
“Kisha katolike dhe shteti komunist në Shqipëri (1944-1990)”
nga Arben Borshi
koment për librin në fjalë…
Në 35 vitet e fundit na asht ba e mundun me u njoftë me nji numër të madh librash që dokumentojnë krimet e përbindshme të regjimit komunist në Shqipni. Autorë si at Zef Pllumi, at Konrad Gjolaj, at Simon Jubani, Ahmet Bushati, Visar Zhiti e shum të tjerë që janë të mbijetuemt e “gulageve” shqiptar, kanë pëshkru kalvarin e tyne nëpër burgjet e tmerrshme komuniste. Por edhe studjues të historisë të vërtetë si Jozef Radi, Marcel Hila, Agron Tufa, Fritz Radovani e shum të tjerë, kanë publiku libra ku denoncojnë jo vetëm krimet makabër që ky regjim ka kry mbi njerëz të pafajshëm, por edhe historinë e vërtetë të ktyne ngjarjeve, histori kjo që lakejt e regjimit terrorist komunist e kishin deformu dhe përçudnu n’at formë sa sot, nji pjesë e mirë e atyneve që “bilbilat e partisë” ia shplanë trunin, kan vështirsi me besu të vërtetën që lexohet në kto libra.
Në vazhdën e këtyne libra-dëshmi, radhitet me të gjitha të drejtat edhe libri i profesoreshës të Universitetit Luigj Gurakuqi, Nertila Ljarja me titull: “Kisha katolike dhe shteti komunist në Shqipëri (1944-1990)”. E veçanta e ktij libri, të cilit profesoresha i dedikoi plot 7 vjet punë, asht se për çdo ngjarje e për çdo datë, ka spjegim edhe referencat ku asht marrë, ku nji pjesë e mirë e tyne janë marrë nëpër arkivat e shteteve të hueja si Mbretnia e Bashkueme, Italia, Franca etj. po edhe në arkivin e shtetit shqiptar, për aq sa ka pshtu pa u djegë. Tashma duhet ta dini se dokumenta të cilsuem “kompromentues” prej kupolës së terrorit të kuq, janë asgjësu. Po puna e hollsishme që profesoresha ka ba me kët libër, na jep nji libër-dokument që duhet t’i vlejë cilitdo shqiptar që me ndërgjegje të painfektueme prej izmave, don me ba dritë në errsinën gjysëshekullore të historisë tonë, pikrisht atë periudhë që bilbilat e partisë, tuj ba garë me njeni-tjetrin, i thurshin lavde kryekriminelit dhe imoralit enver hoxha e bandës së tij, tuj propagandu nji “fanar në breg të Adriatikut”, nji vend të begatë e të lumtun!!
