back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Kështjella e Qytetit të Shenjtë ose Sfetigradit” – nga Paulin Z. Zefi

Gazeta

Në Koxhaxhik të Dibrës së Madhe
Në Koxhaxhik të Dibrës së Madhe

“Kështjella e Qytetit të Shenjtë ose Sfetigradit”

nga Paulin Z. Zefi

“Rëndësia strategjike”.

Nga pikëpamja strategjike, mbrojtja e vendit përfshinte të gjithë territorin, por vëmendja kryesore e Heroit tonë Kombëtar, ishte e orientuar në drejtim të kufirit lindor, nga ku kalonin rrugët më kryesore e më të mundshme të afrimit të armikut për në qytetin e Krujës. Në kuadrin e fortifikimit, për të siguruar mbrojtjen sa më të qëndrueshme të vendit, u shfrytëzuan të gjitha kështjellat ekzistuese, si: Kruja, Petralba, Petrela, Stellushi, Sfetigradi, Çidhna, Tornaçe, Ndroqi, Tujani dhe Preza etj. Ndërsa në vitet ’50 të shek. XV, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u angazhua në ndërtimin e disa kështjellave të reja, si në fshatin Daul të Kurbinit e njohur si “Kalaja e fshehtë e Skënderbeut” dhe atë në Kepin e Rodonit, të cilat u ngritën mbi themelet ekzistuese të fortifikatave më të hershme. Kurse në vitin 1451, ndërtoi nga fillimi kështjellën e Modricës në malin me të njëjtin emër, që ndodhet pranë bregut perëndimor të lumit Drini i Zi. Kështjellat e Krujës, Petralbës, Petrelës, Stellushit, Sfetigradit, Çidhnës e Tornaçes, dhe më vonë ato të Modricës e Rodonit, përbënin shtyllën kurrizore të zotërimeve të Kastriotëve. Të vendosura gjatë vijës kufitare me Perandorinë Osmane, ashtu edhe në brendësi të vendit, kështjellat u bënë një hallkë shumë e rëndësishme në sistemim mbrojtës të vendit, por gjithashtu shërbyen edhe si baza strategjike për strehimin e popullsisë në rast lufte. Disa nga vendet e mbrojtura (fortifikatat) më të përmendura të prapavijës, të cilat Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i përdorte për strehimin e popullsisë dhe për depozitimin e rezervave ushqimore ishin: ajo e Shkopetit në Kurbin, Shëngjinit në Tiranë, Darsit e Bruçit në Mat, Peladhisë, Kojavecit, Lladomericës, Ostrenit, Trebishtit, Xhaxhishtës (Lurë), Lashkizës (Zall-Dardhë), Voles (Vranjt) dhe Kalaja e Dodës (Ceren) në Dibër etj. Karakteristikat kryesore të kështjellave arbëre ishin se ato qenë me përmasa relativisht të vogla, me përjashtim të Krujës, por mjaft të fuqishme nga pikëpamja e konstruksionit, sepse ishin të ndërtuara në pozicione natyrore shumë të favorshme për mbrojtjen e tyre. Politikani, diplomati, filozofi, historiani dhe poeti i famshëm i Rilindjes Italiane, Niccolò Machiavelli (1469-1527), në veprën e tij me titull “Dell’arte della guerra” (Arti i luftës) të cilën e ka shkruar në vitet 1519-1520 dhe botuar në vitin 1521, shkruan se: vendet dhe kështjellat mund të jenë të forta ose prej natyre ose prej dorës së njeriut1). Sipas vlerësimit të këtij autori, prej natyre janë të forta ato kështjella që rrethohen me lumenj apo nga moçale, siç është Mantova dhe Ferrara, ose që ngrihen mbi një shkëmb të qarkuar prej ujit apo përmbi një mal të thiktë, si Monaco dhe San Leo2). Nëse përdorim një metodë të thjeshtë krahasuese midis kështjellave të Monaco-s dhe asaj të San Leo-s me kështjellat arbëre të ngritura aq mjeshtërisht mbi masive të larta dhe të thepisura gëlqerore si: Petrela, Petralba, Stellushi, Sfetigradi dhe Modrica etj., mund të arrijmë në konkluzionin se këto të fundit, ishin shumë më të forta si prej natyrës së vendit, ashtu edhe prej dorës së njeriut. Përsa i përket kështjellës së Krujës ose “Kryeportës së Arbërisë” dhe “Bastionit më të fuqishëm të Qytetërimit Perëndimor” gjatë viteve 1443-1478, ajo në çdo aspekt i plotëson pothuajse të gjitha kriteret e “kështjellës ideale” të konceptuar nga Niccolò Machiavelli në veprën e tij. Merita kryesore për ndërtimin dhe rindërtimin e kështjellave kryesore të Principatës së Kastriotëve, i takon pikërisht të atit të Heroit tonë Kombëtar, princit të fuqishëm, strategut dhe burrështetasit vizionar Gjon Kastrioti. Duhet të kuptojmë se në lidhje me procesin e fortifikimit, përveç ndërtimit të kështjellës së Modricës dhe Rodonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vetëm sa vijoi me përmbushjen e misionit të të atit, sepse pjesa më e madhe e kështjellave dhe fortifikatave malore kishin qenë të ndërtuara ose rindërtuara prej tij. Po ashtu, i kushtoi një rëndësi shumë të veçantë vendosjes në to të garnizoneve të fuqishme, duke i furnizuar dhe kompletuar me të gjitha mjetet e nevojshme dhe me armatimet më të mira të kohës. Mjetet me të cilat luftëtarët arbër të garnizoneve respektive mbronin kështjellat e tyre ishin: bombardelat (topat e vegjël), katapultat, balistat (balestra, arbaleta), balestrat e mëdha për lëshimin e shkëmbinjve të njohura që në antikitet si onagra, harkobalistat ose harkobalestrat që shërbenin për lëshimin e shigjetave të mëdha, disa lloje hobesh me përmasa të ndryshme si: fustibalet apo fundet, shtizat, harqet me shigjeta, por edhe armë të pazakonta si: trarët e ndezur, hunjtë me majë të mprehtë, ujin e valuar, vajin e nxehtë, katranin e nxehtë, kazanët me gëlqere të valuar, rrëshirën e nxehtë të pishës, koshat e lyer me serë e vaj, dengat me kashtë ose me barë të thatë e të lyer me lëndë djegëse, shkarpa të ndezura etj.
