
Këshilla e Bekim Fehmiut për krijuesit shqiptarë
Më së shpeshti ulesha në kafenë “Grand”. Aty më bashkoheshin gazetar, poetë, letrarë: Musa Ramadani, Beqir Musliu, Mehmet Kraja dhe të tjerë.
Edhe pse Bashkimi i blente rregullisht veprat letrare të sapobotuara në shqip, ata më njoftonin me levizjet dhe risitë letrare. I pyes nëse shkruanin për ngjarjet aktuale, për reperkusionet e reja ndaj pjesëmarrësve në demonstrata, për dënimet drakonike me nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg. “Nuk na e botojnë këtë, thonë.
Musa Ramadani i qetë ma dhuroi romanin e tij të fundit Zezona. Një roman shumë i mirë. Tema është terrori i udbashëve të Rankoviqit mbi shqiptarët. Në roman, ndërkaq janë përshkruar bullgarët. E pyes pse ua kishte ndryshuar nacionalitetin.
-Sinan Hasanin e kisha recenzent. Ai e propozoi kështu, ndryshe nuk do të mund të bëhej!
-Pse Sinani në romanin e tij “Era dhe lisi” nuk i ka futur bullgarët, por i ka lënë udbashët e Rankoviqit ? -Musa vetëm rrudhi krahët.
-Shkruajeni atë që e ndjeni, që ju vret, pa marrë parasysh nëse do botohet tani apo pas 1o vjetësh. le të rrijë. heret a vonë do të vijë koha që të botohen.
(Bekim Fehmiu, Shkëlqim dhe Tmerr).
Marrë nga Fondi Bekim Fehmiu