back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kështu i do mushka drutë… nga Nikollë Dakaj

Gazeta

Nikoll Dakaj e Pashko Çoba 1942
Nikoll Dakaj e Pashko Çoba 1942

Kështu i do mushka drutë…

nga Nikollë Dakaj

Polemikë e famshme mes Nikoll Dakaj e At Mark Harapit

At Mark Harapi, i cili e nderoi letërsin shqipe me përkthimin e burgut të romanit italjan (Të fejuemit), mori shkas nga kritikuesit e vet të fyejë personalisht zotin Dr. Kolë Ashtën, dhe të sulmojë gjuhën e mesme dhe shkrimtarët e saj.
Ndër sa fjalë fyese kundra zotit Dr. Kolë Ashta, po paraqes ato që e karakterizojnë ma mirë frymën e pastër dhe njerzore t’artikullistit: Kritikuesit (z.Ashta)… nuk din me i shkrue si duhet as tri faqe të shkret, e na ngrehet gjyqtar mbi tjerë! Ulu, more, prej fikut se del ndonji mustakoç e të zdrypë për veshit. -…çka lëshon shkruesaleci (Shkëndis) – Ky nuk ua ka pa as kartuçat ma të mëdhajve filolog të shqipes e na kokorisë filologji! (siç!)
Tue arsyetuem me gjakftoftësi, z. Dr. Kolë Ashta asht nji shkrimtar i ri dhe nuk ka shkruem ende aq shumë sa me dhanë nji gjykim përmbi të. Ai tash sa ka filluem të shkruejw. Pastaj ata profesorë universiteti qi i kanë dhanun titullin doktor në letërsi, me nënshkrimin e vet kanë tregue se z. Ashta din të shkruejë ma shumë se tri faqe si duhet, dhe i asht dashun të japë provime filologjije, prandej nuk ka nevojë aspak At Harapi të përmendë kartuça.
Sa pse thotë At Harapi dy herë n’artikullin e vet se zoti Ashta kokorisë, unë e dij se kokorisin pulat dhe jo njerëzit, prandej me këtë fjalë At Harapi ka, nderue gojën edhe pendën e vet.
Së fundi sado i zoti të jetë At Harapi, atij i mungon, me sa dij unë, titulli doktor në letërsi, që gëzon zoti Ashta. E me këtë fjalë nuk due të thom se këtij do t’i përkulen të gjithë ata që nuk e kanë ket titull, por due t’i thom se ai që gëzon nji titull të tillë ka të drejtë të shkruejë dhe të gjykojë mbi vepra letrare pa pasun, nevojë At Harapi me i marrun nderin përpara letërsis me shamje.
Më të vjetrit dhe ma të praktikuemit, nga panda mund ta këshillojnë, mund t’i japin zemër, por jo ta shajmë si At Harapi vetëm pse nuk i ka pipat mirë me të.
Deri dje zoti Dr. Kolë Ashta ka shkruem shkodranisht, dhe mund të jetë që nuk i ka hym në pale gjuhës së mesme.

Kole Ashta (1918-1997)
Kole Ashta (1918-1997)