Zona e eksplorimit
Zona e eksplorimit
Nëpër kështjellat kryesore si në Krujë, Sfetigrad, Petralbë, Stellush dhe Petrelë, u vendosën edhe disa reparte pushkatarësh të armatosur fillimisht me sclopotes ose sclopus dhe pak më vonë me arquebus. Po ashtu, menjëherë sapo përfundoi procesi i punimeve për ndërtimin e kështjellës së Modricës dhe asaj të Rodonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu inkuadroi edhe aty njësi të veçanta ushtarake të armatosur me arquebus. Në kushtet e një lufte të gjatë, kundër një armiku shumë superior në forca dhe mjete, furnizimi i ushtrisë e sidomos i garnizoneve të vendosura nëpër kështjella u bë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeu një ndër problemet themelore, të cilën strategjia e tij e zgjidhi në mënyrën më të mirë të mundshme3). Burimet kryesore të furnizimit ishin: ekonomia e vendit, të ardhurat që siguronte nga plaçka e luftës dhe ndihmat që vinin nga jashtë. Midis këtyre tri burimeve, më kryesori ishte ekonomia e vendit, dhe më pas renditej plaçka e luftës, e cila kishte funksion plotësues. Përsa u përket ndihmave që vinin nga jashtë (Selia e Shenjtë, Republika e Raguzës, Mbretëria e Napolit etj.), në shumicën e rasteve ato ishin të vogla në raport me nevojat e jashtëzakonshme të ushtrisë arbëre, por në disa situata kritike, ku nuk gjendej asnjë lloj rrugëdalje, këto ndihma ishin përcaktuese për fatet e luftës. Pavarësisht vështirësive të pafundme me të cilat u përball vazhdimisht, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u tregua gjithmonë në një lartësi olimpike, duke i siguruar ushtrisë së vet një furnizim të pandërprerë me produkte ushqimore, pajisje të ndryshme, municion dhe armatime. Prandaj, nuk ekziston qoftë edhe një dëshmi e vetme nga kronikanët osmanë e bizantinë, apo autorët bashkëkohës dhe asnjë burim dokumentar, ku të thuhet se ushtria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu u gjend ndonjëherë pa furnizimet e nevojshme. Vlen për t’u nënvizuar fakti se me 31 janar ose 1 shkurt të vitit 1462, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po kthehej si triumfator nga Italia e Jugut pas suksesit që korri gjatë Ekspeditës Italiane në ndihmë të Mbretit Ferdinandi i Aragonës dhe u ndal në qytetin e Raguzës, gjëja e parë që bëri ishte marrja e menjëhershme e masave për furnizimin e ushtrisë. Sipas burimeve raguzane, më 2 shkurt 1462, ai bleu të gjithë sasinë e grurit që ndodhej në një anije tregtare veneciane, e cila ishte ndalur në Raguzë (me destinacion Siçilinë), duke porositur që kjo ngarkesë të transportohej menjëherë drejt Puglia-s për të plotësuar nevojat e ushtrisë arbëre. Edhe gjatë dimrit të ashpër të viteve 1466-1467, i cili u karakterizua nga zia e bukës dhe në kohën kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndodhej në Itali, ku kishte shkuar për të kërkuar ndihma në Romë e në Napoli, në asnjë rast ushtrisë arbëre që po përballej me hordhitë turke të komanduara nga renegati arbër Ballaban Pashë Badera, nuk i munguan furnizimet me produktet bazë. Të gjitha burimet e shkruara (të dhënat dokumentare dhe veprat e historianëve të vjetër apo të rinj), vërtetojnë masat e shkëlqyera që ka ndërmarrë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për furnizimin e ushtrisë së tij dhe sidomos të garnizoneve të vendosura nëpër kështjellat e Shtetit të Lidhjes së Lezhës. Pas punimeve fortifikuese, që u realizuan për të forcuar muret e kështjellës së Krujës dhe ndërhyrjeve që u kryen pranë kështjellave të tjera gjatë periudhës nëntor 1443 – prill 1444, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i vizitoi personalisht të gjitha këto vende. F. S. Noli thekson se: “Ai vizitoi të gjitha kështjellat, të cilat i vendosi në gjendje mbrojtjeje, studioi hollësisht topografinë e Arbërisë, duke mos lënë as mal, as fushë, as pyll, as lumë, as vijë, as përrua, as grykë pa matur nga pikëpamja strategjike. Edhe atyre që i kishte pas u thoshte që për një gjeneral të mirë është shumë e nevojshme ta njohë vendin që ka për të mbrojtur sa edhe numrin edhe cilësinë e ushtrisë