Këta heronj të guximit dhe qëndresës… nga Greta Bardeli

Gazeta

Deputetja Greta Bardeli gjatë fjalës së saj në Simpozium...
Deputetja Greta Bardeli gjatë fjalës së saj në Simpozium…

Autoriteti i Dosjeve, në kuadër të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, mbajti simpoziumin me temë:“Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.” Aktiviteti u nderua nga prania e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali si dhe ambasadorit të BE-së dhe ambasadorit të OSBE-së, dy institucione që prej vitit 2017 bashkëpunojnë ngushtë me Autoritetin për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Të pranishëm ishin gjithashtu deputetja Greta Bardeli, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, të afërm të viktimave dhe të mbijetuar.

“Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”
“Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”
Këta heronj të guximit dhe qëndresës…
nga Greta Bardeli*

Sa herë mblidhena n’ditë përkujtimore si kjo e sodit, e ndjej zemrën t’më randohet fort, e më pushton nji gulsh në shpirt. Prandej e kam pranue edhe kët ftesë tuejën, jo thjesht si nji pjesmarrse në nji tubim përkujtimor, për me dëshmue edhe nji histori tragjike në familjen teme, e cila ka fillue ma përpara se kujtesa jeme me i regjistrue të vërtetat. Asht kenë dhimba e shumë prej njerzve të mi, që ma ka përcjellë kët të vërtetë, ma ka mbajtë gjallë, e rrjedhimisht ajo tashma asht e paharrueshme, edhe për faktin se kurrë në kët vend nuk u ba nji ndëshkimi ligjor dhe i meritueshëm i gjithë i atyne që i shkaktuen këto tragjedina, për të cilat jena mbledhë sot.
Jam kenë vetëm 2 vjeçe, kur axha jem asht vra pa gjyq në kufinin që ndan Buna, midis Shqipnisë e ish Jugosllavisë. Si shumë shkodranë të tjerë që guxuen me e luftue diktaturën ma të egër n’Europën Lindore, përmes nji qëndresë të paepun e stoike, të tjerë e kërkuen shpëtimin prej arratisë, po edhe me ia dëshmue botës tragjedinë e nji populli nën zinxhirë. Kët gjà e nguli fort në mendje edhe axha jem.
Mbasi kishte kalue nji kalvar 12 vjetesh në burg politik ndër burgje të Burrelit e të Spaçit, s’i kje shue dëshira me kenë i lirë e me pshtue njiherë e mirë prej asaj errsine që e kishte kllaposë mbarë popullin shqiptar, që kishte mbetë në izolim total prej botës së qytetnueme. Për ksi aktesh guximtare shumë djem e bij nanash shqiptare e kanë pague shtrejtë, shpesh me jetën e tyne tue u vra mizorisht prej forcave të kufinit deri në fund të vitit 1990. Mjaft prej tyne i kanë rikthye fqinjët e kanë vazhdue burgosjet e interrnimet, prandej arratitë shpesh janë konsiderue akte të nalta të vetmohimit e çmendunisë, edhe pse pasojat ndër familjet e tyne kanë kenë katastrofike.
Unë s’e pata fatin me e njoftë axhën tem, po ai mbeti gjithmonë mes nesh e në veçanti pranë meje. Në rrëfimet e familjes, e në heshtjen e dhimbshme të prindve të tij, lotët s’u thanë kurrë. Prandej ajo lidhje me të s’u këput kurrë. Ai ishte dhe mbeti ndër ne si nji simbol i sakrificës dhe i dhimbës sonë krenare në familjare, po edhe nji klithmë në kujtesë për krejt ata që e kanë njoftë.
Sot, në kët takim: “Shkodra përballë së kaluemes…” dishroj m’e kujtue jo vetëm axhën tem po tanë ata që u masakruen në kufi apo u kalbën burgjeve të komunizmit. Ndiej dy detyrime të mëdha: E para: mos me e lanë historinë e krimeve në harresë, po edhe me vazhdue me kambngulje me kërkue drejtësi.