Se pse e ka shkruem fjalën (smuetore) me (ue), asht nji gabim me të vërtetë, por a nuk asht nji gabim dhe fjala shumës filolog (për filologë a filologj) dhe bashkimi i njëjsit me shumës në frazën (mos me ja (ia) pasë aspak lakmi kombeve të hueja), si vrehet n’artikullin e At Harapit. Atëbotë, kur vetë At Harapi nuk qenka i pagabueshëm në gramatikw dhe n’orthografi, pse bërtet me të kotë kundra të tjerëvet? Ma mirë të hapë sytw e të shofë se mustakoçavet tashma u ka kaluem koha.
Porpika ma me rëndësi n’artikullin në fjalë t’At Harapit asht sulmi kundra gjuhës së mesme dhe kundra shkrimtarëvet të saj, si i ndjemi Luigj Gurakuqi, z. Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Ndue Paluca, Kostaq Cipo, Ernest Koliqi, Shpend Bardhi, Kolë Kamsi, dhe sa e sa të tjerë.
Dhe me të vërtetë, po të lexohet me vëmendje gjymsa e dytë e artikullit në fjalë t’At Harapi, del në shesh se shkrimtarët e gjuhës së mesme – zyrtarishtes – dijnë në pikëpamje gjuhësore vetëm të pasunohen me ar dhe të grumbullojnë çifliqe. Por këtu Zotnija e tij mos të kujtojë se ideali asht ndrym vetëm në pallatet e bukura dhe në kopshtet e hapta të Jezuitëvet në Shkodër. Ka idealista dhe përjashta. I ndjemi Luigj Gurakuqi, kur u vra në Bari, u gjet me këmishë t’arnueme dhe me çarapë të shkyem, e pra a kishte në dorë ai të grumbullojë të holla sa të donte, a kurrkush tjetër. Pastaj nuk asht nevoja me përmendun sa e sa të gjallë mbas gjurmëve të Luigj Gurakuqit ndjekin gjuhën e mesme, të cilët mbas ma shumë se njizet e pesë vjetësh shërbimi nëpër zyra e nalta shtetnore, sot banojnë ndër shtëpija t’ulta qerpiçësh, dhe marrin uha nga të tjerët pse nuk u del rroga të përballojnë jetesën. U djersitën dhe u plakën pa kohë të shkretët, tue punuem, ndokush edhe natën, për gjuhën shqipe, dhe prap se prap del ndonji mustakoç që t’i hudhë në baltë, si njerëz që punojnë për bark dhe jo për ideal. Por këta puntorë të mirë dhe të ndërgjegjshëm mos të ligështohen, pse Shqipnija nuk mbahët vetëm n’At Mark Harapin. E nesërmja do t’i qesë faqebardhë.
Le të shikojë pastaj At Harapi se shkrimet toske kanë të njëjtën orthografi dhe paraqesin pothuejse krejtësisht nji mënyrë të vetme të djalektit të vet.
Po nga ana tjetër gegët, po të vrehen në shkrimet e tyne të shumta dhe të bukura, përdorin tri a katër mënyrë të ndryshme shkrimi. Pastaj trajtat e gjuhës së shkrimtarëvet gegë të veriut, janë të gjymtueme dhe të hangruna shumë. Mungon shumë herë grupi mb, dhe Ë, gja e cila nuk lejon të shifet rranja e fjalës dhe e ban gjuhën të vrazhtë. Përkundrazi, po të shkruejshin të gjithë gegët nji orthografi dhe nji trajtë të vetme gjuhe, toska do të mund ta zente ma lehtazi gegnishten, dhe ndryshimet e dy kryedialektevet do t’ishin shumë ma të pakta.
Na del tash përpara problemi se cila gjuhë e gegëvet do të mirret porsi letrare prej të gjithëve. Sigurisht ajo që kuptohet ma tepër në përgjithësi. Dhe kjo asht – me sa dij unë dhe sikurse asht mendimi i shumë e shumë të tjerëvet shqiptarë dhe të huej albanologë – gjuha e Shqipnisë së Mesme. Mirëpo, tue qenë se kjo gjuhë ka të meta dhe me të vërtetë nuk ka dhanë deri më sot ndonji kryevepër, duhet që vështrimi i mbiemnit (i mesëm) mos të mirret aq fort në kuptimin gjeografik, por ma tepër të mirret porsi trajtë e mesme gramatikore dhe syntaktike e fjalëvet. Mbas këtij mendimi punon Instituti Mbretnuer i Studimevet Shqiptare, dhe kanë shkruem shumë vetë, si u tha dhe ma nalt, dhe nuk asht nevoja të vrasim vehten na tash me kërkime.
Librat shkollorë që botuem Ministrija e Arsimit janë përgjithësisht në këtë gjuhë të mesme. Pastaj kemi shkrimet e të ndjemit Luigj Gurakuqi – që ma i pari nisjativën – dhe, midis të tjerëvet, shkrimet e shumta (përkthime) të ndjekësit të tij ma të përpikët dhe ma puntuer z. Prof. Karl Gurakuqi.

Mushke me dru...
Mushke me dru…

E në qoftë se At Harapi don të ngulë kambë në fjalën e vet se kjo gjuhë e mesme nuk kuptohet, pa kurrnji mbështetje, (letrën zyrtare që tregon Zotnija e tij na nuk e kemi pam se si ka qenë e shkrueme) e pyesim. Kush asht ai që nuk e kupton gjuhën e bukur të romanit “Lule” (prej Fabjan Barkatës – përkthim nga Prof. Karl Gurakuqi) ndër gegë dhe ndër toskë? Ishim ende fëmijë në klasën e parë të liceut kur e këndojshim në shkollë faqe për faqe librin (Zemra) dhe kuptojshim porsi gjuhën e nanës, përveç ndonji fjalë së rrallë, që profesori na e shpjegonte menjiherë. Prandej, më duket se nuk gënjehem në qoftë se thom se po t’ishin shkruem në gjuhën e këtyne dy librave shembullorë, veprat e Fishtës, të Prenushit dhe vetë romani i përkthyem nga At Harapi me titullin (Të fejuemit), nuk do t’i mirrte vesh vetëm Shkodra me rrethet, por e gjithë Shqipnija, pa përjashtuem as toskët. E gjuha e mesme nuk i urren frazat e stilin e bukur si i duket At Harapit.
Sa pse At Harapi ankohet se toskët nuk shkruejnë në gjuhën e mesme, duhet ta dijë se sicilit i pëlqen gjuha e nanës së vet, pa ndryshime themelore. Pastaj toskët e kanë kryem – si u tha edhe ma nalt – nji detyrë në këtë pikë: e kanë unjisuem gjuhën e vet mjaft.
Ta bajmë kaq edhe na gegët dhe atë botë sa ndryshime do të mbeteshin midis dy kryedjalektevet? Rotaçizma, zbutja e zanores hundore n’, ë, gjatësija e zanorevet dhe ndonji tjetër i pa rëndësi. Gjuha kështu do ishte e bashkueme mjaft, pa u përziem djalektet.
Të përdorej athere nëpër zyra e shkolla gjuha e mesme, sot zyrtare. Nuk do të prishej gja. Shkrimtarët do t’ishin të lirë me shkrue si në njënin si në tjetrin nga dy krydjalektet pa u bam kurrnji dhunë as shkrimtarëvet të mdhej gegë, as shkrimtarëvet të mdhej toskë.
Me kaq – kush don të marrë vesht dhe të çveshet nga regjonalizma – nuk duhet ta shajë zotin Dr. Kolë Ashta, pse paska dishruem që (Të fejuemit) t’ishin shkruem në gjuhën e mesme. E në qoftë se Fishta tallej me satyfat e veta me këtë gjuhë, poezija e tij satyrike dhe polemikat e tija i tregojnë kujdo se sa pasjoni ka vluem në zemrën e tij. Ai asht poeti ma i madh që ka pjellë toka jonë shqiptare, por kjo nuk don me thanë se fjala e tij asht nji dogëm kritike. Dhe në qoftë se këtij ajo tallje sarkastike i ka hijë në satirë, nuk i bjen për shtat aspak At Harapit në nji artikull kritike.
Se ku do të dalë kjo çetë shkrimtarësh me këso shkrimesh, unë nuk e dij. Shof vetëm se prej tyne kujtohet se vetëm ata do të vrajnë e do kthiellin qiellin kritik të letërsisë sonë.

“Shkëndija”, gusht 1943

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.