armike4)”. Distanca mesatare midis kështjellave kryesore shkonte deri në 40 km dhe lidhjen e tyre të shpejtë e bënte të mundur nëpërmjet sinjaleve, si: zjarre, të shtëna me topa, me anën e lajmëtarëve ose dhënien e ndihmës së ndërsjellët brenda një kohe mjaft të shkurtër. Rrugët kryesore e më të mundshme të afrimit të turqve osmanë për në qytetin e Krujës kalonin kryesisht nga Dibra (lugina e Drinit të Zi dhe ajo e Radikës), por edhe nga qyteti i Ohrit për në luginën e Shkumbinit (Buzursheku mesjetar). Pra, nëse Kruja si kryeqytet i Shtetit të Lidhjes së Lezhës, ishte “Kryeporta e Arbërisë”, padyshim që kështjella strategjike e Sfetigradit në Dibrë e Epërme, mund të konsiderohet si “Porta hyrëse” për në Arbërinë e lirë. Politikani, diplomati dhe sociologu turk, Feti Pasha, pavarësisht faktit se përfaqëson palën kundërshtare, jep këto vlerësime për trevën e Dibrës: “Nëntë Malet e Dibrës së Poshtme dhe të Epërme formojnë atë krahinë, si të thuash klasike, roli i së cilës ka ushtruar gjithmonë ndikim të madh jo vetëm në problemet (punët) shqiptare, por dhe në ato ballkanike. Në qoftë se ai (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu), fillimisht ia doli mbanë të heqë qafe pashain e Krujës (Hasan Beun), duke i treguar një ferman të rremë, marrë me forcë sekretarit (myhyrdarit) të Sulltanit, në të vërtetë ai (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu), në sajë të Dibrës mundi të konsolidojë pushtetin e vet, duke përballuar për 24 vjet ushtritë tona. Midis tij dhe gjeneralëve tanë, përfundimi i luftimeve varej gjithmonë nga sundimi në të “Nëntë Malet e dy Dibrave”. Atje është zemra e Shqipërisë. Porta e vërtetë e Shqipërisë është atje. Kurdoherë5)“. Pikërisht falë rëndësisë së jashtëzakonshme që kishte zotërimi i Dibrës dhe në veçanti, i Sfetigradit, sulltan Murati II Kodja, moblilizoi të gjithë armatën perandorake për pushtimin e kësaj kështjelle. Për mbrojtjen e saj, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu caktoi një trupë mbrojtëse prej 2.000 luftëtarësh të zgjedhur nën komandën e kapitenit Pjetër Perlati, pra 500 ushtarë më shumë në raport me forcat e garnizonit të Krujës gjatë Rrethimit të saj të Parë më 1450. Dh. Frangu shkruan se “Sulltan Murati II, erdhi dhe ngriti kampin e vet në Arbëri me 160.000 ushtarë, me topa e shumë artileri dhe rrethoi Sfetigradin, ku Pjetër Perlati qe komandant!”6) Ndërsa sipas M. Barletit, numri i përgjithshëm i efektivit të ushtrisë osmane shkonte deri në 120.000 veta, 40.000 forca të pararojës dhe 80.000 trupa që përbënin masën kryesore të ushtrisë. Gjatë luftimeve që u zhvilluan nga datë 14 maj dhe deri më 31 korrik të vitit 1448, përpara mureve të kështjellës dhe në pjerrësitë e Sfetigradit, Sulltan Muratit II iu vranë deri në 7.000 ushtarë brenda një dite të vetme dhe ndërsa së bashku me numrin e ushtarëve të vrarë gjatë sulmeve asgjësuese të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shifra arriti në mbi 20.000 ushtarë të vrarë në total. Pas marrjes së kësaj kështjelle, jo nëpërmjet forcës, por në sajë të tradhëtisë, Sulltan Murati II Kodja, vendosi aty një garnizon të fuqishëm, që përbëhej nga 1.200 luftëtarë të korpusit të jeniçerëve së bashku me një grup kolonësh turq7). Rënia e Sfetigradit shkaktoi një jehonë shumë të madhe në Arbëri dhe në vendet e tjera ballkanike, pasi ishte një humbje e rëndë për arbërit, sepse dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të Shtetit të Lidhjes së Lezhës. Sidoqoftë, qëndresa e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu do të vazhdonte të ishte akoma shumë e fortë, edhe pse ai kishte humbur kështjellën më të rëndësishme në kufijtë e tij lindorë. Rënia e Sfetigradit në duart e turqve osmanë ishte një fatkeqësi, me të cilën ai nuk u pajtua kurrë dhe kjo është arsyeja pse organizoi ushtrinë arbëre, duke iu vërsulur kësaj kështjelle për ta çliruar atë me çdo kusht. Vitin parardhës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, mobilizoi një ushtri shumë të fuqishme për të realizuar çlirimin e kështjellës së Sfetigradit, ushtri, e cila ishte më e madhja e komanduar prej tij deri atëherë. M. Barleti rrëfen se brenda një kohe të shkurtër, pas shpalljes së mobilizimit ushtarak, ai mblodhi një ushtri që arrinte në 18.000 veta, e cila përbëhej nga 10.000 këmbësorë dhe 8.000 kalorës8). Shifrës, që ka dhënë M. Barleti, G. Biemmi i shton edhe 6.200 ushtarë të tjerë. Sipas tij, 12.000 ishin nga zotërimet e Kastriotëve, 4.000 nga Gjergj Arianiti, 1.200 nga Alfonsi V i Aragonës, 3.000 aventurierë nga vende të ndryshme, 3.000 trupat e reparteve kufitare dhe 1.000 ushtarët e rinj, që e çonin numrin e përgjithshëm në 24.200 veta9). Kjo ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, e cila kërkonte shpenzime të mëdha, artileri të rëndë dhe kohë të mjaftueshme. Në këto sulme të stërmundimshme morën pjesë edhe Gjergj Arianiti, Moisi Golemi, Tanush Topia, Nikollë Dukagjini, Zaharia Gropa dhe disa reparte të specializuara me vullnetarë gjermanë, italianë e frëngë, por Sfetigradi, nga vetë pozicioni natyror ku ndodhej, paraqiste vështirësi të shumta. Bilanci i humbjeve që pësoi ushtria arbëre e komanduar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu pranë mureve të Sfetigradit, nëse i referohemi M. Barletit, i kalon mbi 500 ushtarë të vrarë10), por sipas njoftimeve të autorit G. Biemmi, në këtë sipërmarrje të pafat, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu humbi gati 2.000 ushtarë dhe shumë më tepër të plagosur, ndër të cilët bënin pjesë 63 oficerë dhe një vëlla i Gjergj Arianitit11). Historiani A. Gegaj, duke kombinuar shifrat që japin M. Barleti dhe G. Biemmi, shkruan se nga ushtria arbëre mbetën të vrarë 900 veta dhe u plagosën më shumë se 1.000 të tjerë12).
.

Muret e mbetura nga koha
Muret e mbetura nga koha

“Lokalizimi i kështjellës së Sfetigradit”

Në lidhje me përcaktimin e saktë të vendndodhjes së kësaj kështjelle, pjesa më e madhe e historianëve shqiptarë dhe ato të huaj i janë referuar kryesisht teorisë së themeluesit të Albanologjisë moderne dhe konsullit austriak, Georg von Hahn, i cili shkruan se Sfetigradi ndodhet në lokalitetin, i cili sot njihet me emrin Koxhaxhik, në Maqedoninë Perëndimore. Me muajin qershor të vitit 1993, një ekspeditë e përbërë nga Jakup Marku, Sazan Papraniku, Qemal Xhafa, Dyl Dema, Moisi Murra dhe Hazis Ndreu, u ngjitën në kështjellën e Sfetigradit (Koxhaxhikut) ku vërejtën se: “Kështjella ngrihet nga rrafshi mbi një shkëmb tepër të thepisur. Fragmentet e mureve, pusi dhe dybeku (prej guri) i shtypjes së barutit, dëshmojnë për këtë fortesë të fuqishme. Fragmentet e mureve të kështjellës në rrafshin kulmor kapin një sipërfaqe prej rreth 500 metër katrorë. Në juglindje dhe në perëndim duken dy tunele të zëna nga rrënojat13)“. V. Kormaku, në ndryshim nga H. Ndreu, vrimat e hapura mbi shkëmbinj, nuk i definon si dybek (prej guri) për shtypjen e barutit, por shkruan se këta gurë duket se kanë qenë baza shtyllash të godinave të fortesës14). Po ashtu, ky autor shton se: “Banorët vendas besojnë se ujët e shiut që eventualisht përmbajnë vrimat e këtyre gurëve, ka një fuqi shëruese për çdo lloj sëmundje, veçanërisht për ato gra që nuk lindin fëmijë dhe pikërisht për këtë arsye, Ditën e Shën Gjergjit, sipas “Kalendarit Julian (çdo 6 maj)”, njerëzit mblidhen në këtë vend për të pirë nga një pikë ujë që grumbullohet në vrimat e hapura mbi gurët e lartpërmendur15). Pjesa më e madhe e jetëshkruesve të Heroit tonë Kombëtar, e lidhin Sfetigradin mesjetar me Koxhaxhikun e sotëm, por pa u zgjatur me shumë detaje. Nga ana tjetër, në Historiografinë tonë zyrtare, ose më saktësisht në tekstin e “Historisë së Popullit Shqiptar”, të botuar në vitin 2002, është fiksuar se kështjella e Sfetigradit nuk lidhet me Koxhaxhikun, por me rrënojat e kështjellë së Sopotnicës, e cila ndodhet pranë qytetit të sotëm të Demir Hisarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut16). Përveç temës me titull “Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës (Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448 17), e cila në vetvete lë shumë për të dëshiruar, autorët e këtij teksti “kanë guxuar” ta vlerësojnë Koxhaxhikun si një kështjellë “pa rëndësi strategjike” dhe që shërbente vetëm për të ruajtur një rrugë dytësore që kalonte përgjatë rrjedhës së sipërme të Drinit të Zi, atë Strugë-Rahovnik (Qyteti i Dibrës)18). Përveç variantit zyrtar të lartpërmendur, janë të shumtë historianët të cilët i mëshojnë teorisë se kështjella mesjetare e Sftetigradit duhet kërkuar vetëm në Sopotnicë, pranë qytetit Demir Hisar. Sipas këtyre autorëve, rezultatet e provuara nga hulumtimet e vitit 2005 e kundërshtojnë teorinë e Georg von Hahn, duke argumentuar se rrënojat e kështjellës së Sfetigradit, të cilën turqit e pagëzuan me emrin Demir Hisar (Kështjella e Hekurt), nuk duhen kërkuar në Koxhaxhik, sepse ato ndodhen mbi malin e pyllëzuar pranë fshatit Devernik, ku sot në këto rrethina kemi edhe një fshat me emrin Sveti19). I. Veliu është i mendimit se emri i malit në hartën gjeografike, ndoshta qëllimisht nuk është i shënuar me emrin e vërtetë si Mali i Dervenikut, sepse Derveniku është lokalitet shqiptar, por është i shënuar vetëm me emrin “Kale20)”. Vetë shqiptarët e quajnë Mali i Dervenikut dhe Kalaja e Dervenikut, kurse sllavomaqedonasit e njohin me emërtimin “Derveniçko Kale21)“. Sipas historianit K. Biçoku, kështjella e Sfetigradit ndodhet mbi kreshtën shkëmbore të malit Dervenik, shpatet e të cilit nga tri anë janë shumë të pjerrëta e të pangjitshme prej ushtrive. Ajo e ka perimetrin përafërsisht 280 m, gjatësinë (lindje-perëndim) 100 m dhe gjerësinë (veri-jug) 80 m. Në anën jugore të saj ka qenë porta, 200 m në jugperëndim të portës është një burim uji dhe një burim tjetër i tharë ndodhet 100 m larg portës së kështjellës22). K. Biçoku këmbëngul, duke thënë se: “Oruçi e nën ndikimin e tij edhe kronistët dhe historianët e tjerë osmanë, emrin e kështjellës së Sfetigradit e kanë ngatërruar me atë të Koxhaxhikut, se aty nuk ka asnjë gjurmë kështjelle të ndërtuar me gurë dhe as që mund të ngrihej një kështjellë e tillë në një lartësi aq të madhe, pasi Koxhaxhiku, sipas tij, është vendbanimi më i lartë që ndodhet në shpatin e malit Stogovë me lartësi afër 2.300 m 23)”. Teoria e K. Biçokut është përkrahur fuqimisht nga historiani Ilmi Veliu, i cili sjell një mori argumentesh, duke u bazuar tek përshkrimet e M. Barletit. Ai pretendon se ka zbuluar themelet e kështjellës së Sfetigradit mbi malin e Dervenikut (1494 m), që ndodhet në mes të Manastirit, Prilepit ose fushës së Pellagonisë, Krushevës dhe Demir Hisarit, në Maqedoninë Perëndimore24). Në ekspeditën përnjohëse, që kanë realizuar në malin e Dervenikut me qëllim për të verifikuar themelet e kështjellës së Sfetigradit, kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e një delegacioni zyrtar nga Tirana, që udhëhiqej nga Prof. Dr. Kasem Biçoku, Dr. Dritan Egro, Prof. Dr. Agron Gani dhe Dr. Ismet Murati. Hollësitë e këtij udhëtimi dhe përshkrimin e mjedisit i ka dhënë në mënyrë shumë të detajuar vetë K. Biçoku në një artikull që ka publikuar në gazetën “Tema”, më dt.11.10.2005, f. 14-15. K. Biçoku dhe grupi i personave të lartpërmendur e kanë perlustruar kurrizin malor të Dervenikut, më 24 shtator të vitit 2005 dhe për t’u ngjitur lart deri në kështjellë, janë ndihmuar nga një udhërrëfyes vendas, 76-vjeçar, me emrin Azem Beshiri, nga qyteti i Kërçovës, i cili ka jetuar 30 vjet në fshatin Dervenik 25). Sipas I. Veliut, në periudhën e Perandorisë Bizantine, Demir Hisari është quajtur “Siderokastron”, që në greqisht do të thotë “Qyteti i hekurt26)”. Gjatë shek. XIV, pra nën sundimin serb të car Stefan Dushanit, emri i kishës është sllavizuar, duke marrë trajtën “Sveta Sufija” dhe ndërsa kalaja është emërtuar “Sveti Grad27)“. Edhe pas vdekjes së car Stefan Dushanit dhe shpërbërjes së shtetit të tij, kjo kështjellë, e cila mbeti nën sundimin bizantin, vazhdoi të quhej “Svetigrad28)“. Pas pushtimit të këtij qyteti nga turqit-osmanë, sipas I. Veliut, ata i dhanë një emër të përkohshëm “Koxhaxhik” dhe ndërsa në vitin 1443 (në fakt, më 1444), kur kështjella u mor nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ai vazhdoi ta thërrasë me emrin e vjetër “Svetigrad” dhe