Sepse me gjithë betejat e bame deri sot, të tanë e dimë se drejtësia len shumë për të dishrue. Familjet e të përndjekunve politikë ende ndjehen të përjashtueme nga krejt hallkat e pushtetit, fasada e lirisë dhe të drejtave asht ba aq e shëmtueme sa shumë prej pjesmarrësve në kët sallë kanë neveri ndaj saj, ende shumë prej atyne që i vuejtën burgjet dhe interrnime s’i kanë marrë ende këstet e famshme të damshpërblimeve që janë shty tashma në Kalendat Greke… Pra, jemi shumë larg prej atyne problemieve që duhej të kishin pasë nji zgjidhje të meritueme, e dinjitoze për 47 vite diktaturë.
Për kët arsye, kam propozue me kambngulje nji nismë ligjore ku damshpërblimi i kësaj shtrese mos t’jetë thjesht nji premtim i papërmbushun politik, po nji e drejtë e garantueme me ligj dhe e zbatueme realisht. Sepse tragjeditë, vuejtjet edhe humbjet njerzore s’mund të maten as me parà e aq ma pak me demagogji, po asht kryedetyrë e nji shteti demokratik (nse dishron të jetë i tillë) ku e përfshijë edhe vedin, me e njoftë sakrificën e tanë atyne që vuejtën e po vuejnë padrejtësisht kët tranzicion hipokrit me e hapë dritën jeshile të kthimit të dinjitetit të tyne.
Po aq të randsishme e konsideroj edhe kujtesën publike. Për kët arsye kam propozue ngritjen e nji muri kujtese në Shkodër, pse qyteti jem ka derdhë shumë gjak, lot e sakrifica në luftën për liri e drejtësi. Mendoj se ky mur ka me shërbye si simbol i këtij vendi, ku çdo familje e përndjekun, e çdo qytetar i brezit të sotëm dhe atyne që do t’vijnë, të mundet me u ndalë, me lexue emnat, mbiemnat, e me ndje deri n’asht peshën e historisë tragjike, po edhe me kuptue se çfarë sakrificash janë ba prej qindra e mija burrave e grave të këtij qyteti, të kësaj krahine e Shqinisë mbarë për me gzue njat liri të paktë që kena sot.
Prandej dhimba jeme që buron prej nji tragjedie familjare të shkaktueme prej diktaturës edhe veglave të verbëta të saj, s’asht e s’do të jetë kurrë veç nji çështje familjare e imja. Ajo asht e do të jetë nji çështje kombëtare prej së cilës s’kam he hjekë kurrë dorë. Asht borxhi jonë ndaj atyne që s’jetojnë ma, ndaj atyne që u pushkatuen, që u vranë në kufi, që u zhdukën qelive e sot janë edhe pa vorre, ndaj atyne që u degdisën internimeve, e s’u kthyen kurrë ma në shpitë e tyne. Vërtet këta heronj të guximit e të qëndresës ata s’munden m’u kthye ma, po ne duhet me ua rikthye dinjitetin e munguem me kujtesë, me drejtësi, me ligje, me përkujtime ue e shpalosë pa u lodhë të vërtetën e plotë të këtij vendi.
Sot, me zemër t’pikëllueme si shumë prej jush, përulem me krenari para kujtimit të axhës tem, po edhe krejt atyne që u sakrifikuen për nji jetë në liri.
Besoj se kujtimi i tyne mbetet amaneti jonë, i të tanëve ne. E unë, sa të kem zà e frymë, kam me e mbajtë gjallë kët kujtesë e kam me luftue për drejtësi në kët vend ku drejtësia ende asht nji andërr!
Greta Bardeli

*Fjala e mbajtur në simpoziumin e organizuar nga Autoriteti i Dosjeve dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”, “Shkodra përballë së kaluarës…” në Shkodër, me 28 gusht 2025.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit