i Salës është të mbajë urtë grigjën e tij. Pushtet goxha i fuqishëm është edhe ky. Mund të kesh çfarë ka edhe kryeministri, por pa patur angarinë e vulës dhe andrallave të tjera. Mjafton një pazar i mirë dhe ti qëndrosh pazarit.
Por edhe (supozojmë) se nuk është në një varkë me Ramën, Sali Berisha nuk ka më parti me të cilën të bëjë qeveri. Muajin e parë në karrige nuk kishte për ta mbyllur prej grabitqarëve që ka mbledhur rreth vetes. Sidomos grupit parlamentar. Një lukuni hienash, shkabash, sorrash e gjithfarë kërrmangrënësish që presin me durim fundin e udhëheqësit për ta shqyer më pas mes vedi atë që ka mbetur nga Partia Demokratike. Në opozitë, kërrmangrënësit mund të mbahen nën kontroll. Ama në pushtet…!
…Por kthehemi në realitet. Zgjedhje pas zgjedhjesh Rama vetëm ka forcuar, zgjeruar dhe çimentuar diktaturën dhe pushtetin e tij absolut. 11 maji i sivjetëm qe katastrofë. Për të mos lëshuar karrigen por sidomos vulën, Sala përmorri pa siklet fare në nenin që vendosi vetë në statut. “I vodhi zgjedhjet!” – përsëriti për të pafundmen herë.
Pas 7 humbjesh rradhaz pyetja është:
-Mirë o gjysh, po ç’do të bëjmë që të mos na i vjedhë?
Heshtje!
Por koha është e pamëshirshme. Në 9 nëntor u bënë zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki. Katastrofë pjesmarrja, apokalips rezultati. Shumë më horror ishte meseleja e bashkisë së Tiranës, por s’është çasti ta zgjas këtu.
E pas kësaj (ndoshta edhe gjatë) drejtësia nxorri nga sirtarët edhe dosjen e 21 janarit.
Mes demokratëve të revoltuar, shkeljes së statutit dhe demokracisë në PD, tradhëtisë së hyrjes në parlament edhe pse s’i njohu zgjedhjet si dhe morsës së drejtësisë që sa vjen e shtrëngohet, Sala e pati detyrim – përcaktim atë që më pas mori emrin “foltore”. Shkurt, Sali Berisha e pati më shumë se nevojë thirrjen e njerëzve në protestë. E, sikur të mos tingëllonte keq, atë foltore do ta kisha pas quajtur nevojtore, një shesh ku Sala, një herë në javë vjen strikt për nevojat e veta, pa e çarë aspak kokën se kë po përdor a shpërdoron.
Pra po e mbyll me:
A je në një mendje se kjo është protesta më serioze e demokratëve në 20 vitet e fundit? Protesta e një populli të shtypur dhe tradhëtuar prej të gjithëve, por që më në fund po ua përplas syve edhe tradhëtarëve: Sikter!
Ju po e fuqizoni Pushtetin e Tiranit! Sikter! Ju të parët ikni nga rruga se atë e hedhim vete si në ’90! Ma do zemra që, pas këtij bojkoti kaq të hapur të demokratëve të vërtetë ndaj oligarkisë së opozitës, të nisë riorganizimi nga qeliza, pa direktivat e mutërve që delegohen nga Tirana e bëjnë lëmsh degët e seksionet për të vendosur aty gjarpërinjtë e tyre. Merreni PD-në! Kthejeni në parti demokratike, për hir të gjakut që keni derdhur, bukës që ju kanë vjedhur, fëmijëve që ua kanë tretur në kurbet!
Marre nga FB Armir Shkurt, 26 nëntor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.