emri “Koxhaxhik” do të ketë mbetur i shënuar vetëm te kronistët osmanë29). Ajo çfarë bie në sy, është se të gjithë historianët dhe studiuesit që janë marrë me lokalizimin e Sfetigradit, janë bazuar në atë çfarë ka shkruar M. Barleti në lidhje me vendin në të cilin ndodhej kjo kështjellë e rëndësishme kufitare. Në fakt, rëndësia jetike e Sfetigradit dhe luftimet e ashpra për zotërimin e kësaj kështjelle strategjike, janë shprehur edhe nëpërmjet hapësirës së madhe që i ka dhënë M. Barleti në veprën e tij monumentale “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis” ose, siç jemi mësuar që ta pranojmë përgjithësisht, si “Historia e Skënderbeut”, ku Sfetigradi zë plot 18.25% të volumit të përgjithshëm. Emërtimi sllav “Sfetigrad”, që do të thotë “Qytet i Shenjtë”, me të cilin e përmendin Dh. Frangu dhe M. Barleti, lidhet me kishat dhe manastiret e shumta që ndodheshin në këtë qytet dhe në vendbanimet e tjera pranë tij, në Dibrën e Sipërme.
.
Paulin Z. Zefi - Sveti gradi - Qyteti i Shenjt
Paulin Z. Zefi – Sveti gradi – Qyteti i Shenjt
Në fillim, M. Barleti ka rrëfyer se qyteti i Sfetigradit ndodhej në Dibër të Sipërme, pranë kufijve të mbretërisë, si fole shqiponje mbi një mal të lartë, i dukshëm nga të gjitha anët dhe i barabartë pothuajse me Stellushin, po t’i vish rrotull30). Ndërsa pak më poshtë, M. Barleti thotë krejt të kundërtën, sepse shkruan se Sfetigradi ndodhej në Dibër të Poshtme31), duke krijuar kontradikta në veprën e tij, por edhe duke ngatërruar e çoroditur historianët që vazhdojnë të jenë të ndarë në lidhje me lokalizimin e kësaj kështjelle. “Tymnajën”, që ka mbuluar qiellin e Historiografisë Shqiptare në lidhje me lokalizimin e kështjellës së Sfetigradit, e largojnë deri në një farë mase, burimet dokumentare osmane. Historiani turk, Halil Inalçik, duke u mbështetur në regjistrin kadastral të viti 1467, shkruan se në këtë defter përmendet kështjella e Koxhaxhikut, e cila ishte e përfshirë në juridiksionin e Dibrës së Madhe32). Më tej ai thotë se: “…mbasi Skënderbeu, shtiu në dorë Koxhaxhikun (Koxhaxhik sipas disa teksteve të vjetra), d.m.th. Kalanë e Sfetigradit, pushteti osman në Shqipëri (Arbëri) hyri në një fazë seriozisht të rrezikshme33). Ky autor, flet për ardhjen e sulltan Muratit II në Arbëri në krye të një ushtrie të fortë, për luftën e zhvilluar dhe pushtimin e kësaj kështjelle me rëndësi strategjike, për përforcimin e saj nga osmanët, për instalimin këtu të jyrykëve (Yörükler) dhe për praninë e kësaj popullsie të krishterë prej 48 banorësh, të cilët ishin të përjashtuar nga çdo lloj detyrimi financiar (taksë apo haraç), kundrejt shërbimit që kryenin për mbrojtjen e kështjellës etj.34). Një element shtesë, që përforcon mendimin se Sfetigradi ndodhet në fshatin Koxhaxhik, ka ardhur si rezultat i disa zbulimeve arkeologjike pranë këtij vendbanimi. Gjatë një përnjohjeje arkeologjike, që është zhvilluar në vitin 2006 pranë fshatit Koxhaxhik, i cili edhe në ditët e sotme banohet nga një komunitet me kombësi turke (jyrykët e lartpërmendur), janë zbuluar 1.200 varre. Sipas mendimit që kanë shprehur arkeologët dhe disa historianë shqiptarë dhe të huaj, këto varre lidhen me ushtarët e vrarë gjatë rrethimit të kështjellës së Sfetigradit në vitin 1448. Këto 1.200 varre mendohet se janë të ushtarëve të vrarë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por pjesa më e madhe i përkasin palës kundërshtare pra, ushtrisë osmane. Varret e zbuluara janë të vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë të ndarë në bazë të përkatësisë fetare e rrjedhimisht edhe asaj etnike: 300 katolikë (arbër) dhe 900 myslimanë (turq osmanë). Pra, kuptohet se rezultatet e këtij zbulimi arkeologjik sensacional, ka bërë që peshorja të anojë gjithnjë e më shumë në anën e Koxhaxhikut. Gjithashtu, nëse i referohemi M. Barletit, ai e jep distancën midis Krujës dhe Sfetigradit në 480 stade35), që i bie të jetë 88.8 km pra, pak a shumë përkon me Koxhaxhikun e sotëm, por nëse llogarisim distancën midis Krujës dhe Demir Hisarit, i bie të jetë gati dyfishi i shifrës që na jep M. Barleti.
Edhe bashkëpunëtori i ngushtë i Gjergj Kastrotit-Skënderbeu, Dh. Frangu, shkruan se qyteti i Sfetigradit ndodhet 58 milje larg nga Kruja36), dhe duke e konvertuar këtë distancë në kilometra, i bie pak më shumë se sa shifra që ka dhënë M. Barleti pra, 93.3 km. Pretendimet e K. Biçokut, i cili këmbëngul se ka zbuluar themelet e kështjellës së Sfetigradit në malin e Dervenikut, kanë nxitur një debat të zjarrtë në qarqet shkencore dhe reagimi më i ashpër ka ardhur nga P. Thengjilli, i cili pa u zgjatur shumë dhe në mënyrë lakonike dhe ironike njëkohësisht, shprehet se elementi i ri që sjell K. Biçoku, duke e lokalizuar Sfetigradin në malin e Dervenikut, i shtrin kufinjtë e Shqipërisë (Arbëria mesjetare) edhe qindra km në lindje dhe nuk është çudi që ndonjë ditë do të dalim deri në Bullgari37)…!!! Nga ana tjetër, O. J. Schmitt, që deri diku e ka mbështetur supozimin e K. Biçokut, shton gjithashtu se dijetarët e mëvonshëm, të cilët e kanë vënë në dyshim identifikimin e Sfetigradit me Koxhaxhikun, kanë propozuar rrënojat e Malit të Shenjtë, në lindje të Shqipërisë së Mesme, më pas rrënojat që ndodhen pranë fshatit Kërçisht (Dibër), që nga populli njihen si “Kalaja e Skënderbeut” dhe në kohë më të vona është propozuar edhe një gërmadhë që ndodhet mbi një shpat të pyllëzuar mali pranë fshatit Dervenik38). Supozimet e K. Biçokut dhe  janë kundërshtuar nga Dr. Muzafer Bislimi, i cili ka bërë një studim të plotë dhe të detajuar në lidhje me lokalizimin e kështjellës së Sfetigradit, kronologjinë e ngjarjeve që u zhvilluan gjatë rrethimit të kësaj kështjelle dhe deri në pushtimin e saj nga Sulltan Murati II, që autori e vendos “gabimisht” në vitin 1449. M. Bislimi paraqet argumente të ndryshme që mbrojnë pikëpamjen e deritanishme, ku Sfetigradi identifikohet me Koxhaxhikun, duke nisur nga konfiguracioni i terrenit i pasqyruar në disa fotografi që i ka realizuar në terren gjatë vitit 2003 dhe në 2005, rezultatet arkeologjike, që dëshmojnë ekzistencën e një fortifikimi, rreth të cilit ndodhen edhe dy rradhë muresh mbrojtëse në largësi deri në një kilometër nga kështjella e Koxhaxhikut dhe që shtrihen në drejtim të luginës së Dibrës (Drinit të Zi), që ishte e vetmja mënyrë për t’u ngjitur deri aty lart39). Gjithashtu ai përmend edhe mungesën e ujit të pijshëm dhe ekzistencën e një burimi që rrjedh nëpër fshatin Koxhaxhik, përmes të cilit ka qenë furnizuar Sfetigradi me ujë të pijshëm e që sot njihet si “Kroi i kalasë”, ekzistenca e një kompleksi prej disa hektarësh me varreza dhe prania e banorëve të sotëm turq në fshatrat rreth kalasë (Koxhaxhik, Novak e Breshtan), të cilët prejardhjen e tyre e lidhin me kolonët turq të vendosur këtu nga Sulltan Murati II, pasi mori Sfetigradin40). K. Biçokun e kundërshton fort edhe Prof. Dr. Adem Bunguri, i cili ka udhëhequr tri ekspedita arkeologjike pranë Koxhaxhikut dhe ka arritur në përfundimin se kështjella e Sfetigrafit duhet kërkuar vetëm në Koxhaxhik.41). Po ashtu, edhe autori V. Kormaku shkruan se kishte dëgjuar nga banorët vendas të Koxhaxhikut se kështjellën e Sfetigradit ata e quanin me disa emra, si: “Kala e Koxhaxhikut”, “Gjaur Kalasi”, “Skënderbeg Kalasi”, “Jamborja Kalasi”, “Sfetigrad Kalasi” dhe “Koxha-Xhenk Kalasi”, pozita e së cilës dominon të gjithë luginën e Dibrës, ku shfaqet një panoramë shumë piktoreske42). V. Kormaku shton, se pjesa e sipërme e fortesës është e sheshtë, me një sipërfaqe rreth 3500m2, (në fakt është rreth 500-550 m2) pothuajse në formë të poligonit kënddrejtë, brinjët e të cilit kanë qenë mure të fortesës, prej të cilave janë ruajtur vetëm disa fragmente muresh43). Gjithashtu duhet shtuar se vetë emërtimi turk “Koxha-Xhenk” do të thotë “Luftë e Madhe” dhe ky është një tjetër element shumë i rëndësishëm. Në ekspeditën përnjohëse, që është realizuar mbi masivin shkëmbor të Koxhaxhikut, me datë 05.10.2019 nga një grup i përbërë prej Jakup Markut, Sazan Papranikut, Reshat Qormemetit dhe autorit të këtij studimi, me qëllim për të evidentuar strukturat murale që lidhen me themelet e kështjellës së Sfetigradit, u konstatua se: “pozicioni gjeografik, mjedisi natyror, konfiguracioni i terrenit, mbetjet e strukturave murale të një fortifikimi mesjetar me trashësi që variojnë nga 1-1.2 m, ekzistenca e sterës (depozitës së ujit), vrimat e hapura mbi shkëmbinj së bashku me gjurmët e tjera të evidentuara në terren, ekzistenca e një kompleksi të madh me varreza dhe prania e banorëve të sotëm turq që deklarohen si pasardhës të jyrykëve (Yörükler) etj. etj.”, janë argumente të pakundërshtueshme, të cilat dëshmojnë lidhjen e pazgjidhshme midis rrënojave të kështjellës së Koxhaxhikut të sotëm me Sfetigradin mesjetar për të cilin flasin aq shumë “dy autentikët”: Dh. Frangu e M. Barleti. Të gjitha këto indicie duhet të mjaftojnë për të krijuar një definicion shkencor të saktë dhe përfundimtar në lidhje me përcaktimin e vendndodhjes së kështjellës së Sfetigradit, që padyshim është vendbanimi i sotëm i Koxhaxhikut në Maqedoninë Perëndimore.
.
Zona përreth vendit të eksplorimit
Zona përreth vendit të eksplorimit

Bibliografia:

1)N. Makiaveli, Arti i luftës, f. 15.
2)N. Makiaveli, Arti i luftës, f. 15.
3)Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 182.
4)F. S. Noli, vep. cit. f.38.
5)Basri Bey, L’Orient – de balkanise, f. 15-17; Shih edhe H. Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f.75.
6)D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Principe d’Epirro, f. 70; Shih edhe C.Paganel, Geschichte Scanderbeg’s Oder Türken Und Christen Im 15. Jahrhundert, f.128; H. Hodgkinson, Scanderbeg, f.95.
7)M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f.228.
8)M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 235; Shih edhe R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.322; G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, IV, 1300-1453, Venezia, 1829, f. 469; C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f.70.
9)G. Biemmi, f.205-206.
10)M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f.245.
11)G. Biemmi, f.222.
12)A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f.75.
13)H. Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 75.
14)V. Kormaku, Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit, f. 39-40.
15)V. Kormaku, Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit, f. 40.
16)Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. 2002. f. 410-411).
17)Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. 2002. f. 410.
18)Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. 2002. f. 411.
19)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 177-178.
20)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 119.
21)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 119.
22)Kasem Biçoku, Skënderbeu, f.117-118.
23)K. Biçoku, Skënderbeu, f.119.
24)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 118-119.
25)K.Biçoku, Toponimet Mesjetare, f. 142.
26)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 122.
27)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 122.
28)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 122.
29)I. Veliu, Ku ishte kështjella e Skënderbeut-Svetigradi, f. 122-123.
30)M. Barleti, vep. cit. f.81.
31)M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f.94.
32)H. Inalçik (Ankara), Krahina e Krujës dhe e Dibrës rreth vitit 1467, Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 190.
33)H. Inalçik (Ankara), Krahina e Krujës dhe e Dibrës rreth vitit 1467, Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 190.
34)H. Inalçik (Ankara), Krahina e Krujës dhe e Dibrës rreth vitit 1467, Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f. 190.
35)M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f.186.
36)D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 68.
37)P.Thengjilli, Skënderbeu, Arritje, mangësi, f.651.
38)O. J. Schmitt, Skënderbeu, f.91.
39)M. Bislimi, Sfetigradi, lokalizimi, kronologjia dhe pushtimi nga ana e osmanllinjve, Skënderbeu dhe Evropa, f.176-184.
40)M. Bislimi, Sfetigradi, lokalizimi, kronologjia dhe pushtimi nga ana e osmanllinjve, Skënderbeu dhe Evropa, f.176-184.
41)M. Murra, Dibra nga Antikiteti në Monarki, f.143.
42)V. Kormaku, Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit, f.38.
43)V. Kormaku, Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit, f.39.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.